image024 domate-fidane2 liriomyza-trifolii OLYMPUS DIGITAL CAMERA phto0038 mandarin-unshiu physiological-burnd-heads starking dscn2314 dscn1721
fotografite

Kalciumi dhe roli i tij në bimë.

Asimilimi dhe lëvizja e kalciumit në bimë. Tërheqja e kalciumit nga bimët është pasive dhe nuk kërkon energji. Lëvizja e kalciumit në bimë bëhet kryesisht në ksilemë, së bashku me ujin. Si pasojë, sasia e kalciumit të asimiluar lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me intensitetin e transpirimit të bimëve. Në kushtet e lagështisë së lartë, të motit të ftohtë dhe intensitetit të ulët të transpirimit, bimët mund të vuajnë mungesën e kalciumit. Edhe rritja e përqendrimit të kripërave në substratin e kultivimit mund të shkaktojë mungesë të kalciumit në bimë për shkak të pakësimit të sasisë së ujit që thithet nga bimët.

Me qenë se lëvizja e kalciumit në bimë është e kufizuar, mungesat e këtij elementi do të shfaqen në gjethet më të reja (vyshkje ose djegie të majave të gjetheve) dhe në fruta (në formën e kalbëzimit të majës. Dëmtimet e para shfaqen pikërisht në majat e gjetheve të rezja, ose fruta, sepse ato kanë intensitet transpirimi shumë më të ulët se gjethet e rritura.

 

Kalciumi është një element i domosdoshëm për rritjen e bimëve. Ai kryen funksione të shumëllojshme:

  • Merr pjesë në proceset metabolike të tërheqjes së elementëve të tjerë.
  • Nxit zgjatjen e qelizave bimore.
  • Forcon strukturën e mureve qelizore. Kalciumi është një pjesë thelbësore e mureve qelizorë të bimës. Ai formon përbërësit pektik që i japin qëndrueshmëri mureve qelizorë dhe lidhin qelizat me njëra tjetrën.
  • Merr pjesë në proceset enzimatike dhe hormonale.
  • Ndihmon në mbrojtjen e bimëve nga sëmundjet. Shumë kërpudha dhe baktere sekretojnë enzima që dëmtojnë muret qelizorë të bimës. Mure më të fortë qelizorë, të formua për meritë të kalciumit, mund të pengojnë depërtimin e tyre.
  • Ndikon në cilësinë e frutave.
  • Luan rol në rregullimin e funksionimit të gojëzave.

 

Faktorët që ndikojnë në përdorimin e kalciumit nga bimët. Kalciumi formon përbërës të patretshëm në bashkëveprim me elementë të tjerë në tokë, si p.sh. me fosforin. Kalciumi në forma të patretshme nuk është i disponueshëm për bimët nga bimët.

Me qenë se kalciumi është një jon me ngarkesë pozitive, ai absorbohet në tokë nga sipërfaqet e grimcave argjilore dhe organike që janë të ngarkuara negativisht. Jonet e ngarkuara pozitivisht e të absorbuara nga grimcat e tokës quhen “jone të shkëmbyeshëm” sepse ata mund të shkëmbehen me jone të tjerë të pranishëm në tretësirën tokësore.

Analizat e tokës përcaktojnë nivelin e joneve të shkëmbyeshëm të kalciumit dhe jo sasinë totale të kalciumit që gjendet në tokë. Janë disa tregues në analizat e tokës që mund të ndihmojnë në vlerësimin e disponueshmërisë së kalciumit për bimët:

  • pH i tokës - zakonisht tokat me nivel të lartë pH-i përmbajnë më shumë kalcium të përdorshëm nga bimët.
  • CEC (kapaciteti shkëmbyes kationik) –është një tregues që përshkruan sasinë totale të joneve të shkëmbyeshme me ngarkesë pozitive që mund të mbajë toka. Kur CEC-i është i lartë, toka ka aftësi më të madhe për të absorbuar dhe mbajtur kalciumin dhe si pasojë, ka më shumë kalcium të përdorshëm nga bimët.
  • Prania e joneve konkurruese – kalciumi konkurron me jone të tjerë të ngarkuar pozitivisht, siç janë natriumi (Na+), potasi (K+) dhe magnezi (Mg+2). Në qoftë se rritet përmbajtja e këtyre joneve në tretësirën tokësore, mund të zvogëlohet intensiteti i tërheqjes së kalciumit nga bimët. Jonet natrium mund të absorbohen në vend të kalciumit, të dëmtojnë strukturën e tokës dhe të pakësojnë disponueshmërinë e kalciumit për bimët.

 

Funksione të tjera të kalciumit në tokë. Kur pH i tretësirës tokësore është i lartë, Ca tenton të formojë përbërës të patretshëm me fosforin. Për pasojë, edhe disponueshmëria e fosforit për bimët do të ulet ndjeshëm.

Kalciumi që absorbohet nga grimcat e tokës ndihmon në stabilizimin e strukturës së tokës. Nis në tretësirën tokësore gjenden me shumicë jone natrium, ai lidhet në koloidet tokësore dhe dëmton rëndë cilësitë fizike të tokës. Tokat me përmbajtje të larta Na, fryhen dhe bëhen të ngjitshme kur lagen dhe plasariten pasi thahen. Duke e zëvendësuar jonet Na në koloidet tokësore, kalciumi parandalon apo korrigjon problemet e mësipërme.  

 

Simptomat e mungesës së kalciumit. Mungesa e kalciumit në bimë mund të shkaktohet pamjaftueshmëria e kalciumit të asimilueshëm  nga bimët në tretësirën tokësore, ose për shkak të streseve ujore që rezultojnë me intensitet të ulët transpirimi të gjetheve të reja (por jo të gjetheve të rritura plotësisht) dhe frutave. Shenjat e mungesës së kalciumit përfshijnë përdredhjen e gjetheve të reja, zierjen e kërcejve, njolla në gjethet e reja, rritje të kufizuar, përcëllime të majës së gjetheve dhe frenim të rritjes së rrënjëve. Simptomat më të dallueshme dhe më dëmprurëse të mungesës së kalciumit janë në fruta. Më shumë për këtë fenomen mund të lexohet në “kalbëzimi i majës së frutave”.

Kalbezimi i majes se frutave ne domate.

nuk ka komente.