Psoroza e agrumeve (Citrus psorosis virus).

Psoroza është një sëmundje që emrin e merr nga greqishtja “psora” (=kromë) dhe që gjendet e përhapur kudo, me një shkallë të lartë përhapje.

 

Shenjat e sëmundjes.

Në bimët e ndjeshme, simptoma më karakteristike shfaqet me ndryshimet e lëvores së trungut dhe të degëve. Në sipërfaqe të tyre vihen re pjesë të vogla të indeve të vdekura të shtresave kortikale më sipërfaqësore, indet e thara të të cilave mbështillen drejt qendrës dhe shkëputen nga shtresat e brendshme të lëvores së shëndoshë.

Shenjat e psorozes ne trungun e pemeve.

Shpesh, bimët  shfaqin vetëm simptomat e gjetheve, në formën e një çngjyrosjeje të lehtë me breza të hollë të indeve afër nervaturave sekondare ose në formën e njollave klorotike mbi faqen e sipërme, dhe me pustule suberoze në anën e poshtme. Në përgjithësi simptomat kortikale vihen re vetëm në bimët e rritura, nga 6-7 vjet e më tepër.

Gjethe te prekura nga psoroza e agrumeve.

Portokalli i ëmbël dhe mandarina janë speciet që shfaqin nivel më të lartë ndjeshmërie. Shumë agrume të tjera si limoni, shfaqin ndryshime të ngjyrës së gjetheve së bashku me një gjendje të pjesshme të vuajtjes së bimëve. Sëmundja transmetohet kryesisht me anë të shartimit. Por shkaktari i sëmundjes akoma nuk është përcaktuar saktësisht. Mënyrat e tjera të transmetimit si ajo me anë të farës, mjeteve të prerjes, etj., mbeten për tu konfirmuar.

Luftimi bazohet kryesisht në përdorimin e materialit shumëzues të marrë nga bimë mëmë të pastra. Për bimët e rritura dhe të prekura rëndë, duhet të vlerësohet mundësia e zgjatjes së jetës (me anë të dezinfektimit të lëvores së prekur nga sëmundja, me qëllim që të evitohet vendosja në të e parazitëve kërpudhorë të rrezikshëm) ose të zhduken menjëherë për të penguar ruajtjen e shtameve shumë virulente  të virusit.