Tristecia e agrumeve (Citrus Tristeza Virus).

Tristeca është sëmundja virusale më e rrezikshme e agrumeve në botë, duke prekur rëndë pjesën më të madhe të specieve të kultivuara.

 

Shenjat e sëmundjes.

Simptomat patologjike ndryshojnë shumë në vartësi të shkallës së virulencës të shtameve të ndryshme të patogjenit dhe akoma më shumë në funksion të species bimore. Emri i tristecës (trishtimi) vjen nga disa simptoma që shfaq bima e sëmurë.

Bimët e shartuara mbi nënshartesa të ndjeshme shfaqin simptoma të vuajtjes vegjetative (kufizimi i zhvillimit, rënie e gjetheve dhe tharje e degëve), me ecuri pak a shumë të shpejtë të sëmundjes deri në tharjen e gjithë bimës brenda një harku kohor që mund të variojë nga pak muaj deri në shumë vite.

Bime e thare nga triztesa.

Cilindri drunor i trungut dhe degët shfaqin kanale gjatësore, të dukshme sidomos kur ngrihet lëvorja. Nën pikën e shartimit, nekroza e enëve duke penguar lëvizjen e limfës së përpunuar, pengon zhvillimin e rrënjëve dhe në disa raste shkakton kalbëzimin e tyre.

Dege te prekura nga triztesa.

Gjithashtu si simptomë tipike makroskopike, është zhvillimi më i madh i mbishartesës në krahasim me nënshartesën. Në çdo rast bimët e sëmura japin një prodhim të madh, por me fruta të vegjël, që piqen para kohe, të deformuara, me lëkurë të trashë dhe me pak lëng të një cilësie të keqe.

 

Biologjia dhe epidemiologjia.

Sëmundja provokohet nga virusi i tristecës (Citrus Tristeca Virus, CTV), që paraqitet në formën e particelave fijore me rreth 2.000 nm dhe bë pjesë në grupin e Clasteroviruseve. Në natyrë transmetimi realizohet, përveçse me anë të materialit shumëzues të infektuar edhe me anë të afideve. Kapaciteti dhe eficenca e transmetimit ndryshon në çdo rast, sipas species së vektorit, çepit të virusit, bimës strehuese dhe kushteve të mjedisit. Vektori më aktiv i përhapjes së tristecës është Toxoptera citricidus. Gjithashtu si vektorë potencialë të sëmundjes janë Aphis citricola, A. gosypii, Myzus persicae, Toxoptera aurantii.

Në raste të veçanta, transmetimi i infeksionit mund të realizohet me anë të veglave që përdoren për shartim.

 

Masat e kontrollit.

Në rastet e përhapjes sporadike të sëmundjes luftimi bazohet në kritere të rrepta preventive. Për mbjelljet e agrumishteve të reja duhet të përdoren fidanë të pastër nga sëmundja. Në rastet e  agrumishteve ekzistuese, bimë që rezultojnë të sëmura duhet të zhduken me çdo kusht.