Kalbëzimi i fidanëve të perimeve (Pithium spp.)

 

Shenjat e sëmundjes.

Midis organizmave kërpudhore përgjegjës për kalbëzimin e fidanave në shtretër, me rëndësi parësore konsiderohen ato të gjinisë Pithium, si P. debarianum dhe P. ultimum, prekjet e të cilëve shkaktojnë një “shtrëngim” dhe hollim të qafës së kërcellit si dhe kalbëzimin e rrënjëve të bimëve. Infeksione të tilla verifikohen si në shtretër dhe në farishtet e hapura, duke sjellë si pasojë vatra pak a shumë të gjera, të cilat detyrojnë përsëritjen e mbjelljeve.

Vater me bime te rralluara nga kalbezimi i fidaneve.

Pithiumet mund të prekin edhe bimët e rritura duke shkaktuar kalbëzime rrënjore të lokalizuara në majat e rrënjëve, por që fatmirësisht nuk dëmtojnë rëndë vitalitetin dhe prodhimtarinë e bimëve të prekura. Në kushte të veçanta pedo-klimatike speciet e Pithiumit, sidomos P.ultimum, shkaktojnë dëme edhe në frutat e pjekur të solanoreve dhe kungulloreve. Alterimet e provokuara nga këto kërpudha njihen lehtësisht nga prania në sipërfaqe të frutave të një miceli të bardhë, i cili përhapet shumë shpejt dhe brenda 2-3 ditëve pushton gjithë sipërfaqen e organit të prekur. Indet nën micel nxihen dhe me kohë i nënshtrohen kalbëzimit të plotë. Vendet nga ku fillojnë infeksionet janë pikat e lidhjes së bishtave me frutat dhe zonat e kontaktit të këtyre të fundit me tokën.

Fidane speci te prekur nga kalbezimi i fidaneve.

 

Biologjia dhe epidemiologjia.

 Midis specieve të ndryshme të Pithium-it,  shkaktarë të vrasjes dhe kalbëzimit të fidanave konsiderohen P.debaryanum dhe P.ultimum. Është fjala për fikomicete që karakterizohen nga një fazë e riprodhimit seksor me formim oospori nëpërmjet bashkimit të anteridit me oorgonin. Riprodhimi jo seksor i parazitit përfaqësohet nga trupa globoze, pra zoosporangjet me diametër nga 10 në 35 mikron, të vendosura në majën e hifeve të degëzuara. Shpesh nga miceli diferencohen edhe formacione të rrumbullakosura ose klamidospore, të cilat i shërbejnë patogjenit për dimërim.

Një tipar dallues i këtyre patogjeneve është formimi i një veshikule, brenda të cilës diferencohen dhe më pas çlirohen zoosporet (ose planokonide), të cilat lëvizin në prani të ujit deri sa të arrijnë indet e bimës strehuese. Pas këtij momenti ato humbasin ciljet për tu incistuar në formë sferike dhe formojnë tubin mbirës, i cili shënon edhe fillimin e infeksionit. Zhvillimi i micelit brenda bimës strehuese ndjek një kurs si ndër ashtu dhe brenda qelizor, në kurriz të epidermës dhe kambiumit. Jetojnë në tokë me anë të oosporeve dhe të klamidosporeve deri sa të gjejnë organe të reja të bimës strehuese dhe lagështi të lartë.

 

Masat e Kontrollit.

 Ndër masat kryesore ndaj shkaktarëve të kalbëzimit të fidanëve duhen përmendur në radhë të parë ato të karakterit agroteknik dhe higjino sanitar. Duhet të mos teprohet me ujitjet dhe të eliminohen ujërat e ndenjura, të ruhen temperaturat e përshtatshme në mjediset e prodhimit të fidanëve, të kryhet ajrosja dhe ndriçimi i bimëve në rritje.

Struktura e tokës ku ngrihen farishtet duhet të jetë e lehtë dhe e përshkueshme nga uji. Në terrene të infektuara është i domosdoshëm dezinfektimi i tokës me ndonjë nga preparatet fumigante ose me fungicide si propamokarb, etj. Në rastet e infeksioneve në fruta duhet bërë zhdukja e menjëhershme e tyre dhe evitimi i kontaktit me tokën.

Për të kufizuar dëmtimet nga pithium-et, me rëndësi të veçantë është edhe përdorimi i kontrolluar i plehrave azotike.