miranda1 virus-cvyv-fruit-symptomes fungi-alternaria manadarin kast-deform-frutave image052 encarsia-2 pht10005 image024 fungi-powdery-mildew
fotografite

Roli i dyoksidit të karbonit (CO2) në rritjen e bimëve në serra.

Dy oksidi i karbonit luan një rol me rëndësi në rritjen e bimëve në sera. Përqendrimi normal i CO2 në atmosferë është 300-400 ppm. Nqs përqendrimi i tij në serë zbret nën këto vlera, intensiteti i fotosintezës së bimëve ulet në mënyrë të ndjeshme.

Rendimenti i bimëve varet jo vetëm nga efektiviteti i asimilimit të dritës nga bimët, por gjithashtu edhe nga efektiviteti i konvertimit të energjisë së dritës në energji kimike të produkteve të fotosintezës. Efektiviteti i fotosintezës së bimëve të rritura në fushë të hapur, është më i ulët se  22% të sasisë së dritës së absorbuar të intervalit 400-700 nm. Ndërkohë, rritja e përqendrimit të CO2, nga 300 ppm (kjo është përmbajtja e zakonshme e CO2 në natyrë) deri në 1200 ppm, e rrit gjithashtu efektivitetin e konvertimit të energjisë në 28 deri në 59 %. Efektiviteti i shfrytëzimit të CO2 nga bimët, është i kushtëzuar nga intensiteti i ndricimit, prandaj dhe pasurimi i serave me CO2 duhet të bëhet në orët më të ndriçuara të ditës. Megjithatë, një përqendrim i lartë  i CO2, mund të kompensojë pjesërisht mungesën e dritës, duke dëshmuar në këtë mënyrë mundësi të gjera sinergjizmi midis CO2 dhe intensitetit të ndriçimit.

Në rast se intensiteti i ajrimit të serës është i lartë, kostoja e pasurimit të mjedisit të serës është gjithashtu e lartë. Kërkimet e bëra për rritjen e efektivitetit të shfrytëzimit të CO2, kanë provuar se sasia e shpenzuar për të ruajtur përqendrimin e gazit në një nivel pak më të lartë se ai atmosferik mund të ulet me 25-35%, nëpërmjet vonimit të procesit të ajrimit. Megjithatë, në këtë rast rritet temperatura e ajrit në serë dhe për pasojë zvogëlohet prodhimi  i vjelë. Kjo ë bën të vështirë pasurimin e serrave me CO2 për vendet e Mesdheut, ku për shkak të vlerave relativisht të larta të intensitetit të ndriçimit për pjesën më të madhe të vitit, kërkohen dhe aplikohen ritme të larta të ajrimit të serrave.

Rekomandimi më i mirë për të rritur efektivitetin  e shfrytëzimit të CO2 është të pasurohet sera deri në, ose pak më lartë se përqendrimi natyror i tij, 300-350 ppm. Në këtë mënyrë minimizohet rrjedhja e CO2 nga sera në atmosferë. Praktikisht në këtë rast shtohet në serë, ajo sasi gazi që konsumohet nga bimët gjatë fotosintezës. Në temperatura më të larta se 25 0C, intensiteti i fotosintezës fillon të zvogëlohet dhe prandaj pasurimi i serës me CO2, mbi këtë temperaturë nuk është efektiv.

Meqenëse, rritja e bimëve të reja, është më afër një funksioni eksponencial, këto të fundit përfitojnë më shumë nga bimët e maturuara nga  kushtet optimale të rritjes. Për këtë arësye fidanët e rritur në mjedise të pasuruara me CO2, rriten më shpejt,  janë me peshë më të lartë dhe cilësi më të mirë. Ndërkohë, pasurimi i serave me CO2, zvogëlon kohën e përgatitje së fidanëve, i bën ata më të kalitur dhe me cilësi më të mirë.

Fotosinteza, drita dhe CO2. Intensiteti i fotosintezës influencohet njëkohësisht nga intensiteti i ndricimit dhe përqendrimi i CO2 në mjedisin e kultivimit. Çdo rast faktori kufizues është në ai që përcakton intensitetin e fotosintezës. Në serat ku mjedisi është i kontrolluar, pajisjet përkatëse automatikisht përcaktojnë përqendrimin normal të CO2 në serë dhe kontrollojnë furnizimin me të.

Në, mënyrë të përmbledhur marrëdhëniet midis CO2, dritës dhe fotosintezës mund të paraqiten si më poshtë:

  • një intensitet më i lartë ndriçimi siguron një  intensitet më të lartë fotosinteze
  • një përqendrim më i lartë i CO2 siguron një intensitet më të lartë fotosinteze
  • në një intensitet më të lartë ndriçimi përqendrimi normal i CO2 arrihet në një nivel më të lartë.

Konkluzioni i fundit tregon pse përqendrimi i CO2 në serrë duhet të rritet në përpjestim të drejtë me intensitetin e ndriçimit. Përfundimet e nxjerra mund të shfrytëzohen lehtësisht në praktikë. Në kushtet e një ndriçimi të kufizuar, përqendrimi normal i CO2 në ambient është 400 ppm dhe intensiteti i fotosintezës është 4 gram CO2 i asimiluar. Edhe nëse aplikohen doza më të mëdha CO2, vështirë se do të rritet intensiteti i fotosintezës. Edhe nëse dyfishohet përqendrimi i CO2 në 800 ppm, intensiteti i fotosintezës rritet fare pak, nga 4 në vetëm 4.5 gr CO2 të asimiluar

Në të njëjtin përqendrim të CO2, 400 ppm, por në kushtet e një ndriçimi më të fuqishëm, intensiteti i fotosintezës rritet deri në 6.5 gr CO2 të asimiluar. Ndërkohë  po në këtë intensitet ndriçimi, por duke e rritur përqendrimin e CO2 në 800 ppm, intensiteti i fotosintezës rritet nga 6.5 në 8.5 gr CO2 të asimiluar. Duket fare qartë se nëse faktori kufizues ndriçim fiton vlera më të larta edhe faktorët e tjerë gjithashtu e realizojnë optimumin e tyre në vlera më të larta.

Për rrjedhojë mund të konkludohet që në një ditë me ndriçim të kufizuar në serë ruhet një përqendrim prej 400 ppm, ndërkohë që në ditë me ndriçim mesatar përqendrimi i tij varion nga 400 në 800 ppm dhe në dritë me ndriçim të plotë në 800 ppm.

nuk ka komente.