Çfarë është “Këshilluesi Bujqësor”?

Që të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimeve të rëndësishme të bujqësisë shqiptare. Në kuadër të saj, hortikultura është dega që ka njohur zhvillimet më të shpejta dhe që pa dyshim përfaqëson sektorin ku janë shënuar ndryshimet më të rëndësishme lidhur me teknologjitë e prodhimit të bimëve. Gjithsesi, hortikultura jonë dhe bujqësia shqiptare në përgjithësi është ende shumë larg të qenit bujqësi e standardeve bashkëkohore. Mungesa e njohurive të përshtatshme, konsiderohet si një nga pengesat më serioze për përmirësimin e teknologjive dhe rritjen e përmirësimin e cilësisë së prodhimit bujqësor, përmirësimin e efektivitetit të investimeve publike dhe private në bujqësi dhe natyrisht në rritjen e të ardhurave të familjeve fermerë.

Në këtë kontekst, lindi dhe është zhvilluar ideja e krijimit të një portali elektronik (Këshilluesi Bujqësor), që do të përcjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek prodhuesit bujqësorë informacione dhe këshilla bujqësore të kualifikuara. Këshilluesi Bujqësor është iniciativë e Shoqatës Shqiptare të Hortikulturës dhe ndër vite është mbështetur bujarisht nga partnerë të rëndësishëm (USAID, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Bankers Petroleum Ltd., etj).

Këshilluesi Bujqësor ka për mision të kontribuojë në rritjen e prodhimit bujqësor dhe të ardhurave të fermerëve shqiptarë, nëpërmjet përzgjedhjes, përgatitjes dhe shpërndarjes së informacionit dhe këshillave të kualifikuara për kultivimin e bimëve, shpejt dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë tek kultivuesit e bimëve. Duke filluar që nga viti 2011, ai është shndërruar në referencën kryesore në gjuhën shqipe, të informimit dhe këshillimit on-line, fillimisht të kultivuesve të perimeve dhe pemëve frutore dhe më pas edhe të bimëve të tjera. Këshilluesi Bujqësor ka qenë një ndihmës i çmueshëm i personelit të ekstensionit bujqësor dhe qendrave të informacionit bujqësor, furnizuesve të inputeve bujqësore dhe këshilltarëve bujqësorë privatë, studentëve dhe amatorëve të bujqësisë, etj.