mandarina-clementina-2 fungi-pseudoperonospora-cubensis diglyphus-isaea phto0038 kast-deform-frutave dscn2264 dscn2259 kontrolli-i-mikroklimes ujitja dscn2555
fotografite

Përgatitja e serrave për mbjellje dhe mbjellja e fidanëve perimorë.

 

Përgatitja e serrës dhe e tokës për mbjellje.

Pas vjeljes së kulturës paraardhëse sera pastrohet nga bimët, spangot, barërat e këqija, mbeturinat e mbulesave plastike, etj. Më pas vijohet me riparimin e konstruksioneve të serrës, të sistemeve të ajrimit, ngrohjes, ujitjes etj.

Punimet e tokës duhet të jenë të thella, 30-40 cm, me qëllim që të përmbysen në thellësi shtresat sipërfaqësore të saj, me strukturë fizike të dëmtuara, të ngopura me rezerva dimëruese të parazitëve të bimëve dhe kripëra, për ti zëvendësuar me shtresat që gjenden më në thellësi. Zëvendësimi i punimeve me plug, ose me bel, me punimet me anë të frezave është një praktikë e gabuar dhe me pasoja për zhvillimin e mëvonshëm të bimëve. Fenomeni më i zakonshëm është krijimi i një shtrese toke të papërshkueshme nga uji në thellësinë e punimit të frezës (12-15 cm). Kjo bën që më pas, pas disa ujitjeve, e gjithë shtresa e sipërme e tokës të ngopet me ujë dhe vështirësuar frymëmarrjen e rrënjëve. Rezultati do të jetë formimi i një sistemi rrënjor të cekët, ndërprerja e rritjes së bimëve dhe në disa raste edhe asgjësimi i plotë i tyre.

Sistem rrenjor i ceket per shkak te thellesise se pamjaftueshme te punimit te tokes.

Punimet e para të thella të tokës duhet të pasohen nga një ose disa punime sipërfaqësore, punime të cekëta, frezime, lesime, nivelime, etj, deri në formimin e një shtrati rrënjor të përshtatshëm. Punimet mund të kryhen me krahë, ose të mekanizuara. Gjithsesi, punimet nuk duhet të jenë të tepruara dhe nuk duhet të synojnë në krijimin e një shtrati rrënjor të pluhurosur.

Përpara punimeve kryesore në tokë shpërndahen plehrat organike dhe në rast të tokave shumë të varfra edhe një pjesë e plehrave fosforike dhe potasike, ndërkohë që përpara punimeve përgatitore shpërndahet pjesa më e madhe e plehrave kimike që janë destinuar për plehërimin bazë dhe ajo pjesë e pesticideve që është planifikuar për dezinfektimin kimik të tokës. Në varësi nga pjelloria e tokës, intensiteti i infeksionit nga sëmundjet e dëmtuesit dhe mënyra e mbjelljes së bimëve, shpërndarja e pesticideve mund të bëhet në të gjithë sipërfaqen ose me breza. Pas kësaj toka ujitet dhe  sera lihet për disa kohë e mbuluar dhe e mbyllur, me qëllim që të riaktivizohet flora mikrobike e tokës.

Në varësi nga mënyra e mbjelljes së bimëve toka mund të lihet e rrafshët, ose në të formohen  vllaja të ngritura.

Formimi i vllajave të ngritura krijon mjaft avantazhe kundrejt mënyrës së parë (formës së rrafshët të kultivimit) për arsye se toka ngrohet më shpejtë dhe më shumë (temperatura e vllajave është 2-3 0C më e lartë se ajo e tokës së rrafshët) dhe kullon më mirë dhe më shpejtë. Për këto arsye sistemi rrënjor i bimëve rritet më mirë dhe është më aktiv, sidomos në mbjelljet e hershme të bimëve. Mbjellja e bimëve në vllaja mund të bëhet me rreshta individualë, ose me lenta. Në varësi të kësaj përcaktohet gjerësia e vllajave, të cilat në çdo rast duhet të jenë jo më pak se 20-25 cm të larta. Mbjellja në vllaja të ngritura është domosdoshmëri për tokat e rënda, tokat e kripura dhe tokat me nivel të lartë të ujërave nëntokësore.

Formimi i tokes ne serre ne formen e vllajave te ngritura.

Formimi i vllajave mund të shoqërohet me mulçirimin e tokës. Ky i fundit aplikohet për disa arsye;

  • Për të ruajtur lagështinë në tokë dhe mënjanuar kripëzimin e në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor, sidomos në sipërfaqe të tokës.
  • Për të zvogëluar avullimin e ujit nga toka.
  • Për të kufizuar rritjen dhe zhvillimin e barërave të këqija.
  • Për të përmirësuar temperaturën e tokës në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor i bimëve.

 

Materialet plastike që përdoren për mulçirim mund të jenë me ngjyrë të errët, ose të bardha. Këto të fundit ndikojnë gjithashtu në përmirësimin e ndriçimit të gjetheve të bazës, për shkak të reflektimit që i bëjnë dritës që mbërrin në sipërfaqe të tokës. Në disa raste përdoren fletë plastike me ngjyrë të argjendtë, sepse ato çorientojnë fluturimin e insekteve. Shumica e materialeve plastike që përdoren për mulçirim kanë trashësi minimale, 15-50 mikron, sepse ata përdoren vetën në zonën ku shtrihet sistemi rrënjor. Nëse do të mbulohet e gjithës sipërfaqja përdoren fletë plastike më të trasha (70-120 mikron) të cilat mund ti rezistojnë kalimit të njerëzve mbi to.

 

Mbjellja e fidanëve.

Serat mbillen me fidanë të rritur në kubikë. Cilësia e përgatitjes së tyre ndikon në një shkallë të lartë mbi fatin e prodhimit në sasi, cilësi dhe hershmëri.

Teknika e mbjelljes së fidanëve është e rëndësishme për të siguruar lidhje të menjëhershme me tokën dhe më pas rritje intensive të tyre që në fazat e para. Këto teknika nënkuptojnë parapërgatitjen e tokës për mbjelljen e fidanëve në kohën e duhur. Për këtë qëllim pas formimit të vllajave në gjatësi të tyre shtrihen tubat e sistemeve të ujitjes me pika dhe pas kësaj, në rast se toka do të mulçirohet, mbi to vendosen fletët plastike të cilat fiksohen duke i mbuluar me dhe në të dy anët e vllajave.

Pak ditë përpara fillimit të mbjelljes bëhet një ujitje me doza  relativisht të larta uji dhe më pas toka lihet në gjendje të tillë, në mënyrë që në momentin e mbjelljes përmbajtja e ujit në atë të jetë në nivelin 70-80 % të kapacitetit të saj ujëmbajtës. Fidanët vendosen në distancat e përllogaritura të bimëve në rresht, rrafsh me sipërfaqen e tokës. Në rast se toka është e mulçiruar, paraprakisht bëhet çarja e fletëve plastike në formë rrethore, ose të rrumbullakët. Menjëherë pas mbjelljes bëhet një ujitje  me doza të vogla uji (0.5-1 l/bimë) për të siguruar lidhje të shpejtë të bimëve me tokën.

Afatet e mbjelljes së bimëve në sera janë të rëndësishme. Afatet më të zakonshme të mbjelljes së serrave, për zonën bregdetare të Shqipërisë, janë ato të gjysmës së dytë të Janarit dhe të fillimit të Shkurti, për mbjelljet e pranverës dhe të gjysmës së dytë të Gushti për mbjelljet e vjeshtës. Megjithatë, duhet nënvizuar, që në përpjekje për të kapur sezone me çmime më të favorshme, afatet e mbjelljes së domates së mbjellë në sera mund të shmangen ndjeshëm prej atyre që janë bërë të zakonshëm. Në raste të tilla, nëse aplikohen afate më të hershme mbjelljeje, duhet të mbahet në konsideratë fakti që bimët do të ndeshen me probleme të temperaturave të ulta, mungesës së intensitetit optimal të ndriçimit dhe ditës së shkurtër. Afatet e mbjelljes së serave diellore janë megjithatë, të kushtëzuara nga pozicioni gjeografik i vendit ku janë ndërtuar. Si rregull mbjellja e serave diellore fillon pasi ka kaluar rreziku i ngricave të forta të zonës përkatëse.

nuk ka komente.