Diagrama e Molierit dhe aspekte praktike të shfrytëzimit të saj në kontrollin e mikroklimës në serra.

Kontrolli i përpiktë i temperaturës, lagështisë dhe i qarkullimit të ajrit në serë e bën të domosdoshme njohjen dhe shfrytëzimin e koncepteve të diagramës së Molierit. Diagrama e Molierit quhet edhe diagrama ix dhe është ndërtuar mbështetur në marrëdhënijet e përmbajtjes së avujve të ujit në ajër dhe nivelit energjitik të tij. Nëpërmjet diagramës mund të spjegohen një mori fenomenesh, si psh, ngrohja, ventilimi, mjegullimi dhe transpirimi nga ana e bimëve, si edhe shumë fenomene të tjera që ndodhin në serë.

 

Diagrame e Molierit

Në diagramën e Molierit shprehen në mënyrë grafike 4 vlera; temperatura, lagështia absolute (LA), pika e ngopjes dhe lagështia relative (LR). Temperatura, e shprehur në 0C, është vendosur në boshtin vertikal, ndërkohë që lagështia absolute e ajrit (LA) është e vendosur në boshtin horizontal.

Në çdo rast duhet të jenë të njohura dy nga këta vlera, për të bërë të mundur leximin e dy treguesve të tjerë në pikat e ndërprerjes së kurbave. Kurba që përfaqëson lagështinë relative të ajrit 100 % quhet edhe e kurba e ngopjes. Në diagramën e Molierit, kurbat e lagështisë relative janë në të majtë të kurbës së ngopjes dhe ndryshojnë midis tyre me 10 %.  Nëpërmjet diagramës jepet informacion gjithashtu edhe për nivelin energjetik të ajrit, në një gjendje fizike të përcaktuar.

Diagrama e Molierit ka përdorime të shumta praktike. Disa nga përdorimet e kësaj diagrame në kontrollin e mikroklimës në sera përshkruhen në vijim.

Përllogaritja e deficitit të avujve të ujit.

Supozojmë se në një serë të dhënë temperatura është 25 0C dhe lagështia relative 70 %. Përcaktojmë pikën e ndërprerjes së këtyre vlerave (temperatura 25 0C dhe LR 70 %). Nga pika e ndërprerjes zbresim vertikalisht poshtë dhe lexojmë vlerën e LA (14 g/kg).

Nga pika e ndërprerjes shkojmë më djathtas, deri në ndërprerjen me kurbën e lagështisë 100 % dhe pastaj nga kjo pikë zbresim sërish vertikalisht poshtë dhe lexojmë  pikën e ngopjes me avuj uji (20 g/kg). Nga vlerat e gjetura llogarisim Dx = SMC – LA = 20 – 14 = 6 g/kg.

Menyra e percaktimit te deficitit te avujve te ujit.

Përcaktimi i pikës së vesës.

Për të sqaruar këtë fenomen le të supozojmë një situatë ku temperatura e ajrit në serë është 25 0C dhe LR 80 %. Përcaktojmë pikën e ndërprerjes të kurbave të vlerave të mësipërme dhe nga kjo pikë zbresim vertikalisht poshtë deri në pikën ku kjo vertikale të presë kurbën e LR 100 %. Në pikën e prerjes zhvendosemi vertikalisht majtas dhe lexojmë vlerën e temperaturës që i korespondon pikës së vesës (21.1 0C).

Menyra e percaktimit te temperatures se "pikes se veses".

 

Lagështia relative e ajrit në serë kontrollohet nëpërmjet ngrohjes dhe ajrimit. Këto efekte mund të vëzhgohen edhe nëpërmjet diagramës së Molierit. Për të realizuar këtë është e rëndësishme të dihet saktësisht se si sistemet e ndryshme të kontrollit në serë influencojnë në rregullimin e mikroklimës së saj.

Funksioni i sistemeve të ngrohjes në serë është të sigurojë ngrohtësinë e kërkuar në serë. Në një rast të tillë lagështia absolute në serë mbetet e pandryshuar megjithëse temperatura në të rritet. Le të supozojmë se në një serë të dhënë kemi LR 90% dhe temperaturë 200C. Kërkohet që LR të jetë vetëm 80%.

Për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë në diagramën e Molierit gjejmë pikën e takimit të LR 90% me temperaturën 200C dhe nga kjo pikë zhvendosemi lart deri në pikën e takimit me kurbën e LR 80%. Nga kjo pikë zbresim vertikalisht në boshtin e temperaturës dhe lexojmë vlerën e temperaturës (22 0C) që kërkohet për të realizuar LR 80 %.

Ajrimi nga ana e tij ka efekt të dyfishtë mbi lagështinë relative. Së pari temperatura e mjedisit ulet dhe së dyti avujt e ujit largohen nga sera dhe lagështia absolute në serë reduktohet. Për të sqaruar këto efekte le të supozojmë  një serë ku temperatura e ajrit brenda saj është 20 0C dhe lagështia relative 90 %. Dritaret hapen për të mundësuar uljen e lagështisë relative në 80 %. Si pasojë e hapjes së dritareve temperatura ulet me 2 0C dhe 2.9 g avuj uji / kg ajër largohen nga sera, duke krijuar në këtë mënyrë një situata të re në serë; temperaturën 19 0C dhe lagështinë relative 80%.

Paraqitje grafike e ndikimit te ajrimit ne parametrat fizike te ajrit ne serre.