Çrregullimet fiziologjike të kastravecit për shkak të mungesës ose tepricës së magnezit.

Bime me simptoma te mungeses se Mg (djathtas) dhe bime e shendetshme (majtas).

Roli i magnezit në bimë.

Magnezi është element i lëvizshëm në bimë. Ai është pjesë përbërëse e molekulës së klorofilës. Mungesat e magnezit janë më të zakonshme në tokat me teksturë të ashpër dhe sidomos në toka acide, të lehta dhe ranore të zonave me shumë reshje. Mungesa e magnezit mund të nxitet nga përdorimi i dozave të larta të plehrave potasikë. Simptomat shfaqen më shpesh gjatë motit të ftohtë ose në tokat e rënda e të lagështa, kur rrënjët e bimëve janë më pak aktive.

Simptomat e mungesës së magnezit.

Simptomat e mungesës së magnezit shfaqen kryesisht në gjethe. Mungesa e tij shkakton zverdhje tipike  të gjetheve më të vjetra. Simptomat fillojnë me kloroma në zonat midis nervaturave, ndërkohë që vetë nervaturat mbeten me ngjyrë të gjelbër të errët.

Simptoma te mungeses se Mg ne gjethe.

Nëse mungesa është e theksuar, zonat e klorotizuara nekrotizohen gradualisht. Si rezultat i mungesës së magnezit prodhimi i bimëve pakësohet në mënyrë të konsiderueshme.

Bime me simptoma te mungeses se Mg (djathtas) dhe bime e shendetshme (majtas).

 

Simptomat e tepricës së magnezit.

Bimët tolerojnë edhe përqendrime të larta magnezi, megjithatë prishja e raporteve normale të tij me kalciumin dhe potasin mund të shkaktojë probleme të mungesës së këtyre të fundit.

 

Mënyra e korrigjimit të çrregullimeve për shkak të mungesës ose tepricës së magnezit.

Mungesa e magnezit duhet të kompensohet nëpërmjet plehërimeve me plehra që përmbajnë magnez. Mënyra  më e mirë është  shpërndarja gjatë vegjetacionit nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika.

Në korrigjimin e mungesave të magnezit mund të përdoren gjithashtu trajtimet gjethore me sulfat magnezi (2 kg/100 L ujë), ose përzierje industriale mikroelementesh që përmbajnë sasi të mëdha magnezi, në dozat e rekomanduara nga prodhuesi.