Parimet kryesore të kultivimit te specit në serra.

Ndërsa në rastin e kultivimit të domates, rritja vegjetative dhe frutifikimi janë në korelacion të zhdrejtë me njëri tjetrin dhe për pasojë, për të patur frutifikim normal duhet mbajtur nën kontroll të rreptë rritja vegjetetave e bimëve, për specin rritja vegjetative e bimëve është në korelacion të drejtë me frutifikimin e bimëve. Specit duhet ti sigurohet një rritje e fuqishme vegjetative, për të siguruar prodhim të hershëm dhe të bollshëm frutash. Prodhimi i specit në sera kërkon sasi relativisht të larta elementësh ushqyes dhe energjie.

Përgatitja e tokës. Speci kërkon toka të punuara dhe përgatitura mirë. Për këtë arsye punimet e thella përpara mbjelljes janë domosdoshmëri. Këto të fundit duhet të shoqërohen me një, ose më shumë punime sipërfaqësore, deri në formimin e një shtrati të mirë rrënjor. Speci mund të mbillet në sipërfaqe të sheshta, ose në vllaja të ngritura. Vllajat e ngritura shfrytëzohen në disa raste për të mundësuar ujitjen me brazda dhe në raste të tjera për të siguruar kullim të mirë të tokës. Specat e kultivuar në vllaja preken më pak nga vrugu i kërcellit dhe sëmundje të tjera, shkaktarët e të cilave jetojnë në tokë.  Një alternativë e mirë për kultivimin e specit është mbjellja e bimëve me lenta në vllaja të ngritura.

Fara dhe përgatitja e farave për mbjellje. Farat e porsavjela të specit mund të shfaqin fenomene të qetësisë. Për të shmangur këtë është e nevojshme që për një periudhë rreth 6 javore farat të ruhen në temperaturën e dhomës.

Speci karakterizohet nga një periudhë e zgjatur mbirjeje dhe një temperaturë optimale për mbirjen relativisht e lartë, rreth 30 0C. Intensiteti i mbirjes ulet në mënyrë të konsiderueshme kur temperaturat zbresin në 15-20 0C. Përshpejtimi i procesit të mbirjes, sidomos në  kushtet e temperaturave relativisht të ulta është me rëndësi të veçantë për bimët e kultivuara në sera.

Mbjellja. Speci mund të mbillet me farë direkt në tokë, me fidanë me rrënjë të zhveshura, ose me fidanë të prodhuara në module. Secila nga metodat ka avantazhet dhe problemet e veta, por aktualisht përdorimi masiv i farërave hibride me kosto 10-20 herë më të lartë se ai i farave të prodhuara me kryqëzim të lirë, e ka bërë prodhimin nëpërmjet fidanëve të prodhuar në mënyrë industriale mënyrën pothuajse të vetme të mbjelljes së specit.

Prodhimi i fidanëve me kubikë (në kaseta)  është alternativa më e mirë për mbjelljen e specit në mjedise të mbrojtura. Avantazhi kryesor i kësaj mënyre prodhimi është uniformiteti i bimëve të mbjella në vendin e përhershëm ashtu dhe eleminimi i krizës së zënies. Në momentin e trapiantimit (mbjelljes në vendin e përhershëm) fidanët duhet të jenë  rreth 6 javë dhe duhet të peshojnë rreth 40 gr. Kalitja e bimëve për rreth një javë para trapiantimit mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim.

 

Plehërimi. Speci kërkon sasi të konsiderueshme të makro dhe mikroelementëve. Kërkesat e tij janë të larta në mënyrë të veçantë për azot  dhe potas, ndërkohë që janë modeste për fosfor. Sasitë respektive të elementëve kryesorë ushqyes të shprehura në kg për çdo ton prodhim paraqiten në grafikun që paraqet sasinë e elementëve ushqyes që thithet nga bimët për çdo ton prodhim. Megjithëse, ashtu siç shihet nga grafiku, kërkesat e specit për azot janë të mëdha, dozat e larta të tij mund të çojnë në formimin e bimëve shumë të bujshme dhe me fare pak fruta të hershëm. Në periudha me lagështi të madhe, dozat e larta të azotit vonojnë pjekjen e frutave  dhe rrisin mjaft shkallën e prekjes së tyre nga sëmundjet.

Sasia e elementeve ushqyes per cdo ton prodhim.

Përdorimi i azotit përpara mbjelljes favorizon rritje më të shpejtë të  fidanëve dhe degëzimin e shpejtë të tyre, pas formimit të frutit të parë. Gjendja e azotit dhe e elementëve të tjerë ushqyes në tokë dhe në gjethet e bimëve duhet të përdoren për të monitoruar statusin e azotit në tokë dhe bimë dhe përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme për të korrigjuar atë. Plehërimi i specit është i diferencuar në plehërim bazë dhe plehërim plotësues.

Plehërimi bazë. Në plehërimin bazë hidhet  pothuajse e gjithë sasia e kërkuar e fosforit, kalciumit, magnezit dhe mikroelementëve, si edhe, në varësi të pjellorisë së tokës, 20-40% e sasisë së kërkuar të azotit dhe potasit. Plehrat për plehërimin bazë shpërndahen në të gjithë sipërfaqen përpara punimit bazë, dhe punimeve përgatitore të tokës, ose të lokalizuar përgjatë rreshtave të bimëve. Sasia e elementëve ushqyes që përdoren në plehërimin bazë është në varësi të pjellorisë së tokës. Në mënyrë orientuese dozat e plehrave në plehërimin bazë të shprehura në kg lëndë aktive të elementëve bazë paraqiten në tabelën 1.

Tabela 1. Dozat orientuese të plehërimit bazë të specit.

Elemente ushqyes (kg lëndë aktive/1000m2)
Niveli i pjellorisë së tokës N P K Mg
E ulët 22 25 39 12
E moderuar 17 15 31 8
Normale 12 5 22 5
Sh.lartë 7 0 13 2

 

Plehërimet plotësuese. Misioni i plehërimeve plotësuese është të krijojnë dhe ruajnë raportet e dëshiruara midis rritjes vegjetative dhe frutifikimit të bimëve, për të siguruar maksimumin e prodhimit nga bimët dhe cilësi të lartë të tij. Dozat e plehrave në plehërimet plotësuese janë të kushtëzuara nga; niveli i pjellorisë së tokës, përmbajtja e ujit në tokë dhe faza fenologjike e zhvillimit të bimëve. Pa dyshim që ritmet ditore të asimilimit të elementëve kryesorë ushqyes, të paraqitur në grafikun përkatës, janë ndër treguesit kryesorë që merren parasysh në përcaktimin e dozave ditore të plehërimeve plotësuese.

Ritmet ditore te asimilimit te N,P,K nga speci.

Në mënyrë të përmbledhur dozat orientuese të plehërimeve plotësuese të specit, në varësi të fazave fenologjike të zhvillimit të bimëve paraqiten në tabelën 2.

Tabela 2. Dozat orientuese të plehërimit plotësues të specit në sera.

Faza fenologjike Raporti i elementeveN:P:K  gr lëndë aktive/dyn
N P2O5 K2O
Lidhja e bimëve me tokën – formimi i frutit të parë 1:1:1 50-100 50-100 50-120
Lidhja e frutit të parë – vjelja e parë 2:1:3 100-400 60-250 150-480
Vjelja e parë – vjelja e fundit 2:1:3 250-500 200-250 250-600

 

Dendësia e mbjelljes dhe krasitja e bimëve. Bimët në serë mbillen në dendësi 2.5 deri në 3.5 bimë/m2. Speci kërkon më shumë hapësirë se sa domatja. Mbillet në rreshta 1-1.2 m larg njëri tjetrit, ndërsa bimët në rresht vendosen 40-60 cm larg njëra tjetrës. Mbjellja në dendësi më të larta mund të sigurojë rendiment më të lartë, por ndërkohë bimët janë më të gjata, frutat janë me përmasa më të vogla dhe kërkohet më shumë punë e gjallë për shërbimet në bimë.

Bimët e reja të specit, normalisht degëzohen në dy ose tre kërcej. Degëzimi i parë shfaqet pas 5 deri në 8 gjethesh. Për shkak të thyeshmërisë së lartë, kërcejtë e specit mbështeten në spango të lidhura në tel. Degëzimi i parë shfaqet pas rreth 4 javësh nga koha e mbjelljes. Mungesa e krasitjeve të rregullta çon në humbje të konsiderueshme të prodhimit dhe në reduktimi të intensitetit të rritjes së bimëve. Mënyra më e përhapur e kultivimit është ajo me dy kërcej, por bimët mund të kultivohen edhe me 3, ose 4 kërcej. Element shumë i rëndësishëm i kultivimit të specit është ekuilibrimi i majave të tij të rritjes. Kjo është më e vështirë në rastet e kultivimit me tre dhe katër degë, krahasuar me kultivimin me dy degë. Në raste të tilla frenohet rritja e degëve më të rritura nëpërmjet pincimit të majave të tyre.

Në mënyrë ideale speci duhet të prodhojë një frut për çdo 2 gjethe. Zhvillimi i frutave mund të lejohet edhe në degëzat anësore, pasi ato të kenë formuar 4 gjethe. Degëzat anësore zakonisht largohen sa më shpejt që të jetë e mundur, për të lejuar depërtimin e plotë të dritës dhe formimin e luleve dhe frutave më të mëdha. Në bimë mund të lihen më shumë gjethe nëse ekziston rreziku i  dëmtimeve nga djegia diellore.

Në krasitjen e specit shfrytëzohet natyra dikotomike e degëzimit të tij. Pas degëzimit të parë, ku përcaktohet edhe nëse bima do të kultivohet me dy apo tre degë kryesore, në degëzimet që vijojnë lihet të zhvillohet fruti i formuar në degëzim dhe njëra nga degëzat. Degëza tjetër hiqet pasi është bërë lehtësisht e dallueshme. E njëjta procedurë vijon edhe në degëzat që pasojnë deri sa bima arrin lartësinë 1.2-1.5 m. Mbi këtë lartësi, në varësi të vitalitetit të bimës, mundet që pasi njëra nga degëzat të lejohet të rritet, tjetrës ti pincohet maja, një gjethe pas formimit të frutit të saj. Në rast të tillë, bimës i merret një frut në degëzimin e degës kryesore dhe një frut tjetër në degëzën e shkurtuar.

Skeme e menyres se krasitje se specit ne serra.

Në rast të kultivimit me katër degë kryesore (këtë teknikë mund ta aplikojnë vetëm kultivues me shumë eksperiencë), në degëzimin e para bimëve u lihen dy degë dhe këtyre të fundit u lihen të zhvillohen që të dyja degëzat e degëzimit pasues. Krasitjet e mëvonshme vazhdojnë në të njëjtën mënyrë me atë të përshkruar më lart.

Në rastet kur speci kultivohet i krasitur në këtë mënyrë, secila nga degët kryesore, lidhet individualisht me spango në sistemin mbështetës të serës. Ekziston, ndërkohë, një mënyrë tjetër e kultivimit të specit në sera, e njohur si “modeli spanjoll’ i kultivimit. Sipas këtij modeli, ndërhyrjet në krasitjen e bimëve janë shumë të kufizuara. Ato konsistojnë vetëm në rrallimin e degëzave shumë të dendura, ndërkohë që mbështetja e bimëve realizohet nëpërmjet spangove, ose telave të shtrirë në të dy anët e bimëve, për gjatë të gjithë gjatësisë së rreshtit.

Në cilëndo nga mënyrat e krasitjes, është e rëndësishme që në mbjelljet e hershme të hiqet lulja e parë e bimës. Nqs kjo nuk bëhet, reduktohet ndjeshëm rritja e bimëve, për shkak të konkurrencës së ashpër që u bën fruti i dalë në degëzimin e parë, kërcejve të bimës. Si rezultat i kësaj konkurrence shpesh vërehen fruta të zhvilluar keq.

Rrallimi i frutave. Rrallimi i frutave është operacion që përdoret për të korrigjuar ekuilibrin midis rritjes vegjetative dhe frutifikimit të bimëve, ose për të shmangur me kohë fruta që nuk premtojnë zhvillim normal të tyre.  Intensiteti dhe masa  e rrallimit të frutave në fazat e para të jetës së bimës është e lidhur me intensitetin e ndriçimit. Për këtë arsye në mbjelljet e hershme largohet fruti i formuar në degëzimin e parë dhe nëse është e nevojshme edhe 2-3 fruta të formuar më lart. Rrallimet e mëvonshme tentojnë në largimin e frutave të deformuar, ose në zvogëlimin e ngarkesës së bimëve me fruta. Rrallimi i frutave në çdo rast duhet të bëhet në kohën kur ata sapo janë formuar.