Serrat me mbulesa të dyfishta (përmbledhje).


 
Report prepared by; Astrit Balliu & Engjell Skreli,  2009. 

Informacion i përgjithshëm.                                                                     

Ndërsa çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten, ka një interes gjithashtu në rritje për shfrytëzimin e serrave me mbulesa të dyfishta polietileni, si një nga mundësitë më të mira për konservimin e energjisë diellore të grumbulluar gjatë orëve me diell. Serrat me mbulesa të dyfishta kanë avantazhin e ngadalësimit të ritmeve të humbjes së energjisë së grumbulluar. Kjo supozohet të ketë ndikime pozitive në rritjen e bimëve, për shkak se mundëson që brenda tyre të ruhen temperatura më të larta nga ato të serrave tradicionale.

 

Qëllimi dhe rezultatet e demonstrimit.

AAC ka synuar prezantimin dhe promovimin e serrave me mbulesa të dyfishta, në zonat më intensive të prodhimit të perimeve në Shqipëri, me qëllim që të zgjerohet sezoni i vjeljeve nga serrat dhe të sigurohen të ardhura më të larta për shkak të çmimeve më të favorshme në fillim dhe përfundim të sezoneve të zakonshme të prodhimit. Vlerësimi i ndryshimeve në mikroklimat respektive të serrave të zakonshme dhe atyre me mbulesa të dyfishta u realizua nëpërmjet analizës së të dhënave të përftuara nga regjistruesit automatikë të instaluar në serra për të gjithë kohën e kultivimit.

Analiza e të dhënave u përqendrua në orët e natës (nga ora 1700 në orën 400), për arsye se gjatë këtyre orëve bimët mund të dëmtohen për shkak të humbjeve të larta të energjisë. Në të vërtetë nuk u gjetën ndryshime midis të dy tipeve të serrave përsa i takon vlerave të lagështisë relative të ajrit. Në të dy tipet, ajri ka qenë i ngopur me ujë, gjatë të gjithë natës. Ndonëse kjo ka qenë situatë shumë e favorshme për zhvillimin e sëmundjeve kërpudhore, nuk është evidentuar ndonjë problem me pasoja serioze mbi bimët.

Ndryshe nga kjo, diferencat lidhur me temperaturat e ajrit ishin shumë domethënëse. Në serrat me mbulesa të dyfishta u regjistruan temperatura shumë më të larta (5.7 0C) në fillim të mbrëmjes. Ky avantazh përkundrejt serrave të zakonshme, ndonëse ngushtohej gradualisht, u ruajt gjatë të gjithë natës. Për të gjithë periudhën 12 orëshe të orëve pa diell, mesatarja e temperaturave të ajrit në serrat me mbulesa të dyfishta ishte rreth 2 0C më e lartë nga ajo e serrave të zakonshme.

Ndonëse për shkak të mbulesës së dyfishtë priteshin temperatura maksimale të ajrit më të ulta gjatë ditës, kjo ishte e vështirë të provohej me të dhënat e regjistruara. Arsyeja duket të jetë në faktin që efekti i mbulesës së dyfishtë është mbizotëruar nga efektet e ajrimit, të ndryshueshmërisë së vlerave të rrezatimit diellor dhe të humbjeve të tjera të energjisë për shkak të shërbimeve në serrë.

Duke marrë në konsideratë faktin që për pjesën më të madhe të kohës diferenca e temperaturave midis dy tipeve të serrave shkon nga 2 në 4 0C, mund të përllogariten lehtësisht diferencat në humbjen e energjisë midis tyre. Krahasuar me serrat e zakonshme, humbjet e energjisë në serrat me mbulesa të dyfishta përllogariten nga 19 000 deri 39 000 kcal/orë më pak për çdo 1000 m2 serrë. Ky kursim energjie do të ishte i barabartë me sasinë e energjisë që do të përftohej nga djegia e 2-4 l/orë naftë. Me çmimet aktuale të lëndëve djegëse ky përfitim do të vlerësohej në 200 000 deri në 450 000 lekë.

Rritja e temperaturës së brendshme të serrës ka një efekt të konsiderueshëm në përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit të bimëve. Për këtë arsye fillimi i vjeljeve përshpejtohet me 4 deri në 6 ditë. Në të njëjtën kohë intensiteti i vjeljeve të para është dukshëm më i lartë. Rezultat i këtyre është rritja e rendimentit të hershëm dhe përfitimi i konsiderueshëm nga çmimet më të favorshme të fillimit të sezonit. Në raste të ngjashme, rendimenti është rritur me deri në 28% dhe të ardhurat nga shitja me deri në 60%.

Pa dyshim që ndërtimi i serrave me mbulesa të dyfishta është më i kushtueshëm (rreth 15000 euro/ha), krahasuar me serrat e zakonshme. Gjithsesi në harkun kohor të dhjetë vjetëve (që përkon me amortizimin e plotë të tyre), vlera neto e fitimit të tyre vlerësohet në 93000 euro/ha, përkundrejt vetëm 60000 euro/ha të serrave të zakonshme, duke shënuar në këtë mënyrë një fitim shtesë prej rreth 30000 euro. Në të njëjtën kohë, ritmi i rikthimit të kapitalit të investuar është po ashtu dukshëm më i lartë; 34%, përkundrejt 29% në serrat e zakonshme.

 

Përfundime dhe rekomandime.

Serrat me mbulesa të dyfishta janë një mundësi reale dhe me efektivitet të lartë për prodhuesit e perimeve të freskëta. Efekti i mbulesave të dyfishta mund të barazohet me atë të përftuar nga djegia e rreth 3500 l naftë për çdo 1000 m2 serrë. Nëse supozojmë që 25% e sipërfaqes së serrave në Shqipëri (dmth rreth 200 ha) do të konvertoheshin në këtë model, përfitimi do të ishte i barabartë me sasinë e energjisë së përftuar nga djegia e 1400 ton naftë në vit. Një tjetër përfitim mund të konsiderohet përfitimi i kësaj energjie pa çliruar CO2 në atmosferë.

Nga masivizimi i kësaj teknologjie pritet të zgjatet sezoni i prodhimit, si nëpërmjet prodhimit të hershëm, ashtu edhe nga prodhimi i vonë dhe për pasojë të përmirësohet konkurueshmëria e prodhimeve shqiptare në tregjet rajonale. Efektet pozitive të mbulesave të dyfishta do të përmirësoheshin edhe më tej, nëse ato do të pajiseshin edhe me sisteme të tjera të thjeshta pasive të ngrohjes. Modelet më të përshtatshme të sistemeve pasive të ngrohjes dhe leverdishmëria ekonomike e kombinimit të tyre me serrat me mbulesa të dyfishta mund të eksperimentohet/demonstrohet në sezonet e ardhshme.

Zgjerimi i sipërfaqeve me serra të dyfishta duhet të promovohet dhe mbështetet financiarisht. Është e rekomandueshme që ndërtimi i serrave me mbulesa të dyfishta të përfshihet në skemën e subvencioneve të Agjensisë së Pagesave. Niveli i mbështetjes financiare të jetë sa diferenca në koston e investimit me serrat e zakonshme (15000 euro/ha).

Tematika e studimeve / demonstrimeve vijuese.

Të dhënat e përftuara lidhur me rritjen e temperaturave minimale të ajrit në serrë duhet të verifikohen në mbjelljet e vitit pasardhës. Nga shfrytëzimi i mbulesave të dyfishta mund të lindin disa probleme lidhur me ndriçimin dhe ajrimin. Për këtë arsye duhet të zhvillohen/demonstrohen modele të ndryshme për të identifikuar versionet më të përshtatshme të formave dhe përmasave të serrave, lartësisë dhe gjerësisë së tuneleve individualë, pozicionit dhe raportit të dritareve të ajrimit me sipërfaqen e mbuluar, etj.

Në demonstrimet e realizuara gjatë vitit 2009, nuk janë siguruar të dhëna të qarta lidhur me ndikimin e mbulesave të dyfishta në shkallën e përhapjes së sëmundjeve kërpudhore dhe ritmet e rritjes së popullatave të insekteve (në mënyrë të vecantë të krahëbardhës). Për këtë arsye, është e nevojshme që në vitin në vijim të realizohet një monitorim më i kujdesshëm, për të siguruar të dhënat që do tu jepnin përgjigje  përfundimtare këtyre pyetjeve.

Ka disa studime që bëjnë fjalë për dobitë e shfrytëzimit të sistemeve passive të ngrohjes diellore në serra. Kombinimi i avantazheve të mbulesave të dyfishta me sistemet pasive të ngrohjes, mund të ishte një nga objektivat e demonstrimeve të vitit pasardhës.