Shkaktarët e bllokimit dhe mirëmbajtja e sistemeve të ujitjes me pika.

Kriter esencial i shfrytëzimit të sistemeve të ujitjes me pika është uniformiteti i shpërndarjes së ujit në të gjithë gjatësinë e linjës së ujitjes. Në të kundërt, diferencat në sasinë e ujit dhe si rrjedhojë edhe të plehrave që do të përfitojnë bimë të ndryshme do të çojnë në rritje dhe zhvillim të pabarabartë të tyre. Për të siguruar këtë uniformitet është i rëndësishëm përcaktimi i drejtë i gjatësisë maksimale të linjës së ujitjes, në përputhje me diametrin e tubit të ujitjes, presionin e ujit në tub, prurjen e ujit dhe largësinë midis pikuesve (lotuesve) në tub. Pavarësisht kësaj, mungesa e uniformitetit në shpërndarjen e ujit mund të jetë për shkak të bllokimit të një ose më shumë pikuesve për gjatë tubit të ujitjes.

Përdorimi i pakujdesshëm mund të çojë në dëmtime të konsiderueshme të sistemit të ujitjes dhe plehërimit, deri në nxjerrjen jashtë përdorimit të tij. Burime të ndryshme ujore mbartin rreziqe të ndryshme për sa i përket zënies së pikuesve. Shkaqet e bllokimit të pikuesve mund të jenë biologjikë, fizikë apo kimikë.

Shkaqet fizike të bllokimit. Shkaktari kryesor fizik i bllokimit të pikuesve është rëra, e cila gjendet rëndom tek ujërat sipërfaqësorë. Edhe trupa të tjerë pluskues (mbetje të ndryshme) mund të jenë tepër të mëdhenj për të kaluar përmes pikuesve të ujit duke u bërë kështu shkaktarë të bllokimit të tyre. Në kushte të caktuara, grimca dheu me përmasa mesatare mund të bashkohen me njëri tjetrin, duke formuar agregatë më të mëdhenj dhe të bëhen gjithashtu shkaktarë të bllokimit të driperave. Turbullira e ujit përdoret shpesh si një tregues i përmbajtjes në të agregateve notues, por ajo nuk është një tregues i saktë i potencialit bllokues të ujit. Një sistem i përshtatshëm filtrimi, i projektuar bazuar në cilësinë e ujit, mund të evitojë bllokimin e sistemeve të ujitjes nga shkaktarë fizikë.

Shkaqet biologjike të bllokimit. Sistemet e ujitjes me pika krijojnë një mjedis të përshtatshëm për rritjen e shpejtë të baktereve, kërpudhave dhe algave. Grumbullimet e tyre mund të janë shkaktarë të drejtpërdrejtë të bllokimit të pikuesve, apo mund të ndihmojnë bashkimin e kripërave minerale në agregatë aq të mëdhenj sa të shkaktojnë bllokimin e pikuesve. Kjo dukuri ndodh më shpesh me kripërat e magnezit, kripërat e acidit sulfurik dhe të hekurit që mund të jenë të pranishëm në ujë. Klorifikimi dhe dezinfektimi janë mënyrat kryesore të mbajtjes nën kontroll të bllokimit të sistemeve të ujitjes me pika për shkak të faktorëve biologjikë. Përdorimi periodik i klorit në përqendrimin 0.5-1 ppm është mënyra më e mirë për të kontrolluar zhvillimin e baktereve dhe algave.

Shkaktarët kimikë të bllokimit. Me termin “shkaktar kimik” nënkuptohet precipitimi i kripërave minerale, të tretura në ujë në shtresa të ngurta në brendësi të pikuesve të sistemeve të ujtjes me pika.. Tretshmëria e një minerali të caktuar varet nga temperatura e ujit, pH-i i tij, potencialet e tij oksiduese dhe përqendrimi i elementëve të pranishëm në ujë. Elementët më të zakonshëm, përgjegjës për bllokimin e sistemeve të ujitjes me pika nëpërmjet precipitimit dhe sedimentimit janë kalciumi, magnezi, hekuri dhe mangani. Rreziku është më i lartë në rastet kur uji që përdoret për ujitje ka përqendrime të larta të këtyre elementëve dhe pH më të latë se 7.0. Edhe shtimi i plehrave në ujin e përdorur për ujitje (plehërim me anë të ujitjes) mund të sjellë bllokim të pikuesve për shkak të bashkëveprimeve kimike dhe përqendrimit të lartë të kripërave minerale, e që tejkalojnë kufirin e tyre të tretshmërisë. Përdorimi i acideve për neutralizimin e  karbonateve është mundësia më e mirë për parandalimin e bllokimeve. Për këtë qëllim mund të përdoren disa lloje acidesh (hidroklorik, sulfurik, etj), por acidi fosforik është më i përshtatshmi për arsye se ai përbën në të  njëjtën kohë burimin më të përshtatshëm për sigurimin e fosforit gjatë vegjetacionit të bimëve. Në çdo rast duhet mbajtur mirë parasysh, që të gjithë acidet janë të rrezikshëm dhe përdorimi i tyre duhet bërë me shumë kujdes.

Natyra e burimit të ujit që shfrytëzohet për ujitje përcakton edhe shkallën dhe natyrën e rrezikshmërisë së bllokimit të sistemeve të ujitjes me pika. Në përgjithësi, ujërat që vijnë nga burime sipërfaqësorë mbartin më shumë agjentë bllokues biologjikë dhe fizikë, ndërkohë që ujërat që vijnë nga puse nëntokësorë karakterizohen nga përqendrime më të larta kripërash minerale, duke manifestuar rrezik më të madh për bllokime me natyrë kimikë.

Të dhënat e paraqitura në tabelën e mëposhtme mund të përdoret si një mjet për të vlerësuar nivelin e rrezikut të bllokimit të sistemit të ujitjes me pika  për shkak të përbërjes së ujit që shfrytëzohet për ujitje.

Përbërësit në ujin për ujitje Niveli i rrezikut të bllokimit
  I ulët Mesatar I lartë
pH <7.0 7.0-8.0 >8.0
Hekuri (Fe) mg/L <0.2 0.2-1.5 >1.5
Mangani (Mn) mg/L <0.1 0.1-1.5 >1.5
Sulfuri i hidrogjenit (H2S)mg/L <0.2 0.2-2.0 >2.0
Totali i kripërave të tretura (TDS) mg/L <500 500-2000 >2000
Totali i grimcave të ngurta notuese (TSS) mg/L <50 50-100 >100
Numri i baktereve (#/ml) <10,000 10,000-50,000 >50,000

 

Për të parandaluar bllokimin e sistemeve të ujitjes me pika, është e këshillueshme të ndiqet procedurë kontrolli:

  • testoni ujin e përdorur për ujitje për të tre shkaqet e mundshme të bllokimit.
  • parandaloni hyrjen në sistem të grimcave apo agregateve të ngurtë, siç janë rëra dhe argjila, nëpërmjet sistemeve të përshtatshme të filtrimit.
  • eliminoni mikroorganizmat që jetojnë në ujë me anë të dezinfektimit dhe trajtimit të përshtatshëm të ujit.
  • parandaloni sedimentimin e kimikateve në sistemin ujitës duke rregulluar nivelin e pH-it, duke monitoruar kufijtë e tretshmërisë së plehrave dhe duke parandaluar bashkëveprimet kimike ndërmjet plehrave.
  • mirëmbani tubat e ujitjes duke i pastruar herë pas herë me ujë.