Karakteristikat agronomike të kultivarëve kryesore vendas të ullirit.

 

Kalinjoti.

  •  Është kultivari kryesor vendas, zë mbi 45% të strukturës së mbjelljeve  në nivel kombëtar. Në rajonin Sarandë – Vlorë – Fier – Mallakastër zë mbi 80% të strukturës së mbjelljeve.
  • Bima është e fuqishme, degët janë me qëndrim vertikal, kurora është e madhe, hyn von në prodhim.
  • Është kultivar pjesërisht autofertil, pjalmues i mirë është cv. Pulazeqin.
  • Fruti me peshë mesatare 3-5 gr, i rrumbullakët ose i zgjatur, kur është në rritje  intensive ka lenticele të shumta.
  • Në pjekje teknike fruti ka ngjyrë të verdhë, në atë biologjike të zezë.
  • Ka  mbi 25% vaj dhe fruti ka përdorim të dyfisht, për kripje vilet kur është zverdhur.
  • Ka pjekje të shkallëzuar,  afatet më i mirë i vjeljes është muaji Nëntor.
  • Është kultivar i qëndrueshëm ndaj temperaturave të larta dhe ka qëndrueshmëri mesatare ndaj të ftohtit, shkon deri në 500 m lartësi dhe toka të thata e mbi ujë.
  • Është shumë i ndjeshëm ndaj syrit të palloit dhe tuberkulozit.

 

Kokërrmadhi i Beratit

  •  Është kultivar autokton i zonës Beratit me dy forma të frutit; të rrumbullakët dhe të zgjatur. Zë mbi 15% të strukturës së mbjelljeve në nivel kombëtar.
  • Bima ka rritje mesatare, formë harku, me degë skeletore me kënd të të hapur.
  • Është kultivar pjesërisht vetpllenues. Pjalmues i mirë është kultivari Unafka.
  • Fruti është me peshë nga 6-12 gr, shumë tërheqës në pamje, tuli zë  deri 90%.
  • Tuli është konsistent, konservohet mirë dhe ruhet gjatë në gjendje konservimi, ka deri 18% vaj, por jo cilësor, është i hershëm në pjekje
  • Për konservim vilet në fillim të pjekjes agronomike kur ka ngjyrë të verdhë.
  • Preket nga tuberkulozi dhe miza e ullirit,  është mesatarisht i qëndrueshëm ndaj temperaturave të ulëta, por ka qëndrueshmëri të mirë ndaj temperaturave të larta.  

 

 Kokërrmadhi i Elbasanit.

  •  Është kultivar autokton i zonës së Elbasanit.
  • Bima e fuqishme, degët dalin në kënd të ngusht, kurora rritet në lartësi, kërkon krasitje periodike sepse ka tedencë cveshje në bazën e bimës.
  • Fruti është me peshë 3-6 gr, është i rrumbullakët dhe lehtësisht asimetrik, ka deri 20 % vaj, tuli zë 85-88% të masës se frutit. Fruti rrëzohet lehtësisht përpara vjeljes.
  • Është kultivar autosteril, si pjalmues i mirë për të konsiderohet Mixan.
  • Prodhimi është mesatar dhe i alternuar. Ka përdorim të dyfishtë (kripje dhe vaj) dhe preket nga miza e ullirit.

 

Kripësi i Krujës.

  •  Kultivar me origjinë të panjohur, zë mbi 70% të bimëve shekullore në Krujë.
  • Degët bazë kanë kënd të ngusht, vegjetacioni është i bujshëm, rritet në lartësi dhe sposton prodhimin drejtë majave.
  • Fruti është i rrumbullakët, mesatar deri i madh, me peshë 3-6 gr, pak i shtypur në bazë, në fazën e rritjes intensive ka ngjyrë të gjelbër intensive me shumë pikëzime.
  • Është kultivar pjellor, pjalmues i mirë për të është Ulliri i Bardhë.
  • Ka përdorim të dyfisht, pjekje të shkallëzuar, ngjyrë të zezë në pjekje biologjike. Tuli është krokant, ka deri 20% vaj.
  • Është pak i qëndrueshëm ndaj të ftohtit dhe temperaturave të larta, preket nga miza e ullirit, është mesatarisht i qëndrueshem ndaj syrit të palloit.

 

Mixani.

  •  Është kultivar autokton i zonës Elbasan, Peqin dhe Tiranë.
  • Bima ka rritje mesatare/ të madhe dhe degët bazë me kënd të gjërë. Ka mveshje të mirë të degëve kryesore me degë veshëse prodhuese, nuk ka spostim të prodhimit (vecori dalluese e këtij kultivari).
  • Fruti piqet në muajin Nëntor. Është me peshë 2 – 3 gr, tuli ze deri 85% të frutit, forma e frutit ngjan me një dardhë. Ngjyra në pjekje është violetë me një shtresë dyllore që i ruan lenticelet deri në pjekje.
  • Rrezja e vajit është mbi 25%.  Vaji i Mixanit është cilësor.
  • Kultivar i qëndrueshëm ndaj të ftohtit, shkon deri 600 m lartësi, është autofertil, jep prodhime të larta, nuk ka alternancë të theksuar.
  • Është i qëndrueshem nga miza e ullirit, por preket nga syri i palloit.

 

Boçi (gjykatës, krypës, kupac). 

  • Është i përhapur në Tiranë, Durrës, Kavajë. Në disa komuna në Tiranë zë mbi 40% të strukturës mbjelljeve.
  • Bima rritet fuqishëm në vitet e para, kurora është e lartë, degët kanë kënd të ngusht, kurora është e dëndur.
  • Është kultivar autosteril, fruti është i rrumbullakët me peshë 3-6 gr, me përdorim të dyfishtë, në pjekje teknike ka ngjyrë të verdhë, kurse në pjekje agronomike të  zezë.
  • Tuli zë deri në 90% të frutit dhe ka deri 22% vaj.
  • Shkon mirë në toka skeletike dhe të pjerrëta, ka qëndrueshmëri mesatare ndaj temperaturave të ulëta, por është i ndjeshëm ndaj mizës së ullirit dhe syrit të palloit.

 

Kallmeti.

  •  Është kultivar i rajonit bujqësor Lezhë – Shkodër. Në këtë rajon zë mbi 50% të ullishtave të vjetër.
  • Bima është e fuqishme, degët bazë dalin në kënd të ngusht, kurora është voluminoze.
  • Fruti është mesatar deri i madh, me peshë 3.5 – 7 gr, pjekja deri mesatare, tuli zë mbi 85% të frutit, përmbajtja e vajit 20-22%, ngyra në pjekje agronomike është vjollcë  e zezë.
  • Përdoret për kripje dhe vaj, ka prodhimtari të lartë, të alternuar, është pak i qëndrueshëm ndaj temperaturave të ulëta.
  • Është i ndjeshëm ndaj mizës, i qendrueshëm ndaj syrit të palloit.

 

I Bardhi i Krujës.

  •  Është kultivar mjaft i përhapur në zonën e Krujës.  Bima ka zhvillim të kufizuar, formon kurorë të hapur, në mungesë të krasitjeve e c’vendos vegjetacionin në lartësi.
  • Fruti është vezak, me asimetri në vendosje, pesha mesatare deri 3-4 gr.Ngjyra në pjekje teknike e verdhë, në pjekje agronomike  ngjyra bëhet vjollcë.
  • Është pjesërisht autofertil.  Pjekja është e mesme e vonë dhe përdoret për vaj. Është prodhues dhe rrezja e vajit shkon në 20 – 25 %.

 

I Bardhi i Tiranës ( Durrësit).

  • Kultivar autokton për vaj, i përhapur në Shqipërinë e mesme dhe më tepër në rajonin Tiranë – Durrës.
  • Bima është me rritje të vogël/mesatare, degët dalin në kend të gjerë, nuk rritet në lartësi.
  • Kurora është vazhdimisht e veshur me degë skeletore dhe gjelbërim, ka formë globi.
  • Fruti është i vogël deri mesatar, me formë eliptike asimetrike. Ngjyra në pjekje teknike është e kuqe, kurse në pjekje agronomike bëhet e zezë.
  • Tuli zë deri 85%, përdoret për vaj dha rrezja e vajit arrin  mbi 25%.
  • Konsiderohet kultivar autosteril, por prodhon mirë. Është i qëndrueshëm ndaj mizës së ullirit dhe tolerant ndaj syrit të palloit.

 

Ulli shume shekullor ne Petrele te Tiranes.

 

I Holli i Himarës ( Nisioti).

  •  Është ulli autokton i zonës së bregdetit dhe nuk është përhapur në rajone të tjera.
  • Bima e fuqishme, me natyrë kurore të hapur, përshtatet ne kushte të vështira. Kurora është kupore, ruan degëzimet dhe gjelbërimin edhe në bazën e degeve.
  • Fruti është i vogël, eliptik, tuli zë pak volum ose deri 70%, jep deri 17% vaj.
  • Pjekja është e hershme, karakterizohet nga rrëzim i math frutash.
  • Preket shumë nga miza e ullirit, por është tolerant ndaj syrit të palloit.