Prodhimi i pjeprit në serra.

prodh pjeprit3

Prodhimi në serra është shndërruar në një nga mënyrat kryesore të kryesore të prodhimit të pjeprit. Nëpërmjet kultivimit në serra mundësohet prodhimi jashtë sezonit, si herët në pranverë, ashtu edhe vonë në vjeshtë. Prodhimi i pjeprit në serra realizohet nëpërmjet etapave që përshkruhen në vijim.

Kultivarët. Kultivarët më të rëndësishëm që mbillen në sera, i takojnë dy grupeve kryesore; Kantaluopo dhe Galia.

Kantaluopot karakterizohen nga fruta me pamje te lëmuar, por brazda të dallueshme, me peshe 0.8-1.2 kg dhe me përmbajtje të lartë sheqeri. Ngjyra e tulit të tyre është karakteristike e verdhë.

Grupi i kultivarëve ‘galia’ karakterizohet nga fruta të rrumbullakët, shumë të rrjetëzuar, pa brazda të dallueshme, me peshë1-1.4 kg. Ata kanë përmbajtje të lartë sheqeri, tul me ngjyrë karakteristike të gjelbër dhe me intensitet të lartë të aromave.

Një grupim tjetër i rëndësishëm i kultivarëve të pjeprave, ndonëse më pak i përhapur në kultivim në sera, është ai i “ananasëve”. Ky grupim karakterizohet nga fruta me përmasa relativisht më të mëdha,1.2-1.5 kg, forma ovale e frutit dhe tuli i bardhë,  i ëmbël dhe aromatik.

Shtrati ku mbillen bimët ngrihet lehtësisht, për të lejuar krijimin e vllajave. Përgatitja e tokës në këtë mënyrë është shumë e rëndësishëm në mbjelljet e hershme, tokat e rënda, të ftohta dhe me ujëra nëntokësore të cekta, si edhe në tokat e rënda. Pas kësaj përgjatë vllajave shtrihen tubat e ujitjes dhe më pas toka e përgatitur në këtë mënyrë mbulohet me fletë plastike për të minimizuar evapotranspirimin dhe për të parandaluar ngritjen e kripërave në sipërfaqe.

Mbjellja e fidanëv bëhet rrafsh, ose pak mbi sipërfaqen e tokës. Mbjellje të thella do ta vendosnin sistemin rrënjor të bimëve në shtresa ku temperatura e tokës është më e ulët dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohej intensiteti i rritjes së sistemit rrënjor të bimëve dhe rriteshin mundësitë e prekjes së tij nga sëmundjet kërpudhore të tokës. Menjëherë pas mbjelljes bëhet ujitja e bimëve, për të realizuar lidhjen e shpejtë dhe uniforme të tyre me tokën.

Metodat e mbjelljes dhe të trapiantimit. Pjepri në serë mbillet kryesisht me fidanë. Mbjellja me farë është pak e përhapur. Kërkesë specifike e prodhimit të fidanëve të tij është vëllimi relativisht i madh i moduleve ku prodhohen fidanët. Në varësi nga përmasat e moduleve për prodhimin e fidanëve, mosha e këtyre të fundit, varion nga 25-40 ditë. Në përputhje me moshën e tyre, në momentin e mbjelljes, fidanët e pjeprit duhet të kenë 2-5 gjethe të vërteta. Në praktikën e prodhimit të pjeprit në sera është gjithashtu i njohur prodhimi i fidanëve të shartuar të pjeprit, por gjithsesi shfrytëzimi i tyre është ende i kufizuar.

 

Distancat e mbjelljes së bimëve. Dendësia e mbjelljes  së bimëve kushtëzohet nga sezoni i kultivimit (intensiteti i ndriçimit është i ndryshëm në sezone të ndryshme kultivimi) dhe tipi i kultivarit. Për pjeprin, dendësia e mbjelljes varion nga 1.2 në 2.5 bimë/m2, në varësi nga sezoni i kultivimit dhe teknika e krasitjes (me një apo dy degë). Nëse bima kultivohet me dy degë, dendësia e mbjelljes së bimëve preferohet të jetë 2.4 – 3 kërcej/m2.

Për të njëjtin kultivar duhet të aplikohen dendësitë minimale të mbjelljes, në sezone ku intensiteti i ndriçimit është i ulët dhe dita e shkurtër dhe dendësitë maksimale në sezonet me intensitet të lartë ndricimi. Dendësia e mbjelljes së bimëve influencon në mënyrë direkte mbi madhësinë e frutave të pjeprit. Rritja e dendësisë së mbjelljes, shoqërohet me zvogëlim të përmasave të frutit.

Afatet e mbjelljes dhe të trapiantimit. Pjepri mund të mbillet gjatë të gjithë vitit. Afatet e mbjelljes janë të kushtëzuara nga kushtet klimatike të zonës dhe tipi i  serës (mundësitë që ofron sera për kontrollin e mikroklimës brenda saj). Në serat e thjeshta diellore, është më i zakonshëm kultivimi në pranverë dhe në verë-vjeshtë.

Ujitja. Cilësia e ujit për ujitje kushtëzohet nga pH dhe përqendrimi i kripërave në të. Korrigjimi i pH të ujit mund të bëhet nëpërmjet përdorimit të plehrave që provokojnë ndryshimin e reaksionit në tretësirë ujore, ose nëpërmjet të shtimit në ujin për ujitje të acideve, nitrik, ose fosforik. Nuk këshillohet të ujitet me ujë në të cilin përqendrimi i kripërave i kapërcen 2 mS. Në rast se është e pamundur të sigurohet ujë i përshtatshëm, aplikohen nëpërmjet ujitjes me pika doza më të larta uji të cilat mundësojnë shpëlarjen e tepricave të kripërave në zonën përreth sistemit rrënjor të bimëve.

Kërkesat e pjeprit për ujë ndryshojnë në varësi nga stina, moti dhe faza e zhvillimit të bimëve. Për ujitjen e tij rekomandohet të zbatohet skema e mëposhtme;

  • Përpara mbjelljes bëhet një ujitje e bollshme e tokës deri në thellësinë 80 cm,
  • Nga mbjellja deri në formimin e frutave – sasi të vogla uji, 40% ETP,
  • Nga formimi i frutave deri në fillim të rrjetëzimit të tyre – doza uji sa 70-80% ETP,
  • Rrjetëzim i frutave deri në pjekje të tyre – doza uji sa 50% ETP.

Gjithsesi, ujitjet duhet të bëhen në ditët me intensitetin më të lartë të transpirimit, ndërkohë që dozat e ujitjeve duhet të jenë të tilla që të mos çojnë në mbingopjen e tokës me ujë. Në të kundërt si pasojë e mungesës së oksigjenit në substrat do të kufizohet rritja e sistemit rrënjor të bimëve, apo edhe asfiksimi i plotë i tyre.

Plehërimi. Kërkesat e pjeprit për lëndë minerale janë të mëdha. Ai kërkon sasi të mëdha të elementëve mineralë; N, P, K, në forma lehtësisht të përvetueshme.  Në kushtet e mungesës së elementëve ushqyes, në bimë shfaqen simptoma specifike, përfshirë kloroza të gjetheve, ndërprerje të rritjes, deformime të frutave, etj.

Pjepri kërkon toka me përmbajtje të lartë të lëndës organike. Lënda organike, e pranishme në tokë, i jep mundësi sistemit rrënjor të bimëve të absorbojë elementët ushqyes në tokë, parandalon mungesën e mikroelementëve dhe shërben si stabilizues i përmbajtjes së kripërave në tokë. Për këtë arsye plehërohet   bollshëm me plehra organike të shpërndara në të gjithë sipërfaqen, ose të lokalizuara në gropa, ose brazda. Plehrat duhet të jenë të kalbura mirë në mënyrë që të mos shkaktojnë dëmtime në bimë, pasoja këto të sasive të larta të amoniakut që çlirohet gjatë dekompozimit të lëndës organike. Sasia e plehrave kimike që do të përdoren në plehërimin bazë dhe në ato plotësuese, caktohen duke u mbështetur në përfundimet e analizave agrokimike të tokës, rendimentet e planifikuara dhe koeficientët e tërheqjes nga bima të elementëve ushqyes nga toka dhe plehrat.

Plehërimet plotësuese nga ana e tyre kanë për qëllim të krijojnë dhe ruajnë raporte harmonike të rritjes vegjetative me frutifikimin e bimëve. Për këtë arsye ato duhet të bëhen të kujdesshme, duke mbajtur gjithnjë në konsideratë pjellorinë e tokës nga njëra anë dhe gjendjen konkrete të bimëve dhe fazat fenologjike të zhvillimit të tyre nga ana tjetër.

Si doza orientuese të plehërimit të pjeprit mund të përdoren rekomandimet e paraqitura në tabelën që vijon.

Tabela 1. Dozat orientuese të plehërimit plotësues të pjeprit në sera.

 Faza fenologjike e zhvillimit Doza ditore kg l.a /dyn
N P K
Mbjellje-formimi i 6 gjetheve të para 0.20 0.20 0.20
Deri në fillimin e formimit të frutave 0.30 0.20 0.45
Deri në arritjen e madhësisë përfundimtare të frutave 0.45 0.20 0.60
Nga fillimi i pjekjes deri në fund të vjeljeve 0.20 0.08 0.35

Krasitja. Krasitjet janë ndër shërbimet më të rëndësishme për pjeprin në sera. Qëllimi i tyre është të rregullojë raportet midis rritjes vegjetative dhe gjenerative të bimëve. Mënyrat e krasitjes ndryshojnë në varësi nga tipi i kultivarit.

Për kultivarët andromonoikë, fillimisht bëhet këputja e majës së bimëve pas formimit të dy gjetheve të para të vërteta. Kjo gjë mund të realizohet që në farishte. Në varësi nga distancat e projektuara të mbjelljes, lihen të zhvillohen një ose dy nga degët më të fuqishme të rendit të parë. Mbi këto të fundit, mbi lartësinë 50 cm, lihen të zhvillohen degët frutore të rendit të dytë, majat e të cilave pincohen pasi kanë formuar dy gjethe të tjera, pas formimit të frutit. Ndërkohë, në varësi të vegjetacionit të bimëve, degët jo prodhuese të rendit të dytë, pincohen, ose rrallohen plotësisht.

Në kultivarët monoikë, frutat formohen që në degëzat e rendit të parë. Për këtë arsye, nuk është e nevojshëm këputja e majës së kërcellit kryesor. Krasitja e mëtejshme vazhdon si në rastin e kultivarëve andromonoikë, duke pincuar majat e degëve të rendit të parë, dy gjethe, pas formimit të frutit. Në çdo rast, këputja e majës së degëve të rendit të dytë bëhet pasi bëhet i dallueshëm fruti i formuar. Është i këshillueshëm largimi i njërit, nëse në të njëjtën degëz janë formuar dy fruta pranë njëri tjetrit. Edhe në këtë rast eleminohen frutat e formuara deri në lartësinë 50 cm.

Këto mënyra krasitjeje mundësojnë një shpërndarje më uniforme të frutave në lartësi të bimëve. Gjithsesi, tek pjepri është karakteristike formimi me kate i frutave. Pas formimit të 2-4 frutave në bazën e bimës, ndodh rrëzimi natyral i disa frutave në segmentin që pason, për të vijuar me 2-4 fruta të tjerë në lartësinë e telit ku mbështeten bimët.

Në bimët me vegjetacion të madh, degët e dyta në të cilat nuk ka fruta të formuara, hiqen plotësisht, por këto të fundit mund të lihen në bimë me vegjetacion të rrallë për të përmirësuar sipërfaqen gjethore të bimëve dhe në këtë mënyrë rriten mundësitë për të realizuar rendimente më të larta. Gjatë procesit të krasitjeve, gjethet e bazës së bimëve hiqen kur ato fillojnë të zverdhen, ose rrallohen kur pengojnë shpërndarjen uniforme të dritës në bimë, ajrimin, apo vështirësojnë shërbimet që kryhen në bimë.