Torfa, kategoritë e torfave dhe shfrytëzimi i tyre si substrate për prodhimin e fidanëve.

Shfrytëzimi i torfës si substrat për prodhimin e bimëve, është rekomanduar që në fillimet e shekullit të 18-të. Që nga fillimi i shekullit të 19-të, torfa ka qenë subjekt studimesh për botanistët, kimistët, mikrobiologët dhe shkencëtarë të tjerë.

Torfa formohet nga dekompozimi i pjesshëm i bimëve, përfshirë sasën (zhavarinën), barishtet dhe myshqet, në temperatura të ulëta dhe në kushte anaerobe dhe gjysmë anaerobe. Ky proces ndodh në zona të pa drenuara (kushte anaerobe) dhe pH të ulët. Në këto kushte lignina nuk mund të dekompozohet, kështu që struktura kryesore e torfës formohet nga bimët që mbeten të pandryshuara.

Zone torfike.

Llojet e ndryshme të torfave ndryshojnë nga njëra tjetra në varësi të temperaturës së dekompozimit. Lloji i materialit bimor dhe grada e dekompozimit janë ato që përcaktojnë vlerat që ka një lloj torfe për t’u përdorur si substrat për rritjen e bimëve. Ndërkohë, tekstura e torfës varet gjithashtu nga mënyra sipas të cilës ajo është prodhuar dhe përpunuar.

Dallohen katër kategori të ndryshme të torfave që shfrytëzohen në hortikulturë. Gjithsesi, edhe llojet e përfshira në të njëjtin klasifikim shpesh dallojnë nga njëri tjetri për sa i përket cilësisë, bile dhe torfat e marra nga shtresa të ndryshme të të njëjtit moçal mund të kenë veti fizike dhe kimike të ndryshme.

Torfa ‘Sphagnum, formohet nga mbetjet e thata të bimëve të gjinisë Sphagnum të moçaleve acide. Ekzistojnë rreth 335 lloje Sphagnum në të gjithë botën, më të përhapura në veri në zonat e ftohta. Ka ngjyrë që varion nga e kafe e lehtë në të verdhë deri në ngjyrë kafe. Ka densitet volumetrik shumë të vogël dhe zakonisht përdoret për prodhimin e fidanëve në kaseta me module në përmasa të vogla, apo për të mbushur vazot që varen. Nga shtresat më të thella zakonisht merret torfë me ngjyrë më të errët, më e dekompozuar dhe pak më e rëndë.

Torfa me prejardhje nga gjinia sphagnum është, përbërësi kryesor organik i substrateve për rritjen e fidanëve. Ajo përdoret në substrate mikse, ose edhe si përbërës i vetëm.

Sphagnum sp.

Vetitë fizike të sphagnumi-it. Pas dekompozimit të pjesëve që biodegradohen menjëherë, skeleti i sphagnum-it lë pas një strukture shumë poroze, të përbërë kryesisht nga sphagnoli. Sphagnoli përmban shumë radikale hidroksilike dhe fenolike, dhe ka forcë të madhe elektrostatike për molekulat e ujit, gjë që i siguron torfës një kapacitet ujëmbajtës shumë të lartë. Për këtë arsye torfa përdoret shpesh në substratet mikse për t’u rritur atyre kapacitetin ujëmbajtës ose për t’ju ulur peshën. Torfa ka veti hidrofobike dhe lagështia e saj mund të bëhet problematike. Zakonisht përdoren agjentë të lagësht ose gëlqere për të pakësuar hidrofobicitetin e saj.

Vetitë kimike të sphagnum-it.  Torfa sphagnum përmban 95% lëndë organike në gjendjen e saj të thatë. Për rrjedhojë kjo lloj torfe përmban minimumi 75% fibra, që vijnë nga qelizat e kërcellit dhe e gjetheve të sphagnumit. Kjo strukturë fibroze ka një ngarkesë sipërfaqësore shumë të lartë që siguron një kapacitet këmbyes kationik shumë të lartë. Kushtet ekstreme në të cilat rritet sphagnum-i, bëjnë që torfa të ketë sasi shumë të vogël kripërash të tretura. Sphagnumi karakterizohet nga pH acid. Megjithëse kjo mund të përbëjë avantazh për disa lloje bimësh që kërkojnë mjedis acid, në të shumtën e rasteve torfa përzihet me gëlqere ose me dolomite për të rritur pH në nivelin 5-6.

Torfa “Hypnum”, përbëhet nga mbetjet pjesërisht të dekompozuara të Hypnum, Polytrichum dhe llojeve të tjera të myshqeve të familjes Hypanaceae. Në formën e saj të qëndrueshme ajo ka përqendrim të lartë të acidit humik në formën koloidale. Struktura fillestare  e këtij materiali është e vështirë të rikthehet pas tharjes, për shkak të natyrës hidrofobike të plisit të përftuar. Kjo situatë mund të shmanget me anë të procesit të ngrirjes dhe shkrirjes që copëton plisat dhe krijon një strukturë granulare. Megjithëse torfa ‘hypnum’ është më e lirë sesa torfa ‘sphagnum’, ajo mund të përmbajë patogjenë bimorë ose fara barërash të këqinj, për shkak të kushteve në të cilat është krijuar. Kjo torfë përdoret shpesh si përbërës substratesh për rritjen e bimëve toleruese ndaj aciditetit.

Torfa e krijuar nga dekompozimi i kallamave dhe humusi karakterizohen nga një shkallë më e lartë dekompozimi dhe densitet i lartë volumetrik.  Në përgjithësi, ato nuk rekomandohen si përbërës kryesorë të substrateve për prodhimin e fidanëve.

 

Karakteristikat kryesore të torfave të përshkruara më sipër, në mënyrë të përmbledhur paraqiten në tabelën e mëposhtme:

Lloji i torfës     Prejardhja Shkalla e dekompozimit pH Lënda e thatë (%) Përmbajtja e N (%) Densiteti volumetrik (g/cm3)
Sphagnum sphagnum shumë e ulët       3-4      1-5        0.6-1.4            0.07-0.11
Hypnum hypnum e ulët               5-7 4-10 2-3.5              0.08-0.16
  polystrichum          
  sphagnum spp          
Kallamishte kallama, mesatare 4.0-7.5    5-18     1.5-3.5 0.16-0.29
Humus e padallueshme      e lartë           5.0-7.5       10-50    2.0-3.5           0.32-0.65