Prognoza e shfaqjes se semundjeve dhe demtuesve per muajin Maj 2014


DEPARTAMENTI I MBROJTJES BIMËVE
Laboratori i Mbrojtjes Bimëve-Durrës


Kultura e grurit.

Në këtë kulturë priten këto probleme:

a)Sëmundjet. Do të kemi zhvillim të epifitisë së ndryshkut dhe fuzariozës në kalli. Për këto bimë nuk mendohet të ndërhyhet pasi trajtimi ndaj sëmundjeve është i paleverdishëm ekonomikisht.

b)Dëmtuesit gjatë dhjetë-ditorit të parë, kemi përfundimin e zhvillimit larvar të lemës dhe zhvillimin e kolonive të afideve në kalli. Edhe për këto insekte nuk justifikohet ekonomikisht trajtimi, pasi dendësia e lemës nuk pritet t’i kalojë kufijtë kritik dhe afidet shoqërohen me predatime nga Coccinella sp.

Kulturat e perimeve në serra.

Nisur nga ecuria klimatike e muajit Prill, rezerva e patogjenëve dhe insekteve parazitë pritet një situate e tillë:

a)Sëmundjet: Problemi kryesor do të jetë vrugu i domates i cili mund të arrijë të parazitojë edhe frutat e saj. Njollosja kafe e domates e cila dëmton shumë rëndë masën vegjetative të bimëve; Alternaria, Botritisi, Vyshkja bakteriale do të jenë probleme prezente. Në trangull, bostan, kungull, pas 10 ditorit të parë priten epifiti nga vrugu si dhe prekje nga Botritisi. Në spec priten infeksione nga vrugu i kërcellit Phitophtora capsici si dhe botritisi.

b)Dëmtuesit : Krahebardha, Afidet, Liriomiza , merimanga, tripsi në trangull priten të jenë organizmat e dëmshme shoqëruesë të perimeve në serra.. Në serrat me rezervë të lartë të nematodash  pritet dhënia e tipareve të dëmit nga ky parazit.

Perimet e fushës

Në patllixhan priten dëmtime nga pleshti i duhanit, breznia e parë e të cilit del nga 18-25 Maj, gjithashtu priten dëmtime nga buburreci i patates si dhe fillimi i infeksioneve të morrit të pjeshkës në dhjetëditorin e tretë i muajit. Një tjetër parazit i mundëshëm në këto momente do të jetë edhe merimanga e zakonshme.

Shënim: Të kihet kujdes në përdorimin e Piretroideve dhe Carbamateve, pasi janë faktort e shtimit masiv të tyre.

Në domate, patate, speca priten infeksione nga vrugjet si dhe dëmtime nga buburreci, afidet, merimanga dhe krimbat.

Në qepë do të vazhdojë rritja e infeksioneve të vrugut (P.shleideni).

Pemët frutore-farore.

Në mollë, dardhë, ftua dhe arrë, priten në dhjetëditorin e dytë infeksionet nga krimbat specie të gjinisë Cydia . Në mollë, dardhë, do të kemi infeksione nga kroma dhe kalbëzimet.

Molla do të jetë në lulëzim edhe gjatë 10 ditorin të parë të muajit maj. Kjo vonesë e lulëzimit kërkon që të vazhdojnë trajtimet kimike kundër lulëngrënësit dhe hundëgjatit të cilët kanë një përhapje të gjërë. Po ashtu trajtimet duhet të kryhen dhe kundër kromës së mollës dhe hirit, të cilat janë shfaqur dhe që favorizohen nga kushtet me lagështi të motit.

Pemët frutore bërthamore.

Në pjeshkë do të kemi prekje të majave të lastarëve dhe frutave nga tenja e lindjes G. molesta, si dhe nga A. lineatella, po ashtu afidet do të vazhdojnë të jenë të pranishme me disa specie si: M. persicae dhe morri i trungut. Në kumbull e kajsi, priten dëmtime nga breznia e parë e cidiave si dhe vazhdimësi e infeksioneve nga afidet.

Kultura e hardhisë

Në fund të dhjetëditorit të parë pritet gjenerata e parë e vrugut të hardhisë, njollat e vajit u shfaqen me datën 25 prill, dalja e larvave të tenjës, vazhdimi i parazitimit nga këpushat eriofide. Në vazhdim të muajit do të kemi infeksione nga hiri në varësi të ecurisë së motit. Për këto duhet të kryhen trajtime me intervale 10-14 ditore me preparate sistemike të alternuara me ato të kontaktit për sëmundjet dhe me preparatet sa më pak të dëmshëm për entomofaunën e dobishme për të mos agravuar më tej problemin e këpushave eriofide.

Kultura e jonxhës.

Nëpër jonxhishte do të jenë të pranishëm  hundëgjatët si dhe çimka e jonxhës.

Ulliri

Në dhjetëditorin e tretë priten dëme nga tenja si dhe prekje nga pambukorja e ullirit, po ashtu dhe vazhdimi i infeksioneve të gjetheve të reja nga syri i palloit.

Agrumet

Në agrume priten parazitime nga afidet, krahëbardha, si dhe fillimet e breznisë së parë të tenjës gjarpëruese të gjetheve të agrumëve.

Kultura e duhanit.

Në dhjetëditorin e dytë fillon dalja ë individeve të breznisë së parë të pleshtit. Prandaj nevojitet të nderhyhet kur dendësia e tyre e kalon kufirin kritik mbi 3 individë për bimë. Njëkohësisht në keto momente do të fillojnë të shtohen edhe popullatat e morrave, të cilët duhet të mbahen nën kontroll dhe të ndërhyhet kur ato e kalojnë kufirin ekonomik të dëmit.

Kultura e misrit

Në dhjetëditorin e fundit të muajit pritet çelja e larvave të krimbave. Në misrin që është në mbirje e sipër, problem do të jenë dëmtuesit e tokës. Në fund të muajit prill është konstatuar përhapja e krimbit të murrmë në disa parcela. Të mbahet nën kontroll ky dëmtues dhe kur arrin të dëmtoj  5 % të bimëve të kryhen trajtimet kimike.

Shalqin  me tunel

Të rritet kujdesi për luftimin e kalbëzimit të rrënjëve, duke përdorur trajtime me komponime kimike gjatë vaditjes.

Panxhar

Dëmtuesi kryesor dhe më i rrezikshëm për fazën e mbirjes të kësaj bime është pleshti i panxharit. Trajtimi kimik i të cilit nuk duhet të nënvlerësohet. Vrojtimet të kryhen edhe për hundëgjatin i cili në parcela të veçanta mund të jetë me infeksione të rënda.

Mbi infeksionin nga karkaleci:

Çeljet e para larvare do te  fillojne në ditët e fundit të muajt Maj , dhe do te përfundoj në gjysmën e parë të muajt qershor. Kushtet klimatike kanë ndikuar fuqishëm në reduktimin e popullatës së karkalecave. Në vatrat ku nevojitet për të realizuar trajtime kimike momenti më i përshtatshëm për ndërhyrje kimike është kur larvat e çeljeve të para janë në prag të moshës së tretë larvare. (  18 – 20 ditë nga fillimi i çeljeve të para ky moment korespondon me çeljen totale të popullatës ). Nisur nga puna determinuese dominant në strukturën e popullatës është karkaleci italian C. italicus , specie të tjera prezente janë karkaleci maroken D. marocanus si dhe karkaleci ballë bardhë D. albifrons.