Vrugu i kungulloreve (Pseudoperonospora cubensis).

Vrugu përfaqëson sëmundjen më të rrezikshme për familjen e kungulloreve. Speciet që preken më tepër janë kastraveci dhe pjepri, sidomos në mjedise të mbrojtura, kurse shalqini dhe kungulli preken më pak.

Shenjat e sëmundjes.

Simptomat e sëmundjes vërehen në gjethe, ku shfaqen zona të tejdukshme vajore me gjerësi deri në 2 cm dhe me kufij këndorë. Brenda pak ditësh pjesa e prekur zverdhet e më pas thahet. Në anën e poshtme të gjetheve, në qoftë se atmosfera është e lagësht, mund të vrojtohet zhvillimi i një frutifikimi karakteristik gri-vjollcë, që përfaqëson organet e riprodhimit aseksor të kërpudhës, konidembajtësit me konide. Prekja e vrugut mund të çojë edhe në bllokimin e lulëzimit dhe ndalimin e rritjes vegjetative, ndërkohë që frutat pësojnë dëme të mëdha edhe indirekte si pasojë e tharjes së gjetheve.

Vrugu i kungulloreve.

Biologjia dhe epidemiologjia.

 Kjo sëmundje shfaqet zakonisht gjatë muajve të verës, në periudha shumë të lagëta dhe temperatura që përfshihen në intervalin 10-30ºC. Vlerat optimale të temperaturave për zhvillimin e sëmundjes janë16-22ºC. Në këto kushte sporangjet e transportuara me anë të shiut dhe erës prodhojnë zoospore, të cilët në prani të një membrane uji lëvizin dhe mbijnë duke penetruar menjëherë në brendësi të gjetheve nëpërmjet gojëzave. Në fund të periudhës së inkubacionit, që normalisht zgjat 3-5 ditë, nga pjesa e poshtme e gjetheve dalin sporangombajtësit me sporangje të cilat i japin fillesë infeksioneve të reja.

Shpejtësia me të cilën zhvillohet cikli biologjik i parazitit shpjegon se si sëmundja nga pak vatra fillestare infeksioni, brenda harkut 2-3 javor, pushton të gjithë sipërfaqen e mbjellë. Gjatë dimrit, ruajtja e patogjenit sigurohet me anë të oosporeve që diferencohen në mbeturinat bimore të prekura.

 

Kontrolli i sëmundjes.

 

Për të parandaluar infeksionet e vrugut të kungulloreve është e domosdoshme të mblidhen e të shkatërrohen mbeturinat e bimëve të prekura më parë, të favorizohet ajrosja e bimëve në mjediset e mbrojtura dhe të kufizohen ujitjet, sidomos ato në pjesën ajrore të bimëve.

Luftimi kimik ofron rezultate të pamjaftueshme, në qoftë se fillohet kur sëmundja është përhapur në fushë. Trajtimet duhet të fillojnë me konstatimin e njollave të para dhe duhet të përsëriten për sa kohë kushtet klimaterike rezultojnë të favorshme për përhapjen e parazitit. Ndër preparatet që rekomandohen për luftimin e vrugut mund të përmenden ata ftalimidik (Folpet), mancozebi, clorothalonili, metallaksili, fosetili i aluminit, cimoxanili,etj.