Rreth nesh

Hortikultura është praktikisht dega më e rëndësishme e bujqësisë shqiptare. Ajo përfaqëson pa dyshim sektorin me rritjen më të shpejtë dhe po ashtu sektorin ku janë shënuar ndryshimet më të rëndësishme lidhur me teknologjitë e prodhimit të bimëve bujqësore. Gjithsesi, hortikultura shqiptare karakterizohet  nga një ndryshueshmëri e lartë lidhur me nivelin e teknologjive që praktikohen. Mungesa e njohurive të përshtatshme, konsiderohet si një nga pengesat më serioze për përmirësimin e teknologjive dhe rritjen e përmirësimin e cilësisë së prodhimit bujqësor, përmirësimin e efektivitetit të investimeve publike dhe private në bujqësi dhe natyrisht në rritjen e të ardhurave të familjeve fermerë.

Në këtë kontekst, ka lindur dhe është zhvilluar ideja e krijimit të një portali elektronik (Këshilluesi Bujqësor), që do të përcjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek prodhuesit bujqësorë informacione dhe këshilla bujqësore të kualifikuara. Këshilluesi Bujqësor është një iniciativë e përbashkët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Drejtorisë së Informacionit Buqësor & Ekstensionit në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit  dhe Shoqatës Shqiptare të Hortikulturës.

Këshilluesi Bujqësor ka për mision të kontribuojë në rritjen e prodhimit bujqësor dhe të ardhurave të fermerëve shqiptarë, nëpërmjet përzgjedhjes, përgatitjes dhe shpërndarjes së informacionit dhe këshillave të kualifikuara për kultivimin e bimëve, shpejt dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë tek kultivuesit e bimëve.

Këshilluesi Bujqësor tenton të shndërrohet në referencën kryesore në gjuhën shqipe, të informimit dhe këshillimit on-line, fillimisht të kultivuesve të perimeve dhe pemëve frutore dhe më pas edhe prodhuesve të drithërave dhe kulturave foragjere, personelit të ekstensionit bujqësor dhe qendrave të informacionit bujqësor, furnizuesve të inputeve bujqësore dhe këshilltarëve bujqësorë privatë, studentëve dhe amatorëve të bujqësisë, etj.