Marrëdhëniet midis temperaturës dhe lagështisë ajrore në mjedise të mbrojtura.

Suksesi i kultivimit të bimëve në sera është i lidhur ngushte me administrimin korrekt të ajrit në serë. Ajri është një përzierje gazesh me avuj uji dhe grimca pluhuri. Përbërja e ajrit të serës shpesh është e ndryshme nga ajo e ajrit të mjedisit rrethues. Ndryshimet më të dukshme kanë të bëjnë me temperaturën, nivelin energjetik, përmbajtjen e avujve të ujit dhe përqendrimin e dyoksidit të karbonit. Këto janë edhe parametrat kryesorë me të cilët operohet në rregullimin e mikroklimës së mjediseve të mbrojtura.

Lagështia absolute (LA),
është një koncept që shpreh sasinë e avujve të ujit që gjenden në ajër  në një moment të caktuar dhe shprehet në gram për kilogram ajër (g/kg ajër). Ajri i ngrohtë mund të përmbajë më shumë avuj uji krahasuar me të njëjtën sasi ajri në temperaturë më të ulët . Gjatë verës kjo gjë vërehet qartë. Në mbrëmje ajri mbart një sasi të caktuar avujsh uji. Në mëngjes, ndërsa temperatura e mjedisit ulet, ajri ngopet dhe nuk mund të mbajë më të gjithë atë sasi avujsh që mbante deri në atë moment. Për pasojë avujt kondensohen në pikla uji dhe formohet vesa. Më vonë, me lindjen e diellit, ajri ngrohet sërish, mund të mbartë sërish më shumë avuj dhe për pasojë vesa e formuar në mëngjes avullon brenda një kohe të shkurtër.
Në temperaturë 20.3 0C dhe lagështi absolute (LA) 15 g/kg, sasia maksimale e avujve të ujit në ajrin në serë është 60 g/m2. Kjo sasi është shumë e ulët, krahasuar me atë të transpiruar nga ana e bimëve. Në një ditë me diell, bimët mund të transpirojnë deri në 6 litra/m2 (6000 gr/m2). Meqenëse bimët transpirojnë kryesisht gjatë ditës, atëherë është edhe sasia më e madhe e ujit të emetuar prej tyre dhe prandaj edhe gjatë ditës kërkohet një vëllim më i madh i ajrimit të serës për të eliminuar tepricën e lagështisë në serë.
Për të karakterizuar sasinë maksimale të avujve të ujit që mund të mbarten në ajër në varësi nga temperatura e tij, përdoret koncepti i pikës së ngopjes me ujë PNU). Në tabelën e mëposhtme jepen vlerat e pikës së ngopjes për nivele të ndryshme të temperaturës së ajrit.

 

Tabela 1. Pika e ngopjes së ajrit me ujë (PNU) në temperatura të ndryshme.

Temperatura e ajrit 0C Pika e ngopjes me ujë (g/kg ajër)
5.0 5.4
7.5 6.4
10.0 7.6
12.5 9.0
15.0 10.6
17.5 12.5
20.0 14.7
22.5 17.2
25.5 20.1

 

Në kushte normale kultivimi në serë, ajri mbetet i pasaturuar (i pangopur) me ujë. Le të supozojmë se një sasi ajri me temperaturë 250C, në një moment të caktuar përmban 15 gr avuj uji (LA). Në këtë temperaturë, kjo sasi ajri mund të mbartë deri në 20 gr avuj /kg ajër (PNU). Ajri është i pangopur. Ai mund të mbartë edhe 5 gr/kg më shumë avuj uji. Me këto të dhëna mund të llogariten treguesit i lagështisë relative të ajrit.

Lagështia relative LR (tregon se në çfarë niveli ajri ka arritur pikën e tij të ngopjes me avuj uji dhe shprehet në %).

LR = LA / PNU * 100%

në rastin konkret, LR = 15 / 20 * 100% = 75% (kjo do të thotë se përmbajtja e lagështisë në ajër është sa 75 % e kapacitet maksimal të tij për ujë).

Lagështia relative është e shprehur në formën e një raporti dhe kjo mund të krijojë konfuzion. Gjithsesi edhe në rastin kur p.sh, LR jashtë është 80 % dhe brenda në serë është 40%, praktikisht realizohet “tharja” e serës nëpërmjet ajrimit (zëvendësimit të ajrit brenda në serë, me ajrin e mjedisit rrethues). Kjo për arsyen e thjeshtë se gjatë procesit të zëvendësimit të ajrit, me çdo kg ajër të serës janë larguar prej saj 6 gr avuj uji dhe janë futur në serë vetëm 4 gr/kg avuj uji nëpërmjet ajrit të freskët. Në këtë mënyrë ajri brenda në serë bëhet më i thatë se më parë (shih diagramën e Molierit).

Lagështia relative në serë është normalisht në kufijtë midis 75% dhe 85 %. Në ditë me diell ajo mund të zbresë deri në 50% – 60%, sidomos nëse sera është e pambjellë, ose bimët janë ende të vogla.

 

Deficiti i avujve të ujit. Në një temperaturë të dhënë ajri mund të mbajë, potencialisht, një sasi të caktuar avujsh uji (pika e ngopjes me ujë, PNU). Ndërkohë sasia konkrete e avujve të ujit në ajër në atë moment përfaqësohet nga lagështinë absolute e tij (LA). Diferenca midis pikës së ngopjes me ujë (PNU) dhe lagështisë absolute (LA)  tregon sasinë e avujve që ajri është ende në gjendje të absorbojë. Kjo diferencë quhet deficit i avujve të ujit (Dx) dhe shprehet në g/kg ajër.

Le të supozojmë që ndodhemi në një serë me temperaturë të ajrit 20 0C dhe lagështi relative 80 %. Lagështia absolute e ajrit është 11.7 g/kg ajër dhe pika e ngopjes është 14.7 g/kg. Bimët mund të shtojnë në këtë mjedis edhe 3 g/kg ajër (shih diagramën e Molierit). Ndërkohë lagështia relative (LR) është   1.7/14.7*100%=80%. Në një ditë vere, me temperaturë 270C dhe me të njëjtën vlerë të lagështisë absolute, lagështia relative zbret në 55%, ndërsa pika e ngopjes me avuj uji do të jetë 22.7 g/kg. Në këtë rast bimët mund të shtojnë edhe 11 g/kg ajër (shih diagramën e Molierit). Ky shembull shpjegon përse transpirimi nga bimët është më i lartë në një ditë me diell.

Përpjekjet për të maksimizuar shpenzimet për ngrohjen e serave, nëpërmjet zvogëlimit të intensitetit të ajrimit të atyre mund të çojnë në rritjen e përmbajtjes së avujve të ujit në ajër dhe në këtë mënyrë të zvogëlojnë vlerat e deficitit ujor. Nëse vlerat e deficitit ujor janë më të vogla se sa 0.2 kPa, veç rreziqeve të mundshme të dëmtimeve nga sëmundjet kërpudhore, shfaqen gjithashtu çrregullime të proceseve të rritjes dhe të zhvillimit të bimëve. Në përgjithësi pranohet që vlera të deficitit ujor midis 0.3 dhe 1.0 kPa, nuk krijojnë probleme të funksionimit fiziologjik të bimëve. I shprehur në terma të tjera, deficiti ujor i pranueshëm për domaten dhe kastravecin përllogaritet në vlerat 3 deri në 7 gr/m3. Vlera më të vogla e reduktojnë transpirimin e bimëve në nivele të rrezikshme për ato, ndërkohë që vlera më të larta mund të shkaktojnë strese të mungesës së ujit. Në kushtet e vlerave të ulta të deficitit ujor, bimët kanë ngjyrë të zbehtë dhe  gjethe të mëdha por të brishta. Në të kundërt, nëse vlerat e deficitit janë të larta, bimët rezultojnë me gjethe të vogla dhe të trashura.

Në sera që shfrytëzohen për shumëzimin e bimëve me copa, apo në mjediset e prodhimit të fidanëve të shartuar të perimeve, ruhet lagështi relative e lartë. Në kushtet e një LR = 98 % dhe në temperaturë 20 0C, bimët mund të shtojnë në ambient vetëm 0.3 g/kg ajër. Kjo në të vërtetë është shumë pak, por megjithatë është korrekte, sepse sistemi rrënjor i copave të vendosura për rrënjëzim është ende i paformuar dhe mund të absorbojë vetëm sasi shumë të vogla uji, apo marrëdhëniet midis nënshartesës dhe mbishartesës janë ende shumë të dobëta.

Deficiti ujor mund të jetë i dëshirueshëm në vlera të ulta edhe në rastet kur kërkohet të stimulohet presioni rrënjor si instrument për lëvizjen e ujit në bimë, me qëllim që të shmanget mungesa e kalciumit në frutat e bimëve.