Fusarioza e specit (Fusarium oxysporum f.sp.vasinfectum).

Shenjat e sëmundjes.

Shenjat tipike të sëmundjes që shkakton ky patogjen të kujtojnë faktikisht vyshkjet karakteristike të kërpudhave vaskulare. Fillimisht këto simptoma janë pasojë e invazioneve të indeve drunore dhe kalbëzimit të rrënjëve dhe qafës së kërcellit, duke sjellë për pasojë edhe thyerjen e bimëve  në bazën e tyre e duke krijuar përshtypjen e kancerit të bimëve. Më tej sëmundja ndjek linjën tipike të sëmundjes trakeomikotike.

Fusarioza e specit.

Biologjia dhe epidemiologjia.

 

Shkaktari  i sëmundjes në rastin e specit është një formë speciale e dallueshme nga ajo që prek domaten, Fusarium oxysporum, f.sp. vasinfectum, e cila ushtron veprimtarinë patogjenike në intervalet e temperaturës 20-28°C, duke bërë që infeksionet të shpeshtohen gjatë stinës së verës, sidomos në zonat e ulta e bregdetare.

Dimërimi i patogjenit kryhet në tokë me anë të klamidosporeve, për disa vjet radhazi, me anë të strukturave miceliale dhe të makrokonideve në mbeturinat bimore, ose edhe si kontaminues në frutat apo farat e specit, me anë të të cilave transmetohet në fidanët e rinj.

 

Masat e luftimit.

Luftimi i trakeofuzariozës bazohet kryesisht në metodën gjenetike e cila shfrytëzon gene përgjegjës për qëndrueshmërinë ndaj patogjenit.

Dezinfektimi i tokës me avull të nxehtë ose me fumigante si vapam ose dazomet (80-100 gr/m2) konsiderohen efektiv, por kufizohen në sipërfaqe të vogla pasi kanë kosto të lartë. Edhe dezinfektimi i farës me preparate të grupit të benzimidazoleve konsiderohet si masë e rëndësishme ndaj sëmundjes.

Qarkullimi i specit me bimë të tjera, të paktën për 4-5 vjet si dhe shkatërrimi i mbeturinave bimore të infektuara përbëjnë gjithashtu masa efektive ndaj kësaj sëmundjeje.