Malseko e agrumeve (Deuterophoma (Phoma ) tracheiphila).

 

Është një sëmundje që, duke patur mundësi të zhvillohet në të gjitha speciet e kultivuara të gjinisë Citrus, tërheq vëmendjen e prodhuesve për dëmet e mëdha që shkakton në kultivimin e limonit dhe cedrit. Kjo sëmundje është e pranishme në pjesën më të madhe të vendeve të Mesdheut, me shkallë të lartë rrezikshmërie.

 

Shenjat e sëmundjes.

Sëmundja fillon të zhvillohet mbi disa degëza të majës së bimës së infektuar. Gjethet fillojnë të zbehen, bëhen pjesërisht klorotike dhe pastaj rrëzohen. Edhe dega e humbet ngjyrën e gjelbër normale, dhe gjatë prerjes transversale tregon një ngjyrosje jonormale, të kuqe-karrotë, të cilindrit drunor. Me kalimin e kohës dega thahet, merr ngjyrë të errët dhe manifeston shpesh pjesë me ngjyrë gri–argjendi, për shkak të diferencimit të piknideve të parazitit.

Malseko e agrumeve.

Me kalimin e kohës, simptomat përhapen më poshtë, duke kaluar nga degëzat e majës në degët më të trasha, pastaj në trung dhe së fundi në rrënjë. Në përgjithësi kjo ecuri e sëmundjes është e ngadaltë. Nga infeksionet e para të shfaqura në degëzat e majës e deri në kalimin e infeksionit në rrënjë kalon shpesh një periudhë disa vjeçare. Në drurin e prekur nga paraziti, ku është shfaqur ngjyra e kuqe-karrotë,  kjo e fundit ndryshon gradualisht në të verdhë të theksuar, në kafe dhe së fundi në të zezë.

Shenjat e malsekos ne drurin e pemeve te prekura.

Më rrallë infeksioni fillon nga rrënjët ose në kërcell dhe prej këtej përhapet në pjesën e sipërme të kurorës. Sëmundja merr në këtë rast një ecuri më të shpejtë se sa në rastin e parë dhe mund të çojë në tharjen e të gjithë  bimës në një kohë të shkurtër, pas rënies totale të gjetheve. Disa herë procesi shkatërrues përparon kaq shpejt, sa që gjethet e thara mbeten të varura në degë.

 

Biologjia dhe epidemiologjia.

Shkaktari i sëmundjes Deuterophoma tracheiphila është një mikroorganizëm që gjen kushte të mira zhvillimi dhe shfaq aktivitetin e tij patogjenik në enët përçuese të bimëve dhe shumëzohet nëpërmjet piknideve (që diferencohen nën epidermën e degëve të infektuara) dhe në një masë më të vogël me konidembajtës e konide (që formohen mbi gjethet e thara dhe mbi çikatriçet që formohen nga shkëputja e tyre).

Piknidet që formon kërpudha kanë formë të rrumbullakët, të shtypura në drejtim të gjatësisë, me madhësi mesatare 85 x 100 µm, të pajisura me një grykë të gjatë me osteolë. Piknosporet (që formohen nga qelizat e brendshme të piknidit) janë njëqelizore, pa ngjyrë, me madhësi rreth 1×2,5 µm, dhe çlirohen nga gryka e piknidit nëpërmjet osteolës në formën e dyllit ose të pikave të  mukozës.

Konidembajtësit janë në formë fijesh, të izoluar ose të bashkuar në grupe të vegjël, nga ku formohen konidet njëqelizore, pa ngjyrë, me madhësi rreth 3 x 6µm.

Paraziti dimëron në indet e prekura dhe krijon qendra të tjera infeksioni në temperaturë që përfshihet midis 12 dhe 280C (me optimale 20 – 250C) dhe në praninë e lagështisë mbi 65%. Në kushtet e lagështisë së lartë, dhe sidomos në praninë e ujit, piknidet çlirojnë me shumicë piknosporet, të zhytura në një substancë xhelatinoze.

Futja e patogjenit në bimë realizohet nëpërmjet çdo plage të provokuar nga shkaktarë të ndryshëm (era, të ftohtit, breshëri, mjetet e punës etj.) në çdo organ të bimës (gjethe, degë, rrënjë). Gjithashtu infeksioni mund të realizohet në pikat e shkëputjes së gjetheve dhe të frutave nga bima.

Bima është më shumë e ndjeshme ndaj infeksionit gjatë fazës së qetësisë dhe më saktësisht gjatë periudhës nga tetori në shkurt (me maksimumin në janar). Pasi ka penetruar në bimë, patogjeni arrin gypat përçues të ksilemës, duke u zhvilluar sistematikisht dhe duke qëndruar aty deri në tharjen e organit të prekur. Simptomat e para të sëmundjes shfaqen në pranverë, midis marsit dhe majit, pas një intervali prej 3 – 6 muajve nga koha e infektimit.

 

Masat e kontrollit.

Masat e luftimit kundra malsekos merren në dy drejtime: a) në frenimin e zhvillimit të sëmundjes në agrumishtet akoma të pa ifektuara, duke penguar që sëmundja të përhapet nga bimët e infektuara në të shëndoshat; b) duke rikonstruktuar agrumishtet e infektuara.

Në rastin e parë, frenimi i sëmundjes, mund të arrihet me mjete profilaktike dhe me ndërhyrje terapeutike. Mjetet profilaktike kryhen me qëllim që të pengojnë krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e sëmundjes dhe konsistojnë kryesisht: Në evitimin e plagëve të rrënjëve gjatë periudhave kur mund të kryhet infeksioni; në mbrojtjen e bimëve nga erërat nëpërmjet të ngritjes së mbrojtësve të përshtatshëm; në mbrojtjen e bimëve të dëmtuara nga breshëri ose ngricat në kohën e përshtatshme të infeksionit nga paraziti nëpërmjet trajtimeve kimike; në krasitjen e limonit vonë në pranverë kur mundësia e infektimit është më e vogël dhe sidomos në kryerjen e trajtimeve kimike të përshtatshme.

Trajtimet kimike kanë rëndësi të veçantë. Rekomandohet të kryhen disa (3-4) ndërhyrje preventive me preparate me bazë bakri, ziram apo captofol, duke filluar nga gjysma e tetorit në gjysmën e janarit. Duhet pasur kujdes që trajtimet të kryhen menjëherë pas breshrit, ngricave etj. Në praktikë preparatet e bakrit gjejnë përdorim të kufizuar për shkak të fitotoksicitetit, por ato mund të përdoren për trajtimet e para në vjeshtë dhe kur duhet të luftohet njëkohësisht edhe Pseudomonas syringae.

Për sa i takon praktikave agronomike, rëndësi kryesore ka shkatërrimi i degëve të infektuara, me qëllim të dyfishtë: a) që të pengohet kërpudha të zbresë në pjesën që është akoma e shëndoshë; b) të evitohet diferencimi i piknideve, që shtojnë masën e inokulit.

Ristrukturimi i agrumishteve shumë të dëmtuara, realizohet nëpërmjet rimbjelljes së bimëve të dëmtuara rëndë me kultivarë të qëndrueshëm.