mandarin insect-leafminer virus-cmv drip-irrigation physiological-cold-stripes2 oblika macrosiphum_euphorbiae2 kalb-majes-frutave t_cinnabarinus plant-nutrition-color
fotografite

pH, alkaliniteti dhe kapaciteti buferik i ujit.

Kultivuesit e bimëve bujqësore, në mënyrë të veçantë ata që kultivojnë perime në serra, e përdorin gjithnjë e më shumë termin pH. Matja e pH, si të ujit që përdoret për ujitje ashtu dhe të tretësirës tokësore ka një rëndësi të madhe dhe mund të bëhet një faktor që përcakton suksesin apo dështimin e prodhimit. pH shpreh përqendrimin e joneve hidrogjen (H+) në ujë. Ai është përcaktuar si  -Log (H+). Sa më i madh të jetë përqendrimi i joneve hidrogjen në ujë, aq më e ulët është vlera e pH.

Vlera e pH ndryshon nga 0 në 14. Në varësi të vlerës së pH, uji karakterizohet si vijon:

  • Acid;   kur pH është më i ulët se 7(përqendrim më të lartë të joneve H+).  
  • Bazik; kur pH është më i lartë se 7 (përqendrim më të ulët të joneve H+).
  • Neutral; kur  pH është 7.0.

 

Duke qenë se pH vlerësohet në shkallë logaritmike, një ndryshim i tij prej një njësi (p.sh. nga 5.0 në 6.0) do të thotë një ndryshim me 10 herë në përqendrimin e joneve H+. Jonet hidrogjen marrin pjesë në shumicën e reaksioneve kimike të ujit dhe të tokës, duke i bërë kështu ata shumë të rëndësishëm. Përqendrimi i tyre (pra pH) ndikon në tretshmërinë e plehrave, në format jonike të kripërave (p.sh. PO4-3 kundrejt H2PO4-), në disponueshmërinë e plehrave për bimët, qëndrueshmërinë e celateve etj.

Tretësira ujore apo tokësore me pH shumë të lartë mund të çojë në mungesa të elementëve ushqyes, kryesisht të mikroelementeve si hekuri. Mbajtja e pH të ujit që përdoret për ujitje nën vlerën 7.0 është gjithashtu i rëndësishme për të parandaluar bllokimin e sistemit të ujitjes me pika nga sedimentimi i kripërave në driperat (lotuesit) e tyre. Nga ana tjetër, pH shumë i lartë mund t’i bëjë mikroelementet toksikë dhe të dëmtojë sistemin rrënjor të bimëve.

Vlera e dëshirueshme e pH për shumicën e bimëve, është 5.5 – 6.5. Për të arritur këtë, në shumë raste në ujin që përdorin për ujitje duhet të shtohet acid. Të shtosh acid do të thotë të shtosh në ujë jone hidrogjen, por gjithsesi të përcaktosh sasinë e acidit që duhet të shtohet, nuk mjafton vetëm të dish pH e ujit. Një tjetër parametër i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë është alkaliniteti i ujit.

 

 

Alkaliniteti dhe kapaciteti buferik i ujit.

Alkaliniteti i ujit është gjithashtu i lidhur me pH, por gjithsesi është një tjetër parametër. Praktikisht alkaliniteti është njësi matëse e aftësisë që ka uji për t’i rezistuar ndryshimeve të pH. Ndryshe alkaliniteti njihet si kapaciteti buferik i ujit. Nuk duhet ngatërruar fjala “alkalinitet” me fjalën “alkalin”. Kjo e dyta do të thotë thjesht se pH i ujit është midis vlerave nga 7.0 në 14.0)

Përbërësit kryesorë të alkalinitetit të ujit janë:

  • Karbonatet (CO3-2)
  • Bikarbonatet (HCO3-)
  • Hidroksidet e tretshëm (OH-)

 

Alkaliniteti shprehet zakonisht në ppm apo mg/l karbonat kalciumi (CaCO3). Sa më i lartë të jetë alkaliniteti, aq më shumë acide mund të shtohen në ujë, pa pasur ende ndonjë ndryshim të madh të pH. Kjo vjen për shkak se bikarbonatet (HCO3-) dhe karbonatet (CO3-2) veprojnë dhe neutralizojnë  jonet hidrogjen (H+) që çlirohen nga shtimi i acideve, duke mos lejuar që ata të ulin pH-in e ujit.

Kur të gjithë përbërësit e alkalinitetit në ujë neutralizohen nga shtimi gradual i acideve, përqendrimi i joneve të lira hidrogjen në ujë rritet në mënyrë të menjëhershme dhe për pasojë, po ashtu ndodh edhe një rënie e menjëhershme e pH të tij. Grafiku i mëposhtëm ilustron këtë “pikë rënieje”, ku fillon rënien e menjëhershme e vlerave të pH.

Marredhenijet midis sasise se acideve te shtuara ne uje dhe pH te tij.

Këtu më poshtë është paraqitur një shembull që tregon se si kapaciteti buferik i ujit ndikon në vendimet që duhet të merren në situata të ndryshme.

  • Prodhuesi A ka një burim uji me pH 9.0 dhe alkalinitet 45 mg/l CaCO3.
  • Prodhuesi B ka një burim uji me pH 8.0 dhe alkalinitet 120 mg/l CaCO3.

 

Të dy këta prodhues duan që pH i ujit të tyre të jetë 5.0 dhe për këtë qëllim përdorin acid sulfurik. Megjithëse uji i prodhuesit A e ka pH më të lartë (pra përqendrimi i joneve hidrogjen në ujin e tij është 10 herë më i lartë sesa në ujin e prodhuesit B),  gjithsesi ai ka nevojë  për më pak acid sesa prodhuesi B për të arritur të njëjtën vlerë pH.

Kur përmbajtja e CaCO3 është më e vogël se 45mg/l, uji konsiderohet të ketë alkalinitet të ulët, me kapacitet të ulët buferik. Kur këtij uji i shtohet acid pH i tij do të ulet shpejt. Prej këtej, duket qartë që si pH ashtu edhe alkaliniteti janë të domosdoshëm për të përcaktuar dozën e saktë të acidit që duhet të shtohet në ujin e përdorur për ujitje në mënyrë që ky të arrij vlerën e kërkuar të pH-it. Matematikisht, pH dhe alkaliniteti lidhen me relacionet që vijojnë;

pH = 6.37 + log (HCO3-/H2CO3)     ose     pH = 10.33 + log (Co3-2/HCO3-)

nuk ka komente.