dscn2533 petrela-olive-tree frantoio dscn2171 virus-cmv-fruit Liriomyza bryoniae 1 Feeding marks (3264 x 2448) Lycopersicon lycopersicum tetranychus-urticae insect-liriomyza-huidobrensis kast-demt_-frut-ftohte drip-irrigation
fotografite

Cilësia e ujit dhe problemet që lidhen me cilësinë e ujit për ujitje.

Të gjithë sistemet e kultivimit të bimëve bujqësore (në tokë, apo në sisteme të kultivimit pa pa tokë) kërkojnë sasi të mëdha uji relativisht të pastër. Si cilësia e ujit të përdorur për ujitje ashtu edhe mënyra e kryerjes së ujitjeve janë shumë të rëndësishme për suksesin e prodhimit. Cilësia e ujit për ujitje mund të ndikojë si në prodhimin e bimëve ashtu edhe karakteristikat fizike të tokës, edhe nëse të gjithë faktorët e tjerë janë të favorshëm apo optimale.

Bimë të ndryshme kërkojnë cilësi të ndryshme të ujit të përdorur për ujitje. Për këtë arsye, testimi i cilësive të uji që do të përdoret për ujitje duhet të shërbejë si një ndër faktorët për të përcaktuar bimët që do të mbillen në një mjedis të caktuar. Cilësitë e disa burimeve ujore mund të ndryshojë ndjeshëm me kalimin e kohës ose në periudha të ndryshme (si për shembull sezoni i thatë apo ai i shirave), kështu që marrja e mostrave të ujit dhe analizimi i tyre duhet të bëhet në periudha të ndryshme kohore.

Është e kuptueshme se uji që përdoret në bujqësi përmban substanca dhe elementë që mund të ndikojnë pozitivisht ose negativisht në rritjen e bimëve. Burimet natyrore të ujit, mund të përmbajnë përqendrime të mëdha të disa elementeve të domosdoshëm që kërkon bima, sidomos kalcium dhe magnez. Në ato zona ku uji merret nga vendgrumbullime me bazë gëlqerore, janë të zakonshme përqendrime më të larta se 100 dhe 30 mg/l ppm përkatësisht për Ca dhe Mg. Disa ujëra natyrorë përmbajnë përqendrime të mëdha të natriumit dhe anione siç janë bikarbonatet (HCO3-), karbonatet (CO23-), sulfatet (SO42-) dhe kloruret (Cl-).

Kimikate të ndryshme, siç janë pesticidet dhe herbicidet, mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në rritjen e bimëve nëse janë të pranishëm në ujë, qoftë dhe në përqendrime të ulëta. Uji i puseve të cekët apo i burimeve sipërfaqësore në zona me bujqësi intensive, mund të përmbajë sasi të konsiderueshme prej këtyre të fundit dhe për këtë arsye duhet të testohet para përdorimit.

Sipërfaqja e ujit apo uji i pellgjeve shpesh mund të përmbajë gjithashtu, organizma njëqelizorë apo alga, shkaktarë të problemeve të ndryshme. Në mënyrë të vecantë, algat gjejnë kushte jashtëzakonisht të mira për tu rritur në sistemet e ujitjes me pika dhe në shumicën e sistemeve hidroponike të kultivimit, duke shkaktuar bllokime të shpeshta në tubat dhe në valvolat e kontrollit të sistemeve të ujitjes.

Faktorët që përcaktojnë cilësitë e ujit për ujitje ndahen në tre kategori: kimike, fizike dhe biologjike. Në këtë artikull diskutohen vetëm vetitë kimike të ujit që përdorur për ujitje, sepse ato përfaqësojnë edhe karakteristikat më përfaqësuese të përshtatshmërisë së ujit për ujitje. Vetitë kimike të ujit për ujitje kanë të bëjnë para së gjithash me përmbajtjen e kripërave të tretura në ujë dhe me cilësitë që burojnë nga përbërja e tyre. Treguesit më të rëndësishëm që përcaktojnë cilësinë e ujit pë ujitje janë; konduktiviteti elektrik (EC) sasia totale e kripërave të tretura (TDS), raporti i natrimit të absorbuar (SAR), alkaliniteti dhe fortësia.

Burimi kryesor natyror, i kripërave të tretura në ujin për ujitje është shpërbërja e shkëmbinjve dhe e mineraleve. Burimet të tjera dytësore përfshijnë grumbullimin në atmosferë të kripërave të oqeaneve (kripërat në ujin e shiut), kripërat e shtuara për shkak të rritjes së nivelit të ujrave nëntokësorë dhe për shkak të depërtimit të ujit të detit në burimet ujore nëntokësore. Plehrat kimikë, të cilët mund të grumbullohen në shtresat ujore nëntokësore, mund të ndikojnë gjithashtu në cilësinë e ujit të përdorur për ujitje.

Problemet e lidhura me cilësinë e ujit të përdorur për ujitje.  

Përmbajtja e kripërave në ujin për ujitje. Problemi kryesor që lidhet me cilësinë e ujit të përdorur për ujitje është përmbajtja e kripërave. Përmbajtja e kripërave në ujë i referohet sasisë totale të kripërave të tretura në ujë por pa përcaktuar se çfarë lloj kripërash ka në të. Niveli i lartë i kripërave në ujin e përdorur për ujitje ul sasinë e ujit të disponueshëm për bimët (për shkak të rritjes së presionit osmotik) dhe shkakton zvogëlim të prodhimit. Mbi një nivel të caktuar të përqendrimit të kripërave në ujë, zvogëlimi i prodhimit është proporcional me rritjen e nivelit të kripëzimit. Bimët ndryshojnë midis tyre për sa i përket tolerancës ndaj kripëzimit dhe për këtë ato kanë nivele të ndryshme të pragut kritik të kripëzimit, si edhe ritme të ndryshme të zvogëlimit të prodhimit për shkak të kapërcimit të këtij pragu. Duke ju referuar sasisë totale të kripërave të tretura (TDS) dhe konduktivitetit elektrik (EC), si treguesit më kryesorë të përmbajtjes së kripërave, dëmtimi i prodhimit për shkak të rritjes së përqendrimit të kripërave paraqitet në tabelën që vijon.

TDS(ppm ose mg/L) EC(dS/m) Dëmtimi i prodhimit për shkak të  kripëzimit.
< 500 < 0.8 I ulët
500 – 1000 0.8 – 1.6 Mesatar
1000 – 2000 1.6 – 3 I lartë
> 2000 > 3 Shumë i lartë

 

Humbjet e prodhimit për shkak të rritjes së nivelit të kripëzimit, në mënyrë sasiore mund të shprehen me anë të ekuacioneve që shprehin prodhimin e pritshëm si përqindje ndaj prodhimit të mundshëm maksimal.

% e prodhimit (ndaj prodhimit maksimal) = 100 – b (ECe – a),

Ku;      ‘b’        është humbja në përqindje e prodhimit relativ,

‘a’        është pragu i konduktivitetit elektrik (EC) që bima mund të tolerojë

 ‘ECe’ është konduktiviteti elektrik i tokës së saturuar.

ECe është proporcional me konduktivitetin elektrik të ujit të përdorur për ujitje, në varësi të përqindjes së ujit që kullon poshtë zonës ku shtrihet sistemi rrënjor i bimëve.

Rreziqet për shkak të përmbajtes së natriumit në ujin për ujitje. Treguesi që shfrytëzohet për të përcaktuar përmbajtjen e natriumit në ujin për ujitje dhe rreziqet që mund të burojnë për shkak të prezencës së tij është ‘raporti i absorbimit të natrimit’ – SAR. Ky tregues përcakton sasinë e natriumit në ujin për ujitje, në raport me kalciumin dhe magnezin. Si kalciumi dhe magnezi tentojnë të neutralizojnë efektet negative të natriumit. SAR përllogaritet me anë të formulës së mëposhtme;

 

Nivele të larta të SAR mund të shkaktojnë prishje të strukturës së tokës dhe probleme me infiltrimin e ujit. Gjatë tharjes toka të tilla tentojnë të bëhen kompakte, të forta dhe me ngjeshmëri të lartë.

 

Toksiciteti i joneve specifikë në ujin për ujitje. Cilësia e ujit për ujitje influencohet në një masë të madhe nga përmbajtja e disa joneve specifikë, që mund të mbartin veti toksike (helmuese për bimët). Ndryshimi midis kripëzimit dhe toksicitetit qëndron në atë që toksiciteti ndodh brenda në bimë, si rezultat i grumbullimit gradual në gjethe apo organet e tjera të saj të joneve të vecantë.

Jonet më të zakonshëm që mund të shkaktojnë toksicitet  në bimë janë klori, natriumi dhe bori. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar borit, sepse toksiciteti për shkak të tij ndodh në përqendrime shumë të ulëta, ndonëse ai është një element ushqyes i domosdoshëm për bimët. Ashtu si edhe në rastin e kripëzimit, bimët ndryshojnë për sa i përket ndjeshmërisë ndaj këtyre joneve. Edhe në qoftë se një jon i vetëm është në nivele toksike në ujin për ujitje, ai mund ta bëjë atë të papërshtatshme për t’u përdorur.

Gjithsesi, ekzistojnë disa praktika që mund të ndihmojnë në pakësimin e dëmit. Këto përfshijnë marrjen e masave për kullimin e përshtatshëm të tokës, rritjen e frekuencës së ujitjeve, shmangien e ujitjeve në formë shiu, shmangien e përdorimit të plehrave që përmbajnë klorure apo bor, përzgjedhjen e bimëve të përshtatshme, etj.

Alkaliniteti dhe pH. Alkaliniteti është shuma e bikarbonateve (HCO3-), karbonateve (CO32-) dhe hidroksideve (OH-)  të tretura në ujë. Ai shprehet në mg/l ose në meq/l CaCO3.

Alkaliniteti e stabilizon ujin nga ndryshimet e papritura të pH-it. Në qoftë se alkaliniteti është shumë i ulët, çdo pleh acid i shtuar në ujin për ujitje do të ndikojë në uljen e menjëhershme të pH. Bimët e rritura në vazo dhe në kultura ujore (hidroponi), nëpërmjet joneve të çliruara nga rrënjët e tyre munden gjithashtu të ndryshojnë pH në mënyrë të menjëhershme, në qoftë se alkaliniteti i substratit ose i tretësirës ushqyese është i ulët.

nuk ka komente.