Batha, origjina dhe rendesia ne dieten e njeriut

IMG_0079

Origjina e bathës

Emërtimi shkencor i bathës është Vicia faba. Ajo i përket specieve fabacea të bishtajoreve dhe e ka origjinën nga Azia jugperëndimore dhe nga Afrika e Veriut. Është një nga llojet më të  vjetra të bishtajoreve që janë përdorur për konsum, i cili daton që nga periudha Neolitike. Pra mund të thuhet që ka qenë e njohur që nga fillimet e bujqësisë. Supozohet se origjina e bathës është në Lindjen e Afërt, Irak dhe Iran, dhe më pas është përhapur dhe në Afganistan dhe Etiopi. Që përpara viteve 1000 p.e.s, batha u përhap edhe në Evropë. Speciet e bathëve me fara të mëdha janë më të vona dhe ka mundësi të janë zhvilluar fillimisht në lindje të Irakut rreth 1000-1200 vjet më parë dhe më pas janë përhapur në Azi, në Afrikën veriore dhe që atje në Evropë, e më pas dhe në Amerikë nëpërmjet kolonizatorëve.

Vlerat ushqimore të bathës

Bathët kanë një shije të veçantë dhe të fortë. Ato janë shumë të ushqyeshme dhe burim i rëndësishëm për shumë elementë ushqyes të domosdoshëm për shëndetine njeriut. Midis tyre mund të përmenden;

  • Bathët kanë përqendrime të larta të një aminoacidi të quajtur L-dopa (dopamin), që vepron si një neurotrasmetues në tru
  • Është e pasur në fibra, që janë shumë të rëndësishme për funksionimin e aparatit tretës
  • Janë një burim shumë i mirë i fosforit, i cili i duhet trupit për të formuar kocka dhe dhëmbë të shëndetshëm
  • Sasia e madhe e potasit te batha e ndihmon organizmin të stabilizojë presionin e gjakut dhe rregullon funksionimin e zemrës.
  • Farat e bathës janë të pasura me vitamin A, e cila i duhet trupit për një lëkurë të shëndetshme dhe për të përmirësuar shikimin, rritjen dhe zhvillimin e kockave.
  • Duke qenë se është e pasur me thiamin (vitaminë B), ndihmon në funksionimin normal të sistemit nervor

Në tabelën e mëposhtme janë dhënë vlerat ushqimore të 170 gramë (1 kupe) bathë:

Treguesit ushqimorë Sasia
Proteina 12.9 g
Ujë 122 g
Fibra 9.2 g
Yndyrna
Yndyrna gjithsej 0.7 g
Yndyrna të ngopura (të saturuara) 0.1 g
Energji
Kalori gjithsej 783 KJ
Prej tyre – karbohidrate 569 KJ
Prej tyre – yndyrna 23.9 KJ
Prej tyre – proteina 188 KJ
Acide yndyrore
Acide yndyrore omega-3 20.4 mg
Acide yndyrore Omega-6 258 mg
Karbohidrate
Karbohidrate gjithsej 33.4 g
Fibra dietikë 9.2 g
Sheqerna 3.1 g
Vitamina
Vitaminë A  IU 25.5 IU
Vitamin A 1.7 mcg
Beta karoten 15.3 mcg
Riboflavin 0.2 mg
Niacin 1.2 mg
Thiamin 0.2 mg
Vitamin B6 0.1 mg
Folate 177 mcg
Vitamin K 4.9 mcg
Folate dietike ekuivalente 177 mcg
Vitamin C 0.5 mg
Acid pantothenik 0.3 mg
Kolinë 52 mg
Minerale
Kalcium 61.2 mg
Hekur 2.5 mg
Magnez 73.1 mg
Fosfor 212 mg
Kalium 456 mg
Zink 1.7 mg
Bakër 0.4 mg
Selen 4.4 mcg
Natrium 8.5 mg

Mënyrat e konsumit dhe të ruajtjes

  • Bathët mund të gjenden në treg gjatë gjithë vitit, të konservuara në kanace, të ngrira, apo të thata
  • Bathët e njoma duhet të gatuhen dhe të përgatiten brenda një jave dhe duhet të konsumohen brenda dy ditësh nga gatimi
  • Nëse përdoren bathë të thata, merret vetëm gjysma e sasisë së kërkuar, pasi ato shtojnë dyfish gjatë gatimit
  • Bathëve u duhet më shumë kohë gatimi në krahasim me bishtajoret e tjera
  • Kokrrat e pjekura të bathëve duhet të nxirren nga bishtaja përpara se të konsumohen, ndërsa kokrrat e vogla të papjekura mirë mund të hahen me gjithë bishtajë.

Kujdes!

Te disa individë, ekspozimi ndaj bathëve mund të shkaktojë një reaksion, të njohur si Anemi Hemolitike nga faktorë të jashtëm, të quajtur Favizëm. Kjo lloj anemie shkaktohet nëpërmjet thithjes nga ana e mukozës së hundës të aromave të luleve të bimës, ose nëpërmjet konsumiit të bathëve. Ky lloj reaksioni ndodh më shpesh në popujt me ngjyrë të zezë dhe në vendet e pellgut të Mesdheut, që jetojnë në vende ku malaria ka qenë endemike për periudha të gjata. Njerëzit me mungesë të enzimës Glukozë-6-fosfat dehidrogenase, G-6-DH, (e rëndësishme sidomos për metabolizmin e qelizave të kuqe të gjakut) që ekspozohen ndaj bathëve, pas një inkubacioni të shkurtër, mund të praqesin një krizë hemolitike akute. Kriza mund të jetë e lehtë ose aq e rëndë sa të shkaktojë vdekjen. Krizat vërehen kryesisht te fëmijët, por ato nuk janë konstante pasi krahas mungesës në G-6-DH dhe marrjes së bathëve, është e nevojshme prania e një faktori shpërthyes komplementar. Mungesa e D-6-DH është sëmundje e trashëgueshme e lidhur me kromozomin X. Mungesa e G-6-DH është defekti më i zakonshëm i mungesës së enzimave te njerëzit. Pjesa më e madhe e individëve që kanë këtë mungesë nuk shfaq simptoma dhe nuk e dinë që e kanë këtë sëmundje. Pacientët që shfaqin simptomat janë zakonisht vetëm të seksit mashkull.

Bathët kanë me shumicë karbohidrate të përbëra dhe mund të shkaktojnë probleme gastrike dhe dhimbje abdominale te disa persona.