Bakterioza e agrumeve (Pseudomonas syringae pv. Syringae).

Kjo sëmundje është gjithmonë e pranishme në formë endemike, më shumë në fidanishte dhe në agrumishtet e reja të ngritura në zona që rrihen nga era. Sëmundja kthehet në epidemike kur ka dimra të ftohtë dhe me shira.

 

Shenjat e sëmundjes.

Kjo sëmundje shkakton dy kategori lezionesh: mbi organet vegjetative dhe mbi fruta. Nga infeksioni preket vegjetacioni i pranverës së mëparshme dhe në një shkallë më të madhe, ai që formohet në fund të verës – fillim të vjeshtës. Qendra të infeksionit janë frutat e limonit të dëmtuar mekanikisht.

Mbi vegjetacion sëmundja fillon nga infeksioni i bishtave, ku bakteri infekton pjesën në afërsi të sipërfaqes gjethore dhe në atë të degës. Gjethet e infektuara zakonisht thahen, përdridhen dhe në shumicën e rasteve mbeten të varura në degë. Ato mund të rrëzohen kur ecuria e sëmundjes është e ngadaltë.

Mbi degë formohen njolla  të zgjatura përgjatë aksit, të shtypura dhe me ngjyrë kafe, nganjëherë të mbushura nga goma. Kur lezionet janë shumë të përhapura, ato arrijnë të rrethojnë degën, e cila thahet pasi ka shfaqur klorozën e gjetheve. Zakonisht lezionet nuk përhapen shumë dhe me avancimin e sezonit, ato forcohen për shkak të cikatrizimit.

Bakterioza e agrumeve.

Mbi fruta, formohen njolla të rrumbullakëta, pak a shumë të thelluara, me ngjyrë kafe të errët deri në të zezë, me diametër 1-1,5 cm. Njollat mund të jenë të veçuara ose të bashkuara mbi fruta. Në fund të lezioneve të reja mund të vihen re pikëza lëngu të dendur, që përbëjnë eksudatin bakterial. Duhet theksuar se nganjëherë njollat mund të vazhdojnë të zhvillohen edhe pas vjeljes së frutave dhe të bëhen shkak i vendosjes së patogjenëve të tjerë të kalbëzimeve.

Fruta te prekur nga bakterioza e agrumeve.

 

Biologjia dhe epidemiologjia.

Shkaktari i sëmundjes është bakteri Pseudomons syringe pv. syringae, i cili përveçse është i pranishëm në lezionet 2-3 vjeçare të degëve, nga ku del jashtë me anë të shiut, ka një fazë rezidente mbi gjethe, kur temperatura zbret nën 200C, në përgjithësi nga tetori në prill

Sëmundja merr përhapje të gjerë kur gjatë gjysmës së dytë të periudhës vjeshtë-dimër ka shira të shumta, dëmtimet nga ngricat, breshëri dhe sidomos nga erëra të forta. Gjendja e vegjetacionit është gjithashtu shumë e rëndësishme sidomos kur janë prekur degëzat e reja dy vjeçare në fund të verës dhe fillim të vjeshtës.

Portokalli dhe limoni janë speciet më të prekuara nga sëmundja. Më pak e prekshme është mandarina, ku bën përjashtim klementina.

Mbi fruta dëmet vërehen vetëm tek limoni, ndërsa mbi speciet e tjera njollat janë të rastësishme. Në rastin e prekjes së frutave të limonit, breshëri është faktori kryesor, që me anë mikrolezioneve i hap rrugë depërtimit të baktereve.

 

Masat e kontrollit.

Për të ulur shkallën e përhapjes së sëmundjes janë të rëndësishme masat agroteknike dhe vetëm në raste të veçanta mund të kryhen trajtime kimike.         Duhet të evitohen të gjitha operacionet që çojnë në një zhvillim të bollshëm dhe të zgjatur të vegjetacionit në vjeshtë, si p.sh. plehërimet e vona azotike dhe vaditjet e pamjaftueshme në kulmin e verës. Në zonat e prekuara nga erërat, është e nevojshme mbrojtja e bimëve me mbrojtës të përshtatshëm, si psh, mbulimi me rrjetë i fidanishteve.

Në rastet e infeksioneve të rënda, kryesisht mbi bimët akoma në zhvillim, është mirë të përdoret lufta kimike. Në këtë rast rekomandohet vetëm një trajtim në fund të tetorit-fillim të nëntorit, me preparate me bazë bakri. Një trajtim i tillë është i këshillueshëm edhe në fidanishtet e ngritura në ato zona ku infeksionet e bakteriozës janë të rënda.