Sistemet e ujitjes me tuba të dyfishtë (përmbledhje)


 
Report prepared by; Astrit Balliu & Engjell Skreli,  2009. 

Informacion i përgjithshëm.

Ujitja me pika nënkupton shpërndarjen me intensitet të ulët të sasive të vogla të ujit, nëpërmjet daljeve të posacme, të vendosura përgjatë tubave prej polietileni, ose materialeve të tjera të ngjashme. Ujitja me pika ofron mundësinë e administrimit të përpiktë të ujit dhe ndan përfundimisht procesin e ujitjes nga problemet inxhinierike dhe të njohurive, që komplikojnë ujitjen me brazda, ose atë në formë shiu. Ai përfaqëson gjithashtu, mënyrën më të mirë të shpërndarjes së plehrave në kohën dhe dozën e përshtatshme. Gjithsesi, për të siguruar efektivitet të lartë të shfrytëzimit të ujit dhe plehrave dhe maksimizuar rendimentin e bimëve, kërkohen njohuri dhe praktika bashkëkohore për shfrytëzimin e sistemeve të ujitjes me pika.

 

Qëllimi dhe rezultatet e demonstrimit. 

Një pjesë e konsiderueshme e shalqinit të hershëm në Shqipëri mbillet në toka të lehta ranore. Toka të tilla karakterizohen nga një mënyrë shumë specifike e shpërndarjes së ujit gjatë ujitjes me pika. Zona e lagur që krijohet gjatë ujitjes, është e ngushtë dhe ka tendencë të futet në thellësi të tokës. Për shkak të kësaj, është ngritur dyshimi që kjo mund të ndikojë negativisht në rritjen dhe rendimentin e shalqinit, duke suppozuar se ssitemi rrënjor i bimëve nuk do të furnizohet mjaftueshëm me ujë. Për këtë arsye u ngritën fusha demonstrimi në Lushnjë (Divjakë) dhe Berat (Drenovicë), për të demostruar avantazhet e vendosjes së një linje të dytë ujitje në mesin e rreshtave, paralelisht me atë që zakonsiht vendoset përgjatë rreshtave të bimëve.

Sipas fermerëve që morën pjesë në këto demonstrime, për shkak të vendosjes së linjës së dyfishtë u realizua një shtesë prej 5 t/ha. Ndërkohë, specialistët e AAC flasin për një shtesë rendimenti deri 10 t/ha. Në cdo rast shtesa duket se nuk ka të bëjë me prodhimin e hershëm, por me atë gjithsej të vjelë nga bimët.

Në të vërtetë nuk ka ndonjë rritje të konsiderueshme të kostos së prodhimit për shkak të linjës së dyfishtë të ujitjes. Për shkak shfrytëzimit afatgjatë (5 vjet),  përllogaritet vetëm një rritje e lehtë për shkak të amortizimit të tyre (nga 142 në 262 euro/ha), përjashtuar koston shtesë të fuqisë që kërkohet për montimin, cmontimin dhe administrimin e tyre. Nëse supozojmë një shtesë prej 5 t/ha të prodhimit të vjelë, arrihet të sigurohet një shtesë e pakonsiderueshme (300 euro/ha) në të ardhurat e fermerëve. Kjo shtesë në fitimin e fermerëve është dukshëm më e vogël nga shtesat e përftuara për shkak të novavioneve të tjera të demostruara (shfrytëzimit të bletëve të mjaltit për polenizim dhe shfrytëzimit të filmave termikë).

Shfrytëzimi i linjave të dyfishta të ujitjes me pika nuk inkurajohet as nga të dhënat e përftuara nga literatura. Autorë të ndryshëm pohojnë që për këtë shkak ka një rritje të kostos për shkak të materialeve shtesë, instalimit, mirëmbajtjes dhe asgjësimit të mbetjeve të tubave shtesë. I vetmi përftitim që përllogaritet është kursimi i ujit, sepse sipas tyre nuk ka rritje të rendimentit të bimëve. Në kushtet kur uji nuk  është faktor kufizues, duket se nuk ka të ngjarë që kursimi i ujit të justifikojë rritjen e shpenzimeve për dyfishimin e sasisë së tubave për ujitjen.  Gjithsesi, në situata kur mungesa e ujit është serioze, kjo teknikë mund të shfrytëzohet si mundësi për të zgjeruar sipërfaqen e mbjellë, në sajë të kursimit të ujit që mundësohet prej saj.

 

Përfundime dhe rekomandime. 

Shfrytëzimi i linjave të dyfishta për ujitjen e shalqinit nuk është praktikë e zakonshme në prodhimin komercial. Ajo mund të sigurojë një rritje të lehtë të prodhimit, por fitimi i fermerëve mbetet i diskutueshëm.

Linjat e dyfishta të ujitjes mund të përdoren në zona në të cilat mungesa e ujit është faktor kufizues për prodhimin, si një mundësi për kursimin e tij.

Shfrytëzimi i linjave të dyfishta për ujitjen e shalqinit nuk duhet të inkurajohet. Efektiviteti i kësaj praktike është i diskutueshëm, por padyshim inferior krahasuar me inovacionet e tjera (shfrytëzimi i bletëve në polenizim dhe filmat termikë).