Prodhimi komercial i fidanëve të shartuar të shalqinit (përmbledhje).


 
Report prepared by; Astrit Balliu & Engjell Skreli,  2009. 

Informacion i përgjithshëm.

Shartimi është një nga metodat e shumëzimit jo seksual, që bashkon pjesë të bimëve të ndryshme në një organizëm të vetëm. Qëllimi kryesor i shartimit është të rrisë rendimentin dhe përmirësojë cilësinë e prodhimit nëpërmjet kombinimit të një nënshartese të qëndrueshme ndaj sëmundjeve me avantazhet cilësore të një kultivari tjetër komercial. Përfitime të tjera që burojnë prej shartimit janë përmirësimi i karakteristikave të veçanta cilësore, sidomos të konsistencës së tulit, përmirësimi i vitalitetit dhe zvogëlimi i dendësisë së mbjelljes së bimëve. Midis disavantazheve të shartimit mund të përmenden rritja e kostos së prodhimit dhe mundësia që nënshartesa të ndikojë në keqësimin e cilësive karakteristike të frutave të mbishartesës.

Qëllimi dhe rezultatet e demonstrimit.

Ndonëse shartimi është një praktikë e njohur e kultivimit të shalqinit, ende egzistojnë në Shqipëri rajone të gjera ku dominojnë teknologjitë tradicionale të prodhimit. Nepermjet demonstrimeve të realizuara gjatë vitit 2009, AAC synoi zgjerimin dhe përshpejtimin e përdorimit masiv të kësaj teknologjie edhe në këto rajone. Vëmendje ju kushtua gjithashtu vlerësimit të diferencave midis fidanëve të prodhuar në mënyrë industriale përkundrejt atyre të shartuar në mënyrë amatore nga fermerë të veçantë.

Sipas të dhënave të përftuara nga demonstrimet, shartimi nuk ka patur ndonjë ndikim mbi kohën e lulëzimit, por megjithatë ai e ka përshpejtuar fillimin e vjeljeve me 3 deri në 5 ditë. Për shkak të kësaj mund të sigurohet një çmim shumë më i lartë në treg.  Shfrytëzimi i fidanëve të shartuar ndikoi pozitivisht edhe në rritje e rendimentit në përgjithësi. Fidanët e shartuar siguruan një rendiment prej 17 deri në 22 ton/ha  më të lartë, krahasuar me fidanët e pa shartuar. Ndërkohë, të ardhurat e fermerëve pothuajse u dyfishuan. Sipas disa studiuesve, ky rendiment sigurohet si nga rritja e numrit të frutave për bimë, ashtu edhe nga rritja e peshës së frutave.

Për arsye se, një numër i konsiderueshëm prodhuesish vijojnë të prodhojnë vetë fidanë të shartuar, duke shfrytëzuar për këtë qëllim si nënshartesa specie të egra, apo breznitë e dyta të nënshartesave komerciale, demonstrime të ngjashme u realizuan edhe për të vlerësuar ndikimin e këtyre të fundit mbi rendimentin, hershmërinë, përputhshmërinë midis komponentëve të shartimit dhe shijen e frutave. Edhe në këtë rast u evidentuan avantazhe të rëndësishme të fidanëve të prodhuar nga kompanitë e specializuara në kohën e fillimit të vjeljeve, hershmërinë dhe çmimin e shitjeve. Për çdo rast, rritja e kostos së prodhimit, për shkak të çmimit shumë më të lartë të fidanëve komercialë, mbulohet lehtësisht nga rritja e rendimentit dhe çmimet më të larta të shitjes.

 

Përfundime dhe rekomandime.

Shfrytëzimi i fidanëve të shartuar është një praktikë e suksesshme në kultivimin e shalqinit. Përfitimet e fermerëve për shkak të saj janë të rëndësishme sidomos në kushte të disfavorshme kultivimi, përfshirë pamundësinë e qarkullimit bujqësor, shkallën e lartë të infeksionit të tokave nga shkaktarët e disa sëmundjeve, mungesa e kullimit apo përmbajtja e lartë e kripërave në tokë, etj. Praktikisht, ndërsa është ndaluar përdorimi i shumë desinfektantëve të fuqishëm, shfrytëzimi i nënshartesave të qëndrueshme mbetet thuajse e vetmja zgjidhje për shumë situata specifike.

Fidanët e shartuar realizojnë rendimente më të larta, krahasuar me ata të pa shartuar. Rritja e rendimentit sigurohet si nga rritja e numrit të frutave, ashtu edhe nga rritja e peshës mesatare të tyre. Sot është e dukshme tendenca e konsumatorëve vendas dhe atyre të tregjeve rajonale drejt frutave me përmasa më të vogla. Ndërkohë, tregjet e reja potenciale kërkojnë fruta me përmasa shumë të vogla. Për këtë arsye ka lindur nevoja për kërkime/demonstrime për identifikimin e kombinimeve më të përshtatshme të nënshartesave me kultivarët specifikë dhe përcaktimin e dendësisë së përshtatshme të mbjelljes së bimëve për të mundësuar rritjen e rendimentit nëpërmjet rritjes së numrit trë frutave për njësi të sipërfaqes pa ndikuar, apo edhe mirë, duke zvogëluar madhësinë mesatare të frutave.

Potencialisht, shartimi mund të ndikojë pozitivisht, ose negativisht mbi cilësinë e frutave, në varësi nga përputhshmëria e nënshartesës me mbishartesën, apo kushte e kultivimit. Rreziku i ndikimeve negative rritet në kushtet e shartimit në fermë për shkak të mungesës së uniformitetit të nënshartesave të pakontrolluara.  

Në Shqipëri vijon në nënvleftësohet  roli specifik i tipeve të ndryshme të nënshartesave (Lagenaria përkundrejt Cucurbita). Futja në prodhim e tipeve dhe kultivarëve të rinj të nënshartesave do të rrisë mundësitë e përzgjedhjes në funksion të zgjidhjes së problemeve specifike të kultivimit.

Shfrytëzimi i fidanëve të shartuar në shalqin është plotësisht i justifikuar ekonomikisht. Pavarësisht kostos më të lartë të prodhimit, të ardhurat nga tregu dhe përfitimi për njësi të sipërfaqes janë dukshëm më të larta dhe më të sigurta.

Tematika e studimeve / demonstrimeve vijuese.

Ndërhyrja e AAC ka shërbyer për grumbullimin e të dhënave dhe përpunimin e konkluzioneve të përshtatshme mbi efektivitetin dhe avantazhet e zgjerimit të shartimit në teknologjinë e kultivimit të shalqinit. Gjithsesi, ende ka shumë pikëpyetje, zgjidhja e te cilave do të kontribuonte në përmirësimin në tërësi të teknologjisë së prodhimit të shalqinit në Shqipëri. Ato kërkojnë vijimin e kërkimeve/demonstrimeve në fusha që kanë të bëjnë me;

  • Futjen në prodhim të tipeve dhe kultivarëve të rinj të nënshartesave,
  • Karakterizimin e situatave konkrete në të cilat çdo tip/kultivar nënshartese duhet të përdoret,
  • Identifikimin e kombinimeve më të përshtatshme të nënshartesave me kultivarët komercialë për të mundësuar rendimentin maksimal dhe cilësitë më të mira tregtare të frutave të shalqinit. Këto demonstrime janë emergjente për sa i takon kultivarëve triploidë që përfaqësojnë tendencën e re në prodhimin e shalqinit në Shqipëri.