Parimet e rregullimit të mikroklimës në serrë.

Ecuria e të gjithë proceseve jetësore në bimë, por edhe jeta e patogjenëve të tyre janë të kushtëzuara nga një sërë faktorësh si p.sh; rrezatimi diellor, bilanci ujor, shkëmbimi i dyoksidit të karbonit dhe të ushqyerit. Gjithsesi, faktorët më të rëndësishëm klimatikë për rritjen e bimëve në serrë janë drita, lagështia dhe temperatura. Mënyra se si manipulohen këta faktorë, përcaktojnë rendimentin dhe efektivitetin e prodhimit të bimëve të mbjella në serë.

Administrimi i faktorëve të mikroklimës në serë nuk është i lehtë, për arsye se ka një ndërveprim shumë kompleks të këtyre faktorëve. Në të njëjtën kohë ky ndërveprim influencon si në jetën e bimëve ashtu edhe të patogjenëve të tyre. Si shembull mund të merret pasurimi i serës me CO2, gjë që mund të realizohet nëpërmjet shtimit artificial të tij, nëpërmjet kufizimit të ajrimit të serës (mbylljes së dritareve të ajrimit). Kjo, nga ana tjetër, mund të shkaktojë rritjen e lagështisë relative të ajrit në serrë, e cila nga ana e vet ndikon në zvogëlimin e intensitetit të transpirimit dhe në këtë mënyrë në pakësimin e vëllimit të ujit dhe të lëndëve ushqyese që bimët tërheqin nga toka.

Çdo serë ka modelin e vet të lëvizjes së ajrit. Ky model kushtëzohet nga konstruksioni i serës, sistemet e kontrollit të mikroklimës dhe situata e mjedisit rrethues të serës. Ky i fundit përcakton gjithashtu diferencën e presioneve të ajrit brenda dhe jashtë serës, si edhe diferencën e presionit të ajrit në pjesë të ndryshme të serës. Në një serë të mbyllur, sporet mbesin pezull në ajër për një kohë të gjatë. Lëvizja e ajrit në një serë të mbyllur është e mjaftueshme për të përballuar gravitetin (sporet qëndrojnë pezull në ajër), por nuk është e mjaftueshme për të penguar depozitimin e sporeve mbi gjethet e bimëve.

Kultivimi i suksesshëm i perimeve në mjedise të mbrojtura është para së gjithash rezultat vlerësimit profesional  të rolit të mjedisit në jetën e bimëve dhe i përshtatjes sëe teknologjive të prodhimit me disa parime të përgjithshme të bashkëveprimit të bimëve me mjedisin rrethues dhe pikërisht me:

1. pazëvendësueshmërinë dhe rëndësinë e barabartë të faktorëve jetësorë.

2. vlerat e pabarabarta të faktorëve të mjedisit.

3. minimumin, maksimumin dhe optimimin e faktorëve jetësorë.

4. veprimin e tërësishëm, (të përbashkët) të faktorëve jetësorë.

Ligji i parë përcakton se asnjë nga nga faktorët jetësorë të bimëve (drita, temperatura, uji, lëndët ushqyese) nuk mund të zëvendësohen nga njëri-tjetri.

Nga ligji i dytë rrjedh që përveç faktorëve jetësorë ekzistojnë edhe faktorë të mjedisit (vranësirat, era, përbërja mekanike e tokës, prania e kafshëve, patogjenëve, dëmtuesve, etj) dhe gjithashtu një seri faktorësh antropogjenë (ndotja e tokës, ujrave, ajrit) të panevojshëm, bile edhe të dëmshëm për bimët.

Ligji i minimumit, maksimumit, optimumit përcakton shkallën e sigurimit të bimëve prej faktorëve jetësorë. Gjatë pakësimit ose shtimit të dozës të ndonjërit nga faktorët, aktiviteti jetësor i bimës kufizohet nga mungesa/teprica e faktorit, deri në shtypjen e plotë të rritjes se bimës. Por veprimi kufizues i faktorëve jetësorë nuk është konstant, ai varet nga dozat e faktorëve të tjerë. Kështu, tashmë shfaqet ligji i veprimit të përbashkët të faktorëve jetësorë, në raport me të cilin kushtet optimale të mjedisit formohen nga një kombinim harmonik i të gjithë faktorëve bazë. Nga sa është thënë më lart rrjedh se vendi i banimit të bimës përbëhet nga; faktorë jetësorë dhe faktorë të mjedisit. Faktorët jetësorë dhe të mjedisit, e realizojnë së bashku ndikimin e tyre në rritjen, zhvillimin dhe prodhimin e bimëve nëpërmjet kushteve tokësore dhe klimatike të motit.

Bazuar në studime të shumta shumëvjeçare mund të pohohet se çdo faktor jetësor perceptohet për bimët i ndryshëm, në varësi nga doza e tij. Me fjalë të tjera çdo faktor jetësor, bimës mund ti paraqitet në dozë minimale, maksimale, optimale. Faktorët jetësorë në doza më të ulta se dozat minimale dhe më të larta se ato maksimale; janë për bimën ekstremale. Në këtë e në raste të tjera në bimët ndodhin ndryshime të pakthyeshme që e shpien atë në dëmtime e vdekje.

Nqs e paraqesim zonën e optimumit të faktorit jetësor si zonën e rritjes aktive, të vegjetacionit aktiv, atëherë ajo ka një interval të caktuar (temperaturë, dritë lagështi në tokë dhe ajër, doza të elementëve mineralë dhe regjim ajror) në kufijtë e të cilit rritja dhe zhvillimi i bimëve, kur sigurohen faktorët e tjerë, do të rrjedhë në mënyrën më aktive.

Gjatë pakësimit ose shtimit të dozave të faktorëve jetësorë rritja aktive e bimës pengohet dhe si rezultat përfundimtar ndërpritet nga mungesa ose teprica e cilitdo prej tyre. Me ndërprerjen e rritjes, në bimë fillojnë proceset e adaptimit ndaj mungesës ose tepricës së faktorit. Ndryshimet që ndodhin në bimë gjatë kësaj gjendjeje janë të rikthyeshme. Gjatë kthimit nga zona e adaptimit në zonën e vegjetacionit aktiv, rritja dhe zhvillimi i bimëve arrijnë normat optimale, ndonëse qëndrimi në zonën e adaptimit lë gjurmët e veta negative.

Skeme hipotetike e bashkeveprimit te faktoreve te mjedsit mbi bimet.

Gjatë pakësimit ose rritjes së mëtejshme të dozave të faktorëve jetësorë, bima bie në stadin e dëmtimit të saj nga mungesa ose teprica e faktorit. Në këtë zonë ndodh shkatërrimi i strukturës së qelizës, e cila fillon me shkatërrimin e membranave dhe molekulave të proteinës. Më tej vërehet dezaminimi i aminoacideve, formimi i produkteve të dëmshme dhe helmuese të dekompozimit, shkatërrimi i strukturave qelizore dhe i qelizave, indeve të veçanta dhe së fundi edhe i organeve më delikate të bimëve.

Në kufijtë e zonës së dëmtimit, në bimë ndodhin ndryshime të parikthyeshme. Gjatë kthimit në zonën e vegjetacionit aktiv si rezultat i rigjenerimit bima mund të shërojë dëmtimet dhe të vazhdojë vegjetacionin. Por qëndrimi në zonën e dëmtimit le në mënyrë të pashmangshme, gjurmë të konsiderueshme negative, shumë më tepër se qëndrimi i bimës në zonën e adaptimit. Zona e dëmtimit pasohet nga zona letale, që nënkupton mungesën e thellë dhe të zgjatur të një faktori të caktuar, ose mbidoza të larta të atij faktori, në përmasa të atilla që i bëjnë vdekjeprurëse për bimët.