Prodhimi i fidanëve të shartuar në shalqi.

Prodhimi i shalqinit në tunele të përkohshme realizohet nëpërmjet përgatitjes paraprake të fidanëve.  Kjo është mënyra më e mirë për të rritur rendimentin e bimëve dhe në mënyrë të veçantë sasinë e frutave të hershëm të tregtueshëm. Në varësi nga mënyra e prodhimit të tyre fidanët mund të klasifikohen si të zakonshëm dhe të shartuar. Prodhimi i fidanëve të zakonshëm është i njëjtë me atë të kastravecit dhe të pjeprit dhe mund të realizohet për një periudhë 25-30 ditore.

Prodhimi i fidanëve të shartuar ka filluar që nga fundi i viteve 20 të  shekullit të kaluar. Të parët kanë qenë japonezët dhe koreanët të cilët kanë shartuar shalqinin mbi kungull. I përdorur gjerësisht  në shumë vende botës, shartimi është sot alternativa  më e mirë për zgjidhjen e shumë problemeve. Nëpërmjet tij sigurohen një seri avantazhesh, që në tërësinë e tyre rezultojnë në rendimente më të larta, prodhime më të hershme dhe cilësi më të mirë të frutave. Në mënyrë më të detajuar avantazhet e shartimit mund të përshkruhen si vijon;

  • Vitalitet i lartë i bimëve të shartuara dhe për pasojë fruta më të mëdhenj dhe rendiment më i lartë.
  • Mundësi për të shfrytëzuar toka të  paqarkulluara, të infektuara, me kripëzim të lartë, të ftohta dhe të  rënda.
  • Garanci për mbrojtjen e bimëve të shartuara  nga sëmundje të rrezikshme (fusarioza, verticillioza), shkaktarët e të cilave (kryesisht kërpudha) jetojnë në tokë.
  • Efektivitet i larte i shfrytëzimit të pjellorisë natyrore të tokës dhe të plehrave kimike në veçanti.

 

Teknikat e shartimit.

Teknikat e shartimit janë të ndryshme. Më të rëndësishmet në rastin e shartimit janë; shartimi me afrim, shartim me shpim në majë dhe shartimi me prerje tërthore në majë. Në rastin e parë nënshartesa dhe mbishartesa bashkohen me njëra tjetrën dhe bashkëjetojnë për disa ditë, por duke vazhduar të furnizohen me ujë dhe elementë ushqyes, kryesisht nga sistemi i tyre rrënjor. Shkëputja e mbishartesës nga sistemi i saj rrënjor bëhet vetëm pas formimit të plotë të kallusit në pikën e kontaktit me nënshartesën. Kjo praktikë jep më shumë siguri në suksesin e shartimit, kur kushtet e realizimit të tij nuk janë shumë të favorshme dhe për këtë arsye përdoret kryesisht nga prodhuesit e vegjël  dhe amatorët.

Shartimi me afrim.

Në rastet e shartimit në majë, shkëputja e mbishartesës nga sistemi i saj rrënjor bëhet që në momentin e shartimit. Për të arritur suksesin e shartimit kërkohen kushte më të mira për shartimin dhe shumë më tepër njohuri dhe eksperiencë, por cilësia e fidanëve të prodhuar është më e mirë.

Shartimi me shpim ne maje.

 

Shartimi me prerje ne maje.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shartimi duhet të kryhet shpejt dhe duke përdorur për këtë qëllim vegla pune të përshtatshme dhe të mprehta. Prerjet gjatë shartimit duhet të jenë  në kënde të tilla që të mundësojnë sipërfaqe sa më të madhe kontakti midis dy elementëve të shartimit dhe për pasojë më shumë mundësi për bashkimin e shpejtë të gypave përçues të nënshartesës me ato të mbishartesës. Ndërkohë, bashkimi i pjesëve të prera duhet të jetë i menjëhershëm për të mos lejuar tharjen e tyre.

Pavarësisht nga teknika e shartimit, prodhimi i fidanëve të shartuar kalon në të njëjtat etapa; përgatitja e nënshartesës, përgatitja e mbishartesës, kallusimi e aklimatizimi dhe së fundi, mbjellja në vendin e përhershëm.

Kallusimi realizohet në mjedise të hijezuara, në prani të temperaturës (rreth 300C) dhe të lagështisë së lartë relative të ajrit (95-100 %). Intensiteti i ndriçimit të mjedisit, gjatë periudhës së kallusimit mbahet në nivelin 3 deri në 5 klx. Gjithsesi, ai rritet gradualisht dhe rregullohet në varësi nga kushtet atmosferike dhe gjendja e bimëve. Paralelisht me rritjen e intensitetit të ndriçimit në mjedis, zvogëlohen vlerat e lagështisë relative të tij. Në kushte normale, pak ditë pas shartimit, procesi i kallusimit ka përfunduar dhe dy komponentët e shartimit sillen si një organizëm i vetëm. Pas kësaj ata zhvendosen në ambiente që plotësojnë kërkesat normale të bimëve për mikroklimë dhe mbahen aty për aq kohë sa bëhen të gatshme të shkojnë në vendin e përhershëm.

Përputhshmëria në shartim. Vlerësohet mbi bazën e përqindjes së zënieve të fidanëve të shartuar dhe të vitalitetit të bimëve të shartuara pas mbjellje në vendin e përhershëm, si gjatë rritjes vegjetative, ashtu edhe gjatë etapave të para të frutifikimit.

Teknika e shartimit dhe përkujdesjet gjatë fazës së përgatitjes së fidanëve për shartim influencojnë në një masë të madhe në aftësinë e komponentëve (nënshartesës dhe mbishartesës) për shartim dhe suksesin e të gjithë procesit. Për këtë qëllim;

  • Si nënshartesat dhe mbishartesat, në 2-3 ditët e fundit përpara shartimit ekspozohen në ndriçim të plotë diellor.
  • Zvogëlohen dozat e ujit që përdoren për ujitjen si të nënshartesës dhe mbishartesës, dhe
  • Përzgjidhen individët më të përshtatshëm për shartim.

 

Nënshartesat. Si nënshartesa në prodhimin e fidanëve të shalqinit shfrytëzohet një numër i madh kultivarësh komercialë të cilat në shumicën e rasteve rrjedhin nga dy specie bazë; cucurbita dhe lagenaria. Nuk përjashtohet shfrytëzimi i kultivarëve hibridë të nënshartesave, që në ndonjë rast janë rrjedhojë edhe e kryqëzimeve midis specieve të ndryshme.