Materialet mbuluese të serrave.

Materialet që shfrytëzohen për mbulimin e serra ndahen në tre kategori kryesore; xhami, fletë plastike dhe panelet plastikë të ngurtë. Mbulesat plastike, përfshijnë një numër të konsiderueshëm alternativash. Panelet plastike të ngurta, si poliesteret e përforcuara me fibra xhami (FRP), akriliku, polimetilmetakrilati (PMMA), polikarbonatet (PC) dhe panelet e polivinilkloridit; mbulesat e holla, përfshirë polietilenet me dendësi të ulët (LDPE), polivinilkloridi (PVC) dhe koopolimerët e etilen vinil acetatit (EVA), shfrytëzohen  si mbulesa në shtresa njëfishe, dy dhe bile trefishe.

Xhami është krejt inert dhe ofron përdorim efektiv për shumë dekada. Ai është i pa dekompozueshëm, rezistent kundrejt rrezatimit UV dhe ndotësve të ajrit dhe ruan për një kohë të gjatë aftësitë përshkuese të tij për dritën. Problemi më i madh për të është rreziku i dëmtimeve masive në rastin e ndonjë breshëri të fuqishëm ose faktorëve të tjerë madhorë. Tradicionalisht të vegjël në përmasa, tani panelet e xhamave përgatiten në përmasa 2 x 3.65m. Pastrimi për të siguruar maksimumin e përshkueshmërisë së tij për dritë dhe dyllosja e anëve të paneleve është i vetmi shërbim që kërkohet për mirëmbajtjen e tyre.

Xhamat modernë, të projektuar për mbulimin e serave kanë veti të përmirësuara të përshkueshmërisë për dritë (88-94%). Kjo përbën edhe avantazhin kryesor të xhamit karshi materialeve të tjera mbuluese. Një nga përmirësimet e realizuara është prodhimi i xhamave me përmbajtje të reduktuar  të oksideve të hekurit (0.03 % kundrejt 0.1 % të xhamave tradicionalë), të cilët realizojnë përcjellshmëri më të madhe të PAR. Një tjetër përmirësim i rëndësishëm është shtimi i shtresave metalike shumë të holla në të dy sipërfaqet e xhamit të cilat mundësojnë rritjen e aftësive të përcjellshmërisë të dritës difuze dhe përmirësojnë uniformitetin e shpërndarjes së dritës në serë. Shtimi i shtresave sipërfaqësore mbuluese të oksideve të metaleve në xham përbën një tjetër zhvillim i cili redukton humbjet e energjisë nëpërmjet rrezatimit.

Serat e mbuluara me fletë polietileni janë të përhapura gjerësisht tani dhe kanë kosto ndërtimi më të ulët se sa serat e ndërtuara  me materiale të tjera mbuluese. Ndërkohë, përmirësimet e shumta në teknologjinë e prodhimit të polimereve kanë bërë që koeficientet e përshkueshmërisë së tyre për dritë tu afrohen ndjeshëm atyre të xhamit (85-87%). Megjithatë, vetitë optike të polimerëve keqësohen me shpejtësi pas vitit të parë të shfrytëzimit të tyre.

Shkalla e ulët e infiltrimit që vjen si pasojë e mbulesave masive që shfrytëzohen për mbulimin e tyre ndikon mjaft në reduktimin e humbjeve të energjisë, por ndërkohë influencon ndjeshëm në shtimin e përmbajtjes së lagështisë në serë. Kondensimi i lagështisë, sidomos në serat me çati ne formë harku përbën një problem serioz në raste të tilla. Ajrimi artificial me anë të ventilatorëve shpesh është i nevojshëm në sera të tilla për të realizuar ftohjen e tyre. Fleksibiliteti i fletëve plastike e bën mbulimin e serave shumë më të lehtë se në rastin e shfrytëzimit të xhamit dhe paneleve plastike të ngurta. Sidoqoftë, ndërrimi i mbulesave plastike çdo 2-3 vjet, për shkak të shpërbërjes së shpejtë të tyre e bën të domosdoshme aplikimin e praktikave të thjeshta për heqjen dhe rivendosjen e tyre.

Nga ana tjetër, polimerët lejojnë mundësi të shumta për të shtuar në përbërjen kimike të tyre elementë të ndryshëm. Kjo ka bërë që fletëve plastike që përdoren në mbulimin e serave tu sigurohen veti nga më të ndryshmet, që konsistojnë në rritjen e jetëgjatësisë së tyre, përmirësimin e përshkueshmërisë për dritë, apo selektivitetin e saj, përmirësimin e treguesve të përcjellshmërisë termike etj. Për të mundësuar këto cilësi në të vërtetë fletët plastike që përdoren në hortikulturë janë kompozuara nga disa shtresa me veti të ndryshme fizike dhe kimike.

Panelet plastike të ngurtësuara,

 akriliku, polikarbonatet, PVC dhe FRP, kanë kosto fillestare më të lartë, por kosto më të ulët të mirëmbajtjes dhe jetëgjatësi më të madhe. Elementë të tillë kërkojnë struktura mbajtëse më të lehtësuara krahasuar me xhamin e të vendosura më larg njëra tjetrës. Praktikisht në këtë mënyrë reduktohet mundësia e hijezimit në serë. Përshkueshmëria për dritë e materialeve të tilla arrin deri në 90%. Ato mund të jenë me një ose disa shtresa dhe njëkohësisht me pamje të rrafshët, ose të valëzuar. Panelet e ngurtësuara i ruajnë cilësitë e tyre optike për një kohë shumë më të gjatë se sa filmat e zakonshëm plastikë. Problemi kryesor i tyre është se marrin flakë dhe digjen me shumë shpejtësi.

Flete polikarbonati per mbulimin e serrave.


Shpërbërja e materialeve plastike
. Për prodhuesin “jetëgjatësia optimale” e materialeve sintetike është ajo që korrespondon me numrin e cikleve të prodhimit që ai dëshiron. Në treg ekzistojnë materiale mbuluese me mundësi shfrytëzimi nga një cikël i vetëm prodhimi deri në 4-6 bile edhe më shumë. Numri i cikleve të shfrytëzimit të mbulesave shpesh përcaktohet nga motive ekonomike. Tendenca e përgjithshme është të rritet jetëgjatësia natyrore e fletëve plastike, sidomos kur  ato përdoren për mbulimin e serave.

Teorikisht, ekzistojnë dy  procese që përshpejtojnë shpërbërjen (degradimin) e materialeve plastike; një proces kimik ose biologjik (bioshpërbërja) dhe një proces fizik (fotoshpërbërja). Në rastin e parë (bioshpërbërja), ndodh si pasojë e mbushjeve “ushqyese” që konsumohen nga mikroorganizmat, duke sjellë me kohë dëmtimin e vetive të filmave plastike.

Fotoshpërbërja, është rezultat i veprimit të kombinuar të një  mori faktorësh, rezultat i të cilës është një proces i parikthyeshmë “vjetërsimi”. Shumica e filmave plastike janë të fotoshpërbëshëm në natyrë nën efektin e kombinuar të rrezatimit ultraviolet, nxehjes nga radiacioni dhe oksidimit, dëmtimet mekanike, etj.

Si përfundim një material plastik, me një fletë ose mure dyfishe, me përdorim të gjatë ose të përkohshëm duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:

  • të ofrojë përdorim ekonomik, çka nuk do të thotë se domosdoshmërish ai duhet të ketë koston më të ulët të blerjes.
  • të ofrojë përshkueshmërinë maksimale për rrezatimin diellor, kryesisht për atë “të dukshëm”
  • të pengojë sa më shumë që është e mundur largimin e rrezatimit infra të kuq nga sera, pra të parandalojë humbjet e energjisë nga sera. Kjo do të thotë që duhet të kenë koeficient të ulët të humbjeve të energjisë konduktive (k). Për këtë filmat plastikë duhet të përmbajë substanca të ndryshme të afta të absorbojnë rrezatimin infra të kuq.
  • të mos lejojë grumbullimin e pluhurave në sipërfaqe të tij, ose të paktën të jenë lehtësisht të largueshme ( me ujë të pastër ose acid oksalik 6%).
  • të mos lejojnë formimin e pikave të ujit në faqen e brendshme të mbulesave, por të mundësojë krijimin e një cipe të hollë ujore, e cila përmirëson vetitë termike të materialit mbulues (veti anti kondensuese).