Fasulja qorre – bima e harruar e vlerave te medha

Fasulet qorre, ashtu janë bimë perimore të familjes bishtajore. Ato mund të gjenden në treg të njoma, të thata, të ngrira dhe të konservuara. Fasulet qorre ofrojnë disa përfitime shëndetësore për njerëzit nëse bëhen pjesë e një diete të mirë-balancuar. Ato mund t’i shtosh në supa, ëmbëlsira dhe sallata, pure, por dhe të konsumuara më vete janë një ushqim i shëndetshëm. Fasulja qorre e ka marr emrin pikërisht nga paraqitja e saj fizike, me një njollë të zeze që është e ngjashme një sy.

P1170313

Prejardhja

Fasulja qorre, e njohur nëpër botë dhe si fasulja e lopëve, mendohet ta ketë origjinën nga Afrika veriore, ku është konsumuar për shekuj. Ajo mund të jetë futur në Indi që përpara 3000 vjetësh dhe ka qenë gjithashtu edhe pjesë e dietave të Ilirëve. Pas kolonizimit të Amerikës, kjo bimë shkoi edhe në kontinentin e ri nëpërmjet skllevërve, ku tashmë është bërë traditë që të konsumohet ditën e vitit të ri, pasi presupozohet të sjell fat dhe mbarësi për vitin në vazhdim.

Gjatë viteve 1900, fasulja qorre u cilësua si një burim i shkëlqyer ushqimor për njerëzit dhe për tokën, pasi jo vetëm pasuron tokën me azot, por është një burim i mirë kalciumi, acidi folik, hekuri, kaliumi dhe fibrash për njerëzit. Sot në botë, fasulja qorre kultivohet kryesisht si ushqim për kafshët dhe si përmirësuese e tokave. Por, sidoqoftë, amerikanët që jetojnë një pjesën jugore të SHBA-ve nuk harrojnë ta fillojnë vitin e ri duke konsumuar një tas me fasule qorre për fat dhe mbarësi.

Vlerat ushqyese

Një ndër përfitimet e mëdha shëndetësore të fasuleve qorre janë përmbajtja e lartë e fibrave. Në një gjysmë kupe fasule qorre të gatuara gjenden 5.6 gram fibra, ndërsa në gjysmë kupe fasule qorre të konservuara gjenden 4 gram fibra. Gjithsesi, përmbajtja e fibrave ndryshon në varësi të llojit të fasules qorre. Fibrat luajnë rol të rëndësishëm në rregullimin e aparatit tretës dhe ngrënia e një sasie të madhe fibrash ndihmon në problemet me kapsllëkun dhe simptomave të sindromit të zorrës së irrituar (një çrregullim gastrointestinal). Fibrat ndihmojnë për të mbajtur të ulëta nivelet e kolesterolit dhe ndalojnë thithjen e kolesterolit nga qelizat e gjakut, duke zvogëluar kështu rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës. Konsumimi i shumë fibrave, gjithashtu të krijon ndjenjën e ngopjes, duke qenë se fibrat treten ngadalë, që do të thotë kontroll më i mirë në peshën trupore.

Një gjysmë kupe fasule qorret të thara e të gatuara përmbajnë 239 mg kalium dhe e njëjta sasi e konservuar 206 mg. Kaliumi është një element që ndihmon ruajtjen në nivelet e duhura të presionit të gjakut, gjë që ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Duke marrë sasinë e duhur të kaliumit në dietë përmes fasuleve qorre, gjithashtu ndihmon shëndetin e muskujve dhe kockave.

Fasulet qorre janë një ushqim me pak kalori dhe yndyrna, duke i bërë kështu të rëndësishme për kontrollin e peshës trupore. Fasulet qorre të konservuara mund të ndryshojnë në përmbajtje, por zakonisht gjysmë kupe ka më pak se 100 kalori dhe rreth 1 gram yndyrë. Pjesa më e madhe e kalorive që ajo përmban vjen nga karbohidratet. Një dietë e varfër në yndyrna, ndihmon në humbjen e peshës trupore, parandalon shtimin e peshës së tepërt dhe mbron organizmin nga shumë probleme shëndetësore si sëmundjet e zemrës, diabeti, depresioni etj. Fasulet qorre nuk përmbajnë kolesterol.

Fasulet qorre janë një burim i mirë, alternativ proteinash për ata që duan të konsumojnë sa më pak, apo aspak mish dhe nënprodukte të tij. Proteinat janë të rëndësishme sepse mbështesin pjesën më të madhe të organeve të trupit, duke përfshirë muskujt, lëkurën, flokët dhe thonjtë. Për më tepër, proteinat ndihmojnë në rritjen dhe riparimin e qelizave dhe i sigurojnë trupit energji. Gjysmë kupe fasule qorre të thara e të gatuara përmbajnë 6.7 g proteina dhe ½ kupe fasule qorre të konservuara përmban 5.7 gram proteina.

Gjysmë kupe fasule qorre e konservuar ka 1.2 mg hekur, ndërsa e njëjta sasi e tharë dhe e gatuar 2.2 mg. Përmbajtja e mjaftueshme e hekurit në dietën ushqimore parandalon aneminë, që shkakton lodhje dhe dobësi. Hekuri mbart oksigjenin përgjatë trupit dhe organeve, qelizave dhe muskujve dhe nëse sasia e tij në trup është e ulët do të vuani nga plogështia.

Folatet luajnë një rol jetësor në krijimin e materialit gjenetik dhe ndërtimin e qelizave në trupin e njeriut. Konsumi i sasive të duhura të folateve është i domosdoshëm gjatë gjithë jetës, për të prodhuar në sasi të mjaftueshme rruaza të kuqe të gjakut. Kjo është mënyra më e mirë për tw shmangur aneminë. Kaq të rëndësishme janë folatet sa shpesh drithërat, buka dhe produkte të tjera pasurohen me to artificialisht, në formën e acidit folik. Pas produkteve të pasuruara të drithërave, mënyra më e mirë natyrale për ti marrë folatet janë bishtajoret. Një kupë më fasule qorre siguron 52 përqind të nevojave ditore të trupit të njeriut për to.

Duke qenë element gjurmë, trupit të njeriut nuk i nevojiten sasi të mëdha prej mangani, por gjithsesi mbetet i domosdoshëm dhe duhet të merret nëpërmjet ushqimeve. Shumë enzima, kanë nevojë për mangan që të përmbushin misionin e tyre për të metabolizuar karbohidratet, proteinat dhe yndyrnat. Mangani është gjithashtu dhe një antioksidant me një mision të rëndësishëm: mbrojtjen e mitokondrisë, stukturës brenda qelizës që prodhon energji. Sipas Institutit të mjekësisë, 2.3 miligram për burrat dhe 1.8 miligram për gratë është doza ditore e rekomanduar e Mn. Një kupë me fasule qorre përmban 0.94 miligram, që do të thotë 40 përqind e dozës ditore për burra dhe 52 përqind për gratë.

Vitamina A te fasulet qorre vjen në formën e beta-karotenit që konvertohet më pas në vitaminë A. Kjo vitaminë është e nevojshme për të parit (sytë), dhe për mbrojtjen e sistemit imunitar, por luan dhe rolin e antioksidantit. Mënyra e parë e mbrojtjes nga bakteret dhe patogjenët është bllokimi i tyre për të mos hyrë në trup dhe këtë punë e bën lëkura si dhe membranat mukotike që gjenden në traktet respiratore dhe gastrointestinale. Vitamina A duhet të jetë e pranishme në mënyrë që të prodhohet mukozë e mjaftueshme për të sintetizuar proteinat që ruajnë lëkurën. Kur sistemi imunitar përgjigjet ndaj mikrobeve dhe infeksioneve, ai përdor qelizat e bardha për të vrarë patogjenët dhe bakteret. Funksioni i mirë i këtyre qelizave të specializuara varet nga vitamina A. Ju mund të përftoni 43 përqind të nevojave ditore të trupin nga kjo vitaminë duke konsumuar 1 kupë fasule qorre.