insect-liriomyza-huidobrensis dscn1611 fuji_14ekim phytoseiulus-persimilis dscn1648 kingstone encarsia-2 phto0036 plant-nutrition-color fungi-pseudoperonospora-cubensis
fotografite

Ndikimi i krasitjeve mbi pemët.

 

Gjate krasitjes ndërhyjmë në pemë duke shkurtuar dhe/ose rralluar degëzat e tyre. Shkurtimi i degëzave dhe lastarëve, konsiston ne prerjen e degëzës apo lastarit deri 1/3 – 2/3  gjatësisë së tyre, apo me pak deri ne heqjen vetëm te majës. Pra, praktikisht  kemi të bëjmë me prerje te rënda, te mesme dhe të lehta të degëzave të bimëve. Rrallimet, nga ana tjetër,  konsistojnë ne largimin e plotë të një pjese te lastarëve dhe te degëzave, deri ne bazën e tyre, ndërkohë që lihen të pacenuar lastarët e tjerë.

Reagimi i pemës ndaj prerjeve te ndryshme është i ndryshëm dhe aplikimi i mënyrave të ndryshme të prerjeve behet ne raste dhe për qëllime te ndryshme.

Reagimi i pemëve ndaj shkurtimeve.

 

Reagimet më të zakonshme të pemëve ndaj shkurtimeve të degëzave përfshijnë;

  1. Rritje të fuqishme të lastarëve qe janë poshtë vendit te prere. Për pasojë, pema mbushet me lastarë drunore dhe kurora e saj dendësohet.
  2. Dobësim i përgjithshëm i pemës qe çon deri ne xhuxhëzim, kur prerjet e rënda  përsëriten për disa vjet rresht. Kjo vjen për arsye se duke hequr  pjese te degëzës dhe sidomos pjesën e majës se saj, largojmë një pjese te kurorës dhe pikërisht atë që është më për tu rritur bujshëm. Ne këtë mënyrë kemi zvogëluar sipërfaqen gjethore te pemës, kemi pakësuar furnizimin e kurorës dhe te sistemit rrënjor me produkte te fotosintezës,  duke ndikuar ne dobësimin e tyre si dhe te gjithë pemës.
  3. Vonim të hyrjes së pemës në prodhim. Siç u tha edhe me lart, shkurtimet e  rënda të lastarëve  drunore japin vitin tjetër, sërish lastarë drunorë, më të shumtë në numër dhe më të dendur, duke vështirësuar ajrimin e pemës dhe diferencimin e degëzave prodhuese.

 

Reagimi i pemëve ndaj rrallimeve. 

 

Rrallimet konsistojnë në largimin tërësor të degëzave që nga baza e tyre, në rast se  ato shihen si të panevojshme (janë te dendura, kryqëzohen, dalin në pozicione të pa dëshiruara, etj)

Reagimet e pemës ndaj rrallimeve përfshijnë:

  1. Diferencimin e degëzave te pakrasitura ne degëza frutore dhe si pasoje futja e pemës më shpejt ne prodhim.
  2. Rrallimin e pemës, dhe si pasoje ajrimin dhe ndriçimin më te mire edhe te pjesëve të brendshme të kurorës, duke kontribuar në këtë mënyrë në rritjen e prodhimit dhe cilësisë.
  3. Kurorë  më të madhe të pemës, krahasuar me rastet e aplikimit të shkurtimeve dhe largim të prodhimit drejt majave dhe skajeve të degëve.
  4. Prishje të ekuilibrit midis rritjes dhe  frutifikimit dhe nëse kjo bëhet për disa vjet e çon  pemën në mbingarkese me elemente prodhues.  Kjo shkakton dobësimin gradual të  degëve dhe tharjen e tyre, duke e bërë më pas të domosdoshme nevojën e provokimit te elementëve vegjetativë.

 

Bazuar në ligjësitë e mësipërme  mund të dalim në këto përfundime praktike:  

  1. Krasitjet e rënda të pemëve në moshe të re vonojnë futjen e tyre në prodhim, ndërsa ne pemët e fuqishme, që fillojnë te prodhojnë, fuqizon vegjetacionin në dëm të frutifikimit. Tek pemët e dobëta krasitja e rëndë nxit vegjetacionin, gjë që është e nevojshme për zëvendësimin e organeve prodhuese, të thara, apo të vjetruara.

 

  1. Krasitja e lehte e pemëve te reja shpejton futjen e tyre ne prodhim dhe është e nevojshme për te arritur ne kohe ekuilibrin fiziologjik në pemë. Tek pemët në prodhim dhe te fuqishme favorizon prodhimin, ndërsa tek pemët në prodhim dhe të dobësuara, ul prodhimin dhe çon në dobësimin e mëtejshëm të pemës.  

 

Si përfundim:

Krasitjet e rënda përdoren ne raste  të domosdoshme për formimin e kurorës, për ekuilibrimin e sistemit rrënjor me atë mbitokësor, ne mbjelljet e fidanëve, ne riciklimin e vegjetacionit te pemëve apo degëve te dobësuara nga krasitjet e lehta te vazhdueshme dhe  rastet e një prodhimi dhe rritje normale për te ekuilibruar rritjen dhe frutifikimin në pemë.

Krasitjet e lehta aplikohen ne pemët e reja për të shpejtuar futjen e tyre në prodhim pasi është formuar skeleti i tyre, si dhe ne pemët e fuqishme ne prodhim, për te nxitur transformimin e degëzave drunore ne frutore.

Për të gjitha arsyet e mësipërme konkluzioni përfundimtar është se gjate forma më e mirë e krasitjes është  ajo që kombinon rrallimet dhe shkurtimet.

nuk ka komente.