Hiri i kungulloreve (Erysiphe cichoracearum).

Shenjat e sëmundjes.

 

Hiri prek të gjitha kungulloret, e midis tyre më tepër pjeprin, kungullin dhe kastravecin. Mund të prekë të gjitha pjesët e gjelbra të bimës; gjethet, kërcejtë, bishtat dhe veçanërisht frutat në disa kultivarë pjepri. Simptomat e para shfaqen mbi faqen e poshtme të gjethes në formë njollash të zbardhura, pluhurore që më pas tentojnë të zgjerohen duke përfshirë pjesën më të madhe të sipërfaqes gjethore nga të dy anët. Konidet e parazitit diferencohen në trajtë zinxhiri dhe janë me formë cilindrike ovale deri elipsoidale. Në rast prekjesh të rënda gjethet  zverdhen dhe thahen.

Hiri i kungulloreve.

 

Biologjia dhe epidemiologjia.

Hiri i kungulloreve shkaktohet nga Erysiphe cichoracearum dhe nga Sphaerotheca fusca. Ruajtja e parazitit gjatë dimrit realizohet me anë të micelit mbi bimët spontane të specieve të tjera, ose me anë të kleistoteceve në mbeturinat bimore dhe në tokë. Përhapja gjatë vegjetacionit realizohet me anë të konideve.

Përhapja e hirit pengohet nga shirat, ndërkohë që gjen kushte optimale kur lagështia relative është rreth 70% dhe temperaturat rreth 26ºC. Në temperaturat nën 10 e mbi 35ºC infeksioni ndalon plotësisht. Në fushë prekjet e para të hirit vërehen në Qershor dhe arrijnë përhapje maksimale në Gusht-Shtator, ndërsa në serra infeksionet janë më të hershme.

Masat e luftimit.

Luftimi i hirit të kungulloreve bazohet në trajtimet me dinokap, bupirimate, fenarimol, triadimefon, propiconazoli, hekzakonazoli, penkonzoli, azoxistrobin, etj.

Trajtimet duhet të fillojnë me shfaqjet e para të simptomave dhe të përsëriten çdo 7-14 ditësh, në vartësi nga periudha e mbulimit të preparatit dhe kushtet favorizuese ose jo të atmosferës.

Rezultate interesante në kontrollin e hirit të kungulloreve janë parë nga përdorimi i plehrave minerale siç janë kripërat e potasit dhe të fosforit, të cilat duket se shtojnë qendrueshmërinë e bimës. Po ashtu, lëngu i nxjerrë nga farat e neemës (azadiraktina) ka treguar veprim të mirë antioidik me veçori sistemike kur është dhënë nga rrënjët.

Në kuadrin e luftës biologjike kundër hirit të kungullorëve mund të përdoret biopreparati me origjinë nga Ampelomices quisqualis në formën e granulave.