Ndotësit e ajrit në serrë.

Për arsye se kemi të bëjmë me një mjedis relativisht të mbyllur, serrat rrezikojnë që përqendrimi i disa gazeve të arrijë shumë shpejt në përqendrime helmuese për bimët. Në këtë rast ata shndërrohen në ndotës të ajrit në serrë. Ndotja e ajrit influencon prodhimin  bujqësor, duke shkaktuar dëmtime të ndryshme në bimë, që fillojnë nga dëmtimet e lehta të gjetheve (pika nekrotike), në reduktimin e prodhimit dhe në raste ekstreme deri në vdekjen e bimëve.

Shkalla e dëmtimit të bimëve kushtëzohet nga shumë faktorë përfshirë natyrën e ndotësit, speciet dhe kultivarët brenda saj, fazën fenologjike të bimëve, temperaturën, lagështinë relative, rrezatimin  diellor, etj. Ndotësit e ajrit mund të jenë me natyrë lokale, të shkaktuar nga burime lokale, ose të përgjithshëm, të shkaktuar nga reaksione atmosferike të kombinimit të oksideve të azotit dhe hidrokarbureve të çliruara nga djegia e karburanteve të automobilëve, ose dekompozimi i lëndëve të tjera djegëse në prani të dritës. Këto substanca mund të jenë gjithashtu, produkte specifike të komplekseve industriale, ose produkte të krijuara aksidentalisht (përdorimi i pakujdesshëm i  herbicideve, aksidente rrugore, ndotje të krijuara nga përdorimi i ngrohësve lokalë, përdorimi i dozave të larta të plehrave azotikë, etj).

Ndotësit e ajrit mund të jenë një faktor kufizues për prodhimin në sera. Mundësia e dëmtimit nga ndotësit e ajrit në serë rritet së tepërmi nëse intensiteti i ajrimit të serës është i ulët. Ndotësit e ajrit mund të shkaktojnë dëmtime të dukshme në gjethet e bimëve, ose të reduktojnë rritjen e bimëve.  Domatja dhe kastraveci janë në mënyrë të veçantë të ndjeshëm kundrejt dëmtimeve nga ndotësit e ajrit.

Simptoma te demtimit te kastravecit nga hidrokarburet.

Ndotësit e ajrit çlirohen zakonisht si nënprodukte të djegies në kaldaja ose gjeneratorë brenda në serë, ndërkohë që burime të jashtme të ndotjes së ajrit në serë mund të jenë objektet e ndryshme industriale. Ndotësit e ajrit brenda në serë mund të çlirohen për shkak të mungesës së djegies së plotë të lëndës djegëse, ose edhe për arsye të tjera, prandaj ato duhet të kontrollohen periodikisht përpara fillimit të sezonit. Gazrat  më të përhapura për shkak të mungesës së djegies së plotë të lëndëve djegëse janë, oksidet e azotit, (NO dhe NO2), dyoksidi i squfurit (SO2), etileni(C2H4), propileni (C3H6), ozoni (O3), monoksidi i karbonit (CO) dhe sulfuri i hidrogjenit (H2S).

Simptomat e dëmtimeve nga gazrat ndryshojnë në varësi nga natyra e gazit. Simptoma më e zakonshme e dëmtimeve nga dyoksidi i squfurit është përcëllimi i gjetheve. Gjethet e reja janë më të ndjeshme karshi këtyre dëmtimeve.

Simptoma te demtimit te domates nga oksidet e squfurit.

Simptomat e dëmtimeve nga NO2, karakterizohen nga errësimi i gjetheve dhe përkulja nga poshtë e periferisë së tyre. Në rastet më ekstreme  disa pjesë  të gjetheve thahen. Gjithsesi, rreziqet më të mëdha në serë shkaktohen nga etileni dhe mono oksidi i karbonit. Në kushtet kur mungon ajrimi rritja e përqendrimit të mono oksidit të karbonit shkakton dhimbje koke dhe të vjella tek personat që punojnë në serë, ndërsa nëse përqendrimi i tij rritet në 50 ppp, mund të shkaktojë edhe vdekjen e njerëzve që gjenden në serë.

Dëmtimet nga etileni kur ai gjendet në përqendrime më të vogla se 0.05 ppm shkaktojnë varjen poshtë të gjetheve, megjithëse ato nuk janë të vyshkura (epinasty), ndërkohë që në rastet e ekspozimeve kronike ndaj tepricës së etilenit dëmtimet në bimë shprehen në reduktimin e rritjes, shkurtimin dhe trashjen e kërcellit, binjakëzimin e majës së rritjes, si edhe  në rrëzimin e parakohshëm të gjetheve dhe luleve. Rrëzimi i luleve mund të ngatërrohet lehtë me rrëzimin e tyre për shkak të temperaturave të larta. Domatja dhe karafilat janë bimët më të ndjeshme ndaj etilenit.  Dëmtimet nga propileni janë të ngjashme me ato të etilenit, por shfaqen në përqendrime shumë më të larta se sa ato të etilenit.

Simptoma te demtimit te domates nga etileni.

Plehrat kimike janë një tjetër burim i ndotjeve, në mënyrë të veçantë në sera. Përdorimi masiv i tyre shoqërohet me rritjen e shpejtë të kripëzimit të tokës deri në kufij kritikë. Nga ana tjetër shfrytëzimi gjithnjë e më i gjerë i mbeturinave urbane në bujqësi, shpesh të ngopura me metale të rënda, përbën një rrezik potencial për ndotjen e produkteve bujqësore.

Përderisa është e qartë se shkalla e dëmtimit të disa ndotësve rritet paralelisht me rritjen e përqendrimit të tyre në mjedis lind nevoja e përcaktimit të tolerancës së bimëve karshi atyre. Kjo është një detyrë delikate për faktin se një kultivar, i qëndrueshëm  në një fazë të caktuar të zhvillimit të tij, mund të jetë krejt i ndjeshëm në faza të tjera të zhvillimit. Në mënyrë të ngjashme bashkëveprimi i faktorëve të mjedisit me ndotësit mund të mos jetë i rrezikshëm në ndonjë rast dhe shumë i dëmshëm në raste të tjera.