Parimet e përcaktimit të dendësisë së mbjelljes dhe të krasitjes së domates në serra.

 

Dendësia e mbjelljes së bimëve.

Dendësia e mbjelljes së bimëve është e kushtëzuar nga kultivari, prodhimi i parashikuar dhe jetëgjatësia e parashikuar e bimëve. Ajo varion nga 2 në 4 bimë/m2. Për domatet e kultivuara me një maksimum prej 6 lulesash, një dendësi mbjelljeje deri në 4 bimë/m2, mund të jetë e përshtatshme. Për periudha më të gjata kultivimi (20 kate dhe më shumë), dendësia e mbjelljes së bimëve duhet të jetë 2-3 bimë/m2, në varësi kjo të sezonit të kultivimit. Në mbjelljet e hershme, dendësia më e mirë është 2 bimë/m2, ndërkohë që në mbjelljet e vona , dendësia e preferuar është 3 bimë/m2. Për bimët e rritura me shumë pak lulesa, dendësia e mbjelljes së bimë mund të shkojë në 8 deri në 10 bimë/m2, dhe bile deri në 20 bimë/m2 nëse aplikohet sistemi kanadez i kultivimit me një lulesë të vetme.

Sistemet moderne të kultivimit, me kohë të gjatë të shfrytëzimit të bimëve, përdorin aktualisht dendësi të ndryshme në faza të ndryshme të zhvillimit të bimëve. Kjo arrihet nëpërmjet zgjedhjes së numrit më të përshtatshëm të kërcejve të bimës në varësi nga intensiteti mesatar i ndriçimit. Domatja është bima e vetme në të cilën deri më tani ky parim aplikohet si rutinë.  Adaptimi i numrit të kërcejve në varësi nga intensiteti i ndriçimit është një mjet i fuqishëm për të rritur prodhimin e marrë nga bimët në periudha me intensitet të lartë ndriçimi. Dendësia standarde e kërcejve të bimës për njësi të sipërfaqes është rreth 2, gjatë dimrit. Në pranverën e hershme dendësia rritet në 2.5-3 kërcej/m2, duke lejuar rritjen e një kërcelli anësor dhe më vonë të 2 kërcejve anësorë, në çdo 4 kërcej të rendit të parë. Në fund të sezonit të pranverës dendësia mund të arrijë në 3.5-4 kërcej/m2 dhe më vonë, në fund të verës, ajo reduktohet sërish, nëpërmjet këputjes së majës së disa sqetulloreve (kërcejve).

 

Krasitja e domates.

Krasitja aplikohet për këputjen e majës së bimëve, për të ndërprerë rritjen e bimëve në lartësi, por gjithashtu edhe për eliminimin e lastarëve anësorë të bimëve. Këputja e majës favorizon rritjen e frutave dhe në këtë mënyrë sigurohet peshë më e madhe e tyre. Për këtë arsye, këputja e majës së bimëve, në fund të sezonit të kultivimit, është gjithmonë me interes.

Shumica e bimëve zhvillojnë degë të dyta nga sythat e tyre anësorë. Degët anësore, zakonisht janë të padëshirueshme për rritjen e ekuilibruar të bimëve dhe nëse nuk eliminohen rezultojnë  në një numër të madh frutash të vegjël dhe përgjithësisht pak të pëlqyer. Për domaten, krasiten të gjithë lastarët anësorë, me përjashtim të atyre që lihen për të kontrolluar densitetin e kërcejve të bimëve, për njësi të sipërfaqes së tokës. Sqetullorët hiqen jo më vonë se të kenë formuar një gjethe. Vonesa e heqjes së tyre shkakton çrregullime në rritje e zhvillim, rrjedhojë e konkurrencës për asimilate, dhe ndërkohë duke i larguar sqetullorët me vonesë plaga e shkaktuar është më e madhe dhe bëhet burim infeksioni. Gjatë  heqjes së sqetulloreve duhet patur  kujdes të mos hiqet lëkura në kërcell.

Me qëllim që të reduktojnë shpenzimet për sistemin e ujitjes dhe për të siguruar më shumë  hapësirë për trajtimet dhe vjeljet e bimëve, kultivuesit modernë të domates, aplikojnë tashmë kultivimin në formë V. Ky sistem kultivimi, realizohet nëpërmjet dyfishimit të numrit të bimëve në rresht, ose  duke zvogëluar distancën midis rreshtave binjakë. Në të dy rastet bimët vendosen në mënyrë të alternuar majtas dhe djathtas. Në këtë sistem përdoret vetëm një tub uji për çdo çift rreshti, por në këtë rast pikalëshuesit vendosen jo më larg se 20-25 cm larg nga njëri tjetri.

Ndonëse, mënyra më e zakonshme e kultivimit të domates në sera është me një degë të vetme, sidomos në rastet kur janë përdorur për mbjellje fidanë të shartuar, të cilët zakonisht i bëjnë bimët më të fuqishme nga pikëpamja vegjetative, kultivimi në formë V mund të realizohet edhe nëpërmjet kultivimit të bimëve me dy degë. Kur fidanët krasiten dhe lihen të rriten me dy degë, njëra degë lihet të rritet djathtas dhe tjetra majtas. Në këtë rast reduktohet gjithashtu edhe numri i bimëve që mbillen. Provat e kryera edhe në Shqipëri për këtë mënyrë kultivimi kanë dëshmuar leverdinë e shfrytëzimit masiv të saj.

Kalbëzimi gri i domates (Botritis cinerea Pers.)

Kjo është një sëmundje që mund të shkaktojë dëme serioze në domaten e kultivuar në serra ose tunele, ndërsa në ato të fushës është më pak e përhapur.

Simptomatologjia.

Kalbëzimi gri prek të gjitha organet ajrore të bimës si kërcellin, gjethet, lulet e frutat dhe në çfarëdo stadi zhvillimi të tyre. Në bimët e reja në shtretër sëmundja mund të shkaktojë tharjen e fidanëve, pasi goditen indet e qafës dhe gjethet embrionale duke marrë një ngjyrë të errët në të zezë. Në bimët e rritura, kërcejtë dhe gjethet e prekura nga sëmundja në fjalë duken me ngjyrë të errët dhe mbulohen me mykun karakteristik gri.

Bime domateje e prekur nga botritisi.

Frutat nga ana tjetër bëhen objekt të një kalbëzimi të qullët, duke i dhënë zonës së prekur një nuancë gri. Mbi frutat e gjelbër, botritisi mund të shkaktojë edhe zona unazore të çngjyrosura, të njohura si njollat fantazmë, që zgjatin deri në vjeljen e domates.

Frut i prekur nga botritisi.

Biologjia dhe epidemiologjia.

Shkaktari i kësaj sëmundjeje është Botritis cinerea, një deuteromicet i aftë për të jetuar edhe për një kohë të gjatë në gjëndje saprofitike, dhe që në kushte mjedisi të favorshme mund të shfaqi një agresivitet të veçantë ndaj shumë bimëve perimore dhe frutore. Kushtet klimaterike optimale për zhvillimin e tij përfaqësohen nga temperaturat 20-25ºC, lagështia e lartë ajrore (mbi 90%) dhe nga ekzistenca për disa orë e një shtrese uji mbi organet e bimës së prekur.

Penetrimi dhe vendosja e kërpudhës mbi indet bimore realizohet krejtësisht  nëpërmjet plagëve me origjinë të ndryshme. Dimërimi i parazitit mund të kryhet qoftë në formë miceli në mbeturinat bimore, qoftë në formë sklerotesh në tokë, ndërsa përhapja e këtij paraziti nga një organ apo bimë në tjetrën realizohet me anë të konideve ovoidalë të tejdukshëm me përmasa 8×12 mikron, që prodhohen në sasi të bollshme.

Kontrolli i sëmundjes.

Kundër kësaj sëmundje janë të nevojshme masa indirekte agroteknike me karakter parandalues, dhe ato kimike me anë trajtimesh specifike. Midis masave agroteknike më efikase rezultojnë: ajrosja e serës, vendosja e distancave të përshtatshme midis bimëve, përdorimi i kujdesshëm i ujitjeve, eliminimi i menjëhershëm i frutave të prekur, kujdesi gjatë shërbimeve agroteknike që të mos shkaktohen dëmtime dhe plagë mbi organet e ndryshme të bimëve, etj.

Në kulturat intensive lufta kimike fillohet menjëherë pas trapiantimit të fidanëve, duke patur parasysh që të laget mirë baza e kërcellit. Më tej vazhdohet me trajtime mbi masën vegjetative të bimëve me fungicide  të grupit fenilamid (vinklozolina, ipridione, procimidone), por duke mbajtur parasysh që përdorimi i tyre i shpeshtë mund të çojë në seleksionimin e shtameve patogjenike të qëndrueshëm. Për këtë qëllim preparatet e lartpërmendura duhet të alternohen me preparate ftalimidik dhe me ato   me bazë bakri kundër vrugut, që ndikojnë edhe në kufizimin e kalbëzimit gri.

Kundër kalbëzimit gri mund të përdoret gjithashtu bio preparati “tricodeks”, i cili prodhohet nga kërpudha Tricoderma harzianum me një përqendrim prej 1 miliard njësi infektuese për gram peshë, duke e përdorur në dozën 200-400 gr për 100 litra ujë gjatë periudhës me rrezikshmëri më të lartë për infeksione nga ky parazit.

Minatriçet e gjetheve (Liriomyza spp.).

Minatriçet e gjetheve te gjinisë Liriomyza janë një problem serioz për të gjitha kulturat bujqësore. Tre specie prej tyre; minatriçja e gjetheve te domates (Liriomyza bryoniae), minatriçja gjarpëruese e gjetheve (Liriomyza trifolii) dhe Liriomyza huidobrensis po bëhen gjithnjë e më  kërcënuese. Minatriçet e gjetheve zhvillohen nëpërmjet fazës së vezës, tre moshave larvare, pupës dhe si insekt i rritur. Insektet e rritur të gjinisë Liriomyza janë shumë të vogla, me ngjyrë të verdhë dhe të zezë.

Kur miza femër kërkon të ushqehet ose të vendosë vezët, me anë të vezëvendosësit shpon një vrimë, kryesisht në anën e sipërme të gjetheve. Nëse vrimën e hapur e përdor vetëm për tu ushqyer ajo quhet njollë ushqimi dhe dallohet lehtësisht me sy të lirë. Nqs, në vrimat e të ushqyerit vendosen vezë, atëherë kemi të bëjmë me një njollë vezë. Këto të fundit dallojnë nga njollat e rrumbullakta të ushqyerit nga forma e tyre ovale.

Shpime ne gjethet e domates nga insektet e rritura te minatriceve.

Mënyra e dëmtimit të bimëve. Dëmi që shkaktojnë minatriçet e gjetheve është direkt dhe indirekt. Dëmi direkt shkaktohet nga galeritë që bëjnë larvat brenda në gjethe duke reduktuar proceset e fotosintezës si dhe rënien e parakohshme të gjetheve. Rënia masive e gjetheve shoqërohet edhe me uljen e prodhimit. Veçanërisht dëmin më të ndjeshëm e pësojnë fidanat e perimeve të cilët mund të shkatërrohen plotësisht. Dëmi indirekt shkaktohet kur në brendësi të galerive hyjnë agjentë të tjerë, shkaktarë të sëmundjeve kërpudhore e bakteriale. Disa prej minatriçeve janë të afta, gjithashtu, të transmetojnë viruse në bimët e prekura.

Galeri te hapura nga minatricet ne gethet e kastravecit

 

Liriomyza bryoniae (Minatriçja e gjetheve të domates) prek shumë bimë si; domaten, kastravecin, specin, sallatën, shalqinin, pjeprin etj. Larvat e reja të  L.bryoniae janë rreth 0.5 mm të gjata dhe transparente. Larvat e moshës së dytë janë me ngjyrë të bardhë rreth 1 mm të gjatë ku dallohen organet e brendshme. Larva e moshës së tretë është 2 mm e gjatë. Ngjyra e pupave ndryshon nga e verdhë e artë në kafe të errët ose të zezë. Miza është me ngjyrë të verdhë dhe me krahë të zinj dhe kanë njolla të verdha në anën shpinore. Femra është rreth 2-2.3 mm e gjatë dhe mashkulli 1.5 mm.

Insekti i rritur i Liriomyza bryoniae.

 

Liriomyza trifolii (minatriçja gjarpëruese e gjetheve) prek shumë bimë duke përfshirë edhe kulturat perimore në mjedise të mbrojtura. Kjo specie gjendet kryesisht gjatë periudhës së verës dhe në ndryshim nga Liriomyza bryoniae nuk mund të jetojë gjatë gjithë vitit në bimët e serrave. Mbase gjatësia e ditës dhe cilësia e ushqimit mund të jenë faktorë përcaktues në këtë aspekt. Larvat e Liriomyza trifolii dallohen nga ato të L.bryoniae sepse janë komplet me ngjyrë të verdhë veçanërisht kur janë plotësisht të zhvilluara. Mizat janë me ngjyrë gri-të zezë me kokë të verdhë e sy të kuq. Cikli i zhvillimit dhe dëmi është i ngjashëm si i L.bryoniae.

Insekti i rritur i Liriomyza trifolii.

 

Liriomyza huidobrensis (Minatriçja e gjetheve të bizeles). Kjo është specia më e rëndësishme që prek një numër të madh bimësh si në fushë të hapur ashtu edhe në mjediset e mbrojtura. Prek sallatën, domaten, kastravecin, specin, pjeprin, fasulen, bizelen, lakrën e shumë bimë të tjera të arave dhe zbukuruese. Cikli jetësor është pothuajse i njëjtë me speciet e tjera të minatriçeve. Dëmi që shkakton kjo specie është e ndryshme nga speciet e lartpërmendura. Femrat i vendosin vezët në indin e gjetheve (mezofil), në anën e sipërme të tyre. Larvat i fillojnë galeritë në anën e sipërme të gjetheve dhe pastaj depërtojnë në anën e poshtme duke hapur galeri që zakonisht shkojnë përgjatë nervaturave të mesit dhe anësore të gjetheve, por mund të jenë edhe të çrregullta. Kur galeritë shtohen marrin formën e një pllake, që duket shumë qartë sidomos në bazën e gjetheve.

Insekti i rritur i Liriomyza huidobrensis.

Monitorimi i prezencës dhe kampionimi i minatriçeve.  Për monitorimin e minatriçeve në serra vendosen 2-4 kurthe kromotropike të verdha për 1000 m2. Ne fushë duhet të vendosen te paktën 10 kurthe për 1 ha. Për kampionimin e tyre mblidhen të paktën 200 gjethe për serre (ose për ha, ne fushe te hapur), duke verifikuar e numëruar praninë e vezëve dhe te larvave, si dhe nivelin e parazitimit te larvave. 

 

Mënyrat e kontrollit të minatriçeve të gjetheve. Masat parandaluese janë vendimtare për kontrollin e infeksionit ne serra. Për këtë qëllim;

  • Bëhet mbledhja dhe shkatërrimi i mbeturinave bimore.
  • Vendosen  rrjeta anti insekte 0,8 mm për te penguar hyrjen e minatriçeve.
  • Serrat pastrohen, punohen dhe lihen pa mbjellë për të paktën 1-2 javë përpara mbjelljeve të bimëve të reja.
  • Në mot të nxehtë, serrat e përgatitura për mbjellje mbahen të mbyllura për disa kohë, në mënyrë që të pakësohet infeksioni nga minatriçet për shkak të temperaturave të larta.
  • Përdoren për mbjellje vetëm fidanë që janë krejtësisht të pastër nga minatriçet e gjetheve.

 

 

Lufta me metoda kimike e minatriçeve është e vështirë sepse;

  1. Është e vështirë të luftohen te gjitha stadet e insektit. Vezët dhe pupat nuk mund te luftohen me insekticide, ndërkohë që larvat e minatriçeve është vështire të luftohen pasi mbrohen nga indet e gjetheve. Është vetëm një numër i vogël insekticidesh që kanë efekte të mira për luftimin e larvave.
  2. Minatriçet krijojnë shumë shpejt forma të qëndrueshme ndaj insekticideve.  Ndërhyrjet me adulticide bëhen për te mos lejuar qe insektet e rritur te bëjnë shpime ne perimet gjethore dhe uljen e popullatës fillestare te insektit. Është e rëndësishme te luftohen insektet e rritur para se te vendosin vezët.  Trajtimi kundër larvave duhet të bëhet vetëm pasi jemi siguruar për praninë e pupave. Mungesa e pupave tregon se kontrolli natyral arrin ta mbaje popullatën nen nivelin e demit.

 

Ndër insekticidet qe përdoren për kontrollin e minatriceve mund të përmenden:

  • Ciromazina ( inhibitor i rritjes me veprim sistemik),
  • Abamectina ( me veprim translaminar, shume efikas ndaj larvave, por toksik për armiqtë natyrorë).
  • Azadiractina.
  • Spinosadi.

 

Nuk duhet të harrohet se përdorimi i përsëritur i këtyre insekticideve favorizon krijimin e formave rezistente ndaj tyre.

Kontrolli biologjik i minueseve të gjetheve. Është shumë e rëndësishme që të zbulohen sa më shpejt që është e mundur shenjat e para të dëmtimit nga Liriomyza spp. Gjatë javëve të para të kultivimit duhet të bëhet luftimi mekanik i tyre, nëpërmjet heqjes së gjetheve me galeri dhe vendosjes së grackave me kartona ngjitës të verdhë.

Kontrolli  biologjik i  minueseve mund të realizohet duke shfrytëzuar parazitin e tyre Diglyphus isaea . Femrat e grerëzës parazitare Diglyphus isaea kanë trup rreth 2 mm të gjatë. Paraziti fillimisht paralizon trupin e larvave të Liriomyza-ve dhe pastaj vendos një ose më shumë vezë ngjitur me bujtësin (mizat minuese të gjetheve). Pas çeljes së vezëve, larvat e parazitit fillojnë të ushqehet me larvat e minatriçeve. Këto të fundit ndërpresin të ushqyerit pasi janë paralizuar. Pasi kanë përfunduar ciklin e të ushqyerit mbi trupin e larvave të Lirioyzave, larvat e parazitit Diglyphus isaea largohen prej tyre dhe pupëzojnë duke përdorur si strehë galeritë e hapura nga minatriçet e gjetheve. Insektet e rritur të parazitit dalin nga gjethet nëpërmjet një vrime që hapin vetë në anën e sipërme të gjetheve, për të rifilluar ciklin e tyre jetësor. Në kushte të favorshme një femër mund të vrasë rreth 360 larva të Liriomyza, nga të cilat 290 përdoren për të vendosur vezët dhe 70 si burim ushqimi. Paraziti është i aftë të zgjedhë popullatat e mëdha të minatriçeve si burim ushqimi e për të vendosur vezët.  Diglyphus isaea është një ektoparazit (parazit i jashtëm) shumë efektiv i minatriçeve të gjetheve, veçanërisht kur temperatura është mbi 20 0C.

Insekti i rritur i Diglyphus isaea.

Diglyphus isaea hidhet ne serre kur shihen galeritë e para të minatriçeve të gjetheve (Liriomyza spp) duke përdorur 1-2 individë për 10 m2 sipërfaqe e mbjellë në serra duke i shpërndarë në të gjitha bimët e mbjella. Trajtimet bëhen çdo javë, për jo më pak se 3 javë rresht. Efektiviteti i tyre duhet të verifikohet 15 ditë pas shpërndarjes së tyre në serrë.

Vrugu i kërcellit (Phytophthora parasitica).

Simptomatologjia.

 

Shenjat e kësaj sëmundje shfaqen në të gjitha organet e bimës, por në fruta duken simptomat më karakteristike në formë njollash unazore të vendosura në rrathë koncentrikë, të cilat i japin sëmundjes edhe emrin “kalbëzimi zonal”, simptomë kjo që e dallon këtë vrug nga ai i zakonshmi Ph.infestans. Njollat fillojnë nga zona apikale e frutave dhe kanë konsistencë të qulltë me ngjyrë të errët në frutat e avancuar ose gri jeshil në ato të gjelbra. Kur kushtet e mjedisit shoqërohen me lagështi të lartë në organet e prekura  vërehen strukturat frutifikuese të parazitit sporangombajtësit me sporangjet.

Frut i prekur nga vrugu i kercellit.

 

Në rrënjë dhe në zonën e qafës sëmundja shkakton nxirje të organeve të prekura, të cilat më vonë çojnë në kalbëzimin dhe tharjen para kohe të bimës, ndërsa në rastet më pak të dëmshme sëmundja dikton diferencimin e rrënjëve sekondare.

Në kërcell infeksionet paraqiten me anë lezionesh dhe plagësh të errëta, të cilat tentojnë të përhapen në brendësi deri sa të pushtojnë gypat e përçimit, duke sjellë si pasojë thyerjen dhe kalbëzimin e plotë të pjesës mbitokësore. Prekja e bimëve të domates nga ky lloj vrugu mund të fillojë që në moshat e vogla të fidanëve në shtretër, moment ky që e dallon këtë të dytin nga vrugu i zakonshëm, i cili prek zakonisht nga koha e gonxhim-lulëzimit dhe deri në pjekjen e frutave.

Kercell i prekur nga vrugu i kercellit.

 

Biologjia dhe epidemiologjia.

Përveç Ph.parasitica, e cila përfaqëson shkaktarin më të zakonshëm të vrugut të kërcellit në solanore  simptoma të ngjashme mund të shkaktojnë edhe specie të tjera si Ph.capsici, Ph.criptogea e të tjera. Në të gjitha rastet flitet për fikomicete të pranishëm në tokë, të cilat mund të mbijetojnë edhe 5-6 vjet falë strukturave të qëndrueshme si klamidosporet dhe oosporet. Këto organe të qëndrueshme u japin shkas infeksioneve të reja në bimë, të cilat vërehen kur lagështia është shumë e lartë dhe temperaturat përfshihen në intervalin 17-27ºC. Mbi këto nivele sëmundja frenohet, ndërsa në 34ºC ajo ndërpritet plotësisht. Periudha e inkubacionit është e shkurtër kur realizohen kushte të përshtatshme termo-hidrike dhe nuk zgjat më tepër se 5 ditë.

Kontrolli i sëmundjes.

Kufizimi i ujitjeve në formë shiu, eliminimi i pellgjeve me ujëra të ndenjura dhe favorizimi i ajrosjes e ndriçimit janë masa të domosdoshme, sidomos kur kemi të bëjmë me mbjellje në serra.

Përgatisni tokën në formën e vllajave të ngritura dhe mos lejoni që frutat të takojnë në tokë.

Për luftimin e sëmundjes mund të aplikohen gjithashtu trajtime kimike të ngjashme me ato të vrugut të zakonshëm.

Tuta Absoluta (Gjethe minuesja e domates).

Tuta absoluta është një dëmtues i rrezikshëm me origjinë nga Amerika Jugore. Në Evropë, Tuta u zbulua për herë të parë në Spanjë në vitin 2006. Pas kësaj prania e tij është raportuar me shpejtësi në thuajse të gjitha vendet mesdhetare, duke u shndërruar praktikisht në një kërcënim serioz për prodhimin e domates. Ekzistenca e saj në Shqipëri pranohet që nga viti 2009. 

Ky dëmtues e ka “gjetur” Mesdheun si atdheun e tij të ri. Bima kryesore që prek është domatja, por ai mund të prekë edhe pataten, patëllxhanin, specin dhe barërat e këqija të familjes solanore. Insekti dëmton si në fushë të hapur ashtu edhe në mjedise të mbrojtura.

Insekti i rritur i Tuta absoluta.

Tuta absoluta është një dëmtues që mbahet me vështirësi në kontroll. Efektiviteti i preparateve kimike është i kufizuar për shkak të natyrës së dëmit që shkakton insekti si dhe për shkak të krijimit të  shpejtë të racave rezistente ndaj insekticideve, ndërkohë që metodat e luftës biologjike nuk janë ende të mjaftueshme për kontrollin efektiv të përhapjes së tij.

 

Biologjia e “Tuta absoluta”-s.Tuta absoluta është një flutur e vogël nate me një potencial shumë të lartë riprodhues. I gjithë cikli jetësor i saj përmbushet në 30-35 ditë. Kur kushtet janë të favorshme, insekti mund të ketë  10-12 brezni në vit. Insektet e rritura fluturojnë gjatë natës, ndërkohë që ditën fshihen mes gjetheve. Femrat në moshë të pjekur mund të bëjnë në bimën strehuese deri në 260 vezë përpara se të kompletojnë ciklin  e tyre jetësor.

Veze e Tuta absoluta.

Vezët kanë formë cilindrike, me ngjyrë të bardhë kremi në të verdhë e me gjatësi 0.35 mm. Çelja e vezëve ndodh nga 4-6 ditë pas lëshimit të tyre. Periudha larvore, që zgjat 12-15 ditë,  është periudha në dëm-shkaktuese e të gjithë jetës së insektit. Larvat e insektit kanë ngjyrë kremi dhe një kokë karakteristike me ngjyrë të errët. Zhvillimi i tyre deri në insekt të rritur kalon nëpërmjet 4 fazave larvare.

Larva e Tuta absoluta.

Nëse kushtet e të ushqyerit janë të përshtatshme larvat nuk kalojnë në diapauzë . Pupëzimi i tyre  mund të realizohet në tokë, në sipërfaqe të gjetheve apo në galeritë e krijuara në gjethe. Tuta absoluta mund të dimërojë si vezë, pupë apo si insekt i rritur në varësi të kushteve të mjedisit.

Pupa e Tuta absoluta.

Natyra e dëmtimit.  Dëmtimi nga ky insekt mund të ndoshë përgjatë të gjithë ciklit jetësor të domates. Larva e Tuta absoluta ushqehen me mesofilin e gjetheve duke hapur galeri të gjera brendësi të tyre, apo dëmtime të ngjashme në fruta. Kur infektimi është i rëndë, prodhimi mund të reduktohet deri në 100%. Larvat mund të hapin galeri gjithashtu në kërcej dhe të dëmtojnë në sythat e majës së bimëve.

Gjethe domateje e demtuar nga Tuta absoluta.

Tek domatja dëmtuesi mund të gjendet në sythat e majës, në gjethe e kërcej, në lule dhe në fruta (në këto të fundit karakteristike është prania e jashtëqitjeve të zeza të insektit). Tek patatja, kryesisht preken pjesët mbitokësore. Sidoqoftë ka raste kur preken edhe zhardhokët nën tokë.

Frut domateje i demtuar nga Tuta absoluta.

Kontrolli i Tuta absoluta-s. Ndonëse është i vështirë ka mënyra të ndryshme për të mbajtur në kontroll Tuta absoluta.

 

Përdorimi i feromoneve:

 

Monitorimi. Shfrytëzimi i kurtheve me feromone është një metodë e përshtatshme për zbulimin  e prezencës së insektit, kur popullata e tij është ende në numër të vogël. Në këtë mënyrë ato shërbejnë si mjete paralajmëruese për masat që duhen marrë për  parandalimin e dëmtimeve nga Tuta. Natyra e feromoneve që shfrytëzohen për qëllime monitorimi duhet të ndryshojë në varësi me përmasat e popullatës së insektit.

 

Kurthet masivë/kapja masive (mass trapping). Kurthet me ferromone mund të shfrytëzohen edhe si kurthe masive për luftimin e Tuta absoluta, sidomos në mjedise të mbrojtura. Në këtë rast ato ndihmojnë në pakësimin e popullatës së insektit në serrë, sidomos në qoftë se në këto të fundit përdoren rrjetat për mbylljen e dritareve të ajrimit dhe nuk lejojnë hyrjen e insekteve të rritura brenda tyre.

Kurthet masivë është një teknikë që funksionon, nëse përdoret një numër i madh kurthesh, të vendosura në pozicione të ndryshme. Ato tërheqin dhe ndihmojnë për të eliminuar një numër të madh insektesh meshkuj nga popullata e dëmtuesit dhe më këtë mënyrë pakësojnë shanset për çiftëzim të insekteve femra dhe zvogëlojnë në mënyrë të konsiderueshme numrin e vezëve fertile, që lëshohen nga këto të fundit. Kurthet masive janë një mundësi potenciale për mbrojtjen e prodhimit edhe në fushë të hapur. Sidoqoftë, për arsye praktike, mundësia e suksesit është më e madhe kur ato  përdoren në mjediset e mbrojtura. Shanset e suksesit rriten nis, përdorimi i feromoneve shoqërohet me trajtime selektive me insekticide specifike.  

Kontrolli biologjik. Janë një seri agjentësh biologjikë që mund të shfrytëzohen për të mbajtur në kontrollTuta absoluta.  Midis tyre mund të përmenden;

1. Trichogramma  pertiosum

2. Trichogramma  achaeae

3. Macrolophus  pygmaeus

4. Nesidiocoris  tenuis

5. Nabis  pseudoferus

Parazitoidi i vezëve, Trichogramma achaeae, konsiderohet si një ndër  kandidatët më të përshtatshëm për kontrollin biologjik Tuta absoluta. Në kushte  serre, me lëshimin e  30 insekteve të rritur për bimë (=75 insekte të rritur për m2) çdo 3-4 ditë, ,  është arritur të pakësohet dëmi në bimë me 91.74% .

Po ashtu, lëshimi në kushte serre i 8-12 larvave/bimë të Nabis pseudoferus  është shqoëruar me një zvogëlim nga  92 në 96%, të vezëve të Tuta absoluta.

Kontrolli mikrobik. Bacillus thuringiensis var. kurstaki ka dëshmuar efekt të kënaqshëm kundër infektimit larval të Tuta absoluta. Është vënë re që një përdorim i kombinuar i Trichogramma pertiosum dhe Bacillus thuringiensis  e ka ulur masën e dëmtimit të frutave nga Tuta absoluta në vetëm 2%.

Kërpudha entomopatogje  Metarhizium anisopliae mund të shkaktojnë vdekshmëri deri në 37.14% të insekteve femra, ndërkohë që studime të ndryshme laboratorike kanë provuar që Beauveria bassiana mund të shkaktojë vdekshmëri të larvave në masën deri 68%.

Insekticidet bimore. Ekstrakti i farave të një bime (neem; një pemë gjithmonë e gjelbër me origjinë nga India, por që gjendet dhe në vende të tjera të pjesës juglindore të globit), Azadirachtin, vepron si insekticid kontakti dhe sistemik kundër Tuta absoluta. Është provuar se trajtimi i tokës me këtë ekstrat shkaktuar ngordhjen e 48.9 deri në 100% të larvave të Tuta absoluta. Përdorimi i vajit të neemës në sipërfaqen e sipërme të gjetheve ka shkaktuar ngordhjen e 57 deri në 100% të larvave.

Kontrolli kimik. Kontrolli kimik është masa kryesore kundër Tuta absoluta. Për shkak të numrit të lartë të trajtimeve kimike, shumë shpesh është vërejtur krijimi i raceve të qëndrueshme. Kështu p.sh, janë raportuar raste të qëndrueshmërisë së Tutës kundrejt abamectinës,  deltamethrinës methamidophosit dhe permethrinës.

Sidoqoftë, ekzistojnë përbërës aktivë që janë të efektshëm kundër larvave të Tuta absoluta. Imidaclopridi, indoxacarbi dhe spinosadi janë për momentin kimikatet më efektivë për kontrollin e saj. Në shumë raste deltametrina është gjithashtu efektive në luftimin e insekteve të rritura.

Se fundi, ‘Syngenta’ rekomandon nje produkt te ri (Afirm), si shume efikas per kontrollin e Tuta absoluta-s.

Praktikat e mira bujqësore. Praktikat e mira bujqësore për kontrollin  e Tuta absoluta përfshijnë, qarkullimet bujqësore me bimë jo-solanore, punimin  e tokës, përdorimin e plehrave të përshtatshëm, asgjësimin e bimëve të infektuara dhe copëtimin e bimëve pas vjeljes. Shkulja e bimëve, apo së paku heqja selektive e pjesëve bimore të infektuara, janë të praktika kontrolli të rëndësishme që ndihmojnë në kontrollin e këtij dëmtuesi në serrat.

Një mundësi tjetër kontrolli është spërkatje e tokës dhe e bazës së kërcellit të bimëve me mbetjet e përpunimit të vajit të ullirit. Ky i fundit ngjit krahët e fluturave dhe paralizon aktivitetin e tyre.

Një tjetër mundësi është shfrytëzimi i llambave ultraviolet për tërheqjen e fluturave drejt kurtheve ku asgjësohen fizikisht. Për këtë qëllim, në varësi të fuqisë së llambave, shfrytëzohen 10-15 llamba për hektar. Këto të fundit duhet të jenë me fuqi 60-80 Wat dhe vihen në punë gjatë orëve të natës.

Strategjitë e integruara për luftimin e dëmtuesit. Strategjitë e kontrollit të integruar duket të jenë mënyra më efektive për të mbajtur në kontroll Tuta absoluta. Shumë përbërës aktivë mund të përdoren të kombinuar me teknikat bio. Metodat e rekomandura të luftës së integruar përfshijnë sipas radhës;

  1. kurthe masive përpara mbjelljes,
  2. pastrimi i tokës nga mbeturinat bimore,
  3. përdorimi i imidacloprid në ujin e përdorur për ujitje 8-10 ditë pas mbjelljes,
  4. përdorimi i spinosad apo i indoxacarb në qoftë se vihen re individë rastësorë të Tuta absoluta
  5. eliminimi i pjesëve të mbetura të bimës menjëherë sapo të vilen frutat e fundit

Në rast se kurthet kapin më pak se dhjetë insekte të rritur në javë për çdo kurth, trajtimet rekomandohet të bëhen kryesisht me produkte bio, siç janë Bacillus thuringensis dhe Azadirachtina. Në rast se kurthet e feromoneve kapin më shumë se dhjetë flutura në javë për çdo kurth, këshillohet që trajtimet të bëhen duke kombinuar insekticidet bio me insekticidet kimikë.

Në popullata me dendësi të ulët, kapja masive e dëmtuesve me kurthe ujore ku si karrem përdoren feromonet, ka treguar të jetë një masë e efektshme kontrolli. Për këtë qëllim nevojitet një mesatare prej  30-40 kurthe ujore me feromone për çdo hektar serrë.

Plasaritja e frutave të domates.

 

Plasaritja redukton cilësitë tregtare të frutave dhe mundëson depërtimin në ta të insekteve dhe të kërpudhave duke shkaktuar në këtë mënyrë humbje të konsiderueshme. Ekzistojnë tipe të ndryshme të plasaritjes së frutave të domates; gjatësore, në formën e rrathëve koncentrikë, radiale (në formën e yllit), të çrregullta, etj.

Plasaritja e frutave te domates.

Megjithëse plasaritja e frutave në domate është evidentuar që nga viti 1930 dhe seleksionerët kanë përfshirë në genomën e shumë kultivarëve modernë gene të qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt plasaritjes (çarjes) së frutave, shumë pak është arritur për të kuptuar mekanizmat fiziologjikë të këtij fenomeni. Megjithatë, janë evidentuar një numër i konsiderueshëm faktorësh të mjedisit, të kultivimit dhe të ndërtimit anatomik të frutit në të cilët fenomeni shfaqet në një shkallë më të lartë. Plasaritja frutave është tentuar të shpjegohet nga teori të ndryshme, pa mundur dot asnjëra prej tyre të japë më vete përgjigje të plotë të fenomenit.

 Teoria 1.         Ujitje të çrregullta, sidomos kur pas një thatësire të zgjatur ujitet me doza të larta uji, shkaktojnë plasaritjen e frutave.

Ky është shpjegimi që jepet shpesh për të shpjeguar plasaritjen e frutave në domate dhe në mollë. Përmbajtja e lartë e ujit në tokë zvogëlon forcat tërheqëse (tensionin) e cipës së frutit. Si pasojë e kësaj, fruti rritet me shpejtësi dhe ndërkohë në cipën e tij krijohen shumë plasaritje të vogla (mini plasaritje), të cilat në një etapë të dytë bëhen të dallueshme me sy. Në kushtet e përmbajtjes së kufizuar të ujit në tokë, tensioni i cipës së frutit është më i lartë. Si rezultat, frutat rriten më ngadalë dhe kanë më pak mini plasaritje. Në të vërtetë, ndryshimet e shpeshta të përmbajtjes së ujit në tokë nga e ulët në të lartë dhe anasjelltas e bëjnë cipën e frutave më pak të qëndrueshme se sa rritja në çfarëdo niveli konstant të përmbajtjes së ujit në tokë. Ndryshime të tilla janë tipike kur thatësira të zgjatura shoqërohen nga ujitje ose shira të rënda.

Teoria 2.         Temperatura dhe ndriçimi i lartë shkaktojnë plasaritjen e frutave.

Si në kushtet e kultivimit në sera ashtu edhe në fushë të hapur, piku i plasaritjeve korrespondon me pikun e temperaturave të larta. Temperaturat e larta në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë, rritja e menjëhershme e temperaturës në mesditë, shkaktojnë plasaritjen e frutave të skuqur. Shpjegimi i këtij fenomeni është bërë shumë kohë më parë. Rritja e temperaturës së frutit, rrit në mënyrë dramatike presionin e ushtruar nga tuli i frutit në cipën e tij dhe në të njëjtën kohë zvogëlon elasticitetin dhe qëndrueshmërinë e cipës së frutit, duke influencuar në këtë mënyrë në rritjen e shkallës së plasaritjeve në të.

Hijezimi i plotë i bimëve mund të reduktojë, por nuk eliminon plotësisht plasaritjen e frutave. Sidoqoftë, intensiteti i fotosintezës dhe niveli i sheqernave në frut mund të reduktohen nëpërmjet hijezimit dhe në këtë mënyrë hijezimi influencon indirekt në plasaritjen e frutave.

Uji lëviz nga pjesë me përqendrim të ulët të sheqernave drejt atyre me përqendrim më të lartë të sheqernave. Sa më i lartë të jetë përqendrimi i sheqernave në frut, aq më e madhe do të jetë tendenca e ujit për të lëvizur nga kërcejtë dhe gjethet në brendësi të frutave. Për pasojë presioni i ushtruar në cipën e frutit do të jetë më i lartë dhe sasia e frutave të plasaritur më e lartë.

Teoria 3.         Veçori të ndërtimit anatomik të frutit mund të favorizojnë plasaritjen. 

Si forca e lartë tërheqëse e cipës (tensioni) ashtu edhe elasticiteti i saj në fazën e pjekjes së frutave janë të rëndësishme për të siguruar qëndrueshmërinë e frutave ndaj plasaritjes. Kultivarët rezistentë zotërojnë të paktën njërën nga këto karakteristika.

Karakteristika të tjera të frutit që shoqërojnë rezistencën ndaj plasaritjes janë: madhësia e vogël, cipa e trashë, shtresë e trashë e kutikulës në cipë, diametri i vogël i frutit, numri i madh i frutave në bimë dhe forma gjysmë determinante e rritjes së bimëve.

Forma dhe madhësi të caktuara të frutit favorizojnë plasaritjen e frutave. Ndërsa fruti rritet, streset fizike në cipën e tij rriten dhe në zonat ku këto strese janë më të fuqishme shfaqen plasaritje. Në frutat e domates streset më të fuqishme hasen në zonën përreth vendit ku fruti lidhet me bishtin e tij. Sidoqoftë, herë-herë plasaritjet nuk vërehen në këtë zonë, por në zonën që përfshihet midis dhomëzave të frutit.

Teoria 4.         Rritja shumë e shpejtë e frutave shkakton plasaritjen e tyre.

Në frutat e domates mungon zhvillimi sekondar i mureve të qelizave. Për këtë arsye e vetmja mundësi për të ndërprerë zmadhimin e frutave është rregullimi i presionit të ujit në frut. Frutat që rriten me shpejtësi janë veçanërisht të predispozuar të plasariten. Zvogëlimi i numrit të frutave të plasaritur në bimët me shumë fruta duhet të jetë rezultat i konkurrencës midis tyre për karbohidrate, e cila nga ana e saj çon në reduktimin e ritmeve të rritjes së frutave.

Frutat që tërheqin më shumë asimilate janë ato që plasariten më shumë. Sa më pak fruta që të ndodhen në një bimë, aq më i madh do të jetë numri i atyre të plasaritur. Prerja e majave të bimëve, heqja e sqetulloreve, zvogëlimi i vlerave të konduktivitetit elektrik të solucionit ushqimor, zgjerimi i distancave të mbjelljes midis bimëve janë që të gjithë faktorë që favorizojnë plasaritjen e frutave.

Autorë të ndryshëm pohojnë se përqindja e frutave që pësojnë plasaritje radiale është më e lartë në fund të sezonit, kur në bimë gjenden më pak fruta. Kjo është e vërtetë si në fund të sezonit të pranverës, kur temperatura dhe ndriçimi janë të larta, ashtu edhe në fund të atij të vjeshtës kur si temperatura dhe ndriçimi janë të kufizuara.

Teoria 5.         Disa kultivarë plasariten më shumë se të tjerët për shkak të ndryshimeve në përbërjen e tyre gjenetike.

Diferencat midis kultivarëve të ndryshëm për sa i përket qëndrueshmërisë së tyre kundrejt plasaritje së frutave janë të dallueshme, por ndërkohë ende nuk janë të qarta bazat fiziologjike të këtyre diferencave. Siç është shpjeguar në teorinë 3, qëndrueshmëria e cipës së frutit dhe frutat e vegjël ofrojnë qëndrueshmëri më të lartë ndaj plasaritjes. Një faktor tjetër me influencë është arkitektura e bimës. Hijezimi i frutave nga gjethet e bimës mendohet të jetë faktor që influencon në rritjen e qëndrueshmërisë së tyre kundrejt plasaritjes. Supozohet që hijezimi redukton temperaturën e frutave gjatë ditëve të nxehta dhe në këtë mënyrë edhe bymimin e frutave. Eliminimi i sqetulloreve gjithashtu rrit numrin e frutave të plasaritur dhe prandaj besohet se kultivarët me bujshmëri vegjetative janë më të qëndrueshëm.

Megjithëse janë shënuar përparime të rëndësishme nga gjenetistët në rritjen e qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt plasaritjes, fenomeni ende nuk është i spjegueshëm plotësisht. Tipe të ndryshme të plasaritjes janë ndoshta të kontrolluara nga gene të ndryshme. Edhe nëse merret në konsideratë një tip i vetëm i plasaritjes, përsëri seleksionimi i drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë ndaj saj është i vështirë sepse janë shumë gene përgjegjës për manifestimin e këtij tipari, trashëgueshmëria është e ulët dhe influenca e mjedisit është e lartë.

Teoria 6.         Diferencat e mëdha të temperaturave ditë-natë favorizojnë plasaritjen.

Ndryshimet e menjëhershme të temperaturës natë-ditë shkakton plasaritjen e frutave. Ftohja gjatë natës shkakton tkurrjen e frutave. Kjo tkurrje shoqërohet me largim dhe kondensim të ujit në sipërfaqen e frutit, apo edhe të vetë bimës. Ndërsa temperatura e ambientit rritet gjatë ditës dhe frutat ngrohen nga dielli, në brendësi të tij krijohen tensione të cilat ushtrojnë presion mbi cipën e papërshkueshme të frutave. Për pasojë, sa më të mëdha të jenë diferencat ditë/natë të temperaturës, aq më të mëdha do të jenë streset që do të pësojnë cipat e frutit.

Teoria 7.         Lagështia e lartë ajrore favorizon plasaritjen.

Lagështia e lartë ajrore, ose ndryshimet e mëdha ditë-natë të saj mund të shoqërohen me rritje të numrit të frutave të plasaritur. Lagështia e lartë ajrore në serë rrit numrin e frutave të plasaritur sidomos në kushtet e temperaturave të larta. Efekti i lagështisë në plasaritjen e frutave është ndoshta i lidhur me shtimin e presionit të gazrave dhe të ujit në frut. Cipa e frutit të domates është në masën 97 % e papërshkueshme nga gazrat. Ndërsa presioni i ujit dhe gazrave në frut rritet si pasojë e rritjes së temperaturës, apo të shtimit të furnizimit me ujë, rruga e vetme për të eliminuar këtë presion është zgjerimi i cipës së frutit, ose kthimi mbrapsh i ujit nga fruti në bimë. Rikthimi i ujit në bimë është vështirë të realizohet sepse presioni rrënjor është shumë i lartë. Në të tilla kushte edhe nëse plasaritja nuk ndodh menjëherë, dobësohet kutikula dhe mund të krijohen plasaritje të imta të cilat më vonë bëhen të dukshme.

Në përfundim mund të thuhet se probabiliteti më i lartë i shfaqjes së plasaritjeve është kur kultivarë që normalisht formojnë shumë fruta kanë pak të tillë. Gjithashtu, plasariten shumë frutat që kanë përqindje të lartë të asimilateve të tretshme dhe janë të ekspozuar në dritë direkte diellore. Në aspektin e teknologjisë së kultivimit, praktika të tilla që favorizojnë rritje të shpejtë të frutave, si mbjellja me distanca të mëdha, konduktiviteti i ulët elektrik i tretësirës ushqyse, heqja e sqetulloreve dhe e disa frutave, favorizojnë plasaritjen. Gjithashtu, favorizojnë  plasaritjen kushte të atilla rritjeje që ofrojnë sasi të mëdha karbohidratesh, si edhe temperaturat e ulta gjatë natës të shoqëruara me temperatura dhe lagështi ajrore të lartë gjatë ditës. Lagështia e madhe ose e ulët në tokë, e shoqëruar me rritje të menjëhershme të lagështisë në fazën e pjekjes së frutave, si edhe prania e zgjatur e ujit në formën e pikëzave në sipërfaqe të frutave gjithashtu favorizojnë plasaritjen e tyre.

Formimi i frutave dhe mënyrat për të përmirësuar lidhjen e frutave në domate.

Lulet te domatja janë të vendosura në lulëri të thjeshta ose të përbëra, të cilat formohen pas një numuri të caktuar gjethesh në varësi nga kultivari dhe kushtet e kultivimit. Lulet kanë ngjyrë të verdhë dhe zakonisht janë të tipit 5 ose 6 (5-6 nënpetla, 5-6 petla dhe 5-6 thekë). Lulet e domates janë dy seksore (organet mashkullore dhe femërore gjenden në të njëjtën lule) dhe formimi i frutit realizohet seksualisht (pllenimi) si pasojë e mbirjes dhe e rritjes së kokrrave të polenit në brendësi të organit femëror të lules (krezës së pistilit dhe më pas në vezoren e lules). Organi femëror i lules së domates (pistili) është i fshehur në brendësi të thekëve (këta të fundit janë të ngjitur me njëri tjetrin dhe formojnë një kurorë që rrethon pistilin), pjalmi i domates është i rëndë e ngjitës dhe për këtë arsye nuk mund të fluturojë larg dhe së fundi; lulet e domates përmbajnë një lëndë të hidhur (tomatinë) që i mban larg tyre bletët e mjaltit dhe insektet e tjera. Për këtë arsye, si rregull organi femëror i domates pllenohet nga pjalmi i të njëjtës lule (vetëpllenim).

Lulja e domates.

Në kushte të mira klimatike vetëpllenimi i domates është i kënaqshëm dhe nuk kërkon ndërhyrjen e njeriut.  Në raste të tilla, lidhja e frutave është e kënaqshme dhe prodhimi i marrë nga bimët i lartë. Ndërkohë, në kushte të pafavorshme (temperatura të ulta ose shumë të larta,  lagështi ajrore të lartë, ose mot shumë të thatë, mungesë e elementëve të caktuar ushqyes, apo strese të tjera mjedisore) si sasia e polenit të prodhuar nga lulet, ashtu edhe aftësia e tij për të mbirë dhe rritur në brendësi të krezës së pistilit janë më të vogla se sa normalisht. Në kushte të tilla edhe aftësia e pistilit (organit femëror të luleve) për të pranuar polen është gjithashtu më e ulët. Që të gjithë këta faktorë së bashku, vështirësojnë polenizimin dhe për pasojë lidhja e frutave është më e keqe se zakonisht.

Pllenimi i lules se domates; momenti i mbirjes se polenit dhe depertimit te tij ne brendesi te pistilit.

Përvec ndikimit negativ në pakësimin e sasinë e polenit dhe të aftësisë së tij mbirëse, temperaturat e larta shkaktojnë edhe ndryshime morfologjike në lulen e domates. Në temperatura të larta, pistili zgjatet së tepërmi dhe del jashtë kurorës së thekëve, duke e bërë të pamundur vetëpplenimin e lules dhe për pasojë formimin e frutave. Ky fenomen është vecanërisht i dallueshëm kur kultivarët e përzgjedhur për fushë të hapur mbillen në serra. Me këtë fenomen shpjegohen rendimentet shumë të ulta që merren kur serrat mbillen me kultivarët lokalë (Zemër kau).

Fruta domate me cilësi të mirë mund të merren kur polenizimi është i plotë. Një fryt i mirë ka nevojë për së paku 50-100 fara të zhvilluara mirë. Si rregull, pas formimit nuk ka rrëzim të frytave të domates, por nëse pllenimi është i pjesshëm, apo furnizimi i tyre me lëndë organike është i pamjaftueshëm, ata mbeten në përmasa të vogla, ose pësojnë deformime të ndryshme.

Për të përmirësuar lidhjen e frytave prodhuesit përdorin teknika të ndryshme; lëkundjeve të bimëve, shfrytëzimit të hormoneve artificiale dhe shfrytëzimit të specieve të veçanta të bletëve. Metoda që përdoret më shumë sot është ajo e trajtimit të luleve të vecanta me substanca kimike (hormone artificiale). Ndonëse, në shumë rrethana kjo teknikë përmirëson në mënyrë të dallueshme numrin e frutave që formohen në bimë, ajo shoqërohet me probleme të shumta. Problemi më i zakonshëm është deformimi i frutave, por vërehen gjithashtu boshllëqe në brendësi të frutave, cngjyrosje dhe ndjeshmëri e lartë ndaj labëzimit të frutave (botritisit).

Fruta domate te deformuar per shkak te perdorimit te hormoneve.

Mënyra më e mirë për përmirësimin e lidhjes së frutave në domate (po ashtu edhe në spec dhe patllixhan) është shfrytëzimi i bletëve të polenizimit (Bambus terrestris). Këto të fundit janë një nga insektet e rralla që mund të vizitojnë dhe ushqehen me lulet e domateve dhe në këtë mënyrë të realizojnë edhe pllenimin e tyre. Ndonëse egzistojnë si të egra në natyrë, bletët prodhohen artificialisht dhe tregtohen në koshere të vogla prej kartoni. Bletët kanë një aktivitet të kënaqshëm, bile edhe në temperatura të ulta, ose të larta, por për ta siguruar atë duhet të kihet kujdes që kosheret e tyre të vendosen në vende të përshtatshme, të mbrojtura dhe zakonisht nën hijen e bimëve, në mënyrë që bletë të mos shpenzojnë shumë energji për ruajtjen e temperaturës së kërkuar brenda kosheres së tyre. Nqs, janë pak lule, bletët bëhen shumë agresive dhe mund të dëmtojnë lulet e formuara. Në këtë rast duhet të zhvendosen kosheret e tyre për pak ditë në një serë tjetër.

Pllenimi i luleve te domates me ane te bleteve (Bambus terrestris).

Një zgjua normal mbulon një sipërfaqe prej 1000-1500 m2 domate. Jetëgjatësia e një zgjoi është 8-12 javë, në varësi nga klima dhe  pesticidet e përdorura në serë. Megjithatë, këshillohet që në serrë të futet një zgjua i ri cdo 4-5 javë dhe të mbahet zgjoi i vjetër për 8-10 javë. Nqs sipërfaqja e serave është e vogël (500-1000 m2), mund të llogarite një koshere për 2-3 serra dhe të zhvendoset ajo çdo dy ditë nga njëra serrë tek tjetra. Koha e ndërrimit nuk duhet megjithatë ti kalojë dy ditë, ndryshe do të shfaqen probleme serioze me polenizimin. Në raste të tilla aplikimi i pesticideve, për kontrollin e sëmundjeve dhe dëmtuesve në serë, duhet të bëhet duke marrë në konsideratë praninë e bletëve.

Në mënyrë të përmbledhur avantazhet e shfrytëzimit të bletëve në përmirësimin e lidhjes së frutave në domate, si edhe të cilësive të tyre, përkundrejt metodave të tjera, paraqiten në tabelën që vijon. Prej saj duket qartë se shfrytëzimi i bletëve, krahasuar me kontrollin dhe metodat e tjera, ka rritur numrin e frutave në bimë dhe peshën mesatare të frutave. Për këtë arsye rendimenti i bimëve ku janë përdorur bletët ka qenë shumë më i lartë nga ai i metodave të tjera.

Tabela 1. Ndikimi i mënyrave të ndryshme të lidhjes së frutave mbi treguesit e prodhimit dhe të cilësisë së frutave në domate.

Programimi i kohës dhe madhësisë së frutave tek domatja.

Programimi i kohës dhe madhësisë së frutave tek domatja.

 

 

Programimi i formimit të frutit të parë.

Zhvillimi i frutave kërkon sasi të konsiderueshme uji, lëndësh minerale dhe energjie. Nëse formimi i frutave fillon shumë shpejt, në një bimë të re, ekziston rreziku i pamjaftueshmërisë së asimilateve për të mbështetur zhvillimin e frutave të formuar dhe ecurinë e mëtejshme të rritjes dhe frutifikimit të bimës. Frutifikimi i hershëm mund të lejohet nëse bimët janë të fuqishme dhe ndriçimi është i mjaftueshëm dhe me tendencë rritjen e vlerave të tij. Frutifikimi i vonuar u mundëson bimëve të jenë më të fuqishme dhe kjo është zgjidhja më e mirë, nëse është parashikuar shfrytëzimi i bimëve për një kohë të gjatë. Vonimi i frutifikimit mund të realizohet nëpërmjet eliminimit të luleve apo lulesave të para.

Për rastin e domates, në rastin e kultivimit për një kohë të gjatë, këshillohet eliminimi i lulesës së parë, sidomos për kultivarët me vegjetacion të kufizuar dhe në rastet e kultivimit në toka me kripëzim të lartë. Në raste të tjera mund të veprohet mbi numrin e frutave në lulesën e parë, duke e reduktuar atë në 2-3 fruta. Një operacion i tillë është më i mundshëm për kultivarët me vegjetacion të fuqishëm.

 

Optimizimi i madhësisë së frutave.

Frutat e domates rriten me shpejtësi në 3 javët e para pas formimit, kryesisht si pasojë e rritjes (zgjerimit) të qelizave. Rritja ditore e frutave të reja të domates të kultivuara në sera është e kushtëzuar nga dy faktorë; drita  dhe temperatura. Në rast se furnizimi me asimilate është i mjaftueshëm për rritjen e frutave, intensiteti i rritjes së frutave nuk influencohet nga ndryshimet e përkohshme të intensitetit të ndriçimit.

Ndryshimet e temperaturës, ndërkohë realizojnë ndryshime të menjëhershme në ritmet e rritjes së frutave, ekuivalente  me 5mm/orë/ 0C, dhe një rritje të menjëhershme të importit të asimilateve dhe të ujit. Për fat të keq rritja e ritmeve të rritjes së  frutit nuk rezulton domosdoshmërisht në rritjen e përmasave të frutit, për shkak se gjatësia e periudhës së rritjes së frutave shkurtohet me 4 ditë për cdo gradë në kufijtë 17-23 0C. Në këta kufij madhësia mesatare e frutave është zvogëluar me 6-10 gr/ 0C. Në këtë mënyrë përderisa temperatura influencon si ritmet ashtu edhe gjatësinë e periudhës së rritjes së frutave,  mund të shfrytëzohet për të kontrolluar si madhësinë përfundimtare të frutave ashtu edhe kohën e vjeljes.

Madhësia e frutit të domates nuk është e kushtëzuar vetëm nga kultivari dhe temperatura, (temperaturat e larta në përgjithësi gjenerojnë fruta me përmasa më të vogla), por gjithashtu edhe nga numri total i frutave në bimë dhe numri i tyre në lulesë.

Nqs, synohet të prodhohen fruta të mëdhenj dhe homogjenë, ngarkesa totale e bimëve me fruta duhet të rregullohet për këtë qëllim dhe kjo arrihet kryesisht nëpërmjet pakësimit të numrit të bimëve në lulesë. Frutat e pazhvilluara mirë dhe me madhësi që nuk përkojnë me kërkesat e prodhimit është më mirë që të largohen. Eliminimi i frutave të papërshtatshëm duhet të bëhet kur ka përfunduar lidhja e frutave në lulesë.

Kontrolli i ngarkesës me fruta lejon të kontrollohen potencialet prodhuese të bimëve. Sasia e asimilateve në bimë është e lidhur me intensitetin e ndriçimit, për aq kohë sa nuk kapërcehet një maksimum i caktuar temperature. Është normale të mendohet se ngarkesa me fruta është e rregullueshme në varësi nga vlera e rrezatimit diellor gjatë periudhës së lulëzimit. Nqs ngarkesa në frutifikim (numër i frutave x peshë mesatare e frutave), është shumë e madhe për atë sasi asimilatesh që gjenden në dispozicion të bimës, frutat e porsaformuar ose të vegjël mund të dështojnë, rritja e frutave të tjerë ngadalësohet dhe përmasat e frutave mbeten më të vogla se ato janë normalisht, megjithëse temperatura mund të jetë e përshtatshme. Pincimi i majave të lulesës është një mjet për të rregulluar jo vetëm rritjen e bimëve në funksion të dritës, por edhe madhësinë e frutave. Një shembull i tillë jepet në tabelën që vijon.

Tabela 1. Marrëdhëniet e intensitetit të ndriçimit me numrin dhe madhësinë e frutave.

                 
Radiacioni diellor J/cm2 600 900 1200 1500 1800 2100 2400 2700
Prodhimi potencial ne gr/m2 në javë 450 675 900 1075 1350 1575 1800 2025
Numri potencial i frutave/m2 për peshën  e frutit                
  • 200 gr
2.25 3.37 4.5 5.37 6.75 7.87 9 10.1
  • 150 gr
3 4.5 6 7.5 9 10.5 12 13.5
  • 125 gr
3.6 5.4 7.2 9.0 10.8 12.6 14.4 16.2
  • 100 gr
4.5 6.7 9 10.7 13.5 15.7 18 20.2
Numri i lulesave në bimë 0.65 0.7 0.75 0.8 0.85 0.9 1 1
Numri i kërcejve/m2 2.0 2.25 2.5 2.75 2.75 3 3 3
Numri i frutave që duhet të jenë në lulesë                
  • Për fruta 200 gr
1.75 2.14 2.4 2.45 2.89 2.91 3 3.37
  • Për fruta 150 gr
2.3 2.86 3.2 3.4 3.86 3.89 4 4.5
  • Për fruta 125 gr
2.77 3.43 3.84 4.1 4.62 4.67 4.8 5.4
  • Për fruta 100 gr
3.46 4.29 4.8 4.88 5.78 5.83 6 6.75
                 

 

Ngarkesa e madhe e lulesës me fruta, apo kompozimi i papërshtatshëm i saj mund të shkaktojë thyerjen e bishtit të lulesës. Arsyet e kësaj duhen kërkuar tek këndi i ngushtë i daljes së lulesës në kërcell. Ky fenomen është shumë i shprehur në rastet kur përdoren doza të larta të plehrave azotike, apo temperaturat e ajrit në serë gjatë kohës së daljes së lulesës janë shumë të larta. Në raste të tilla reduktohet rritja e frutave në lulesë dhe si pasojë edhe prodhimi i bimëve në masën rreth 17 %. Për të parandaluar këtë dëmtim, përveç rrallimit të frutave në lulesë përdoren sisteme të ndryshme përforcimi të bishtave të lulesave.

Zgavrimi dhe formimi i njollave të çngjyrosura në frutat e pjekur.

 

Zgavrimi i frutave.

Zgavrimi i frutave manifestohet me mungesën e masës së lëngshme që normalisht rrethon farat, duke krijuar në këtë mënyrë një boshllëk midis placentës dhe mureve të jashtme të frutit. Në pamjen e jashtme fruta të tillë janë më shumë me kënde se sa të rrumbullakosur. Çrregullime të kësaj natyre janë më shumë pasojë e mungesës së ndriçimit dhe prandaj ndeshen më shumë gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës së hershme. Përdorimi i rregullatorëve  të rritjes për përmirësimin e lidhjes së frutave në bimë favorizon gjithashtu shfaqjen e këtyre çrregullimeve.

Zgavrimi i frutave te domates.

 

Formimi i njollave të çngjyrosura në frutat e pjekur.

Ky çrregullim karakterizohet nga formimi i njollave me ngjyrë të gjelbër, të gjelbër të verdhë, ose të zbardhur në afërsi të zonës së bishtit, apo kudo gjetkë të frutit të pjekur. Zonat e prekura, gjithashtu nuk zbuten, ndërsa fruti piqet. Këto çrregullime shfaqen vetëm pasi frutat fillojnë procesin  e pjekjes dhe janë më të shpeshta në lulesat e bazës së bimëve. Pjesët e prekura nuk janë të ndara me kufij të prerë me zonat normale të frutit. Më shpesh midis tyre ekziston një zonë e ndërmjetme me gjerësi rreth 2 mm. Çngjyrimi është i pranishëm zakonisht në sipërfaqen e frutit, por në raste ekstreme preken edhe indet e brendshme të tij. Si zonat e prekura, ashtu edhe e gjithë përmbajtja e frutave të tillë, ndryshojnë nga frutat normalë për nga përmbajtja e disa komponimeve organike e në mënyrë të veçantë të acideve organike.

Njollat e cngjyrosura ne frutat e pjekur te domates.

Shkaqet e formimit të njollave në frutat e pjekura janë të panjohura. Është vërejtur që fenomeni është më i përhapur në tokat me përmbajtje të ulët të potasit dhe të azotit. Në raste ekstreme, simptomat në fruta janë të shoqëruara me simptoma  të mungesës së potasit në gjethe.

Ka autorë që mendojnë se formimi i njollave në fruta është pasojë e prekjes së bimëve nga virusi i mozaikut të duhanit (TMV), por shumica e autorëve e konsiderojnë atë si një çrregullim fiziologjik me simptoma të ngjashme me TMV.

Kontrolli i këtij fenomeni është i vështirë, përderisa shkaqet e tij janë të paqarta. Gjithsesi, për ta minimizuar atë rekomandohet që përmbajtja e potasit të ekstratueshëm në tokë të mbahet në nivelin mbi 1000 mg/litër, të shmangen kultivarët me fruta të mëdhenj dhe të shmangen gjithashtu temperaturat e larta mbi 290C.

Fusarioza e domates (Fusarium oxysporum).

Shenjat e sëmundjes.

 

Fuzarioza konsiderohet si sëmundja më e rrezikshme e domates dhe mund të prekë bimët në çdo stad të zhvillimit të tyre. Shenjat specifike fillojnë me një zverdhje të gjetheve, shpesh nga njëra anë e bimës. Më vonë gjethet fillojnë të thahen, ndërsa bima prodhon pak fruta  të papjekura.

Bime e prekur nga fusarioza.

Aspekti simptomatologjik më karakteristik i kësaj sëmundjeje, i cili lejon që ajo të dallohet nga mykopati të tjera, përfaqësohet nga nxirja e gypave të përçimit shpesh më e theksuar në pjesët periferike të cilindrit drunor. Ngjyrosja anormale e drurit vjen si pasojë e proceseve degjeneruese, kryesisht me bazë gome, e cila sjell si pasojë bllokimin e gypave të përçimit të ksilemës.

Shenjat e bllokimit te kercellit nga fusarioza.

Përveç veprimit mekanik të lartpërmendur rrjedhojat janë edhe të karakterit fiziologjik, pasi ndodhin ndryshime në bilancin ujor dhe përmbajtjen e tij si pasojë e substancave helmuese që sekreton vetë patogjeni.

Biologjia dhe epidemiologjia.

Shkaktari i kësaj trakeomikoze është Fusarium oxysporum f.sp. licopersici, i cili përfaqëson një deuteromicet të Fam. Tuberculariaceae dhe që prodhon dy lloje sporesh aseksore; makrokonidet disaqelizore pak të përkulura dhe mikrokonidet njëqelizore eliptike dhe transparente. Dimërimi i patogjenit kryhet në tokë, ku mund të qëndrojë për disa vjet në sajë të organeve të qëndrueshme, klamidosporeve.

Kërpudha ushtron veprimtari patogjenike mbi domaten në intervalin e temperaturave që lëvizin nga 22 në 27ºC. Për këtë arsye infeksionet shfaqen më tepër gjatë verës.

Përhapja e sëmundjes mund të favorizohet nga fara e kontaminuar, fidanët e prekur që përcillen për trapiantim si dhe me anë të proceseve mekanike gjatë shërbimeve kulturale. Penetrimi i patogjenit në bimë realizohet nëpërmjet qimeve thithëse të sistemit rrënjor për tu ngjitur më pas në gypat përcjellës të kërcellit.

Masat e luftimit.

Luftimi i trakeofuzariozës së domates bazohet kryesisht në metodën gjenetike e cila realizohet nëpërmjet shfrytëzimit të gjeneve I-1 dhe I-2, përgjegjës për qëndrueshmërinë ndaj atyre racave fiziologjike të patogjenit, që  njihen deri më sot.

Dezinfektimi i tokës me avull të nxehtë ose me fumigante si vapam ose dazomet (80-100 gr/m2) konsiderohen efektiv, por kufizohen në sipërfaqe të vogla pasi kanë kosto të lartë.

Edhe dezinfektimi i farës me preparate të grupit të benzimidazoleve konsiderohet si masë e rëndësishme ndaj sëmundjes.

Qarkullimi i domates me bimë të tjera, të paktën për 4-5 vjet si dhe shkatërrimi i mbeturinave bimore të infektuara përbëjnë gjithashtu masa efektive ndaj kësaj sëmundjeje.