Verticilioza e ullirit (Verticillium dahliae Kleb).

Verticilioza është sëmundje polifage që mund të prekë si bimët barishtore ashtu dhe ato drunore.

Shenjat e sëmundjes.

Simptomat e sëmundjes bëhen  të dukshme që në pranverë, në një pjesë ose në të gjithë kurorën e bimës. Gjethet humbasin turgorin  dhe shkëlqimin sidomos në pjesët më të larta të bimës, pastaj zverdhen dhe bien, ose thahen dhe mbeten të varura në degë. Në të njëjtën kohë, lëvorja e degëve dy tre vjeçare mund të shfaqë njolla nekrotike gjatësore, lehtësisht të shtypura, pak a shumë të zgjatura. Në verë dhe në vjeshtë bimët e sëmura dallohen akoma më lehtë, nga degët  e thara komplet.

Simptomat më tipike dallohen duke bërë një prerje transversale të një dege të infektuar nga kërpudha ku dallohet qartë nxirja e enëve përçuese, si rezultat i degjenerimit të qelizave si dhe nga organet e riprodhimit të kërpudhës.

Biologjia dhe epidemiologjia.

Shkaktari i sëmundjes, V. dahliae, dimëron në tokë ku mund të mbijetojë për një kohë të gjatë me anë të mikroskleroteve me ngjyrë të zezë, që mund të mbeten vitale në tokë edhe një metër thellësi deri në 10 vjet. Potenciali i inokulit shtohet kur toka e ullishteve ka qenë e mbjellë ose mbillet në bashkëshoqërim me specie të tjera të ndjeshme (domate, patllixhan etj.).

Në kushte të përshtatshme kërpudha prodhon me shumicë konide, si nga miceli ashtu dhe nga mikrosklerotet dhe me anë ujit ose insekteve përhapen në bimë të reja. Penetrimi në brendësi të bimës kryhet me anë të plagëve të shkaktuara në sistemin rrënjor ose nga plagët e krijuara kryesisht gjatë trapiantimit.

Ulli i thare nga verticilioza.

Pas penetrimit, kërpudha me anë të rrymës limfatike shpërndan hifet e kërpudhës në shumë pjesë të bimës. V. dahliae prodhon dhe shpërndan edhe substanca toksike, duke kompromentuar organe të ndryshme, si nga helmimi i qelizave, ashtu dhe nga formimi i “tileve” që bllokojnë enët përçuese.

Infeksioni realizohet përveçse me anë të rrënjëve, edhe nga pjesët ajrore të bimës (trungu dhe degët). Në rastin e fundit, penetrimi realizohet nëpërmjet të plagëve të krasitjes ose me anë të galerive të insekteve ksilofagë.

Masat e kontrollit.

Ekzistojnë nivele të ndryshme të rezistencës midis kultivarëve të ullirit. Shumëzimi dhe përhapja e këtyre kultivarëve konsiderohet si mënyrë e rëndësishme parandalimi të prekjeve nga kjo sëmundje. Po ashtu masa të tjera efektive janë shfrytëzimi i veglave të pastra  (që nuk janë shfrytëzuar në krasitjen e bimëe të sëmura), mbjellja larg blloqeve të ullirit e bimëve bimëve të ndjeshme ndaj kësaj sëmundje sëmundje (domatja, patllixhani e tj.), dhe kufizimi i dëmtimeve të sistemit rrënjor të bimëve gjatë punimit të tokës.