Çrregullimet fiziologjike të specit në fruta.

Agjentët që mund të shkaktojnë sëmundje dhe dëmtime në spec, mund të jenë me natyrë organike (biotike), ose inorganike (abiotike). Ndër agjentët biotikë përfshihen kërpudhat, bakteriet, viruset, insektet dhe nematodat, ndërsa ndër agjentët abiotikë mund të përmenden; nivelet ekstreme të temperaturës, lagështisë,  dritës, elementëve të ndryshëm ushqyes, pH, ndotëve të ajrit dhe pesticideve.

Për rritjen optimale të specit është e domosdoshme të sigurohen temperatura optimale të rritjes, përmbajtje e mjaftueshme e elementëve ushqyes dhe  ujit dhe të vendosen e ruhen raportet e dëshiruara midis faktorëve të ndryshëm. Mungesa, ose teprica e faktorëve të ndryshëm, apo raportet e pafavorshme midis tyre janë shkaktarë të çrregullimeve me natyrë  abiotike që janë të shumta në bimë. Më poshtë përshkruhen cregullimet më të shpeshta që ndeshen në frutat e specit.

Fruta të dështuar. Shpesh një numër i madh frutash rrëzohen brenda javës së parë të formimit të tyre. Kjo lidhet me “mos gatishmërinë” e bimës për te mbajtur frutat. Një mundësi është që bima është akoma shume vegjetative dhe ka nevoje te nxitet për tu bere me gjenerative duke rritur temperaturën mesatare 24 oreshe të ajrit. Një tjetër mundësi është që bima të jetë shumë gjenerative dhe i rrezon frutat e rinj pasi ka ngarkese shume te madhe. Ne këtë rast do të ishte e dobishme të ulej temperatura mesatare e ajrit me 1 apo 2 0C për t’i nxitur bimët drejte vegjetacionit.

Deformimet e frutit. Shumica e problemeve me formën e frutave kanë te beje me temperatura jo te favorshme gjate lulëzimit. Këto pengojnë polenizimin normal të luleve dhe i japin shkas formimit të frutave partenokarpikë. Zakonisht çrregullime të kësaj natyre shfaqen kur temperatura e ajrit bie nen 140C për periudha disa ditore. Frutat partenokarpikë manifestojnë gjithashtu peshë dhe përmasa më ta vogla, krahasuar me frutat normalë dhe ndërkohë kanë vlerë të ulët tregtare. Disa insekte, tripset në mënyrë të veçantë, shkaktojnë gjithashtu deformime te frutit. Këto ushqehen duke shpuar frutat kur ato janë ende shume te vegjël dhe për pasojë shkaktojnë deformimin e frutave për shkak të rritjes me shpejtësi më të vogël të frutit në atë pjesë ku ka ndodhur shpimi prej insekteve. Dëmtime të kësaj natyre janë më të dallueshme tek kultivarët me fruta të gjatë.

Fruta te deformuar.

 Çarja e frutave. Plasaritje te holla ne lëkure qe vijnë duke u trashur, formohen kur lageshtia relative ne sere shkon mbi 85%. Çarja e frutave ndodh si rezultat i presionit te larte të ujit në bimë, kur temperaturat e ajrit të natës janë te freskëta ndërsa temperaturat e substratit në zonën e rrënjëve janë te larta. Për të parandaluar këtë fenomen është e rëndësishme gjithashtu te mos ujitet në orët e vona të pasdites. Gjithsesi, shkaqet e çarjes së frutave janë të shumta dhe komplekse. Më gjerësisht ky fenomen është shpjeguar në artikullin që bën fjalë për carjen e frutave të domates.

Fruta te plasaritur.

Fruta qe arrijne madhesine por jo ngjyren normale. Fruta që arrijnë madhësinë, por jo ngjyrën normale të kultivarit. Kjo mendohet te jete e lidhur me temperaturat e ulta mesatare të ajrit gjate 24 orëve. Problemi mund te korrigjohet duke rritur temperaturën mesatare te 24 orëve.

Renia e parakoheshme e frutave. Frutat rrëzohen ndërkohë që arrijnë madhësinë e pjekjes por nuk kanë fituar ende ngjyrën karakteristike të kultivarit. Ky problem mendohet të shkaktohet nga mungesa e borit në substrat dhe prandaj mund të korrigjohet nëpërmjet trajtimeve specifike me kripëra të borit.

Fruta që mbeten të vegjël, ndonëse kanë fituar ngjyrën karakteristike të kultivarit.  Fenomeni shfaqet me praninë e një numri të madh frutash, të cilët mbeten me përmasa të vogla, ndonëse fitojnë ngjyrën karakteristike të kultivarit në pjekje. Këto janë simptoma karakteristike të faktit që bima është shumë gjenerative. Këto bimë drejtojnë pjesën më të madhe të asimilateve për krijimin dhe rritjen e frutave, ndërkohë që konsumojnë pak asimilate për krijimin e sipërfaqes së nevojshme gjethore. Bimë të tilla kane gjithashtu ndërnyje te shkurtra, gjethe të vogla dhe  rritje të vonuar. Ajo qe duhet bërë është te ulet temperatura e natës me 1 apo 2 0C ne mënyre qe bima te behet me vegjetative.

Kalbezimi i majes se frutit. Kalbëzimi i majës vjen si pasoje e mungesës se kalciumit, ose pakësimit të intensitetit të transferimit të tij drejt frutit. Dëmtimet mund të shfaqen kur intensiteti i transpirimit nga bimët është i ulet ose kur sasia e ujit në dispozicion të bimëve është e pamjaftueshme. Një fenomen i tillë mund të shkaktohet nga lëkundjet e lagështisë ne toke ( tokë e thate apo e mbingopur me ujë), doze e larte e plehrave azotike, dëmtime të rrënjëve gjate kultivimit, etj. Ne kushtet e një konduktiviteti te larte elektrik ne zonën e sistemit rrënjor të bimëve zvogëlohet sasia e ujit të absorbuar nga bimët dhe në këtë mënyrë rritet shkalla e dëmtimit të frutave. Mungesa e kalciumit në tokë e rrit shumë mundësinë e shfaqjes së problemit, por mundet që fenomeni i kalbëzimit të majës së frutave të shfaqet edhe nëse rezervat e kalciumit në zonën e sistemit rrënjor të bimëve të jenë mëse të mjaftueshme.  Fenomeni shfaqet ne maje ose ne anët e frutit. Ky çrregullim fillimisht shfaqet ne frut si një zone e lagur nga uji. Indet pranë majës se frutit çngjyrosen duke u bere si te kafejta. Njollat vijnë duke u zmadhuar dhe marrin ngjyre kafe ne te zeze, te thata dhe lëkurore. Indet e çngjyrosura tkurren derisa zona e prekur behet e rrafshet ose e lugët. Gjatësia e njollave varion nga 0.5 cm deri ne 8 cm. Frutat e prekura nga kalbëzimi i majës zakonisht piqen para kohe. Është e zakonshme qe  mbi këto fruta si dhe brenda tyre te rriten kërpudha, por sidoqoftë nuk janë ato shkaktaret fillestare te problemit.

Kalbezimi i majes se frutave ne spec.

Në rastet e shfaqjes së kalbëzimit të majës së frutave, fillimisht duhet të sigurohemi për mjaftushmërinë e kalciumit në tokë dhe më pas të vlerësohet edhe niveli i pranisë së disa elementëve të tjerë, si psh magnezi, të cilët në doza të larta nuk lejojnë absorbimin e kalciumit nga bimët, për shkak të antagonizmit që ekziston midis tyre. Fenomeni i kalbëzimit të majës së frutave mund të parandalohet nëse arrihet që në serë të mbahet një mjedis aktiv që u lejon bimëve të transpirojnë me intensitet të lartë. Ndër masat për parandalimin apo kufizimin e dëmtimeve mund te përmenden; furnizimi uniform i tokës me ujë si dhe shmangia e përdorimit te dozave te larta të plehrave azotike. Nëse dëmtimet vazhdojnë rekomandohet të aplikohen trajtime gjethore me kripëra të kalciumit me doze 400 ppm. Në rastet e përdorimit të plehrave organik, ata duhet te përmbyset ne vjeshte (sa me herët qe te jete e mundur) për të lejuar dekompozimin e plotë të masës organike përpara mbjelljes së bimëve.

Djegia nga dielli. Ndodh gjate muajve te verës kur bimët ekspozohen direkt ne rrezet e forta te diellit.  Simptomat e djegies nga dielli janë te ngjashme me ato te kalbëzimit te majës dhe manifestohen me me një zone nekrotike ose të zbardhur mbi frut, ne anën e ekspozuar ndaj diellit, zakonisht atij te pasdites.

Djegia e frutave nga dielli.

 

Dëmtimi është pasojë e kombinimit të temperaturave të larta me intensitetin e lartë të ndriçimit. Dëmtimi është i shpejtë, mjafton një ekspozim prej 10 minutash, kur temperatura e indeve arrin në 50 0C, por dëmtimet shfaqen që në temperaturën 38-40 0C, nëse koha e ekspozimit  arrin 12 orë. Dëmtimi i indeve shkaktohet nga veprimi i kombinuar i efektit direkt të temperaturës së lartë dhe të radikaleve të lira që krijohen nga veprimi i dritës mbi klorofilën e frutit në kushtet e temperaturave të larta.  Djegia diellore kërkon domosdoshmërisht praninë e klorofilës në indet e frutave dhe të dritës. Nxehja e frutave në errësirë shkakton squlljen e tyre, por pa çngjyrosje të indeve që është karakteristike e djegies diellore. Dëmtimet nga djegia diellore shfaqen në fazën kur frutat kanë arritur pjekjen tregtare (frutat janë rritur plotësisht, por kanë ende ngjyrë të gjelbër), në momentin e shndërrimit të ngjyrës nga e gjelbër në të kuqe. Frutat që nuk kanë arritur fazën e pjekjes tregtare, apo kanë arritur pjekjen botanike (kanë fituar ngjyrën e kuqe) janë më pak të ndjeshëm ndaj djegies diellore.

Për parandalimin e djegies diellore kujdes i duhet kushtuar sigurimit të një mbulese të vazhdueshme gjethore për te hijezuar frutat. Frutat duhen te mbahen nen hijen e gjetheve apo te rrjetave artificiale. Ndërkohë, seleksionerët punojnë për krijimin e kultivarëve që janë më pak të predispozuar karshi dëmtimeve nga djegia diellore dhe që formojnë një masë më të madhe gjethore. Këto masa janë më të rëndësishme për kultivarët me fruta të mëdhenj, por për fat të keq ato shoqërohen me rritje të shkallës së rrëzimit të frutave nga streset e ndryshme.

Një tjetër mundësi për të zvogëluar dëmtimet nga djegia diellore është krijimi i kultivarëve që në pjekjen tregtare kanë ngjyrë të verdhë dhe jo të gjelbër. Fruta të tillë nxehen më pak dhe ndërkohë prania e lartë e koretonoideve tek ata i bën më të qëndrueshëm  karshi dëmtimeve nga foto-oksidimi.