Kalbëzimi i rrënjëve (Thielaviopsis basicola).

 

Shenjat e sëmundjes.

Sëmundja prek aparatin rrënjor të shumë bimëve perimore; solanore,  kungullore, bishtajore, etj. Prekjet vërehen me frekuencë më të lartë në fidanët perimorë, në mjediset e prodhimit të tyre, por nuk përjashtohen nga dëmtimet edhe bimët e rritura në fushë. Simptomat tipike të kësaj fitopatie vërehen tek sistemi rrënjor në formë sektorësh të errët deri në nxirje, në korrespondencë të të cilëve rrënjët ngushtohen dhe kalben. Si pasojë organet nëntokësore të prekura shumë shpejt mbulohen nga një micel i bollshëm i parazitit, i cili diferencon konide të bollshme.

Kalbezimi i rrenjeve.

Në pjesën mbitokësore të bimëve të prekura nga ky patogjen, simptomat e sëmundjes konsistojnë në ngadalësimin ose reduktimin e rritjes deri në ndërprerjen e kësaj të fundit. Tipike për bimë të tilla është pamja tipike e rozetës. Më pas, bimët e prekura shkojnë zverdhen dhe vyshken.

 

Biologjia dhe epidemiologjia.

 Shkaktari i sëmundjes, Thielaviopsis basicola, është një kërpudhë deuteromicete që jeton në tokë në gjendje saprofitare, duke ruajtur vitalitetin për një kohë të gjatë, me anë të micelit të fjetur ose me anë të klamidosporeve. Kur bie në kontakt me bimën strehuese fillon veprimtarinë parazitare në kurriz të indeve rrënjore të bimës. Shkalla e virulencës së patogjenit varet ndjeshëm jo vetëm nga genotipi i kultivarit të bimës së prekur, por edhe nga mosha e stadi vegjetativ i bimës. Indet e reja dhe gjendja e përgjithshme e dobësuar bën që bimët të preken më lehtë e më shpejt. Kushtet optimale për veprimtari patogjenike të këtij paraziti realizohen kur temperaturat janë në nivelin rreth 18-20ºC dhe reaksioni i terrenit është neutral ose lehtësisht bazik. Përmbajtja e lartë dhe e zgjatur e lagështisë në tokë, është një tjetër rrethanë që favorizon zhvillimin e sëmundjes.

 

Masat e kontrollit.

 Në rast dyshimesh për infektime nga ky parazit, mjediset e prodhimit të fidanëve duhet të dezinfektohen me anë të trajtimeve termike, ose kimike me  fumigantë si dazomet, vapami, etj.

Para trapiantimit të fidanëve, në raste dyshimesh mund të aplikohet lagia me zhytje e sistemit rrënjor në ndonjë nga preparatet me bazë karbamati, benzimidazoli ose triazoli.

Në fushë të hapur ndërhyrjet janë indirekte të tipit profilaktik si kufizim ujitjesh, plehërime të balancuara dhe zhdukja e bimëve të infektuara. Metodë efikase për luftimin është gjithashtu përdorimi i kultivarëve të qëndrueshëm ndaj kësaj sëmundjeje.