granny_smith_1ekim insect-leafminer2 liriomyza-trifolii-galeri jonagored_11eylul2 dscn2557 kast-demt_-frut-ftohte insect-liriomyza-huidobrensis image036 whitefly myzus-persicae-aduld-and-nymph
fotografite

Teknologjia e prodhimit të nënshartesave vegjetative të mollës.

Mënyra e zakonshme e prodhimit të nënshartesës vegjetative është e ashtuquajtura “me përpajnë vertikale”,  të cilat përftohen nga bimët “mëmë” të certifikuara. Prodhimi i tyre kalon nëpër disa etapa.

Përgatitja e parcelës “mëmë” të nënshartesave. Përgatitjes paraprake të parcelës ku do të bëhet prodhimi i nënshartesave vegjetative i kushtohet kujdes i veçantë.  Teknikisht kërkohet që përpara ndërhyrjeve për përgatitjen e tokës të sigurohen kushte optimale të kullimit dhe ujitjes.

Punimi i tokës në thellësi 50 – 60 cm bëhet në muajin Tetor,  ndërsa pas kalimit te ngricave te forta dimërore bëhet grejderimi i tokës, plehërimi bazë me plehra organo minerale (mbi 500 kv/ha + 3-5 kv/ plehra kimike) , punimi i zakonshëm 31 – 36 cm dhe më pas diskimi ose  frezimi. Sipas gjendjes se tokës deri në fillimin e piketimit dhe hapjen e gropave mund te bëhen edhe ndërhyrje te tjetër me diskim ose frezim.

Mbjellja e  bimëve  “mëmë”. Mbjellja e bimëve ‘mëmë’ bëhet në fund të muajit Shkurt  – fillim   i Marsit  kohë kur është  kapërcyer rreziku i ngricave te forta.  Bimët mëma mbillen në gropa të cilat hapen ne madhësinë 0.4 x 0.4 m . Mbjellja bëhet me dy punëtor, me bel ose lopatë, pasi është bërë përzierja e mirë e plehut me dheun që shërben për mbushjen e gropës. Distancat e këshilluara të mbjelljes janë 1,2 x 0.6 m për të krijuar mundësi mekanizimi të shërbimeve dhe ujitjes

Një ditë përpara mbjelljes fidanët futen në ujë të rrjedhshëm për 10 – 12 orë, ndërsa i nënshtrohen një kontrolli të imtësishëm fitosanitar. Më pas bëhet me kujdes  pastrimi, rifreskimi dhe dezinfektimi me preparate të ndryshme kimike i sistemit rrënjor. Thellësia e rekomandueshme e mbjelljes është 20 – 25 cm, duke u kujdesur që masa e rrënjëve në gropë të hapet uniformisht. Më pas, toka përreth fidanit ngjishet me kujdes dhe nëse është e nevojshme ujitet  me 20-30 litra ujë.

Shërbimet e “bimëve mëma” në  vegjetacion. 3-4 jave pas mbjelljes behet verifikimi i zënieve  të bimëve mëma. Kjo gjë dallohet me fillimin e çeljes së sythit fundor të nënshartesës. Në  vartësi  të temperaturave dhe lagështisë ose rreth tre – katër javë më pas  fillojnë trajtimet fitosanitare  kundër kromës së mollës. Trajtimet e tjera kimike në vegjetacion  kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve bëhen në varësi të kohës së shfaqjes së tyre.

Të tjera shërbime të rëndësishme gjatë vegjetacionit janë frezimet, plehërimet me plehra azotike (deri në muajin Korrik), plotësimi i punimeve me krah, ujitjet, krasitjet e gjelbra, luftimi i barërave të këqija  dhe 2-3 mbathje me dhe te lastarit kryesor deri në lartësinë 12 – 15  cm nga baza e tokës.

Në vitin e parë për çdo rast  eliminohen thithakët e mundshëm  duke ruajtur vetëm  lastarin kryesor të cilit i pritet maja që të ‘piqet’ rreth 10 ditorit të dytë të muajit Gusht dhe  të ketë arritur lartësinë  0.8 – 1 m. 

Shërbimet e bimëve mëma në vitin e dyte. Në fundin e vegjetacionit të vitit të parë (vjeshtë – dimër) vëmendja drejtohet në ruajtjen e gjendjes optimale të lagështisë në tokë përmes kullimit të parcelës. Ndërhyrjet e para për vitin e ardhshëm në parcelën ‘mëmë’ bëhen në muajin shkurt të vitit pasardhës duke  prerë lastarin kryesor në lartësinë 12 -15 cm mbi tokë dhe pastruar të gjithë lastarët e tjerë shoqërues ose thithak qe janë harruar nga viti i kaluar. Pas kësaj bëhet punimi i tokës me mjete të mekanizuara, ose krahë në varësi të përmasave të fidanishtes.

Pas çeljes së lastarëve veshës mbi çdo bimë mëmë (sipas fuqisë saj) lihen të rriten vetëm 1,ose 2 prej tyre, për tu siguruar që do të rriten të fuqishme. Deri në fund të muajit Maj shërbime parësore janë frezimet, plotësimi i punimeve me krah, ndonjë plehërim kimik i kombinuar, pastrimi i barërave të këqija, pastrimi i filizave që dalin mbi qafën e lastarit deri në lartësinë 12-15 cm, trajtime kimike kundër kalbëzimit qafës, kromës, morrit, etj.

Në muajin Qershor bëhen dy mbathje të njëpasnjëshme me dhe të shkrifët, e para duke i mbathur lastarët e përzgjedhur në lartësinë  5-7 cm dhe tjetra 2-3 javë më pas, duke i mbuluar (mbathur) lastarët sërish, këtë herë deri në lartësinë 10 -12  cm. Në muajt e verës kujdes i veçantë i kushtohet gjithashtu ujitjes së bimëve që është mirë të realizohet nëpërmjet sistemit te ujitjes me pika.

            

Bime meme vegjetative.

Bimë “mëmë” te M9 e MM106 Dvoran Korçë

 

Pas vitit të tretë numri i lastarëve që përftohen nga çdo bimë mëmë shtohet në mënyrë graduale deri sa në vitin e  pesë dhe gjashtë  arrin në 10 -12 copë. Në këtë mënyrë mund të  përllogaritet një prodhim i mundshëm  prej 130 -160 mijë copa/ha.  Për çdo rast kërkohet të respektohet standardi i prodhimit të nënshartesave i cili parashikon copa me trashësi  8-12 mm (matja bëhet në lartësinë 10 – 15 cm nga toka).  Për të respektuar këtë detyrim teknik parcelat e bimëve mëmë aprobohet 2-3 herë gjatë periudhës Qershor – Korrik duke eliminuar lastarët e tepërt, që nuk kanë zhvillim  normal dhe që  nuk pritet të arrijnë standardin e copave për shumëzim.

Shkulja, seleksionimi dhe mbjellja e përpajnave të rrënjëzuara. Nëse kemi ambiente ruajtje dhe shtratifikimi (tunele  ose frigoriferë), përpajnat e rrënjëzuara  shkulen në vjeshtë pas rënies së gjetheve. Në të kundërt, në 10 ditorin e parë të muajit  Shkurt bëhet prerja e nënshartesave, shtratifikimi i tyre për pak ditë dhe mbjellja në fidanishten e prodhimit të fidanëve në fundin e muajit Shkurt, ose fillimin e Marsit. 

Përpara mbjelljes së përpajnave në fidanishten e prodhimit të fidanëve, bëhet përgatitja e kujdesshme e tokës. Mbjellja e përpajnave  bëhet me makinë në thellësi 10 – 12 cm. Distancat e rekomanduara të mbjelljes janë  1 x 0.15 – 0.20 m (bimët në rresht vendosen 15 – 20 cm larg njëra tjetrës) duke mundësuar rreth 66 -55 mije nënshartesa /ha. Menjëherë pas mbjelljes bëhet korrigjimi i përpajnave që nuk janë në thellësinë e dëshiruar, ngritja në pozicion vertikal e atyre që për arsye të mbjelljes me makinë  janë ½ të shtrira ose   jo në pozicionin e këshilluar, bëhet korrigjimi i drejtimit të rreshtit ku është e mundur si edhe ri ngjeshja e bimëve në të dy anët e rreshtit në mënyrë që përpajnat e sapo mbjella të lidhen mirë me tokën.

Në vartësi të kushteve të lagështisë në tokë bëhet një ujitje e lehtë me pika, ndërsa me tej shërbimet orientohen në punimin e tokës në midis rreshta, plehërimet kimike me bazë azoti (deri në muajin Korrik), trajtimet kimike kundër kromës dhe dëmtuesve të tjerë  si edhe ruajtja e pastërtisë së parcelës nga barërat e këqia.

          

 

 

 

 

 

Përpajna të sapo mbjella , ne muajin Maj dhe Gusht(ne shartim)

Shartimi i përpajnave. Pas një periudhe 4-5 mujore copat e  rrënjëzuara arrijnë përmasat e nevojshëm për shartim. Kjo kohë zakonisht përkon me 10-ditorin e dytë të muajit Gusht. Përpara fillimit të shartimit, shërbim i domosdoshëm si në parcelën e nënshartesave dhe në atë të mbishartesave është ujitja. Kjo duhet të bëhet me shumë kujdes dhe në mënyre të pandërprerë. Ky shërbim ndihmon  në ngopjen e qelizave me ujë dhe krijon lehtësi si në nxjerrjen me lehtësi të sythave prej kalemave të shartimit, ashtu edhe ndarjen me lehtësi të lëvores në momentin e operacionit të shartimit.  Në shartimet e muajit Gusht përgjithësisht aplikohet ai  në forme T. Për lidhjen e sythave përdoret rrafje lini ose organike, ndërsa izolimi bëhet me ngjitës të tjerë të para përgatitur.

Verifikimi i zënieve dhe prerja e rrahjes. Është një proces rutinë që bëhet  dy-tre  javë pas shartimit.  Sythat që kanë zënë krijojnë kallusin e nevojshëm, për pasojë  e kanë mbyllur plagën në pikën e shartimit dhe bishti i gjethes që përgjithësisht shoqëron sythin  shkëputet dhe bie me lehtësi, në rast se e lëvizim lehtë me gishtin tregues të dorës.  Kur shartimet bëhen herët (Gusht), njëherësh me verifikimin bëhet heqja me zgjidhje ose prerje e rrafjes për rastet kur është përdorur rrafje lini. Defekti më thelbësor për rastet e shartimeve të vjeshtës është pamundësia e ri shartimeve për fidanët që nuk kanë zënë. Në raste të tilla kjo kategori bimësh (të pa zënat) lihen në parcelë, ose shkulen dhe shtratifikohen për ruajtje në  magazinë deri në fillim të muajit Mars,  kur bëhet ri mbjellja, së bashku me ato të vitit pasardhës.

Shërbimet vjetore në shartesore. Përpajnat e shartuara dhe praktikisht të zëna kalojnë edhe një vit në të njëjtin vend. Për këtë arsye gjatë vjeshtës dhe dimrit shartesorja mbahet në gjendje kullimi dhe kujdesi të vazhdueshëm. Herët në pranverë bëhet punimi i tokës në thellësinë 14-16 cm i shoqëruar me plehërim plotësues të kombinuar 70-100 gr/bimë. Punimi rreth bimës bëhet me krah në të njëjtën thellësi. Më pas shërbimet konsistojnë në trajtime kimike kundër sëmundjeve e dëmtuesve, ujitje, plehërime plotësuese azotike (deri në muajin Korrik) etj.

Shkulja e fidanëve, seleksionimi dhe ambalazhimi. Shkulja e fidanëve bëhet në muajin Nëntor pas rrëzimit të gjetheve. Pas shkuljes bëhet seleksionimi sipas cilësisë duke eliminuar ata që janë të dëmtuar,  infektuar apo që nuk plotësojnë përmasat që parashikon  standardi. Fidanët lidhen në tufa nga 25 copë, u vendosen etiketat për çdo fidan dhe çohen në magazinë për ruajtje deri në momentin e mbjelljes në vendin e përhershëm.  

    

Fidanët klasifikohen ne  cilësi e pare, e dyte dhe jashtë standardit.

Fidani i cilësisë së parë;

  • ka një grup rrënjësh skeletore mbi 30 cm te gjata
  • tre – pese degëza skeletore deri 20 -30 cm te gjata
  • gjatësi mbi 150 cm

Fidani i cilësisë së dytë,

  • ka një grup rrënjësh skeletore deri 30 cm
  • deri tre dege skeletore 20 – 30 cm te gjata
  • gjatësi  deri 130 -150 cm

Fidanët jashtë standardi nuk duhet te tregtohen, por si rregull eliminohen  ose ri mbillen ne vitin e ardhshëm.

Prodhimi i fidanëve në qeska plastmasi. Përveç mënyrës tradicionale të shumëzimit dhe prodhimit të fidanëve mbi nënshartesa vegjetative,  sot aplikohet edhe prodhimi në qeska plastmasi me përmasa 25 x 30 cm. Edhe në këtë rast prodhimi i përpajnave për rrënjëzim realizohet në parcelat “mëmë” të nënshartesave.  Prerja e përpajnave bëhet sikurse në rastin e përshkruar më sipër në muajin Nëntor ose Shkurt. Ruajtja bëhet në frigorifer në temperatura 3-8 gradë celsius ose të shtratifikuara ne magazina në rërë lumi të larë me gjendje lagështie të vazhdueshme mbi 80%. Trajtimi i përpajnave përpara mbjelljes në qeska është ai i zakonshëm, pra pastrohen mirë nga mbeturinat, dëmtimet, rifreskohen rrënjët, dezinfektohen me pesticide etj.

Mbjellja e përpajnave bëhet në  fund Shkurtit, ose fillim të Marsit,  direkt në qeska plastmasi. Dherishtja, ose substrati për mbjellje përgatitet me pleh organik + dhe te siguruar nga mezhda kanalesh + rërë të pastër lumi në raportet 35% + 63% + 2%.  Thellësia e mbjelljes së përpajnës është 15 cm(aq sa ka qenë në bllokun mëmë), ndërsa pjesa ajrore pritet në formë pile 10-12 cm mbi nivelin e mbjelljes në qeskë.

Qeskat e plastmasit vendosen në vllaja 15 – 20 m te gjata, me gjashtë copë/rrjeshti, ndërsa hapësira në midis vllaja  lihet 40 – 50 cm për të kryer shërbimet e nevojshme agroteknike në vegjetacion. Grupet e  vllajave ndahen ne mes tyre me një hapësirë rreth 1.5 m për të kryer shërbime kulturore dhe transporte te ndryshme me mjete mekanike. Sipas kësaj teknologjie në një sipërfaqe prej 1 ha mund të trajtohen  mbi 100 mijë fidanë.

Shartimet   edhe në këtë rast bëhen në muajin Gusht me syth të fjetur në formë T dhe ruajtja e tyre bëhet direkt në vendin e shartimit për të vazhduar në pranverën e ardhshme me shërbimet e zakonshme. Tregtimi i fidanëve bëhet kur arrijnë standardet e parashikuara, (praktikisht në fundin e vitit të dytë).

nuk ka komente.