Prodhimi i shalqinit në tunele të përkohshëm.

Pamja e tuneleve menjehere pas mbjelljes.

Tunelet e përkohshëm janë mjeti më i përshtatshëm për prodhimin e hershëm të shalqinit. Përkundrejt një investimi relativisht të vogël, tunelet e përkohshëm mundësojnë fillimin e vjeljeve rreth dy javë më herët, rendiment të kënaqshëm dhe të ardhura më të larta krahasuar me prodhimin e zakonshëm në fushë të hapur. Prodhimi i shalqinit në tunele të përkohshëm realizohet nëpërmjet etapave që përshkruhen në vijim.

Përgatitja e tokës. Zhvillimi i sistemit rrënjor të shalqinit pengohet nga shtresat e kompaktësuara që mund të formohen në thellësi të tokës. Për këtë arsye, bëni punime të thella të tokës. Në varësi të pjerrësisë së terrenit dhe të orientimit gjeografik të parcelës ndërtoni vllajat e ngritura, 15-20 cm të larta dhe 0.6-0.8 m të gjera. Vllajat ndërtohen 2.5-3 m larg njëra tjetrës. Përgjatë vllajave, në qendër të tyre, shtrihen tubat e sistemit të ujitjes me pika dhe më pas mbulohen me polietilen me ngjyrë të errët. Tregoni kujdes që anët e polietilenit të fiksohen mirë duke i mbuluar me dhe të shkrifët në të gjithë gjatësinë e tij dhe më pas vendosni harqet metalike, ose prej druri në distanca 1-1.2 m larg njëri – tjetrit.

Pergatitja e tokes dhe formimi i tuneleve per mbjelljen e shalqinit.

 Mbjellja e fidanëve. Një ditë përpara mbjelljes së fidanëve në fushë, bëni ujitjen e tyre me ujë bollshëm, për të lehtësuar daljen e shpejtë dhe pa dëmtime të rrënjëve nga kasetat e prodhimit. Trajtoni fidanët përpara mbjelljes në fushë me preparate mbrojtëse me spektër të gjerë veprimi, kundër sëmundjeve kërpudhore që mund të prekin pjesën mbitokësore të bimëve gjatë qëndrimit në tunele.

Në distanca 0.8-1 m, shponi polietilenin e zi dhe mbillni fidanët e shartuar. Vendoseni fidanin në mënyrë të atillë që sipërfaqja e kubikut të jetë rrafsh me sipërfaqen e tokës dhe ngjisheni me kujdes. Menjëherë pas mbjelljes aktivizoni sistemin e ujitjes për të siguruar 2-3 litra ujë për çdo bimë të mbjellë.

Menyra e mbjelljes se fidaneve te shalqinit.

Shtrini polietilenin transparent mbi harqet e vendosura dhe fiksojeni mirë duke e mbuluar me dhe të freskët në të gjitha anët e tij. Hapni disa dritare të vogla përgjatë tunelit, në anën më të mbrojtur nga erërat, për të kontrolluar zhvillimin  e bimëve dhe përmirësuar ajrimin e bimëve në tunel.

Pamja e tuneleve menjehere pas mbjelljes.

Shërbimet gjatë rritjes në tunelet e përkohshme. Tregoni kujdes  për parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve kërpudhorë në gjethe. Për këtë  qëllim, sa herë që e lejojnë kushtet e motit, bëni ajrimin e tuneleve, nëpërmjet hapjes për disa kohë të fundeve të tyre. Fidanët e shartuar ju garantojnë mbrojtjen e bimëve vetëm nga sëmundjet kërpudhore që  jetojnë në tokë.

Përdorni doza të kontrolluara uji të shoqëruara me plehra kimikë, në përputhje me sistemin e  plehërimit të rekomanduar nga konsulentët tuaj, për të siguruar rritje të shpejtë të masës vegjetative të bimëve, si garanci për hershmëri dhe rendiment të lartë.

Gradualisht, hapni dritare gjithnjë e më të mëdha në mbulesën plastike të tunelit, për ti përgatitur bimët të dalin në mjedis të hapur. Në varësi nga kushtet e motit,  me fillimin e lulëzimit të bimëve, largoni mbulesën prej polietileni transparent dhe i lini bimët të rriten në kushte natyrore. Në këtë kohë bimët kanë marrë pamjen e një kacubeje të zhvilluar me një numër të madh lastarësh të rendit të parë, të dytë dhe të tretë. Për këtë arsye, në kultivimin e shalqinit në tunele nuk është e zakonshme krasitja e bimëve. Largimi i mbulesave korrespondon me fillimin e formimit të frutave në bimë.

Koha e zhvendosjes se plote te mbulesave te tuneleve.

Ujitjet. Në përgjithësi shalqini nuk kërkon shumë ujë. Nëpërmjet sistemit të fuqishëm rrënjor të nënshartesës, qëndrueshmëria e bimëve ndaj streseve ujore rritet akoma më shumë. Gjithsesi, për të garantuar rendimente të larta duhet të realizohen ujitje periodike me norma të kontrolluara uji.

Mungesa e ujit menjëherë pas mbjelljes së fidanëve në fushë, vonon lidhjen e tyre me tokën dhe bën që më pas bimët të kenë një numër më të vogël gjethesh dhe në përgjithësi të jenë me vegjetacion të kufizuar. E njëjta gjë mund të thuhet n.q.s. mungesa e ujit ndodh në fazat e para të rritjes së fidanëve dhe për pasojë do të ketë zvogëlim të prodhimit të ardhshëm të bimëve.

Gjithsesi, fazat më të ndjeshme ndaj mungesës së ujit janë periudha e rritjes intensive të bimës, lulëzimi dhe periudha e rritjes intensive të frutave. Për këtë arsye, edhe ujitjet duhet të përqendrohen në këto periudha, për të mos lejuar që përmbajtja e ujit në tokë të zbresë në më pak se 50% e kapacitetit ujëmbajtës të saj.

Ndryshe nga fazat e mësipërme, gjatë pjekjes së frutave, kufizime të lehta të furnizimit me ujë ndikojnë pozitivisht në rritjen e përmbajtjes së sheqerit në fruta, thuajse pa ndikuar në zvogëlimin e prodhimit nga bimët. Megjithatë, mungesat e theksuara të ujit edhe gjatë kësaj periudhe mund të shkaktojnë kalbëzimin e majës, çarjen e frutave ose deformimin e tyre.

Praktikisht, këshillohet ujitja e tokës me doza relativisht të larta uji përpara mbjelljes, për të siguruar sasi të mjaftueshme uji për disa kohë pas mbjelljes. Në kushte të tilla, përjashtuar një ujitje të lehtë menjëherë pas mbjelljes, mund të mos jetë e nevojshme të kryhen ujitje të tjera për 2-3 javë. Gjithsesi, kjo është e kushtëzuar nga struktura e tokës, aftësia ujëmbajtëse e saj dhe kushtet e motit.

Ujitjet gjatë vegjetacionit kryhen një herë në disa ditë, në varësi të tipit të tokës dhe të kushteve atmosferike, por gjithmonë me doza të vogla uji (rreth 350 m3/Ha). Ujitjet nuk duhet të ndërpriten deri në përfundim të vegjetacionit të bimëve, por kërkesat më të mëdha janë pasi frutat kanë arritur madhësinë e një topi tenisi. Nevojat mesatare të shalqinit përllogariten në rreth 6 L/m2 në javë (600 m3/ha javë). Praktikisht kjo do të thotë që, zakonisht dy ujitje në javë janë të mjaftueshme për shalqinin. Në mot të nxehtë dhe në periudhën e rritjes intensive të frutave, ato rriten në rreth 10 L/m2 në javë (1000 m3/ha në javë).

Bëni kujdes!  Ujitjet e shpeshta dhe dozat e larta të ujit, sidomos në mot me reshje dhe kur ujrat nëntokësore janë afër sipërfaqes së tokës mund të çojnë në krijimin e zonave të mbingopura me ujë, asfiksimin e sistemit rrënjor për shkak të mungesës së oksigjenit nën tokë dhe vdekjen e shpejtë të bimëve.

Plehërimi.

Kryeni në kohë analizat kimike të tokës dhe në varësi të gjendjes së elementëve të ndryshëm ushqyes në tokë, përcaktoni sistemin e plehërimit, llojin e plehrave  që do të përdorni, sasinë, kohën dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre. E gjithë sasia e nevojshme e plehrave fosforike dhe ½ e plehrave potasike mund të shpërndahen në tokë përpara mbjelljes.

Shpërndarja e plehrave nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika është një mënyrë më efektive. Nqs, nuk shpërndahen plehra në plehërimin bazë, plehërimet nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika duhet të fillojnë menjëherë pas mbjelljes së bimëve. Në të kundërt, ato mund të shtyhen në 2-3 javë pas mbjelljes dhe zgjasin për të gjithë sezonin e kultivimit (10-12 javë).

Nevojat mesatare të shalqinit për elementë ushqyes përllogariten në 80-110 kg/ha N, 25-50 kg/ha P2O5 dhe 50-90 kg/K2O. Një tabelë orientuese më e detajuar për plehërimin e shalqinit paraqitet më poshtë. Rekomandimet janë të shprehura në lëndë aktive të elementëve ushqyes. Për ti transformuar ato në sasitë respektive të plehrave kimike që keni në dispozicion pjesëtoni sasitë e rekomanduara me përmbajtjen në përqindje të elementëve përkatës në plehun tuaj.