Reaksioni kimik i tokës (pH) dhe ndikimi i tij në të ushqyerit e bimëve.

pH është shkalla që përdorin kimistët për të matur aciditetin e tokës, substrateve artificial, ose tretësirave ushqyese. pH ka një ndikim të rëndësishëm në shkallën e përvetueshmërisë së elementëve ushqyes. Nivelet optimale të tij për të siguruar përvetueshmërinë maksimale të elementëve ushqyes janë 6-6.5.  Në grafikun e mëposhtëm, zona më e gjerë e sipërfaqes së ngjyrosur përfaqëson maksimumin e tretshmërisë së një elementi të caktuar kimik.

Ndikimi i pH ne tretshmerine e elementeve ushqyes.

Faktori kryesor që ndikon në pH e rizosferës (zona ku shtrihet sistemi rrënjor i bimëve është raporti NH4/NO3 në tretësirën ushqyese. Ky raport është sidomos i rëndësishëm në tokat ranore dhe substratet artificiale, që karakterizohen nga kapacitete të ulta buferike. pH përcakton disponibilitetin e fosforit për bimët, për shkak se ai ndikon në proceset e precipitimit/tretshmërisë dhe absorbimit/disorbimit të fosfateve.  pH influencon gjithashtu në shkallën e tretshmërisë së disa mikroelementëve (Fe, Mn, Zn) dhe në toksicitetin e disa të tjerëve (Al, Mn).

Forma në të cilën bimët absorbojnë azotin ndikon në prodhimin e sheqernave dhe në raportin anione/katione në bimë. Kur asimilimi i NH4 është dominant, bimët thithin më shumë katione se sa anione, jonet H+ clirohen nga sistemi rrënjor i bimëve dhe vlera e pH zvogëlohet. Asimilimi i kationeve NH4+ nga bima, bëhet ndërkohë pengesë për asimilimin e kationeve të tjera, Ca2+, Mg2+ dhe K+.

Kur bimët tërheqin më shumë azot në formën e NO3, do të thotë që tërheqin më shumë anione se sa katione dhe rrjedhimisht në tretësirë do të clirohen një sërë acidesh dikarboksilikë (citric, malik, etj) dhe grupe hidrokside OH-. Çlirimi i grupeve OH- rrit pH e rizosferës, ndërkohë që acidet e cliruara rrisin sasinë e fosforit të tretshëm, për shkak se karboksilatet  janë specifikisht të absorbueshme nga oksided e hekurit dhe argjilat, duke nxjerrë ndërkohë fosforin të lirë në tretësirën tokësore. Karboksilatet mund të rrisin gjithashtu tretshmërinë e hekurit dhe fosforit nëpërmjet formimit të chelateve. Kështu psh, citratet formojnë chelate me kalciumin , duke cliruar në këtë mënyrë fosforin që gjendej i lidhur në formën e fosfateve të kalciumit.

Në përputhje me argumentat e mësipërme, plehërimi ne formën e nitrateve NO3, është i rekomandueshëm për shkak se favorizon sintezën e acideve organike dhe fuqizon absorbimin e kationeve nga bimët, ndërkohë që foma amoniakale NH4 e kufizon këtë proces. Megjithatë, një të ushqyer 100% NO3, do ta rriste pH e rizosferës në vlera të padëshiruara (janë regjistruar vlera edhe më të larta se 8)  dhe në këtë mënyrë do të zvogëlonte shumë sasinë e fosforit të asimilueshëm dhe të disa mikroelementëve. Për këtë arësye rekomandohet që në plehërimet azotike të përdoret  përzierje në masën 80% nitrate dhe 20% trajta amoniakale.