jona-gold coratina granny_smith_1ekim gala-2 liriomyza-trifolii dscn1775 mandarina-clementina-2 myzus-persicae-aduld-and-nymph mand-sanguigno bacteria-pseudomonas-syringae-pv
fotografite

Fosfori dhe roli i tij në bimë.

Fosfori është një ndër makroelementët e domosdoshëm, për të ushqyerit e bimëve. Ai merr pjesë në proceset metabolike siç janë fotosinteza, transferimi i energjisë, si edhe sinteza dhe shpërbërja e karbohidrateve.
Fosfori në tokë është i gjendur në përbërës organikë dhe në minerale. Si për të gjithë elementët e tjerë ekzistues, edhe për fosforin ekziston një ekuilibër midis formave të patretshme të fosforit në tokë dhe fosforit që gjendet në tretësirën tokësore. Megjithatë, tretshmëria e tij është shumë e ulët dhe sasia e fosforit që është lehtësisht e përdorshme nga bimët është shumë e vogël krahasuar me sasinë totale të fosforit që gjendet në tokë. Për këtë arsye, në shumë raste është e nevojshme të përdoren plehra fosforikë për të plotësuar kërkesat e bimëve. Kur rrënjët e bimëve marrin fosfor nga tretësira tokësore, një pjesë e fosforit të absorbuar nga faza e ngurtë çlirohet në tretësirën tokësore me qëllim që të ruhet ekuilibri i mëparshëm.
Format e komponimeve fosforike që ekzistojnë në tokë përcaktohen kryesisht nga pH dhe nga lloji dhe sasia e mineraleve në tokë. Përbërjet minerale të fosforit zakonisht përmbajnë alumin, hekur, mangan dhe kalcium. Në tokat acide fosfori tenton të reagojë me aluminin, hekurin dhe manganin, ndërkohë që në tokat alkaline forma kryesore e komponimeve të tij kimike është me kalciumin. pH optimal për të arritur një disponueshmëri maksimale të fosforit është 6.0 – 7.0. Në shumë toka, dekompozimi i lëndëve organike dhe i pjesëve të mbetura të bimëve ndikojnë në disponueshmërinë e fosforit në tokë.

Asimilimi i fosforit nga bimët. Bimët e tërheqin fosforin nga tretësira tokësore në formën e joneve orthofosfate: HPO4-2, ose H2PO4-. Përpjesëtimi apo raporti në të cilin absorbohen këto dy forma përcaktohet nga pH i tokës. Në toka me pH të lartë, bimët tërheqin më tepër HPO4-2.
Lëvizshmëria e fosforit në tokë është shumë e kufizuar dhe kështu, rrënjët e bimëve mund të tërheqin fosfor vetëm nga rrethinat më të afërta. Me qenë se përqendrimi i fosforit në tretësirën tokësore është i ulët, asimilimi i fosforit nga bimët bëhet në mënyrë aktive (thithja e fosforit nga bimët realizohet përkundrejt një gradienti përqendrimi; përqendrimi i fosforit në rrënjë është më i lartë se sa në tretësirën tokësore).
Tërheqja aktive është një proces që konsumon energji, prandaj faktorët që pengojnë aktivitetin rrënjor, siç janë temperaturat e ulëta, teprica e ujit etj., pengojnë gjithashtu edhe tërheqjen e fosforit.

Simptomat e mungesës së fosforit përfshijnë: rritje të kufizuar të bimës, formimin e ngjyrës të purpurt të errët në gjethet më të vjetra, frenimin e lulëzimi dhe të zhvillimit të sistemit rrënjor. Në pjesën më të madhe të bimëve këto simptoma shfaqen kur përqendrimi i fosforit në gjethe zbret nën 0.2%.

Pasojat e tepricës së fosforit. Teprica e fosforit ka efekte negative kryesisht në thithjen e disa elementëve të tjerë, hekurit, manganit dhe zinkut. Plehërimi doza të larta fosfori ndodh shpesh. Shumë kultivues të bimëve përdorin sasi të larta e të panevojshme plehrash fosforikë. Kjo ndodh sidomos kur plehërimet bazë me doza të larta plehrash fosforikë, shoqërohen më pas, gjatë vegjetacionit, përdoren plehra të kombinuar (NPK), ose kur uji për ujitje është acidifikuar me acid fosforik.
Përqendrimi i pranueshëm i fosforit në tretësirat ushqyese është 30-50 ppm, megjithëse është provuar që ai mund të ulet deri në 10-20 ppm. Në tretësirat ushqyese që rrjedhin në vazhdimësi, përqendrimi mund të zbresë edhe në 1-2 ppm.
Në rastet e kultivimit të bimëve pa tokë, pak a shumë si edhe në tokë, pas plehërimeve të njëpasnjëshme fillon akumulimi gradual i fosforit dhe ai precipiton në formën e kompozimeve të tij me kalciumin ose magnezin. Lloji i precipitateve që formohen varet nga pH i substratit.

Analizat e tokës për matjen e fosforit. Analizat e fosforit në tokë, dëshmojnë potencialin e tokës për të furnizuar me fosfor tretësirën tokësore. Analiza e tokës nuk vlerësojnë sasinë totale të fosforit që gjendet në tokë, sepse praktikisht analizat e tokës vlerësojnë vetëm fosforin e asimilueshëm për bimët, që është shumë më e ulët se sa sasia totale e tij në tokë. Analizat e tokës nuk vlerësojnë as edhe sasinë totale të fosforit në tretësirën tokësore, sepse sasia e këtij elementi në tretësirën tokësore zakonisht është shumë e ulët dhe nuk përfaqëson mjaftueshëm sasinë totale të fosforit që bimët mund të absorbojnë për gjatë të gjithë ciklit të tyre të rritjes. Analiza e tokës për përmbajtjen e fosforit është një indeks që ndihmon në parashikimin e kërkesave të bimës për këtë element. Rekomandimet për dozat e plehrave fosforikë përcaktohen bazuar në shumë analiza fushore, në toka dhe bimë të ndryshme.
Marrja e mostrave për të analizuar përmbajtjen e fosforit duhet të planifikohet dhe realizohet me kujdes. Mostrat e marra duhet të përfaqësojnë parcelën respektive sa më mirë që të jetë e mundur. Nqs parcela nuk është uniforme dhe është e përbërë nga pjesë me cilësi të ndryshme, prej secilës prej tyre duhet të merren mostra të veçanta. Formimi i një mostre mesatare, apo mesatarizimi i rezultateve të analizave, do të japë pa dyshim një rezultat të deformuar.
Për të marrë rezultate që janë me të vërtetë përfaqësuese e nivelit të fosforit të asimilueshëm nga bimët është e rëndësishme të mbahet parasysh gjithashtu që;
• Duke qenë se fosfori nuk është element i lëvizshëm në tokë, mostrat që merren nga sipërfaqja e tokës tregojnë zakonisht një sasi më të madhe fosfori sesa mostrat që merren nga nëntoka.
• Pjesa më e madhe e fosforit që hidhet nëpërmjet plehërimit në tokë shpërndahet (lëviz) jo më larg se 2.5 deri në 5 cm nga vendi i aplikimit. Prandaj, vendi i saktë nga merren mostrat mund të ndikojë ndjeshëm tek rezultatet e analizave.
Përcaktimi i fosforit të asimilueshëm në tokë realizohet me metoda të ndryshme. Metodat më të zakonshme janë “Olsen” dhe “Bray”.Metoda të ndryshme testimi japin rezultate me vlera të ndryshme. Për këtë arsye, raportet e analizave të tokës mund të jenë konfuze; laboratorë të ndryshëm përdorin metoda të ndryshme analize, çfarë do të thotë rezultate të ndryshme për të njëjtin kampion toke. Ata mundet bile të përdorin të njëjtën metodë, por ti shprehin rezultatet në njësi të ndryshme, apo të bëjnë interpretime të ndryshme të të njëjtave rezultate. Për të shmangur këto keqkuptime është e domosdoshme të njihen vlerat optimal të përmbajtjes së fosforit në tokë, sipas metodës që është përdorur për kryerjen e analizës. Në mënyrë të përmbledhur këto vlera pasqyrohen në tabelën që vijon.

Klasifikimi i pjellorisë së tokës sipas përmbajtjes së fosforit të asimilueshëm Metoda e analizës
Bray I (ppm) Olsen (ppm)
E ulët < 20 < 15
E Përshtatshme 20-40 15-25
E lartë 40-100 > 25
E dëmshme >100  

nuk ka komente.