Pika e vesës dhe kondensimi i avujve të ujit mbi bimë.

Ajri i ftohtë mban më pak avuj uji se ajri i ngrohtë. Ndërkohë që ajri ftohet ai mund të mbajë gjithnjë e më pak avuj uji. Gjatë këtij procesi teprica e avujve kondensohet në sipërfaqen e objekteve të ndryshëm (shih diagramën e Molierit). Temperatura në të cilën ajri me një përmbajtje të caktuar avujsh uji, kondenson në pika uji njihet si “pika e vesës”.  

Avujt e ujit kondensojnë mbi objekte të ftohta, zakonisht panelet e dritareve ose sipërfaqet e brendshme të mbulesave të serave, si edhe mbi bimët. Kondensimi shfaqet në pjesët më të ftohta dhe bimët që gjenden në këto zona janë të parat që mbulohen nga vesa. Për të sqaruar këtë le të supozojmë se në një serë të caktuar dhe në një pikë të caktuar të saj temperatura është 20 0C, lagështia relative 80 % dhe pika e vesës për rastin konkret 16.4 0C. Kondensimi do të mund të shfaqet në pika të ndryshme të serës nëse temperatura në ato është më e ulët se 16.4 0C. Në të vërtetë një diferencë prej 3.6 0C midis pikave të ndryshme të saj haset shpesh në sera, prandaj edhe ndodh që shfaqja e vesës të jetë në kohë dhe intensitet të ndryshëm në të njëjtën serë.

Për bimë të cilat kërkojnë temperatura më të ulta për rritjen e tyre situata është edhe më kritike. Nqs kushtet normale për rritjen e këtyre bimëve janë temperatura 14 0C dhe lagështia relative  85 %, pika e vesës është temperatura 11.6 0C. Në këto kushte kondesimi i avujve që gjenden në ajër, në pika uji do të shfaqet menjëherë sapo temperatura të zbresë me 2.4 0C. Nga ky shembull kuptohet qartë se sa e rëndësishme është të ruhet një temperaturë uniforme në të gjithë serën. Zakonisht një diferencë prej 3-4 0C e pikave më të ftohta të serës do të shkaktojë kondensimin e avujve të ujit në ato pika, sepse në kushte normale kultivimi pika e vesës është vetëm 3-4 0C më e ulët se temperatura optimale e kultivimit.

Është i njohur fakti që nga çatia e serës emetohet një sasi e madhe energjie gjatë netëve të kthjellta. Kjo është e shoqëruar me rënie të temperaturës  në majën e bimëve të larta. Për pasojë, kur temperatura bie nën temperaturën e pikës së vesës, pikërisht në majat e bimëve shfaqen pikla uji të kondensuar.

Kondensimi i avujve të ujit mbi bimë është fenomen që vërehet shpesh, sidomos në agim. Në momentin e lindjes së diellit ai shkakton ngritjen e temperaturës së bimëve, kryesisht të sipërfaqes së tyre gjethore. Për pasojë rritet presioni i avujve të ujit në gojëza dhe si rrjedhojë edhe transpirimi nga ana e bimëve. Në të njëjtën kohë rritet edhe temperatura e ajrit të serës dhe lagështia absolute e tij, por ndërkohë nuk ndodh kështu me frutat dhe sythat, temperatura e të cilëve rritet me ritme më të ulta nga ato të ajrit të serës. Për pasojë pikërisht në këto organe të bimëve ndodh kondensimi i avujve të ujit që ndodhen në ajrin e serës.

Le të supozojmë një shembull kur gjatë natës temperatura e ajrit të serës është 16 0C dhe LR 85%. Temperatura e bimëve në serë është gjithashtu 16 0C. Kur bimët ngrohen si pasojë e  rrezatimit diellor, fillojnë të transpirojnë, për shkak të rritjes së presionit të avujve të ujit në gojëza. Temperatura e gjetheve të bimëve dhe e ajrit në serë rritet deri në 20 0C, por në të njëjtën kohë temperatura e frutave rritet më ngadalë dhe për pasojë në këtë kohë është vetëm 16-17 0C. Për shkak të transpirimit avuj uji janë emetuar në ajër. Me një sasi të vogël energjie LR mund të rritet me vetëm 5% brenda 10-20 minutash. Gjatë natës LR ishte 85% dhe LA 9.6 gr/kg ajër. Pas lindjes së diellit LR është rritur nga 85% në 90% dhe LA në 13.2 gr/kg ajër. Bimët kanë çliruar në ajrin e serës 3.6 gr/kg ajër në ajrin e serës (shih diagramën e Molierit).

Diagrama e Molierit.

Kushtet e reja të ajrit të serës tani janë si vijon; temperatura 20 0C dhe LA 13.2 gr/kg ajër. Pika e vesës e këtij ajri është 18.3 0C. Kondensimi do të shfaqet në sythat dhe frutat, për shkak se temperatura e tyre është më e ulët, është rritur vetëm me 1 0C, nga 16 në 170C dhe për pasojë mbetet ende nën pikën e vesës (shih diagramën e Molierit).

Mënyra më e mirë për të eleminuar këtë problem është të fillojë ajrimi i bimëve në kohën e duhur. Në këtë shembull LA është rritur nga 9.6 në 13.2 gr/kg ajër. Kjo rritje mund të parandalohet nëpërmjet ajrimit. Shumica e avujve të çliruar nga bimët largohet nëpërmjet dritareve të serës. Në këtë mënyrë realizohet një rritje e LA me 2.1 gr duke e çuar atë në vetëm 11.7 gr/kg ajër (LR 80%). Pika e vesës e ajrit që gjendet në këto kushte është tani 16.4 0C. Kjo temperaturë është më e vogël se ajo e sythave apo frutave (17 0C) dhe prandaj nuk do të ketë kondensim të avujve të ujit në këto organe.