Ujitja me pika dhe plehërimi i bimëve nëpërmjet ujitjes

Ujitja me pika aktualisht përfaqëson mënyrën më të përhapur të ujitjes në serra, perime në fushë të hapur, vreshta dhe pemëtore.  Krahasuar me mënyrat tradicionale të ujitjes, ujitja me pika një sërë avantazhesh. Midis tyre mund të përmenden;

  • Ujitja me pika ne pemetoret e reja

    Rritet efektiviteti i ujitjes. Efektiviteti i ujitjes me pika përllogaritet në 75-95 %, kundrejt vetëm 25-50 % të ujitjeve sipërfaqësore me brazda dhe 70-80 % të ujitjeve në formë shiu. E shoqëruar me mulcirimin, ujitja me pika plotëson kërkesat e bimëve për ujë, duke konsumuar vetëm 30-50 % të vëllimit të ujit që konsumohet nga ujitja në formë shiu.

  • Sistemet e ujitjes me pika funksionojnë në presione të ulta dhe për këtë arsye kërkojnë më pak shpenzime për energji. Ujitja me pika mund të realizohet edhe thjesht duke shfrytëzuar një lartësi prej së paku 2 m të burimit të ujit, mbi sipërfaqen që do të ujitet.
  • Mundëson përdorimin e dozave precize të plehrave dhe vendosjen e tyre pranë sistemit rrënjor të bimëve.
  • Zvogëlohet mundësia e shfaqjes së sëmundjeve. Meqenëse gjatë ujitjes me pika gjethet e bimëve mbeten të thata, kufizohet ndjeshëm mundësia e zhvillimit të sëmundjeve kërpudhore.
  • Zvogëlohet mundësia e zhvillimit të barërave të këqija. Për arsye se gjatë ujitjes me pika hapësira midis rreshtave mbetet e thatë, mundësia e rritjes së barërave të këqija në këtë hapësirë është e vogël.
  • Zvogëlohet mundësia e ngjeshjes së tokës, erozionit dhe shpëlarjes së elementëve ushqyes nga toka.

Elementët përbërës të sistemeve të ujitjes me pika

Sistemet e ujitje me pika përbëhen nga një rrjet tubash plastikë të bashkuar me njëri tjetrin nëpërmjet elementësh të ndryshëm plastikë, që gjenden lehtësisht në treg.

Një sistem i thjeshtë ujitje përbëhet zakonisht nga një tub kryesor, që shërben për transportin e ujit nga burimi, përgjatë rreshtave të bimëve në parcelë dhe një numër tubash të tjerë më të hollë (me diametër 1.6-2 cm), që bashkohen me tubin kryesor dhe shtrihen përgjatë rreshtave të bimëve, duke mundësuar shpërndarjen e barabartë të ujit tek të gjithë bimët në rresht. Për të parandaluar bllokimin e pikuesve (këta të fundit janë të vendosur në tubat që shtrihen përgjatë rreshtave), në hyrje të parcelës, mbi tubin kryesor vendosen filtra për të penguar kalimin në sistem të mbeturinave të ngurta, që mund të transportohen nga uji.

Lotues cilindrike te integruar

Pikuesit (lotuesit ) janë elementi kryesor i sistemeve të ujitjes. Ata përfaqësojnë struktura me ndërtim të atillë që mundësojnë çlirimin gradual të ujit, deri në formimin e plotë të pikave që shkëputen në mënyrë ritmike, proporcionale dhe uniforme përgjatë të gjithë gjatësisë së linjave të ujitjes. Në varësi nga mënyra e instalimit të lotuesve në linjat (tubat) e ujitjes, sistemet e ujitjes me pika ndahen në sisteme të integruara dhe sisteme të mbitëshme.

Sistemet e integruara të ujitjes. Karakteristikë e sistemeve të integruara është montimi industrial (gjatë procesit të prodhimit) i lotuesve në distanca fikse të paracaktuara përgjatë tubave të ujitjes. Largësitë midis pikave

Lotues te mbiteshem

projektohen në përputhje me drejtimin e përdorimit të sistemeve, perime, bimë të arave, vreshta, pemëtore dhe ndryshojnë nga 0,15 deri në 1,2 m. Mbështetur në ndërtimin e lotuesve, sistemet e integruara klasifikohen në;

Sisteme të thjeshta cilindrike (Sigurojnë shpërndarje uniforme të ujit përgjatë gjatësisë së linjave të ujitjes në terrene horizontale, ose me pjerrësi të njëtrajtshme).

Sisteme cilindrike me presion të vetë rregullueshëm (mundësojnë shpërndarje uniforme të ujit përgjatë linjave të ujitjes edhe në terrene të thyera dhe me pjerrësi të ndryshueshme).

Sistemet e integruara në formë pllake (sigurojnë reduktimin ne maksimum te bllokimeve dhe mundësojnë përpunim të lehte të tubave gjate montimit dhe operacioneve te mirëmbajtjes).

Sistemet e mbitëshme të ujitjes (forma të veçantë e lotuesve të tyre dhe montimi manual në kushte fushore i këtyre të fundit në linjat e ujitjes. Janë më të përshtatshme në ujitjen e vreshtave dhe pemëtoreve).

Sistemet e ujitjes me pika me rrjedhje të lirë. Sisteme të tilla janë shumë të përshtatshme për shfrytëzim në ferma të vogla, ose për prodhim në oborre. Ky sistem krijon mundësi të mira ujitjeje edhe në terrene të pjerrëta dhe njëkohësisht krijon mundësinë e shfrytëzimit të burime të kufizuara ujore. Nëpërmjet shfrytëzimit të gravitetit (një lartësie prej të paktën 2 m) krijohet mundësia e funksionimit të sistemit, pa qenë nevoja e pompave të ujit.

Këto sisteme sigurojnë gjithashtu një shpërndarje të përpiktë dhe uniforme e ujit dhe e plehrave edhe ne kushtet e presionit dhe prurjeve te vogla të ujit, si edhe  instalim dhe mirëmbajtje të lehte dhe efektive.

Model i thjeshtesuar i sistemeve te ujitjes me pika me rrjedhje te lire

Plehërimi i bimëve nëpërmjet ujitjes me pika

Detyra e plehërimit të bimëve është të sigurojë që në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor i bimëve, të ketë sasi të mjaftueshme elementësh ushqyes, por njëkohësisht të parandalojë grumbullimin e sasive të mëdha të plehrave pranë sistemit rrënjor. Në të kundërt, si mungesa e elementëve ushqyes, ashtu edhe teprica e plehrave në tokë do të përbëjnë pengesë për rritjen normale të bimëve.

Ujitja me pika, është mënyra më e mirë për shpërndarjen e plehrave tek bimët në sasitë e kërkuara. Shpërndarje  plehrave tek bimët duhet të bëhet në cdo ujitje, me qëllim që niveli i elementëve ushqyes në tokë tu përgjigjet nevojave të bimëve në momentin e plehërimit. Në varësi nga lloji i bimës dhe faza e zhvillimit të saj, këshillohet që sasia e plehrave në ujin e ujitjes të jetë midis vlerave 0.5 dhe 2 gr/liter.

Sistemi 'by pass' i pleherimit

Shpërndarja e plehrave nëpërmjet ujitjes mund të bëhet në mënyra të ndryshme.  Mënyra më e thjeshtë është ajo që njihet ndryshe si metoda ‘by-pas’. Për këtë qëllim shfrytëzohet një pajisje e thjeshtë, si ajo e paraqitur në figurë. Sasia e plehrave që mbërrin tek bimët është në varësi të sasisë së plehut që kemi hedhur në depozitë dhe të raporteve me të cilat ai përzihet me ujin e pastër. Ky raport mund të rregullohet nëpërmjet kontrollit të rrymës të ujit të pastër, që futet në depozitë. Me anë të rubinetave që kontrollojnë këtë rrymë tentohet që të zgjatet sa më shumë koha e plehërimit dhe në këtë mënyrë të realizohet një një shpërndarje më uniforme e plehrave tek të gjitha bimët.