Kultivimi i luleshtrydhes (dredhëzës)

Përgatitja e tokës dhe mbjellja e fidanëve

Luleshtydhja (dredhëza) për shkak te vecorive te saj biologjike ka kërkesa te mëdha për parapërgatitjen e tokës. Tokat më të përshtatshme janë ato humusore dhe aluvionale. Për tu siguruar që toka është e përshtatshme, paraprakisht duhet të bëhen analizat kimike të tokës në mënyrë që të njohim gjendjen e elementeve ushqyese në tokë. Tokat me përmbajtje të lartë të kalciumit (gëlqeres) nuk  janë të përshtatshme për kultivimin e luleshtrydhes.

Përgatitja e tokës për mbjelljen e luleshtrydhes është një ndër masat më të rëndësishme agroteknike, që ndikon në rritjen e prodhimtarisë dhe cilësisë së frutave. Punimi i tokës duhet filluar së paku tre muaj  para mbjelljes  së fidanëve. Përpara punimit duhet të shpërndahet pleh organik i kalbur mirë (500-600 kv/ha) dhe plehra kimikë (7:21:14, ose 10:30:20 në sasi 8-10 kv/ha ). Me pastaj bëjmë lëvrimin në thellësi 30-40 cm.

Për luftimin e barërave të këqija mund të aplikohen herbicide totale ( Raundap, Glifosat etj)  pas mbirjes së tyre, por së paku 1 muaj para mbjelljes së fidanëve të dredhëzës (luleshtrydhes).

Përgatitja e leheve (vllajave)

Pasi të jenë hedhur plehrat e përshkruara më lart dhe përgatitjen sipërfaqësore të tokës (plehërimi, frezimi dhe rrafshimi i terrenit) fillohet me përgatitjen e leheve. Shumë e rëndësishme është që pjesa sipërfaqësore e tokës të jetë e shkrifëruar mirë dhe me lagështi mesatare. Nëse toka është e thatë para se të përgatiten lehet duhet ujitur sipërfaqja 1-2 ditë para. Gjithashtu, masë e domosdoshme është edhe rulimi i leheve të përgatitura paraprakisht me anë të një ruli me një peshë mesatare rreth 200 kg me qëllim që të mënjanohen hapësirat e ajrit të cilat mbeten pas frezimit të sipërfaqes dhe pas përgatitjes së leheve. Në të kundërtën nuk do të kemi vendosje të drejtë të fletëve plastike për mulcirim dhe sistemit të  ujitjes, shpenzohen sasi të mëdha uji dhe do të kemi vështirësi në zënie dhe rritjen e bimës. Të gjitha këto do të reflektohen edhe në vitet vijuese.

Gjerësia e leheve duhet të jetë  80-90cm, në varësi edhe të gjerësisë së fletëve plastike që do të përdoren për mulcirim. Lehet ndërtohen 20-25 cm të larta dhe u jepet forma e harkut. Në  këtë mënyrë do të kemi ajrim më të mirë, punët gjatë kultivimit dhe vjeljes  do të jenë më të lehta si dhe do të mund të korrigjohen problemet që mund të krijohen nga punimet e cekëta. Distanca e rekomandueshme midis leheve është 60-80cm në mënyrë qe të ketë hapësirë të mjaftueshme për lëvizjen e punëtoreve mbi të gjitha dritëzimin e mirë të bimëve gjatë rritjes.

Vendosja e sistemit të ujitjes dhe e fletëve plastike për mulcirim

Pas ndërtimit të leheve duhet të bëhet vendosja e tubave të sistemit të ujitjes me pika. Numri i tubave që do të vendosen për ujitje  varet nga numri i rreshtave të bimëve. Zakonisht ne praktiken e deritashme kosovare vendosen një tub në mes të dy rreshtave, por do te ishte e rekomandueshme qe te vendosen po ashtu dy tuba, e sidomos në vende me pjerrësi të shprehur dhe në toka të lehta ku rreshtat e bimëve do të duhej të vendosen horizontalisht. Luleshtrydhja mund të mbillet edhe në leha me një rresht të vetëm.

Distancat midis pikave mund të jenë çdo 10 ose çdo 20 cm dhe nga çdo vrimë do të rrjedhë uji në formë të pikave (2-4 4L/h për cdo pikë në varësi nga presioni i ujit në tub). Është e rëndësishme që gjatë ujitjes tubat të jenë plotësisht të mbushur me ujë, sepse në të kundërt nuk do të kemi shpërndarje uniforme të ujit në të gjithë gjatësinë e tubit.

Vendosja e fletëve të polietilenit për mulcirim mund të behet me dorë, ose e mekanizuar siç është paraqitur në foto. Është e këshillueshme që vendosja e saj të bëhet ne mot të ngrohtë, sepse në këto rrethana polietileni do të zgjatet më mirë dhe gjatë ndryshimit të temperaturave do ta ruajë formën e kërkuar. Kërkohet që fleta e politelinet të jetë sa më shumë e tërhequr dhe pa deformime.

Në fushë të hapur rekomandohet gjithashtu përdorimi i tekstileve bujqësore për mbulimin e përkohshëm të bimëve. Vendosja e këtyre të fundit folje bëhet në fillim të vegjetacionit dhe ato mbahen mbi bimë deri në fillim të muajit maj. Gjithsesi, duhet patur kujdes që në ditë të nxehta të bëhet zhvendosja e tyre për të mos dëmtuar lulet e bimëve. Me anë të tyre, mund të përshpejtohet vjelja e frutave me të paktën 10 ditë.

Caktimi i distancave dhe hapja e vrimave

Ndërrimi i fidanëve te dredhëzës bëhet zakonisht në leha me rreshta.  Distanca midis rreshtave në lehë është 35 cm, kurse distanca midis bimëve në rresht 30 cm. Zakonisht, distanca midis leheve është 60- 80 cm, por kjo distance mund të ndryshojë në varësi nga kultivari, pjelloria e tokës dhe mikroklima. Si rregull, në tokat me pjellori të lartë (të cilat bëjnë që bimët të jenë më të bujshme) distancat e mbjelljes së bimëve janë gjithashtu më të mëdha. Varësisht se çfarë distancash do të përcaktohen është më rëndësi që të krijohet një lloji shablloni i cili mund të ndërtohet nga karton ose materiali plastik, në të cilin do të hapen 8-10 vrima apo më tepër  në formë “O” me diametër 10cm. Mandej duke e përshkuar shabllonin mbi fletën e polietilenit hapen vrimat mbi të në distancat e paracaktuara. Kjo do të mundësojë që të kemi një hapje të drejtë të vrimave për mbjelljen e dredhëzës.

Përgatitja e fidanëve për mbjellje

Fidanët e luleshtrydhes duhet të jenë të pastra nga viruset. Zakonisht fidanët e importuar ruhen në frigoriferë. Për këtë arsye, ata duhet që para mbjelljes të qëndrojnë për të paktën 24 orë në një vend të errët dhe të freskët, qe gradualisht të ambientohet me temperaturat e larta. Gjithsesi, nuk duhet lejuar qëndrimi i fidanëve jashtë frigoriferit, pa u mbjellë, për më shume se 3 ditë, për arsye se do të shpenzojë sasi të mëdha energjie dhe do të dobësohen aftësitë e tij për tu lidhur me tokën.

Fidanët në fjalë vijnë të paketuara pa gjethe ndërsa rrënjët i kanë të zhvilluara. Pas kalimit të kohës së përshkruar më lartë fillohet me përgatitjen e fidanit. Rrënjët e  fidanëve priten në gjatësi prej 8-9cm, dhe futen për 30 minuta në një tretësirë që shërben për dezinfektimin e sistemit rrënjor(previcur 15%, ose preparate të tjera të ngjashme). Ndërsa gjethet e dala eventualisht po ashtu priten për të zvogëluar transpirimin.

Fidanët e luleshtrydhes mund të jenë edhe tw gjelbër (në vegjetacion të plotë). Kwta tw fundit  zakonisht vijnë me dherishte të vetën (substrat steril) dhe zakonisht nuk kanë nevojë për ndërhyrje (prerje të rrënjëve, gjetheve).

Mbjellja

Luleshtrydhja mund të mbillet gjatë gjithë vitit. Megjithatë, më të këshillueshme janë; mbjellja pranverore në muajin Mars, mbjellja verore në Korrik-Gusht dhe ajo vjeshtore në muajin Shtator.

Më e mira për fidanë e ruajtur në frigoriferë është mbjellja në muajin Korrik, sepse në aspektin fiziologjik bima ka mundësi qe të përgatitet më mirë për vitin vijues. Megjithatë nuk përjashtohet nga mbjellja as muaji Gusht. Muaji Shtator rekomandohet për fidanët e gjelbra sepse e kanë sistemin rrënjor të mbështjellë më një sasi substrati dhe për këtë arsye e kanë më të lehtë lidhjen e tyre me tokën.

Mbjellja e fidanëve frigoriferik kryhet ashtu si tregohet në foto. Duhet të sigurohemi që para mbjelljes toka të ketë lagështi të mjaftueshme. Kjo realizohet lehtësisht nëpërmjet aktivizimit të sistemit të ujitjes me pika, një ose dy ditë para mbjelljes. Fidani futet në thellësi deri sa mbulohet  i tërë sistemi rrënjor. Nëse toka nuk është ngjeshur dhe ujitur sa duhet atë here fidani duhet të futet në thellësi më të madhe, për shkak se pas ujitjes mund të zhvishen rrënjët e bimëve për shkak të vetëngjeshjes së tokës.

Tek fidanët e gjelbra, meqenëse vinë të mbjellë në substrat steril duhet pasur kujdes që të mos dëmtohet forma e këtij substrati e që njëkohësisht sjell edhe dëmtimin e rrënjëve të porsaformuara. Po ashtu duhet patur kujdes, që të mos lihet hapësirë ajrore në vendin e mbjelljes. Kjo mund të evitohet më së miri me ujitje të menjëhershme në vendin e mbjelljes.

Shërbimet pas mbjelljes dhe gjatë kultivimit

Pas ndërrimit të fidanëve te luleshtrydhes duhet filluar me përkujdesjen ndaj fidanëve gjatë gjithë vegjetacionit e sidomos ne fillim ku për shkak te temperaturave te larta ne kohen e mbjelljes dhe gjendjes kritike te fidanëve kërkohet sasi e konsiderueshme ujit dhe plehërime të shpeshta plotësuese. Nga cilësia dhe intensiteti i shërbimeve menjëherë pas mbjelljes varet shumë suksesi i kultivimit dhe sigurimi i rendimenteve të larta.

Po ashtu, gjatë të gjithë jetës së saj luleshtrydhja kërkon kujdes të vazhdueshëm. Disa nga shërbimet më të rëndësishme gjatë vegjetacionit janë:

  • Ujitja
  • Plehërimet plotësuese
  • Largimi (këputja) e luleve pas mbjelljes së fidanëve
  • Largimi i stoloneve (lastunjave)
  • Luftimi i barërave të këqija
  • Pastrimi i kaçubave nga gjethet e vjetra dhe rrallimi i tyre
Ky material eshte pershtatje per botim ne faqen e ‘Keshilluesit Bujqesor’ te nje materiali te hartuar nga IADK, per prodhuesit e dredhezes ne Kosove