Prodhimi industrial i fidanëve perimorë.

Prodhimi industrial i fidanëve ka avantazhe të konsiderueshme krahasuar me format e tjera të kultivimit (fidanët me rrënjë të zhveshura, ose te prodhuar ne kubiket tradicionale). Ky sistem bazohet në shfrytëzimin e lëndëve të para të përpunuara industrialisht, shkallën e lartë të mekanizimit të proceseve të prodhimit dhe nivelin e lartë të automatizimit të kontrollit të mikroklimës në mjediset e prodhimit të fidanëve. Prodhimi industrial i fidanëve realizohet në kaseta, që përmbajnë 40 – 400 qeliza individuale. Ndarja e kasetave në qeliza do të thotë që çdo fidani, individualisht, i sigurohet ujë  dhe ushqim i mjaftueshëm.

Fidane domate ne kaseta polisteroli.

Megjithëse ky sistem prodhimi u përdor fillimisht për lakrat, ai tani përdoret gjerësisht për prodhimin e fidanëve të të gjithë bimëve perimore. Ky sistem numëron një seri avantazhesh krahasuar me mënyrat tradicionale të prodhimit të fidanëve, por pa dyshim që avantazhi më i rëndësishëm është fakti që ai lejon përqendrimin e prodhimit të fidanëve, nëpërmjet stimulimit të krijimit të ekonomive të specializuara për këtë qëllim.

Serre moderne per prodhimin e fidaneve perimore.

Materialet kryesore për prodhimin e fidanëve dhe kërkesat kryesore që duhet të plotësojnë.

Kasetat për prodhimin e fidanëve. Prodhimi i fidanëve perimorë mund të realizohet në kaseta polisteroli (bukë peshku), ose plastike. Pavarësisht nga materiali që prodhohen, kasetat ndryshojnë në numrin, madhësinë dhe formën e qelizave (moduleve) të tyre. Kasetat prej polisteroli janë më të përdorshmet, kryesisht për shkak të kostos më të ulët. Vitet e fundit nën ndikimin e kërkesave për ruajtjen e mjedisit, këto të fundit janë duke u zëvendësuar me kaseta plastike të ngurta. Si rregull kasetat plastike shfrytëzohen për shumë mbjellje me radhë, por edhe kasetat prej polisteroli mund të shfrytëzohen për më shumë se një mbjellje. Në çdo rast, shfrytëzimi i përsëritur i kasetave duhet të shoqërohet me dezinfektimin paraprak të tyre me fungicide dhe insekticide me spektër të gjerë veprimi. Zhytja e tyre për disa sekonda në vaska të mbushura me tretësirë të përqendruar sulfat bakri (gur kali) 3 % është metoda më e thjeshtë.

Ndërsa përmasat e kasetave janë pak a shumë të unifikuara (për të mundësuar mbjelljen e mekanizuar të tyre), përcaktimi i numrit të fidanëve që do të prodhohen në çdo kasetë (numri i qelizave që gjenden në çdo kasetë), është në varësi të bimës që do të mbillet, sezonit të prodhimit (intensitetit të ndriçimit në kohën e prodhimit të fidanëve) dhe kohës së parashikuar për qëndrimin e fidanëve në kaseta (moshës së fidanëve). Si rregull, bimët e familjes bostanore (kastraveci, pjepri, shalqini), kërkojnë më shumë hapësirë, se sa solanoret (domatja, speci, patllixhani), kryqoret (lakra, lulelakra, brokoli) dhe qeporet (qepa, preshi). Për rrjedhojë, numri i qelizave në kasetë rritet nga kungulloret, tek solanoret, kryqoret dhe qeporet. Ndërkohë, për të njëjtën bimë, numri i fidanëve për kasetë të prodhuar në sezonin e pranverës, është më i vogël se ai i fidanëve të prodhuar në sezonin veror.

Substrati për mbushjen e kasetave. Substrati që shfrytëzohet për mbushjen e kasetave njihet ndryshe edhe si komposto. Ndonëse, kompostot për prodhimin e fidanëve mund të prodhohen edhe në mënyrë artizanale (nëpërmjet dekompozimit të mbeturinave organike, plehrave të stallës, etj), shfrytëzimi i kompostove të prodhuara nga industria është më i sigurt dhe më efektiv. Pavarësisht nëse kompostoja që do të shfrytëzohet për prodhimin e fidanëve, është e prodhuar në mënyrë industriale, apo artizanale, ajo duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e mëposhtme:

  • të jetë fizikisht uniforme dhe të ketë rrjedhje të lirë për të lejuar mbushjen uniforme të moduleve,
  • të karakteristika shumë të mira ujëmbajtëse, të mos humbasë strukturën gjatë ujitjeve, por njëkohësisht të lejojë njomjen e lehtë në rast se thahet,
  • të sigurojë një mjedis uniform për rritjen dhe të mundësojë krijimin e një lëmshi rrënjësh që të mos shpërbëhet pas daljes nga modulet,

 

Përmbajtja e plehrave në komposto është e rëndësishme dhe do të ishte e dëshirueshme që ajo  të përmbajë në sasi të mjaftueshme të gjithë makro dhe mikroelementet. Megjithatë, rritësit e fidanëve kanë mundësi të shumta të kontrollojnë rritjen e fidanëve me anë të  plehërimeve të lëngshme. Ndryshimi i përmbajtjes së azotit në komposto është mënyra kryesore e kontrollit të rritjes së fidanëve.

Cilësia e farave. Kërkesë esenciale e prodhimit industrial të fidanëve është cilësia e lartë e farave. Është shumë e rëndësishme që farat krahas fuqisë së lartë mbirëse të kenë gjithashtu energji të lartë mbirëse. Si rregull farat që përdoren duhet të kenë fuqi mbirëse jo më pak se 90 %. Humbja e energjisë mbirëse të farave është në shumicën e rasteve tregues i kohës së gjatë të prodhimit të tyre (vjetrimit), ose i kushteve të papërshtatshme të ruajtjes.

Elementët bazë të teknologjisë së prodhimit të fidanëve perimorë.

Mbushja dhe mbjellja e kasetave. Mbushja e kasetave me komposto mund të behet me dorë, ose e mekanizuar. Mbushja duhet të realizohet nëpërmjet rrjedhjes së lirë të substratit në qeliza, rrafsh me sipërfaqen e tyre. Pas mbushjes me substrat, kasetat shkunden lehtësisht, por nuk është e nevojshme që mbi substrat të ushtrohet forcë për ta ngjeshur. Ngjeshja e tij realizohet lehtësisht nëpërmjet ujitjeve të mëvonshme.

Makine mbjellese me vakum.

Mbjellja e farave në kaseta, gjithashtu mund të bëhet me dorë, ose e mekanizuar, nëpërmjet makinave mbjellëse me vakum. Pas mbjelljes tavat mbulohen me një shtresë të hollë vermikuliti, pas të cilit makinat moderne të mbjelljes bëjnë ujitjen automatike të kasetave. Në rast të kundërt kjo ujitje duhet të bëhet me dorë, në formë shiu, por duke treguar kujdes që rryma e ujit të mos zbulojë, ose zhvendosë farat e mbjella. Ujitja duhet të jetë e tillë që mundësojë lagien e plotë dhe uniforme të substratit në të gjithë thellësinë e qelizave. Për të lehtësuar këtë proces, nëse substrati paraqitet në gjendje të thatë,  laget mjaftueshëm përpara mbushjes së kasetave.

Mbirja. Kasetat duhet të vendosen në dhomat e veçanta të para mbirjes në paleta (100-150 kaseta/paletë) deri sa të fillojë mbirja. Temperatura në këto mjedise, deri në shfaqjen e mbirjeve të para,  mbahet në nivelin 25-28 0C. Koha e qëndrimit të kasetave në këto mjedise zgjat 48 deri në 72 orë, në varësi nga lloji i species dhe energjia mbirëse e farave. Në përgjithësi, koha e qëndrimit të farave të bimëve të familjes solanore është me e gjatë. Menjëherë me shfaqjen e fillesave të mbirjeve të para, kaseta dërgohen në serë, ekspozohen në dritë të plotë, ndërkohë që temperatura e mjedisit zbret në 12-16 0C. Në këto kushte, mbirja e solanoreve përfundon për 5-7 ditë, e kungulloreve për 3-5 ditë dhe e kryqoreve për 2-3 ditë.

Momenti i mbirjes se farave; koha kur kasetat duhet te dalin nga dhomat e para mbirjes.

Gjatë kohës së mbirjes, kujdes i veçantë i duhet kushtuar mbajtjes së substratit në gjendje vazhdimisht të lagur. Për këtë qëllim në dhomën e parambirjes lagështia relative e ajrit ruhet  në 95-100% (në dhomat e mbirjes kjo realizohet nëpërmjet mjegullimit të vazhdueshëm të mjedisit), ndërsa pas daljes së kasetave në serë bëhen, sipas nevojës, ujitje periodike. Është shumë i rëndësishëm që temperatura e mjedisit, në cdo pjesë të tij, të jetë uniforme gjatë të gjithë kohës. Në të kundërt, do të ketë mbirje të çrregullta dhe më pas diferenca të konsiderueshme në intensitetin e rritjes së bimëve.

Ndriçimi. Pa dyshim që drita është faktori më i rëndësishëm për rritjen e fidanëve, prandaj sigurimit të ndriçimit të plotë i kushtohet rëndësi e veçantë. Mungesa e ndriçimit manifestohet me tejzgjatje dhe etiolim (zbardhje të kërcellit) të fidanëve, ndjeshmëri më të lartë ndaj sëmundjeve kërpudhore dhe çfarë është më e rëndësishmja, me zvogëlim të potencialeve të ardhshme prodhuese të bimëve. Mungesa e ndriçimit, nuk mund të korrigjohet me vendosjen e llambave të zakonshme, sado të fuqishme të duken ato. Ndriçimi i plotë mund të arrihet vetëm nëpërmjet instalimit të llambave të veçanta me fuqi shumë të lartë. Me gjithë koston e lartë të tij, ndriçimi artificial i fidanëve është në shumicën e rasteve ekonomikisht i justifikuar.

Krasitja ajrore e rrënjëve. Principi bazë i prodhimit të fidanëve në module është krasitja ajrore e rrënjëve. Kasetat duhet të mbështeten mbi tavolina, blloqe druri, tela të tendosur etj., në mënyrë që ato të jenë të izoluara nga toka me një shtresë ajri jo më pak se 5 cm. Lartësia e preferuar nga toka është 10 cm. Krasitja ajrore bazohet në faktin që majat e rrënjëve vdesin kur rrënjët dalin jashtë kasetave dhe bien në kontakt me ajrin dhe në këtë mënyrë favorizojnë formimin e një lëmshi rrënjësh brenda foleve në kaseta.

Vendosja e kasetave drejtpërdrejtë mbi sipërfaqen e tokës, pleh të pakalbur, mbi sipërfaqe prej çimentoje, apo mbi fletë plastike është e gabuar sepse lejohet dalja e rrënjëve jashtë kasetave dhe depërtimi i tyre në tokë, apo (në rastin e sipërfaqeve prej çimentoje dhe fletëve plastike) krijimi i një shtrese të dendur rrënjësh në pjesën e poshtme të kasetës. Vendosja korrekte e kasetave, shoqëruar me teknologjinë e përshtatshme të kultivimit mundëson formimin e një sistemi rrënjor të zhvilluar mirë dhe që shkëputet me lehtësi nga kaseta.

Ujitja. Kerkesat më të mëdha të bimëve për ujë janë në fazën e mbirjes së farave. Për këtë arsye, menjëherë pas mbjelljes bëhet një ujitje sasi të mjaftueshme uji për të siguruar lagien e plotë të substratit.  Pas këtij momenti, në asnjë rast nuk duhet të lejohet tharja e sipërfaqes së kompostos, deri në mbirjen e plotë të farave.

Fidanë me cilësi të lartë mund të përftohen vetëm nëpërmjet ujitjeve korrekte. Nqs ujitja me dorë e fidanëve është praktike në sipërfaqe të kufizuara, prodhuesit e mëdhenj e kanë të domosdoshme të instalojnë sisteme të mekanizuara ujitje. Sistemi më efektiv i ujitjes është ai i lëvizshëm formë shiu, i cili lejon lëvizjen mekanike të sprucatorëve të ujitjes në çdo segment të fidanishtes. Në ndonjë rast mund të ndodhë që qelizat anësorë të tavave skajore të thahen më shpejt se sa ato të qendrës së blloqeve. Në këto raste janë të domosdoshme ujitjet plotësuese me dorë. Numri i ujitjeve është i kushtëzuar nga kushtet e motit dhe faza fenologjike e fidanëve. Ujitja duhet të jetë e tillë që të realizojë rrjedhje minimale të ujit nga modulet dhe humbje minimale të lëndëve ushqyese prej tyre.

Sisteme ujitjeje te levizshme ne serrat per prodhimin e fidaneve.

Plehërimet e lëngshme. Rritja e fidanëve mund të kontrollohet nëpërmjet të administrimit të sasisë dhe raporteve midis elementëve bazë ushqyes. Në përgjithësi kompostot industriale që shfrytëzohen në prodhimin e fidanëve janë të pasuruara me elementë të ndryshëm ushqyes dhe mund të sigurojnë të ushqyerit normal të fidanëve për pjesën më të madhe të qëndrimit të tyre në kaseta. Gjithsesi, në situata të caktuara, mund të kërkohet të ndërhyhet me plehra të ndryshëm për të bërë korrigjimet e nevojshme. Vëllimi i vogël në të cilën shtrihet sistemi rrënjor dhe intensiteti i lartë i rritjes së fidanëve i bëjnë shpesh plehërimet të domosdoshme. Plehrat mund të shtohen nëpërmjet sistemit të ujitjes me anë të sistemeve të ndryshme të injektimit. Frekuenca e plehërimeve varet nga gjendja e bimëve, faza fenologjike dhe kushtet e motit. Elementi kryesor ushqyes që rregullon intensiteti i rritjes së fidanëve është azoti.

Esenciale është që gjatë ndërhyrjeve për kontrolluar rritjen e fidanëve të përdoren doza të vogla, për të mos nxitur rritje vegjetative të tepruar, apo të pakontrolluar të fidanëve. Ndërsa, përqendrimi i fosforit në tretësirt ushqyese të fidanëve duhet të jetë nga 15 në 40 mg L-1 dhe ai i potasit nga 100 në 200 mg L-1, normat orientuese të përqendrimit të azotit janë si më poshtë:

  • Domate                 50-100 mg L-1
  • Spec                      100-150 mg L-1
  • Lakra                     100-150 mg L-1
  • Kungulloret           100-150 mg L-1

 

Ndikimi i madhësisë së modulit (kubikut) në cilësitë e fidanit. Prodhimi i hershëm është proporcional me madhësinë e moduleve, por nuk ndodh kështu me prodhimin total.Nqs objektiv është prodhimi i hershëm, rritja e fidanëve duhet të bëhet në module me përmasa të mëdha. Në të kundërt, prodhimi në module me përmasa të vogla është më ekonomik. Avantazhi i moduleve me përmasa më të mëdha lidhur me prodhimin e hershëm, apo atë gjithsej, është i dukshëm nëse trapiantimi realizohet përpara fillimit të lulëzimit. Në të kundërt, përpara trapiantimit duhet të bëhet detyrimisht heqja e luleve, ose frutave.

Kontrolli i gjatësisë së fidanëve. Metoda e diferencave të temperaturave (DIF) është mënyra më e mirë për të kontrolluar lartësitë e fidanëve. DIF përllogaritet nga diferenca e temperaturës të ditës me temperaturën e natës. Një vlerë pozitive e DIF favorizon rritjen e përshpejtuar të bimëve, ndërkohë që një vlerë e mundshme negative, përkundrazi do të frenojë rritjen e bimëve. Temperaturat e larta në 3-4 orët e para pas lindjes së diellit, shkaktojnë tejzgjatje të fidanëve. Kjo mund të parandalohet duke mbajtur në orët e para të mëngjezit temperatura më të ulta se sa ato të natës, por jo më pak se 10 0C. Zakonisht vlera negative prej 4-5 0C të DIF, mundësojnë një kontroll të mirë të lartësisë së bimëve.

Regjimi i ujitjes është një tjetër mjet i fuqishëm për të kontrolluar rritjen e fidanëve. Frekuenca (shpeshtësia) e vogël e ujitjeve, duke i dhënë përparësi ujitjeve në orët e mëngjezit dhe kufizimit në maksimum të ujitjeve në orët më të nxehta të ditës, apo në ditët më ndricim të kufizuar ndikon pozitivisht në prodhimin e fidanëve me trup të shkurtër. Lëkundjet, apo përkuljet e lehta (disa herë në ditë) janë një tjetër mundësi e mirë për të prodhuar fidanë me kërcej të shkurtër dhe të trashë, pa dëmtuar kapacitetet e tyre prodhuese.

Mosha e fidanëve. Koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë duhet të përcaktohet në varësi të madhësisë së moduleve, species dhe kohës së kultivimit. Sa më e gjatë të jetë koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë, aq më shumë do të frenohet rritja nën dhe mbitokësore e fidanëve dhe aq më shumë do të zvogëlohet intensiteti i rritjes së tyre. Në mënyrë të vecantë, nqs koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë do ta kalojë kohën e fazës së rritjes aktive të tyre, do të vështirësohet lidhja e tyre me tokën pas trapiantimit dhe do të zvogëlohet ndjeshëm prodhimi i pritshëm prej tyre. Vlerat orientuese të kohës së qëndrimit të fidanëve në kaseta, në varësi të species, numrit të fidanëve në kasetë  dhe kohës së prodhimit paraqiten në tabelën që vijon.

Kultura Nr.fidanëve në kasetë Afati optimal i qëndrimit të fidanëve në kasetë (ditë)
Domate e hershme 60-84 55-60
Domate e mesme dhe e vonë 120-170 35-40
Spec 120-170 60-65
Patëllxhan 120-170 60-65
Kastravec i hershëm 40-60 25-30
Kastravec i mesëm 60-84 15-20
Shalqin i pashartuar 84-120 20-30
Shalqin i shartuar 60-84 35-45
Lakra / lulelakra 170-256 25-35

 

Kalitja e fidanëve. “Kalitja” është termi që nënkupton përgatitjen përfundimtare të fidanëve për mbjellje në vendin e përhershëm. Ajo nënkupton zvogëlimin e ritmit të rritjes, shtimin e lëndës së thatë dhe rritjen e qëndrueshmërisë së fidanit ndaj streseve të mundshme të mjedisit të ri ku do të zhvendoset fidani. Gjithsesi, është e rëndësishme të nënvizohet që kalitja duhet të bëhet me kujdes dhe vetëm në ditët e fundit të qëndrimit të tyre në vendin e prodhimit, për arsye se një kalitje e zgjatur dhe e tepruar do të influenconte negativisht si në shpejtësinë e lidhjes së fidanëve me tokën, ashtu edhe në prodhimin e ardhshëm të tij. Mënyrat kryesore të realizimit të kalitjes janë;

  • Ujitja;       zvogëlimi gradual i sasisë së ujit që    përdoret për ujitje dhe i kohëzgjatjes së ujitjeve, reduktojnë intensitetin  e rritjes së fidanëve. Megjithatë, në asnjë rast nuk duhet lejuar tharja e substratit deri në atë shkallë sa që të shkaktohet vyshkja e fidanëve.
  • Temperatura;      ulja e temperaturës deri në nivelin e    temperaturës së mjedisit të kultivimit të bimëve mundëson aklimatizimin e plotë të fidanëve përpara daljes së tyre në vendin e përhershëm.
  • Plehërimi;             zvogëlimi, apo ndërprerja e plotë e plehrave   azotike përpara procesit të kalitjes rrit përmbajtjen e         lëndës së thatë në bimë. Gjithsesi, 1-2 ditë përpara trapiantimit këshillohet të bëhen plehërime me doza të larta azoti, për të furnizuar fidanët me një sasi të mjaftueshme elementësh ushqyes për ditët e para pas trapiantimit.

 

Plehërimi para mbjelljes. Pak para transportimit për në fushë fidanët ujiten bollshëm me ujë me përmbajtje të lartë të plehrave fosforike dhe më pak azotike. Plehërime të tilla (starter) ndihmojnë shumë në lidhjen e shpejtë të fidanëve me tokën, për arsye se u sigurojnë fidanëve një rezervë elementësh ushqyes lehtësisht të asimilueshme për ditët e para pas trapiantimit (kjo është e domosdoshme në rastet e mbjelljeve të hershme, kur për shkak të temperaturave të ulta të tokës aktiviteti i sistemit rrënjor është shumë i kufizuar) dhe njëkohësisht nxit aktivizimin e shpejtë të sistemit rrënjor dhe lidhjen e tij me tokën në vendin e përhershëm. Substrati në momentin e mbjelljes duhet të jetë në kushtet e kapacitetit të plotë fushor ujëmbajtës. Një masë e tillë do të zvogëlonte streset ujore të bimëve në momentin e vendosjes në vendin e përhershëm dhe mundësonte po ashtu lidhjen e tyre të shpejtë me tokën.

Kontrolli i sëmundjeve dhe i dëmtuesve. Higjiena e plotë e kasetave dhe e substrati që përdoret për prodhimin e fidanëve është e domosdoshme. Sëmundjet që dimërojnë në tokë mund të përcillen nga një cikël  prodhimi në tjetrin nëpërmjet kasetave të pa dezinfektuara. Kasetat plastike mund të dezinfektohen duke i zhytur në solucione formaline, ndërkohë që tavat prej polisteroli (bukë peshku) mund të përpunohen me fungicide me bazë të gjerë veprimi. Trajtimet e fidanëve gjatë rritjes kushtëzohen nga natyra e problemeve që lindin gjatë rritjes së tyre.

Treguesit cilësorë të fidanëve perimorë. Ndryshe nga drufrutorët, për fidanët perimorë nuk ekzistojnë standarde të cilësisë së fidanëve. Megjithatë, ekziston një mirëkuptim i gjerë që fidanë perimorë cilësorë konsiderohen ata që plotësojnë kriteret që vijojnë;

  • Janë të pastër nga sëmundjet dhe dëmtuesit.
  • Kanë gjethe dhe kërcej me ngjyrë të gjelbër të errët dhe përmbajtje të lartë klorofile.
  • Kanë sistem rrënjor të zhvilluar mirë, pa simptoma kalbëzimi, apo tapëzimi.
  • Kanë kërcell të fuqishëm dhe të zhvilluar mirë.
  • Kanë sipërfaqe gjethore të mjaftueshme.
  • Zotërojnë aftësi për tu lidhur shpejt me tokën pas trapiantimit dhe kanë potenciale të larta për rritje të shpejtë pas rrënjëzimit.

Prodhimi i fidanëve të shartuar në shalqi.

Prodhimi i shalqinit në tunele të përkohshme realizohet nëpërmjet përgatitjes paraprake të fidanëve.  Kjo është mënyra më e mirë për të rritur rendimentin e bimëve dhe në mënyrë të veçantë sasinë e frutave të hershëm të tregtueshëm. Në varësi nga mënyra e prodhimit të tyre fidanët mund të klasifikohen si të zakonshëm dhe të shartuar. Prodhimi i fidanëve të zakonshëm është i njëjtë me atë të kastravecit dhe të pjeprit dhe mund të realizohet për një periudhë 25-30 ditore.

Prodhimi i fidanëve të shartuar ka filluar që nga fundi i viteve 20 të  shekullit të kaluar. Të parët kanë qenë japonezët dhe koreanët të cilët kanë shartuar shalqinin mbi kungull. I përdorur gjerësisht  në shumë vende botës, shartimi është sot alternativa  më e mirë për zgjidhjen e shumë problemeve. Nëpërmjet tij sigurohen një seri avantazhesh, që në tërësinë e tyre rezultojnë në rendimente më të larta, prodhime më të hershme dhe cilësi më të mirë të frutave. Në mënyrë më të detajuar avantazhet e shartimit mund të përshkruhen si vijon;

  • Vitalitet i lartë i bimëve të shartuara dhe për pasojë fruta më të mëdhenj dhe rendiment më i lartë.
  • Mundësi për të shfrytëzuar toka të  paqarkulluara, të infektuara, me kripëzim të lartë, të ftohta dhe të  rënda.
  • Garanci për mbrojtjen e bimëve të shartuara  nga sëmundje të rrezikshme (fusarioza, verticillioza), shkaktarët e të cilave (kryesisht kërpudha) jetojnë në tokë.
  • Efektivitet i larte i shfrytëzimit të pjellorisë natyrore të tokës dhe të plehrave kimike në veçanti.

 

Teknikat e shartimit.

Teknikat e shartimit janë të ndryshme. Më të rëndësishmet në rastin e shartimit janë; shartimi me afrim, shartim me shpim në majë dhe shartimi me prerje tërthore në majë. Në rastin e parë nënshartesa dhe mbishartesa bashkohen me njëra tjetrën dhe bashkëjetojnë për disa ditë, por duke vazhduar të furnizohen me ujë dhe elementë ushqyes, kryesisht nga sistemi i tyre rrënjor. Shkëputja e mbishartesës nga sistemi i saj rrënjor bëhet vetëm pas formimit të plotë të kallusit në pikën e kontaktit me nënshartesën. Kjo praktikë jep më shumë siguri në suksesin e shartimit, kur kushtet e realizimit të tij nuk janë shumë të favorshme dhe për këtë arsye përdoret kryesisht nga prodhuesit e vegjël  dhe amatorët.

Shartimi me afrim.

Në rastet e shartimit në majë, shkëputja e mbishartesës nga sistemi i saj rrënjor bëhet që në momentin e shartimit. Për të arritur suksesin e shartimit kërkohen kushte më të mira për shartimin dhe shumë më tepër njohuri dhe eksperiencë, por cilësia e fidanëve të prodhuar është më e mirë.

Shartimi me shpim ne maje.

Shartimi me prerje ne maje.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shartimi duhet të kryhet shpejt dhe duke përdorur për këtë qëllim vegla pune të përshtatshme dhe të mprehta. Prerjet gjatë shartimit duhet të jenë  në kënde të tilla që të mundësojnë sipërfaqe sa më të madhe kontakti midis dy elementëve të shartimit dhe për pasojë më shumë mundësi për bashkimin e shpejtë të gypave përçues të nënshartesës me ato të mbishartesës. Ndërkohë, bashkimi i pjesëve të prera duhet të jetë i menjëhershëm për të mos lejuar tharjen e tyre.

Pavarësisht nga teknika e shartimit, prodhimi i fidanëve të shartuar kalon në të njëjtat etapa; përgatitja e nënshartesës, përgatitja e mbishartesës, kallusimi e aklimatizimi dhe së fundi, mbjellja në vendin e përhershëm.

Kallusimi realizohet në mjedise të hijezuara, në prani të temperaturës (rreth 300C) dhe të lagështisë së lartë relative të ajrit (95-100 %). Intensiteti i ndriçimit të mjedisit, gjatë periudhës së kallusimit mbahet në nivelin 3 deri në 5 klx. Gjithsesi, ai rritet gradualisht dhe rregullohet në varësi nga kushtet atmosferike dhe gjendja e bimëve. Paralelisht me rritjen e intensitetit të ndriçimit në mjedis, zvogëlohen vlerat e lagështisë relative të tij. Në kushte normale, pak ditë pas shartimit, procesi i kallusimit ka përfunduar dhe dy komponentët e shartimit sillen si një organizëm i vetëm. Pas kësaj ata zhvendosen në ambiente që plotësojnë kërkesat normale të bimëve për mikroklimë dhe mbahen aty për aq kohë sa bëhen të gatshme të shkojnë në vendin e përhershëm.

Përputhshmëria në shartim. Vlerësohet mbi bazën e përqindjes së zënieve të fidanëve të shartuar dhe të vitalitetit të bimëve të shartuara pas mbjellje në vendin e përhershëm, si gjatë rritjes vegjetative, ashtu edhe gjatë etapave të para të frutifikimit.

Teknika e shartimit dhe përkujdesjet gjatë fazës së përgatitjes së fidanëve për shartim influencojnë në një masë të madhe në aftësinë e komponentëve (nënshartesës dhe mbishartesës) për shartim dhe suksesin e të gjithë procesit. Për këtë qëllim;

  • Si nënshartesat dhe mbishartesat, në 2-3 ditët e fundit përpara shartimit ekspozohen në ndriçim të plotë diellor.
  • Zvogëlohen dozat e ujit që përdoren për ujitjen si të nënshartesës dhe mbishartesës, dhe
  • Përzgjidhen individët më të përshtatshëm për shartim.

 

Nënshartesat. Si nënshartesa në prodhimin e fidanëve të shalqinit shfrytëzohet një numër i madh kultivarësh komercialë të cilat në shumicën e rasteve rrjedhin nga dy specie bazë; cucurbita dhe lagenaria. Nuk përjashtohet shfrytëzimi i kultivarëve hibridë të nënshartesave, që në ndonjë rast janë rrjedhojë edhe e kryqëzimeve midis specieve të ndryshme.

Përgatitja e serrave për mbjellje dhe mbjellja e fidanëve perimorë.

 

Përgatitja e serrës dhe e tokës për mbjellje.

Pas vjeljes së kulturës paraardhëse sera pastrohet nga bimët, spangot, barërat e këqija, mbeturinat e mbulesave plastike, etj. Më pas vijohet me riparimin e konstruksioneve të serrës, të sistemeve të ajrimit, ngrohjes, ujitjes etj.

Punimet e tokës duhet të jenë të thella, 30-40 cm, me qëllim që të përmbysen në thellësi shtresat sipërfaqësore të saj, me strukturë fizike të dëmtuara, të ngopura me rezerva dimëruese të parazitëve të bimëve dhe kripëra, për ti zëvendësuar me shtresat që gjenden më në thellësi. Zëvendësimi i punimeve me plug, ose me bel, me punimet me anë të frezave është një praktikë e gabuar dhe me pasoja për zhvillimin e mëvonshëm të bimëve. Fenomeni më i zakonshëm është krijimi i një shtrese toke të papërshkueshme nga uji në thellësinë e punimit të frezës (12-15 cm). Kjo bën që më pas, pas disa ujitjeve, e gjithë shtresa e sipërme e tokës të ngopet me ujë dhe vështirësuar frymëmarrjen e rrënjëve. Rezultati do të jetë formimi i një sistemi rrënjor të cekët, ndërprerja e rritjes së bimëve dhe në disa raste edhe asgjësimi i plotë i tyre.

Sistem rrenjor i ceket per shkak te thellesise se pamjaftueshme te punimit te tokes.

Punimet e para të thella të tokës duhet të pasohen nga një ose disa punime sipërfaqësore, punime të cekëta, frezime, lesime, nivelime, etj, deri në formimin e një shtrati rrënjor të përshtatshëm. Punimet mund të kryhen me krahë, ose të mekanizuara. Gjithsesi, punimet nuk duhet të jenë të tepruara dhe nuk duhet të synojnë në krijimin e një shtrati rrënjor të pluhurosur.

Përpara punimeve kryesore në tokë shpërndahen plehrat organike dhe në rast të tokave shumë të varfra edhe një pjesë e plehrave fosforike dhe potasike, ndërkohë që përpara punimeve përgatitore shpërndahet pjesa më e madhe e plehrave kimike që janë destinuar për plehërimin bazë dhe ajo pjesë e pesticideve që është planifikuar për dezinfektimin kimik të tokës. Në varësi nga pjelloria e tokës, intensiteti i infeksionit nga sëmundjet e dëmtuesit dhe mënyra e mbjelljes së bimëve, shpërndarja e pesticideve mund të bëhet në të gjithë sipërfaqen ose me breza. Pas kësaj toka ujitet dhe  sera lihet për disa kohë e mbuluar dhe e mbyllur, me qëllim që të riaktivizohet flora mikrobike e tokës.

Në varësi nga mënyra e mbjelljes së bimëve toka mund të lihet e rrafshët, ose në të formohen  vllaja të ngritura.

Formimi i vllajave të ngritura krijon mjaft avantazhe kundrejt mënyrës së parë (formës së rrafshët të kultivimit) për arsye se toka ngrohet më shpejtë dhe më shumë (temperatura e vllajave është 2-3 0C më e lartë se ajo e tokës së rrafshët) dhe kullon më mirë dhe më shpejtë. Për këto arsye sistemi rrënjor i bimëve rritet më mirë dhe është më aktiv, sidomos në mbjelljet e hershme të bimëve. Mbjellja e bimëve në vllaja mund të bëhet me rreshta individualë, ose me lenta. Në varësi të kësaj përcaktohet gjerësia e vllajave, të cilat në çdo rast duhet të jenë jo më pak se 20-25 cm të larta. Mbjellja në vllaja të ngritura është domosdoshmëri për tokat e rënda, tokat e kripura dhe tokat me nivel të lartë të ujërave nëntokësore.

Formimi i tokes ne serre ne formen e vllajave te ngritura.

Formimi i vllajave mund të shoqërohet me mulçirimin e tokës. Ky i fundit aplikohet për disa arsye;

  • Për të ruajtur lagështinë në tokë dhe mënjanuar kripëzimin e në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor, sidomos në sipërfaqe të tokës.
  • Për të zvogëluar avullimin e ujit nga toka.
  • Për të kufizuar rritjen dhe zhvillimin e barërave të këqija.
  • Për të përmirësuar temperaturën e tokës në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor i bimëve.

 

Materialet plastike që përdoren për mulçirim mund të jenë me ngjyrë të errët, ose të bardha. Këto të fundit ndikojnë gjithashtu në përmirësimin e ndriçimit të gjetheve të bazës, për shkak të reflektimit që i bëjnë dritës që mbërrin në sipërfaqe të tokës. Në disa raste përdoren fletë plastike me ngjyrë të argjendtë, sepse ato çorientojnë fluturimin e insekteve. Shumica e materialeve plastike që përdoren për mulçirim kanë trashësi minimale, 15-50 mikron, sepse ata përdoren vetën në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor. Nëse do të mbulohet e gjithës sipërfaqja përdoren fletë plastike më të trasha (70-120 mikron) të cilat mund ti rezistojnë kalimit të njerëzve mbi to.

 

Mbjellja e fidanëve.

Serat mbillen me fidanë të rritur në kubikë. Cilësia e përgatitjes së tyre ndikon në një shkallë të lartë mbi fatin e prodhimit në sasi, cilësi dhe hershmëri.

Teknika e mbjelljes së fidanëve është e rëndësishme për të siguruar lidhje të menjëhershme me tokën dhe më pas rritje intensive të tyre që në fazat e para. Këto teknika nënkuptojnë parapërgatitjen e tokës për mbjelljen e fidanëve në kohën e duhur. Për këtë qëllim pas formimit të vllajave në gjatësi të tyre shtrihen tubat e sistemeve të ujitjes me pika dhe pas kësaj, në rast se toka do të mulçirohet, mbi to vendosen fletët plastike të cilat fiksohen duke i mbuluar me dhe në të dy anët e vllajave.

Pak ditë përpara fillimit të mbjelljes bëhet një ujitje me doza  relativisht të larta uji dhe më pas toka lihet në gjendje të tillë, në mënyrë që në momentin e mbjelljes përmbajtja e ujit në atë të jetë në nivelin 70-80 % të kapacitetit të saj ujëmbajtës. Fidanët vendosen në distancat e përllogaritura të bimëve në rresht, rrafsh me sipërfaqen e tokës. Në rast se toka është e mulçiruar, paraprakisht bëhet çarja e fletëve plastike në formë rrethore, ose të rrumbullakët. Menjëherë pas mbjelljes bëhet një ujitje  me doza të vogla uji (0.5-1 l/bimë) për të siguruar lidhje të shpejtë të bimëve me tokën.

Afatet e mbjelljes së bimëve në sera janë të rëndësishme. Afatet më të zakonshme të mbjelljes së serrave, për zonën bregdetare të Shqipërisë, janë ato të gjysmës së dytë të Janarit dhe të fillimit të Shkurti, për mbjelljet e pranverës dhe të gjysmës së dytë të Gushti për mbjelljet e vjeshtës. Megjithatë, duhet nënvizuar, që në përpjekje për të kapur sezone me çmime më të favorshme, afatet e mbjelljes së domates së mbjellë në sera mund të shmangen ndjeshëm prej atyre që janë bërë të zakonshëm. Në raste të tilla, nëse aplikohen afate më të hershme mbjelljeje, duhet të mbahet në konsideratë fakti që bimët do të ndeshen me probleme të temperaturave të ulta, mungesës së intensitetit optimal të ndriçimit dhe ditës së shkurtër. Afatet e mbjelljes së serave diellore janë megjithatë, të kushtëzuara nga pozicioni gjeografik i vendit ku janë ndërtuar. Si rregull mbjellja e serave diellore fillon pasi ka kaluar rreziku i ngricave të forta të zonës përkatëse.