Tuberkulozi i ullirit (Pseudomonas syringae subsp. Savastanoi).

Tuberkulozi është një sëmundje e përhapur në të gjitha zonat e kultivimit të ullirit, dhe në pjesën më të madhe të tyre paraqet rrezikshmëri më të madhe se sa sëmundjet e tjera.

 

Shenjat e sëmundjes.

Simptomat e sëmundjes mund të vrojtohen në të gjitha pjesët ajrore të bimës, duke prekur sidomos degët dhe gjethet. Degët shfaqin gunga në fillim me ngjyrë të gjelbër dhe më vonë kafe, me dimensione të ndryshueshme nga ajo e madhësisë së një kokrre piperi deri në atë të një arre të madhe, me formë të rrumbullakët, me sipërfaqe të çrregullt me plasaritje dhe plagë, me konsistencë të fortë. Zakonisht tumoret janë të izoluar, por nganjëherë edhe bashkohen mbi të gjithë gjatësinë e organit të prekur.

Tuberkulozi i ullirit.

Mbi gjethe, ku infeksioni mund të kryhet nga lezionet e fitofagëve, formohen gunga të ngjashme me ato të degëve. Degët e prekura dhe për pasojë komplet bima bëhen objekt i zvogëlimit gradual të rritjes vegjetative, me pasojë zvogëlimin po gradual të prodhimit (kokrra më të vogla dhe me cilësi të keqe).

 

Biologjia dhe epidemiologjia.

Patogjeni Pseudomona syringae subsp. savastanoi, infekton bimën nëpërmjet mikroplagëve të shkaktuara nga fenomene natyrale (pikat e shkëputjes së gjetheve etj.) metereologjike (breshëri, ngricat e tj.) dhe nga shërbimet kulturale (goditja me shkop gjatë vjeljes, plagët e krasitjes etj.).

Pas kryerjes së infeksionit, indet e traumatizuara nga e njëjta plagë që ka lejuar hyrjen e patogjenit  reagojnë me formimin e tuberkuleve tipike të sëmundjes. Në brendësi të indeve të tuberkuleve ekzistojnë kavitete të vogla brenda të cilave realizohet shumëzimi masiv i bakterit. Mikroorganizmi parazit ruhet brenda tuberkuleve të pranishme në degë dhe mbi gjethe. Përhapja e tij bëhet sidomos me anë të ujit të shiut.

Infeksionet e reja favorizohen nga pranverat e ftohta, që formojnë mbi lëkurë lezione të nevojshme për penetrimin e bakterit dhe në sezonin kur temperatura normalisht është e mjaftueshme për zhvillimin e patogjenit.

 

Masat e kontrollit.

Ndalimi i përdorimit të antibiotikëve në bujqësi, bën që e vetmja mundësi e luftimit kundra tuberkulozit është përdorimi i preparateve të bakrit. Përcaktimi i momentit më të përshtatshëm për kryerjen e trajtimit është i vështirë. Në përgjithësi kriteri më i përshtatshëm është ai i ndërhyrjes menjëherë pas faktorëve që e bëjnë bimën të ndjeshme ndaj infeksionit (breshëri, ulja  e temperaturave etj).

Programet intensive të luftimit janë të nevojshme sidomos në fidanishte ku bimët e reja të infektuara paraqesin mundësinë më të lartë të përhapjes së sëmundjes. Eliminimi me anë të krasitjes i degëve të infektuara, shkatërrimi dhe djegia e tyre është një masë e rëndësishme për të ulur bazën infektuese të patogjenit.

Kur vjelja kryhet me anë të shkundjes së degëve për rrëzimin e kokrrave, sëmundja shtohet vazhdimisht dhe plagët që shkaktohen janë të shumta. Në këto raste këshillohet të kryhet një trajtim në të njëjtën ditë ose maksimumi ditën tjetër, sidomos në kohë të butë dhe lagështi shumë të lartë.