kalb-majes-frutave tetranychus-urticae mandarin-unshiu virus-cvyv-fruit-symptomes Molle Fuji whitefly pepper-seedlings image074 insect-trips arbequinafruit
fotografite

Formimi dhe rritja e frutave në kastravec.

Kur kokrra e polenit bien mbi krezën e pistilit, mbirja e tij zgjat për më pak se 30 minuta. Në disa kultivarë kastraveci, intensiteti i rritjes së gypit pjalmik mund të mos jetë i mjaftueshëm për të realizuar pllenimin e të gjithë vezëve, përgjatë të gjithë gjatësisë së vezores. Ndërsa tubi pjalmik zgjatet edhe vetë vezorja vazhdon të zgjatet. Si rrjedhojë, në disa kultivarë me frut të gjatë, mesi dhe pjesa fundore e frutave nuk arrihet asnjëherë nga gypi pjalmik dhe për këtë arsye formimi i farave ndodh vetëm në segmentin fundor të frutit dhe për pasojë ndodh edhe fryrja e majës së tij.

Në kultivarët plotësisht femërorë që mbillen në sera është gjithsesi shumë i përhapur fenomeni i partenokarpisë; formimi i frutave pa pllenimin e vezores. Tendenca për të formuar fruta partenokarpikë favorizohet nga moti i freskët dhe fotoperioda e shkurtër. Fenomeni i partenokarpisë haset gjithashtu edhe në kultivarët monoikë dhe rritet paralelisht me moshën e tyre, po ashtu si ndodh edhe me rritjen e numrit të luleve femërore në bimë. Përgjithësisht, rendimenti i kultivarëve partenokarpikë është 15-20% më i lartë se ai kultivarëve që formojnë farë. Ky fenomen shpjegohet me faktin që farat e kastravecit përmbajnë 32% yndyra dhe se njëkohësisht në fruta grumbullohet 10-20% e lëndës së thatë të bimëve. Prej këtej është e kuptueshme që sasia e asimilateve që shpenzohet për rritjen e frutave me farë është shumë më e madhe nga ajo e asimilateve që shpenzohen për formimin e frutave partenokarpikë. Për rrjedhojë, me të njëjtën sasi asimilatesh kultivarët plotësisht femërorë janë në gjendje të realizojnë një rendiment më të lartë.

Frutat e formuar në bimët e reja, në rritje e sipër, frenojnë rritjen dhe reduktojnë prodhimin e përgjithshëm të bimëve. Ky frenim është më i madh në kultivarët që formojnë farë, për shkak të arsyeve të përmendura më lart. Shkaqet e këtij frenimi ende nuk janë shumë të qarta, por mendohet të jenë të lidhura së pari me konkurrencën e lartë për sasinë e kufizuar të asimilateve që krijohen në bimë në këtë periudhë dhe me prioritetin e organeve riprodhuese për këto asimilate në të njëjtën periudhë. Është përllogaritur p.sh, që një frut  i vetëm, në periudhën e rritjes aktive të tij, kërkon një sasi asimilatesh të barabartë me atë të krijuar nga 40% e sipërfaqes gjethore të bimëve. Për këtë arsye, eliminimi i hershëm i frutave në bimët e reja është një praktikë agronomike e zakonshme. Lartësia mbi të cilin duhet të lejohet rritja e frutave të parë është e kushtëzuar nga natyra e kultivarit, kushtet e kultivimit dhe intensiteti i ndriçimit. Si rregull, në kushte të mira kultivimi, kultivarë me rritje të fuqishme dhe intensitet të lartë ndriçimi, koha e lejimit të formimit të frutave të parë është më e shkurtër.

Faktorë hormonolë mendohet të jenë gjithashtu të përfshirë, në konkurencën midis frutave më të vjetër në bimë dhe të atyre të porsaformuar, si edhe në konkurencën e frutave me rritjen vegjetative të bimëve. Duket se aktiviteti hormonal i frutave në fazën e rritjes intensive i bën këta konkurrues të fuqishëm për asimilate, krahasuar me organet e tjera të bimëve. Rritja e frutave është thellësisht e kushtëzuar nga mënyra dhe sasia e furnizimit me asimilate dhe në këtë kontekst, në mënyrë të veçantë nga prania e frutave të formuar më parë në bimë.

Prodhimi i frutave të kastravecit është i kushtëzuar si nga ndikimi i faktorëve që përcaktojnë rritjen e bimës në përgjithësi, ashtu edhe nga  ndikimi i faktorëve që rregullojnë shpërndarjen e asimilateve midis pjesëve vegjetative dhe riprodhuese të bimëve. Rritja e frutave të kastravecit është e karakterizuar  nga një fazë fillestare eksponenciale e shoqëruar nga një rënie graduale e ritmeve të rritjes. Rritja e peshës së njomë të frutave është në korrelacion të drejtë me rritjen e vëllimit të frutave. Intensiteti i rritjes së frutave është thellësisht i diktuar nga ndikimi i pjesëve të tjera të bimëve dhe faktorët e mjedisit. Intensiteti i rritjes së frutave është më i lartë në bimët me më pak fruta, ndërkohë që maksimumi i intensitetit të rritjes arrihet kur temperaturat mesatare të ajrit janë në nivelin 18-24 0C. Në temperatura më të larta, rritet intensiteti i rritjes së kërcellit dhe për pasojë afrohet fillimi i vjeljeve të frutave të parë. Në temperatura të larta, përshpejtohet vjelja, por ndërkohë shkurtohet cikli i prodhimit dhe zvogëlohet prodhimi total i bimëve.

Shtimi i furnizimit me asimilate për shkak të rritjes së intensitetit të ndriçimit ndikon gjithashtu në rritjen e intensitetit të rritjes së frutave. Hershmëria dhe cilësia e frutave të formuar në një temperaturë të dhënë përmirësohen ndjeshëm nëpërmjet rritjes së intensitetit të ndriçimit në mjedisin e rritjes së bimëve. Rezultate më të mira arrihen kur vlera më të larta të intensitetit të ndriçimit sigurohen në fazat e para të rritjes së frutave.

nuk ka komente.