insect-white-fly bacteria-pseudomonas-syringae-pv dscn2555 pht10005 pasive-heating aulacorthum-solani mandarin-unshiu dscn2533 drishti2 fungi-pseudoperonospora-cubensis
fotografite

Mënyrat e mbjelljes së kastravecit në serra.

 

Në sera këshillohen të mbillen kultivarë partenokarpikë (kultivarë që prodhojnë vetëm lule femërore), të cilët në varësi nga madhësia e frutave klasifikohen në dy grupe të mëdha; me frut të gjatë dhe me frut të shkurtër.

Përgatitja e tokës për mbjellje dhe mbjellja.

Një tokë e përgatitur mirë është esenciale për rritjen normale të kastravecit. Punimi i tokës bëhet menjëherë pas shkuljes së parabimës, në thellësinë 30-35 cm. Pak kohë përpara mbjelljes bëhet punimi i dytë, dhe nëse është nevoja edhe punime të tjera sipërfaqësore. Përpara punimeve sipërfaqësore, në varësi nga natyra dhe shkalla e infeksioneve të sëmundjeve, apo dëmtuesve në tokë dhe mundësitë konkrete, bëhet dezinfektimi i tokës me mënyra termike (trajtimi me avuj uji, diellëzimi), ose kimike.

Shtrati ku mbillet kastraveci ngrihet lehtësisht, për të lejuar krijimin e vllajave. Përgatitja e tokës në këtë mënyrë është shumë e rëndësishëm në mbjelljet e hershme, tokat e rënda, të ftohta dhe me ujëra nëntokësore të cekëta, si edhe në tokat e rënda. Pas kësaj përgjatë vllajave shtrihen tubat e ujitjes dhe më pas toka mbulohet me fletë plastike për të minimizuar evapotranspirimin dhe për të parandaluar ngritjen e kripërave në sipërfaqe.

Mbjellja e fidanëve, në distancat e përcaktuara midis tyre, bëhet rrafsh, ose pak mbi sipërfaqen e tokës. Mbjellje të thella do ta vendosnin sistemin rrënjor të bimëve në shtresa ku temperatura e tokës është më e ulët dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohej intensiteti i rritjes së sistemit rrënjor të bimëve dhe rriteshin mundësitë e prekjes së tij nga sëmundjet  kërpudhore shkaktarët e të cilave jetojnë në tokë.

Menjëherë pas mbjelljes bëhet ujitja e bollshme e bimëve, për të realizuar lidhjen e shpejtë dhe uniforme të tyre me tokën.

 

Metodat e mbjelljes dhe të trapiantimit.

Në varësi nga drejtimi i prodhimit, sezoni dhe specifikat e mjedisit të kultivimit kastraveci mund të mbillet me farë direkt në tokë, me fidanë të zakonshëm dhe me fidanë të shartuar.

 

Mbjellja me farë direkt në tokë. Mbirja e farave të kastravecit kërkon temperatura relativisht të larta. Temperatura optimale e mbirjes është 25-30 0C. Në këto temperatura mbirja realizohet për 3-4 ditë. Procesi i mbirjes është i reduktuar në kushtet e temperaturave të ulëta, për arsye se këto të fundit janë shkaktare të denatyrimit të proteinave, apo edhe të dëmtimeve më të rënda në embrionet e porsambira. Shkalla e ulët e mbirjeve të farave të kastravecit në temperatura më të vogla se 15 0C, mund të jetë, gjithashtu, rrjedhojë e qetësisë së farave.

Kultivimi me farë direkt në tokë është alternativë e përshtatshme për tokat e dezinfektuara dhe këshillohet për mbjelljet e verës. Në raste të tilla bima formon sistem rrënjor të fuqishëm dhe që depërton më në thellësi të tokës. Kjo u siguron bimëve më shumë qëndrueshmëri kundrejt temperaturave të larta dhe streseve ujore. Në mbjelljet e kësaj periudhe kastraveci i rritur në kubikë ndodh të ketë rritje të pakënaqshme dhe jo uniforme në kushtet e motit të nxehtë.

Suksesi i kultivimit me rrënjë direkt në tokë, është i lidhur me përgatitjen shumë të mirë të shtratit rrënjor dhe sigurimin e sasive të mjaftueshme të ujit, në thellësinë e vendosjes së farave, për të gjithë periudhën e mbirjeve të tyre. Në çdo rast, në toka të pa dezinfektuara, janë të larta rastet e dëmtimeve nga Pythium dhe Rhizoctonia. Farat para mbjelljes duhet të trajtohen me kimikate për parambrojtjen e tyre nga kërpudhat e mësipërme.

 

Mbjellja me përgatitjen paraprake të fidanit. Fidanët e kastravecit dallohen midis fidanëve të tjerë perimorë për intensitetin e lartë të rritjes. Kjo për një numër arsyesh. Farat e kastravecit, ashtu si edhe të kungulloreve të tjera, janë me përmasa të mëdha. Në këto fara gjendet një sasi e madhe yndyrnash (49%) dhe proteinash (35% të peshës së farave të zhveshura), të cilat sigurojnë një sasi të konsiderueshme lëndësh rezervë për rritjen e fidanëve, përpara se gjethet embrionale dhe ato të vërteta të fillojnë aktivitetin fotosintetik. Farat e mëdha sigurojnë gjithashtu përmasa fillestare relativisht të mëdha të fidanëve. Kjo u mundëson këtyre të fundit një fillim të shpejtë të shfrytëzimit të dritës dhe aktivitetit fotosintetik. Në këtë mënyrë, fidanët e kastravecit, bëhen të gatshëm për trapiantim në rreth 3 javë, përkundrejt 6-8 javëve që kërkohen për domaten, apo specin.

Prodhimi i fidanëve të kastravecit mund të realizohet në kaseta, polisteroli ose plastike, ose në formate të ndryshme individuale (vazo, gota, etj). Kërkesë specifike e prodhimit të fidanëve të kastravecit është vëllimi relativisht i madh i moduleve ku prodhohen fidanët. Për këtë arsye, për këtë qëllim zgjidhen kaseta ku përmasat e moduleve janë me diametër jo më pak se 6-8 cm. Në varësi nga përmasat e moduleve për prodhimin e fidanëve, mosha e këtyre të fundit, varion nga 25-40 ditë. Në përputhje me moshën e tyre, në momentin e mbjelljes, fidanët e kastravecit duhet të kenë 2-5 gjethe të vërteta.

 

Kultivimi me fidanë të shartuar. Shartimi i bimëve kungullore ka një histori gati 100 vjeçare. Kjo teknikë është përdorur fillimisht në Japoni dhe Kore dhe aktualisht është duke u përdorur gjithnjë e më shumë në shumë vende të botës. Nëpërmjet shartimit të kastravecit realizohen një sërë avantazhesh. Si të tilla mund të përmenden, rritja e qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt shumë sëmundjeve shkaktarët e të cilëve jetojnë në tokë dhe shkaktojnë vyshkje në bimë (fusariozat, verticilliozat, etj), rritjen e qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt temperaturave të ulëta të tokës dhe përmirësimi i intensitetit të asimilimit të elementëve të ndryshëm ushqyes nga toka, rritja e qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt mungesës së ujit në tokë, rritja e qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt kripëzimi, rritja e qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt nematodave, etj.

Fidane kastraveci te shartuar.

Pavarësisht nga avantazhet e konsiderueshme të shartimit, duhet treguar kujdes në zgjedhjen e nënshartesave, sepse në të kundërt mund të ndodhë që të shfaqen fenomene të padëshirueshme. Të tilla në kastravec mund të jenë ndryshimi i ngjyrës së frutave, si pasojë e ndikimit të produkteve të ndryshme biokimike të nënshartesës.

 

Dendësia e mbjelljes së bimëve kushtëzohet nga sezoni i kultivimit (intensiteti i ndriçimit është i ndryshëm në sezone të ndryshme kultivimi) dhe tipi i kultivarit. Kultivarët me vitalitet të lartë zënë më shumë hapësirë se sa ata me rritje të kufizuar. Sidoqoftë këshillohen mbjelljet me 1.5-2 bimë/m2, për kultivarët e frut gjatë dhe 2-3 bimë/m2, për kultivarët e shkurtër. Për të njëjtin kultivar duhet të aplikohen dendësitë minimale të mbjelljes, në sezone ku intensiteti i ndriçimit është i ulët dhe dita e shkurtër dhe dendësitë maksimale në sezonet me intensitet të lartë ndriçimi. Largësitë e mbjelljes së bimëve, midis/dhe në rreshta mund të jenë nga më të ndryshmet, në varësi nga konfiguracioni i serave dhe mundësitë për mekanizim, por në çdo rast duhet të respektohen dendësitë e rekomanduara të mbjelljes dhe njëkohësisht  tu mundësojnë bimëve dritë dhe qarkullim të mjaftueshëm të ajrit në serë.

Në disa raste dendësia e mbjelljes së bimëve “dyfishohet” nëpërmjet aplikimit të krasitjeve në formë ombrelle (pasi bima arrin lartësinë e telit, këputet maja dhe lihen të zhvillohen dy lastarë të rendit të dytë). Heqja progresive e gjetheve të vjetra është praktikë e domosdoshme, që duhet zbatuar në raste të tilla.

Në rastet e kultivimit  të kastravecit në sera të ulëta mund të aplikohet zëvendësimi i kërcellit kryesor të bimëve pasi ai ka arritur lartësinë e telit. Në këtë rast njëra nga degët anësore mund të përdoret për zëvendësimin e tij. Ky i fundit këputet plotësisht pasi ka filluar prodhimi në degën e re. Degëza që do të përdoret për këtë qëllim është mirë të zgjidhet sa më pranë sipërfaqes së tokës.

nuk ka komente.