Konduktiviteti elektrik i ujit.

Për të kuptuar se çfarë është konduktiviteti elektrik, më parë duhet të kuptojmë se çfarë është totali i kripërave të tretura në ujë. Totali i kripërave të tretura në ujë është shuma e kripërave minerale të tretuara në ujin që shfrytëzohet për ujitje dhe  matet me ppm (pjesë për milion) ose me mg/l. Në shumicën e rasteve, ky tregues gjendet në literaturë me inicialet TDS (Total Dissolved Solids).

Matja e TDS-së në fushë është e vështirë. Për këtë arsye, si tregues i vlerësimit të  totalit të kripërave të tretshme në ujë shfrytëzohet konduktiviteti elektrik i ujit. Konduktiviteti elektrik është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me përqendrimin e kripërave të tretura në ujë dhe tregon aftësinë që ka uji për të përçuar rrymën elektrike.  Konduktiviteti elektrik i ujit përcaktohet shpejtë dhe me kosto të ulët lirë, duke përdorur matësit portativ të tij.

Uji i distiluar nuk përmban kripëra të tretura dhe për pasojë ai nuk përçon rrymë elektrike. Kjo do të thotë që konduktiviteti elektrik tij në këtë rast është i barabartë me zero. Kur në ujë shtohen kripëra, këto të fundit shpërbëhen në jone të ngarkuar pozitivisht (katione) dhe në jone të ngarkuar negativisht (anione), të cilat nga ana e tyre përçojnë elektricitet. Në këtë kontekst, sa më e madhe të jetë sasia e kripërave të tretura në ujë, aq më e lartë do të jetë sasia e joneve të formuara në ujë dhe për rrjedhojë, aq më e lartë do të jetë vlera e konduktivitetit elektrik të ujit (shih grafikun më poshtë).

Megjithatë, kur përqendrimi i kripërave arrin në një nivel të caktuar, konduktiviteti elektrik nuk lidhet më në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë përqendrim kripërash. Kjo ndodh sepse formohen çifte jonike, të cilat dobësojnë ngarkesën elektrike të  njëri tjetrit. Për këtë arsye, mbi këtë nivel të caktuar, një TDS më e lartë nuk do të thotë po ashtu edhe një konduktivitet elektrik më i lartë (shih grafikun më poshtë).

Marredhenijet EC-TDS.

Konduktiviteti elektrik i ujit varet gjithashtu nga temperatura e tij. Sa më e lartë të jetë temperatura, aq më i lartë është konduktiviteti elektrik. Praktikisht, konduktiviteti elektrik i ujit rritet nga 2 deri në 3% për çdo rritje prej 1 gradë celsius të temperaturës së tij. Shumë EC metra të ditëve të sotme e standardizojnë automatikisht leximin në 25ºC.

Megjithëse konduktiviteti elektrik i ujit është një tregues i mirë i kripëzimit total, ai nuk jep ndonjë informacion për përbërjen jonike në ujë. Të njëjtat vlera të konduktivitetit elektrik mund të merren si në ujë të cilësisë së ulët (për shembull ujë të pasur me natrium, bor dhe flouride) ashtu edhe në ujë të cilësisë së lartë (për shembull ujëra të pasuruar mjaftueshëm me përqendrimin dhe raportet e përshtatshme të elementëve ushqyes).

Praktikisht, konduktiviteti elektrik i ujit është tregues i kripëzimit të tij. Kripëzimi i tepruar mund të ndikojë në mënyra të ndryshme tek bimët:

  1. Toksicitet specifik nga një jon i veçantë (siç është natriumi).
  2. Presioni osmotik më i lartë në zonën përreth rrënjëve, duke penguar absorbimin efiktiv të ujit nga bimët.

Disa bimë janë më të ndjeshme ndaj vlerave të larta të konduktivitetit elektrik.  Çdo specie bimore ka një prag të lejuar të konduktivitetit elektrik, përtej të cilit prodhimi ulet. Ndjeshmëria e bimëve ndaj vlerave të larta të konduktivitetit elektrik (vlerave të larta të kripërave të tretshme në ujë), është veçanërisht e lartë kur bimët janë në moshë të re.

Njësitë më të zakonshme të matjes së konduktivitetit elektrik të ujit janë: μS/cm (mikroSiemens/cm) ose, dS/m (deciSiemens/m), ku; 1000 μs/cm = 1 dS/m

EC mund të konvertohet (me përafërsi )në TDS duke përdorur formulën e mëposhtme:

TDS (ppm) = 0.64 x EC (μS/cm) = 640 x EC (dS/m)

EC metra të ndryshëm mund të përdorin njësi matëse të ndryshme, për shembull ds/m apo μs/cm. Në çdo rast leximi i aparatit konvertohet automatikisht për temperaturën 25 ºC. Nëse jo, matja e EC së ujit duhet të bëhet në 25ºC.